KONTRASTET E JETËS

Nga Luan Çipi

 

 

 

Jeta, mbushur me kontraste:

Diku plotë e diku bosh.

Do t’i numëroj ca raste

T’i kujtosh, t’i numërosh:

 

Njëri, mezi gjen pakëz bukë!

Tjetri, me qejf shijon verën!

Jeta ikën ngul e nduk,

Sa hape e mbylle derën!

 

Ca në ditë, hanë një vakt,

Ca bollëk: mish e byrek,

Ka që flenë me barkun thatë,

Ca të ngopur, fryrë kacek!

 

Ca nuk dinë ku i vënë paratë,

Dikush nuk sheh lek me sy,

Ka stoli arri, te gratë,

Ka dhe gra në varfëri.

 

Ca vuajnë mbyllur në burg,

Dikush zgjidhet deputet,

Njeri në kishë: prift a murg,

Pushtetari, nuk të pret.

 

Dikush bëhet shumë i pasur,

Tjetri shegert, shërbëtor,

Njeri parajsën ka hasur,

Tjetri shurdh, memec a qorr.

 

Një shkencëtar, a filozof

Tjetri shkallon, zë  çmendinën,

Njeri kostumin me stof,

Tjetri, copash gabardinën.

 

Dikush martuar tre herë,

Një beqar i staxhionuar,

Shumë fëmijë dikush ka lerë,

Tjetri, veç ka adoptuar.

 

Një se gëzon fëmijërinë,

Tjetri mbushi njëqind vjeç,

Njeri e ndërtoi shtëpinë

Tjetri, epitaf në shesh.

 

Një i pasur: prona, shtëpi,

Tjetri ngeli, po emigrant,

Një më këmbë, mezi që rri,

Një argaliset me gratë.

 

*

 

Je, si je, mos ki merak:

Të gjithë njësh, do jemi shokë,

Sot me frak a me duvak,

Nesër, ndenë një metër tokë!

 

Tiranë, më 05.05.2018

Comments

comments

-----