Në mbyllje të vitit Kombëtar të Skënderbeut, shqiptarët e Montrealit me një projekt ambicioz
Nga Ajet Nuro, Montreal, Kanada
Gjatë gjithë këtij viti përkujtimor kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shqiptarët si në dy shtetet shqiptare ashtu edhe në shtetet e tjera në trojet e tyre por edhe diaspora shqiptare përkujtuan Heroin tonë Kombëtar me aktivitete te gjithëllojshme. Kështu, edhe në Kanada janë realizuar shumë aktivitete si nën kujdesin e ambasadës shqiptare në Ottawa, ashtu edhe nga shoqatat që përfaqësojnë shqiptarët në provinca dhe qytete nga më të ndyshmet. Qëllimi i këtij njoftimi nuk ka të bȩj me këto aktivitete pasi për to është folur tashmë.
Me nismën e zotit Hysni Marku, aktivist dhe veprimtar i komunitetit shqiptar të Montrealit, ish kryetar i Bashkësisë Shqiptare të Kebekut në Montreal, në hotel Hilton Laval, në Laval, u mblodhën një grup shqiptarësh që pëfaqësojnë shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës për të diskutuar një ide që zoti Marku e kishte hedhur në qarkullim që në fillim të këtij viti përkujtimor, ngritjen e një statuje të Heroit Kombëtar në metropolin e Kebekut në Montreal. Të pranishmit, rreth 40 veta, unanimisht e mirëpritën nismën dhe pas diskutimesh se si mund të realizohej kjo nismë, vendosën krijimin e një grupi pune që do filloj punën me etapa të caktuara pë bërjen realitet të këtij projekti. Grupi e punës që përbëhet nga zonjat Vitmira Murati, Anila kati, Artelinda Zaganjori si dhe zotërinjtë Gjergji Hasa, Blerim Matoshi, Ardian Xharra dhe Hysni Marku do të puojnë intensivishtë për të pȩrgatitur kërkesën zyrtare dhe fillimin e negociatave me përfaqësues të qytetit për të siguruar lejen dhe kushtet nëse kêrkesa pranohet. Grupi i punës do të njoftoj herë mbas here si grupin nismëtar por edhe shqiptarët në Montreal dhe më gjerë publikun shqiptar të interesuar për mbarvajtjen e nismës.
Ndonëse është herët të bëhen parashikime, duke parë entuziazmin e grupit nismëtar, suksesi duket në horizont. Urojmë që kjo ëndërr, që edhe Montreali t’i bashkohet Gjenevës, Romës, Brukselit, Klevelandit dhe qyteteve të tjera të botës që kanë një monument të Heroit tonë Kombëtar të bëhet realitet.
Montreal, 30 dhjetor 2018
anuro@albemigrant.com
Comments
-----