Urime nga zemra
Fjala e Akademik Prof.dr.Eshref Ymerit në ceremoninë e anëtarësimit të V. V. Haxhiraj në ASHASHA me seli në New York.-Vlorë,15 dhjetor, 2018.
Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri
Urime nga zemra
shkrimtares së shquar të kombit shqiptar,
zonjës Vilhelme Vrana Haxhiraj
E nderuar zonja Vilhelme,
I nderuar zoti Fitim,
Të nderuar dhe të respektuar të pranishëm, miq dhe të afërm të familjes Haxhiraj.
Më lejoni të shpreh kënaqësinë time të veçantë që ndodhem sot mes jush, me rastin e kësaj dite të shënuar në jetën e Zonjës Vilhelme dhe të familjes së saj, kur ajo ka marrë vlerësimin maksimal nga ana e Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve me seli në Njo Jork, e cila, me vendim të Bordit dhe të Senatit, ditët e fundit i ka akorduar asaj titullin e lartë “Akademik”.
Kjo është një ngjarje shumë e gëzueshme për të gjithë ne, sepse ky vlerësim me domethënie të thellë, i është bërë një personaliteti të mirënjohur të kulturës shqiptare, bijës së Vlorës sonë të dashur, të cilën zonja Vilhelme dhe prof.dr. Bardhosh Gaçe e quajnë “streha e perëndive” apo “shtëpia e detit dhe e diellit”.
Sot të gjithë jemi të emocionuar, por emocionet më të fuqishme po i përjeton zonja Vilhelme, sepse, tek kthen kokën prapa, kujton me dhembje në zemër ato kohë të diktaturës, kur babain e saj të shtrenjtë ia patën lidhur padrejtësisht me tela me gjemba, kur familjen e saj, familje me një prejardhje nga njëra prej dyerve fisnike në pellgun e Medheut (sipas dokumenteve italiane), e nxorën nga shtëpia dhe rreth saj vunë një shirit, ku në çdo 10 cm, shkruhej “Pasuri shteti” dhe asaj iu desh që, në një moshë njomëzake, të bridhte shtëpi më shtëpi, duke u ushqyer me bukën e botës, kujton kur e përjashtuan nga universiteti në prag të diplomimit, kur i mohuan të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesisë për mungesë aftësie në zhvillimin e luftës së klasave, të këtij mjeti tragjik për përçarjen ndërshqiptare, dhe kur iu desh të punonte punëtore për më shumë se një çerek shekulli. Por zemrën zonjës Vilhelme asokohe ia ka pasë lënduar edhe më shumë mohimi i së drejtës për t’u marrë me krijimtari artistike, të drejtë që e gëzoi vetëm kur erdhi demokracia.
Ju kërkoj ndjesë për këtë shtegtim të shkurtër që bëra në të kaluarën e zonjës Vilhelme. Tani le t’i kthehemi përjetimit të ndjenjave të gëzimit që na kanë kapluar sot bashkërisht.
Me krijimtarinë e vet brilante, shkrimtarja e shquar Vilhelme Vrana Haxhiraj ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të shkëlqyer për pasurimin e letërsisë shqipe me vepra në disa gjini letrare. Shkrimtarët dhe poetët janë heronj të heshtur të çdo kombi, por me njerëzit ata dinë të komunikojnë mjeshtërisht me gjuhën e artit. Prandaj edhe zonja Vilhelme, përmes tribunës së artit të saj tëmagjishëm, ka komunikuar dhe vazhdon të komunikojë me lexuesit aq natyrshëm, me aq thjeshtësi intelektuale, saqë u ngjall atyre emocione të fuqishme.
Në skalitjen e botës psikologjike të heronjve të veprave të saj, gjejnë një pasqyrim elegant realitetet shqiptare. Në këndvështrimin tim, zonja Vilhelme ka krijuar në letërsinë shqipe një rrymë të tillë, të cilën mund ta quash “realizëm magjik”. Ajo nuk ka rendur pas temave të bujshme plot enigma dhe mite, të cilat kanë si pikësynim të trazojnë shpirtrat e lexuesve kozmopolitë të realiteteve edhe jashtëshqiptare. Përkundrazi, si burim frymëzimi për krijimin e veprave të saj, shërben trualli shqiptar, me gëzimet dhe me dëshpërimet e jetës, me uljengritjet e shpirtrave njerëzorë,
Veprat e zonjës Vilhelme bien në sy jo vetëm për mjeshtërinë artistike të rrëfimtarisë, por edhe për përsiatjet e saj mahnitëse të natyrës ëndërrimtare me kahje fisnike, çka dëshmon më së miri se ajo është edhe një mendimtare mendjehollë e botës filozofike shqiptare. Në këtë aspekt, veprat e saj përbëjnënjë zbulim të vërtetë, si edhe një këndvështrim të ri për realitetet shqiptare. Veçse duhet theksuar se botëkuptimi i saj filozofik është jashtëzakonisht i kapshëm për njeriun e thjeshtë, sepse aftësia e saj është fort joshëse për të zbuluar në thjeshtësinë e njeriut anën madhështore të formimit të tij psikologjik dhe për t’ia përcjellë lexuesit me një optimizëm shembullor.
Me tematikën fort të larmishme që zonja Vilhelme ka lëvruar në veprat e saj, ajo ka krijuar shkollën e vet të rrëfimtarisë artistike, e cila dallohet për morinë e figurave të gjetura artistike, për pasurinë e gjuhës frazeologjike dhe të larmisë së shprehjeve aforistike.
Por ajo që e dallon veçanërisht penën e zonjës Vilhelme, në krahasim me penën e zonjave të tjera të botës së letrave shqipe, është publicistika nacionaliste.
Disa vepra që ajo ka botuar në fushën e publicistikës, janë perla të vërteta, të cilat të mahnisin me objektivitetin e admirueshëm dhe me vërtetësinë e padiskutueshme të fakteve që ajo ka vjelë nga realitetet shqiptare. Ne, si vend dhe si popull, kemi shumë nevojë për vepra të sferës së publicistikës, të cilat i shërbejnë forcimit të vazhdueshëm të vetëdijes sonë kombëtare, në mënyrë që t’i njohim mirë padrejtësitë që i janë bërë kombit shqiptar, edhe për fajin tonë, si komb, për shkak të përçarjes fatale që na ka karakterizuar që së lashti deri në ditët tona.
Midis disa veprave publicistike që ka botuar zonja Vilhelme, përshtypje të thellë të bëjnë dy veprat më të fundit, që titullohen “Rrugëtimi filozofik i prof.dr. Isuf Luzajt”, kushtuar figurës emblematike të këtij personaliteti të shquar të kulturës mbarëbotërore, para të cilit përulej me respekt te veçantë presidenti amerikan Ronald Regan, dhe tjetra “Tradhtia e madhe ndaj kombit”, dy vepra këto të nivelit akademik.
Ne i shprehim mirënjohjen tonë të thellë Bordit dhe Senatit të Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe të Arteve, me Kryetar Akademikun prof.dr. Skënder Kodra, e cila, duke marrë parasysh korpusin prej 46 veprash të botuara të zonjës Vilhelme, jetëshkrimin e saj të pasur me shumë vlerësime që i janë bërë krijimtarisë së saj si brenda dhe jashtë vendit, vlerësimin e Presidentit të Republikës me titullin “Mjeshtre e Madhe e Penës”, si edhe figurën e saj, si një intelektuale me dinjitet të lartë kombëtar, e pranoi atë në radhët e anëtarësisë së asaj akademie.
Një mirënjohje të veçantë e meriton t’i përcillet akademikut Flori Bruqi, poet, shkrimtar, publicist, analist dhe kritikë i talentuar kosovar, i cili mbulon marrëdhëniet me publikun të akademisë dhe që Bordit dhe Senatit të saj i përcolli jetëshkrimin e zonjës Vilhelme, të shoqëruar me propozimin e vet për t’i akorduar titullin “Akademik”.
Përgëzoj poetin dhe studiuesin e talentuar Albert Habazaj për poezinë aq të bukur dhe me aq lirizëm emocionues, me titull“Princesha e letrave shqipe në Vlorë”, kushtuar zonjës Vilhelme dhe botuar në disa faqe interneti më 07 dhjetor 2018.
Dëshiroj t’i shpreh nga zemra zonjës Vilhelme përgëzimet e mia më të mira për këtë titull të lartë dhe t’i uroj asaj jetë të gjatë. Të njëjtat përgëzime dëshiroj t’ia përcjell edhe zotit Fitim, artist i lindur dhe skalitës i vargjeve poetike, të cilat i improvizon me një mjeshtëri të rrallë. Si një moderator i shkëlqyer dhe i papërtuar i krijimtarisë së zonjës Vilhelme, ai ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut shembullornë përcjelljen e veprave të saj deri te masa e lexuesve.
Ju falnderoj nga zemra për vëmendjen.
Eshref Ymeri
Tiranë, 14 dhjetor 2018
Comments
-----