LETER E HAPUN NR. 3

Ripublikohet, KOPJO  E  VITIT  2009, 19 DHJETOR

Nga Fritz Radovani

 

TË GJITHË ATDHETARËVE SHQIPTARË

 

MBRENDA E JASHTA ATDHEUT!

 

“UNË DO TË VAZHDOJ ME JU SHKRUE DERISA .., PENA E EME, T’ JU THERIN ESHTNAT TUEJA…!”, thonte, një Dijetarë..!

 

JEMI NË PRAGUN E VITIT 2010… TË 70 –tit VIT TË PËRJETËSIMIT TË POETIT KOMBËTAR AT GJERGJ FISHTA OFM…

           

            Për dijeni:

                        Argjipeshkvisë Shkoder dhe Tiranë,

                        Kuvendit Françeskan Shkoder, Lezhë, Troshan,

                        Këshillit Ndërfetar të Shqipnisë, Tiranë,

                        Z.Jozefina Topalli, Kryetar i Kuvendit Popullor, Tiranë,

                        Z.Prof.Dr. Sali Berisha, Kryeminister i Republikës së Shqipnisë,

                        Z.Prefektit të Shkodres,

                        Z.Kryetarit të Bashkisë së Shkodres,

                        Z.Prokurorit të Shkodres,

                        Z.Drejtorit të Organeve të Ruajtjes së Rendit në Shkoder,

                        Të gjitha organeve të Shtypit dhe mjetëve të Informacionit Shqiptar!

Shtoj:  Argjipeshkvinë e Tivarit,

            Argjipeshkvinë e Prizrenit,

            Famullinë e Tuzit dhe të Grudës,

            Këshillit të Pleqve, të Fshatit Fishtë, Lezhë.

            Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipnisë Tiranë,

  1. Ardian Marashi, Kryetar i Inst. Stud. Albanologjike. Tiranë.

            Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkoder dhe të gjithë Rinisë Universitare,

            Diasporen Shqiptare të Malësisë së Hotit dhe të Grudës,

            Diasporën Shqiptare nga Tivari deri në Kep të Paganës… 

ESHTNAT  E  AT GJERGJ  FISHTËS O.F.M. JANË  NË  RRËMAJ !…

 

Një prift i ri, kur pat takue At Meshkallën dhe i tregoi se Imz. Ernesto Çoba, i kishte mësue  këtij kushtet që duhet me heshtë, At Mëshkalla i tha: “Shko e thuej Monsinjorit, me të mësue kushtet që duhet me folë, se me heshtë kemi heshtë boll!…

Edhe unë, tue rikujtue porosinë e At Meshkallës, po flas, se boll kam heshtë!…

Aty rreh vitit 1980, kam shkue ndër vorre të Rrëmajt me u interesue për një vorr të një familjarit tem. Kam takue të Ndjerin Gjon Gjergji, ish roje e vorreve. Mbasi kemi bisedue për problemin personal, Gjoni me një dashamirësi dhe me njëfarë afrimiteti, më mori për krahu dhe u nisëm në drejtim të Kapelës së vorreve.

Mbas pak minuta heshtje, më tha: “Do të shkojmë bashkë në një vend sekret, kam besim se nuk ke me folë me njeri, mbasi kjo që po të tregoj asht gjithmonë me rrezik ba me folë…” Ecëm nga ana e majtë e Kapelës, kaluam vorrët e motrave stigmatine, numroi 1,2,3,4, selvijat dhe tek e katërta, ndaloi. U afruam tek muri dhe aty më shikoi në sy dhe, më tha: “Fritz, Pashë Shpitnat e Atyne të vdekunve që ke në këte vend, dhe që, nga njohja me Ta, po të besoj edhe ty, të lutem mos me folë me asnjeri pa ardhë ajo kohë që ti ke me pasë mundësi me tregue,… se je i ri e njëditë…

Këtu, unë kam futë një thes qimentoje me Eshtnat e At Gjergj Fishtës…”.

U stepa në vend. Pak minuta nuk kemi shkëmbye asnjë fjalë. Për me sigurue kujtesën teme, kam shikue pranë vorrin e një grues së re që kishte një foto në porcelan.

Kam numrue edhe njëherë selvijat dhe jemi kthye me Gjonin në drejtim të Kapelës. Aty jemi ndalue prap.

Gjoni më kuptoi mirë vetëm me të shikueme se cila mund t’ishte pyetja ime: “Si mundën me kenë në Rëmaj Ato Eshtna shumë të përfoluna dhe të “tretuna” në lumin Drin, pranë Urës së Bahçallekut?”….

Më shpjegoi se: “Ka shkue në një mbasdreke, rreth orës 15.00 në shtëpi të Gjonit, ish Drejtori i Ndermarrjës që merrej me riparimin e Kinema Puntori (ish Kisha e Fretenve), i Ndjeri Shyqyri Rrjolli, dhe i ka kërkue me shkue për një problem urgjent në Rrëmaj. Gjoni ka marrë çelsat, ka hypë në makinën e Shyqyriut dhe janë gjetë për 3 minuta aty, nga rruga Canej ku banonte Gjoni.

Kanë hy me makinë deri tek Kapela, janë ndalue dhe, kanë shkue tek vendi ku kishte mendue Shyqyriu, me varrosë “thesin e qimentos”. Gjoni me një lopatë ka hapë një gropë të vogël, po Shyqi, i ka marrë lopatën dhe e ka thellue ai vetë ma shumë gropën, tue shkue afro 50 – 60 cm. thellësi. E kanë mbulue dhe porosia ishte që Gjoni nuk duhët të fliste me asnjë përson.Shyqyriu i kishte tregue Gjonit, se dikush e kishte urdhnue me i nxjerr Eshtnat e Fishtës nga Kisha dhe me i tretë në lumin Drin. Shyqyriu ka urdhnue një punëtor me i futë Eshtnat në thes dhe me ia çue në zyre prej ku, mbas orarit të punës Shyqyriu do të shkonte dhe ti hidhte në lumin Drin.

Mbasi punëtori ka lanë thesin në zyre të Shyqyriut ka ikë, po Shyqyriu e kishte mbajtë thesin tri ditë në zyre dhe kur ka vërejtë se asnjeri nuk interesohet ma për atë çeshtje, ka shkue tek Gjoni, dhe i ka besue për veprimin që kanë krye bashkë me te në Vorrezat e Rrëmajit”.

Për këte çeshtje, mbas vitit 1992, unë kam vue në dijeni tre përsona, Anton Benussin, Ernest Përdodën dhe në 1995, kur po riparohej Kisha Françeskane, At Konrrad Gjolaj, i cili, mund ta ketë bisedue me At Z.Pëllumbin. Unë dhe A.Benussi  jemi gjallë… tjerët jo!

Mendoj, se nuk duhët vazhdue ma mos me folë, edhe pse “demokratët” shqiptarë janë bijtë e baballarëve që kanë çvarrosë At Gjergj Fishtën. Por, tue u nisë se, ndoshta, ka mbetë ndër to një tjetër “Shyqyri Rrjoll”, që asht pak e vështirë me e mendue se ka, pranova me tregue këte sekret, për të cilin po ndodhi një përsëritje e së keqës së maparshme me At Fishtën:

TURPI  DO TI  MBETËT  VETËM  SHKODRËS  DHE  VETËM  ASAJ!

 

Shenim:

  • Në muajn Tetor 2007, kam vue në dijeni me këte letër Institucionet Fetare Katolike të Shqipnisë, të cilët, nuk janë denjue me mu përgjegjë.
  • Amanetin e të Ndjerit Gjon Gjergji nuk mendoj me e marrë me vedi.
  • Mekenëse At Fishta ishte mik i babës sem, të Ndjerit Kol Radovani, për shpenzimet e hapjes së gropës ku asht sot dhe bajtjes deri tek Vorri simbolik në Kishën Françeskane të Gjuhadolit në Shkoder, ju përgjegjem personalisht, mbasi të përfundoni punimet.

 

                                                                                               Fritz RADOVANI

 

       Melbourne, 6 Prill  2008.

 

      Nr. 3, Melbourne, 19 Dhetor 2009.

Botohet pa asnjë ndryshim nga Letra Nr.3 e vitit 2009.

Melbourne, 30 DHJETOR 2018

 

 

 

 

Comments

comments

-----