Aksidenti

Nga Viron Kona

-tregim-

1.

Më në fund m`u plotësua kërkesa që të transferohesha në një shkollë tjetër. Përsëri në fshat, por kësaj here më pranë familjes. Deri atëherë kisha punuar në dy shkolla të tjera fshati dhe në të dyja kisha kaluar mirë, si me drejtuesit, ashtu dhe me kolegët e nxënësit. Veçanërisht sillja në kujtesë me shumë mall shkollën ku fillova punë si mësues për herë të parë, atë të Qershizës, e ku kisha drejtor Petritin dhe kolegë me të cilët më lidhnin kujtime të shumta. Por në shkollën e re, nuk di pse drejtori, Lenti, “më kishte halë në sy”. Mbase, ngaqë i dija dobësinë. Kishim mbaruar bashkë universitetin dhe atij i shkonte mendja se unë mund ta përgojoja, pasi thuajse çdo provim ai e kishte marrë ose me kopje, ose duke futur miq.

-Ja, gjithë ditën e ditës merret me thashetheme, “shet dëngla” poshtë e lart dhe as që e ka mendjen te puna, – shprehej Lenti me mllef për mua. Fjalën “dëngla” e kishte në majë të gjuhës dhe e përdorte dendur. Për mua, ai i ishte ankuar edhe një inspektori të Zyrës Arsimore, i cili pasi e kishte dëgjuar, i kishte thënë:

-Kur qenka i tillë, pse nuk ia tregon vendin! Ti je drejtor dhe ke në dorë “edhe gurin, edhe arën”. – Dhe, pas “këshillës” së inspektorit, drejtor Lenti “po ma nxinte jetën” në shkollë. Më vinte pas si një hije dhe nuk linte rast pa vënë në dukje ndonjë “gabim” apo faj “timin”.

-Dje nuk ishe korrekt me orarin. Apo nuk e di akoma se mësuesi duhet të paraqitet në shkollë 15 minuta përpara fillimit të mësimit?

-Po ju e pat vet drejtor se dje të gjithë erdhëm disa minuta me vonesë pasi në atë kohë na solli autobusi, pati një defekt gjatë rrugës dhe…

-Eee, dëngla! Nuk më duhen këto mua. Shkolla ka orar dhe duhet ta zbatosh. E kishte mirë ai “i pari”, që i mbante mësuesit e qytetit në fshat gjatë gjithë javës. Edhe gjatë rreshtimit, vura re se te klasa që ti ke në kujdestari kishte mungesa. Klasa dukej si kalliri, që i ka kokrrat “një po, një jo”. Pale pastaj, me ato uniformat e rrjepura, nxënësit dukeshin si qengja të qethur gëzhdalla – gëzhdalla.

-Vërtetë kishte ca mungesa zoti drejtor sepse tre nxënës ishin me grip, kurse…

-Dëngla-dëngla! Je mësuar në kryeqytet ti, prandaj edhe kafen e kërkon doemos me qumësht…

Por, ajo që më nervozonte më shumë ishin kontrollet e tij të njëpasnjëshme në orët e mësimit. Hapte papritmas derën e klasës, shkonte e ulej në bankën e fundit, hapte librin e gjuhës dhe më ndiqte duke parë në libër shpjegimin që unë i bëja temës së mësimit… Kërkonte të më kapte doemos në një gabim shkencor, gjë që për mësuesin konsiderohet minus i madh. Ç`ta zgjasë, me mënyrën sesi sillej, duke shfrytëzuar edhe “gurin edhe arrën”, ai më bënte të ndihesha keq çdo çast, madje edhe pishman që kisha kërkuar të vija në atë shkollë.

2.

Ja, këto gjëra kujtoja në pritje të nisjes së autobusit, kur befas dëgjova të qeshurat e dy mësueseve që ishin ulur në ndenjësen para meje. Ato po çuçurisnin midis tyre dhe po tregonin diçka tej xhamit të autobusit. Ktheva vështrimin dhe pashë dy të rinj, një vajzë dhe një djalë, që po putheshin dhe nuk shqiteshin nga njëri – tjetri. Vajza i lakohej pas trupit djaloshit dhe ai e puthte si një i etur në shkretëtirë, në buzë, në sy, në gushë, në faqe..

-Shiko, moj shiko, por e rrëzon për tokë me të puthura! – ia bëri njëra nga mësueset.

-Duket që duhen shumë, – ia ktheu tjetra më e përmbajtur.

-Janë të rinj, – tha e para si e menduar dhe me një ndjenjë të fshehtë xhelozie. Teksa shihja çiftin e të dashuruarve, kush e di pse më erdhën ndërmend disa vargje për puthjen, që i kishte shkruar dikur poeti i njohur lezhjan Ndoc Gjetja. Mbaja mend se, atëherë, për atë poezi, atë e kishin kritikuar në një faqe të tërë të një gazete, por, artikullshkruesi, duke përsëritur e analizuar vargjet “moderniste”, me qëllim që t`i demaskonte sa më rëndë, pa dashur i kishte bërë ato shumë të njohura dhe të paharrueshme për lexuesit:“Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja/ndodhin në mesin e rrugës së madhe/po ajo më njerëzorja/më e madhërishmja,më hyjnorja/puthja/ka mbetur ilegale”.

Më në fund dy të rinjtë u shkëputën. Vajza, duke kthyer kokën në çdo tri-katër hapa, i dërgonte nga një puthje me dorë djalit, teksa ai bënte të njëjtin gjest. Shoqëroja me shikim ata të dy dhe po mendoja për zjarrin dhe pasionin e madh të dashurisë që nuk njeh pengesë. Ishin të shumtë shkrimtarët dhe artistët, që kishin shprehur këtë ndjenjë të thellë e të fuqishme në veprat e tyre, por sidomos Homeri e kishte përshkruar në mënyrë shteruese dhe madhështore tek “Iliada”, ku dashuria e Parisit dhe Helenës u bë “shkak” i luftës më legjendare të historisë njerëzore dhe mbeti historia e dashurisë më e njohur në të gjithë botën…

3.

Befas, një britmë m`i këputi mendimet dhe një si thikë e mprehtë sikur më përshkoi tejpërtej gjoksin. Vajza, që sapo ishte ndarë nga djali, teksa i dërgonte atij vazhdimisht puthje dhe kthente kokën prapa, një çast, e kishte rrëmbyer ana e një makine që kalonte me shpejtësi dhe e kishte përplasur. Gjaku po përhapej nëpër xhade, teksa njerëzit tërë alarm po afroheshin te vendi i ngjarjes. U ngrita vetëtimthi, duke lënë çantën dhe disa fletore të hapura në autobus, dhe vrapova për te vendi i aksidentit, thuajse menjëherë pas djalit të dashuruar. Ndërkohë edhe mësuesit dolën nga autobusi. Një çast të vetëm pashë i stepur dhe si i ngrirë vajzën e shtrirë dhe të gjakosur, teksa djaloshi nisi të qante me dënesa mbi trupin e saj. Zëra, zhurma, pëshpërima, gulçima dëgjoheshin gjithandej.

-Si ndodhi?

-Ku shkoi shoferi?

-Ta çojmë në spital, vajza është gjallë! – thashë, duke e shkundur djalin që vazhdonte të qante krejt i hutuar dhe i tronditur. Ndërkaq, një veturë qëndroi pranë këmbëve tona. Unë dhe djaloshi e ngritëm vajzën me kujdes dhe e vendosën në ndenjësen e pasme të veturës. Djaloshi u ul pranë saj dhe i mbajti kokën e gjakosur në prehër. Edhe unë, pa u menduar gjatë hipa përpara dhe makina u nis me shpejtësi drejtë spitalit më të afërt, atij ushtarak.

-Shpejtë, të lutem shpejt! – thoshte djaloshi, teksa lotët i rridhnin faqeve.

Shoferi, një burrë i vjetër, thuajse në moshën e pensionit, duke i rënë pa pushim burisë, parakalonte dhe shmangte me shkathtësi e me shpejtësi të madhe makinat e tjera. Më shpejt s`bëhej.

Para derës së spitalit ushtarak dolën një grup infermierësh me barelë, e morën vajzën me kujdes dhe e futën drejt e në sallën e urgjencës. Dera para nesh u mbyll. Ato minuta pritje na u dukën orë. Më në fund doli një mjek.

-Kush është i interesuari për vajzën e aksidentuar? – pyeti ai.

-Unë, – tha djaloshit, – doktor si është, do jetojë?

-Po, do jetojë, më pas do flasim për hollësitë. Lutem, qëndronin në pritje.

-Të vijë dhe unë brenda? – u lut djaloshi.

-Jo, më mirë prit këtu, – tha mjeku dhe u fut përsëri në sallë.

I hodha krahun në sup djaloshit dhe e tërhoqa lehtë tek një stol.

-Tani vajza është në duar të sigurta. Nga sa tha mjeku, gjithçka do të kalojë, – i thashë si për t`i dhënë kurajë e shpresë.

Ai më pa me ankth dhe, i përlotur i tëri, shpërtheu me zë të mbytur:

-Unë, unë e pata fajin, ajo donte të largohej se po i shkonte vonë për punë, kurse unë nuk e lija, s`ndahesha dot prej saj, kemi vetëm një jave fejuar dhe…

Kalonin minutat dhe atje brenda diçka po bënin. Më në fund mjeku doli përsëri dhe u drejtua nga djaloshi.

-Vajza nuk ka rrezik për jetën, – i tha ai, – por…

-Aman doktor, vetëm të jetoj!

-Po, do të jetojë, por, na duhet të ndërhyjmë me një operacion në njërën këmbë.

-E ka të dëmtuar rëndë? – e pyeta.

-Më shumë se të dëmtuar, – tha mjeku dhe vijoi: – druaj se do na duhet t`ia presim.

Djaloshi lëshoi një thirrmë të dhimbshme.

-Ka rëndësi që shpëtoi, – i thashë dhe e mora për qafe. Edhe ai më shtrëngoi si një mik të afërt. Dridhej i tëri dhe lotët i rridhnin mbi faqe dhe gjithë fytyrën.

-Kur do ta bëni ndërhyrjen doktor?

-Që tani, – tha mjeku, – po konsultohemi dhe do të vendosim shpejt.

-S`ka asnjë mënyrë tjetër? – pyeti djaloshi me zë të dridhur.

-Jo, për ndryshe do ta humbasim vajzën, – tha mjeku me keqardhje të thellë dhe u fut në sallë. Dera u mbyll pas tij. Djaloshi vijonte të fajësonte veten:

-Unë, unë e pata fajin, unë! Pse s`më ndodhi mua, por i ndodhi asaj!

-Mblidhe veten, – i thashë djalit. – Ajo që u bë nuk ç`bëhet më. Tani ke detyrë të njoftosh prindërit e vajzës dhe të tutë. Dhe, qëndro i fortë.

-Nuk mundem, – tha djaloshi dhe zuri të qaj.

-Ma jep mua numrin e familjes tënde.

Formova numrin e telefonit që më dha djaloshi.

-Alo, – u dëgjua një zë burri. – Kush jeni?

-Jam një mik i djalit tuaj. Jam mësues. Djali është këtu me mua në spitalin ushtarak. E fejuara e tij është e aksidentuar nga një makinë. Nuk ka rrezik jete…duhet të njoftoni edhe prindërit e saj…

-Po si, qysh…?

-Aksident ishte. Unë isha i rastësishëm dhe ndodhem pranë djalit tuaj. Ju mora t`ju vë në dijeni.

Telefoni matanë u mbyll

Djali vazhdonte të ndihej keq. Ora po shkonte dhjetë. Kishin kaluar mbi dy orë nga koha aksidentit. Nga dy makina zbritën disa burra dhe gra. Ishin familjarët e djalit dhe të vajzës së aksidentuar. Dukeshin të alarmuar dhe nxitonin sa mundnin. Djaloshi u doli përpara.

-Po çfarë, si ndodhi?

-Ç`t`ju them baba. Ishte një aksident.

-Si është, si është bija jonë? – ishte babai dhe nëna e vajzës ata që po pyesnin gjithë ankth.

-E kaloi rrezikun për jetën, do jetojë, veçse… mjekët thonë se njërën këmbë e ka shumë të dëmtuar dhe…

-Oh, vajza ime e shtrenjtë! – klithi nëna. -Cili qe ai mallkuar që na e bëri këtë gjëmë?

Mjeku u shfaq përsëri në derë dhe ata i dolën me shpejtësi përpara. Me keqardhje e durim ai u sqaroi gjendjen.

-Më vjen keq që u detyruam t`i presim njërën këmbë, por ne bëmë më të mirën që mundëm!

Babai i vajzës e mori përqafe gruan, e cila nuk po mbahej dot në këmbë. Një infermiere u gjend pranë saj.

Kur mjeku u largua, iu afrova djaloshit:

-Bëhu i fortë, – i thashë, – vajza do të bëhet mirë. Mua do t`më falësh, por më duhet të largohem. Numrin tuaj të telefonit e kam dhe do `t`ju marrë në shtëpi.

-Faleminderit! – tha djaloshi, – ti na u gjende pranë…

-Të falënderojmë, edhe ne, o bir! – më thanë edhe familjarët e vajzës dhe të djalit.

4.

U ndava me ta dhe dola në rrugë. Pas rreth çerek ore, një furgon ndaloi pranë meje.

-Hip, – më tha shoferi. Gjatë gjithë rrugës nuk më hiqej nga mendja skena e aksidentit dhe, pyetja nëse vajza do të bëhej mirë apo jo? Me këto shqetësime mbërrita në shkollë. Në oborrin përpara godinës së shkollës, një grup nxënësish ishin mbledhur rreth drejtori Lentit, i cili ato çaste po ushqente me copa buke dy qengja të vegjël. Ishin dy qengjat e tij, të cilëve ata të klasave të para dhe të dyta, u kishin venë emrat: Coli dhe Loli, pasi qengjat i shikoje gjithnjë duke ndjekur njëri-tjetrin, gjë që shkaktonte gaz të madh te fëmijët. Ishin dy qengja manarë, me sy engjëllorë dhe qime borë të bardha. Drejtori i sillte ata herë pas here të kullosnin në lëndinën përqark shkollës, por ata duke ndjerë sesa i donin fëmijët, kur i gjenin dyert hapur, futeshin edhe nëpër klasa. Madje disa nxënës i nxitnin qengjat të hynin në klasë veçanërisht kur jepte mësim drejtori. Në ato çaste, ata nxirrnin copat e bukës që i kishin marrë me vete posaçërisht dhe ua jepnin qengjave. Donin ta kishin mirë me drejtorin…

Kur më pa mua që iu shfaqa aty pranë, ai shtrembëroi fytyrën dhe, pa e ndalur dhënien e ushqimit qengjave të tij, më tha:

-Mbërrite më në fund?

-Po, drejtor, mbërrita. E di që jam me vonesë dhe kërkoj të falur, por…

-Lëri dënglat dhe justifikimet! Sot s`ke ditë pune dhe kam propozuar për masë disiplinore. Veç kësaj, u thashë atyre të Zyrës Arsimore se, u nise për në shkollë, por rrugës sajove një pretekst dhe i braktise nxënësit, braktise orët e shenjta të mësimit. – dhe, duke më thënë këto fjalë ai ushqeu me një copë bukë të madhe qengjin që kishte hapur gojën përballë tij, teksa tjetri i lëpihej në sup. Të vinte qejf t`i shikoje qengjat, por ato çaste unë kisha tjetër mendje.

-Të lutem drejtor, dëgjomë, – i thashë.

-Nuk kam çfarë të dëgjoj, tani është ora e pestë e mësimit.

-Po, por..

-Të thashë, s`ka dëngla me mua. Unë tregoj ujkun, ti më thua shiko gjurmët!

-Mbase s`është vendi për të përmendur ujqërit tani që këtu pranë ke qengjat, – thashë, duke dashur të bëj pakëz humor dhe ta zbusja disi drejtorin tim.

Ai i mori për ters ato fjalë.

-Çfarë? Ti dënglamadh po e hedh fjalën te qengjat e mi! Mos do të thuash që po i mbaj dhe po i ushqej në shkollë? Më mirë shiko hallin tënd, pasi sot ti e ke shkelur me të dy këmbët dhe je i ndëshkuar. Pikë.

Nuk fola. Ishte e kot që ta zgjasja. Ai nuk donte të më dëgjonte.

-Ç`farë të bëj? – e pyeta

-Përtyp fara lule dielli ose luaj me qentë dhe macet e fshatit. Këto kanë mbetur të bësh. Ah, për pak desh harrova! Edhe fletoret e nxënësve i kishe lënë të përhapura nëpër autobus, si të ishin letra bixhozi!

-Keni të drejtë, por mbase jua thanë se…

-Po kërkon që të më mallëngjesh? Apo do të na tregosh se je njeri human dhe sakrifikon për njerëzit. Por, more zoti mësues, mirë është të mos përzihesh në punët e të tjerëve. Veprimi që bëre ti, ishte detyrë e policisë dhe e mjekësisë, s`kishe punë ti të vërtiteshe, të shisje dëngla andej-këndej për t`ju shmangur punës dhe për t`u bërë hero i ditës. Se, e di unë, ta ka qejfi ty të dukesh, ngordhë të dalësh në ndonjë faqe të parë gazete. Por, ta dish, me mua s`të shkojnë këto. Dhe, tani, më lërë të qetë se s`kam nge të merrem me dënglat e tua.

-E shohë, e shohë që je i zënë me probleme më të rëndësishme, – iu përgjigja, duke hedhur vështrimin te qengjat…

5.

Kur u ktheva në qytet, thashë të shkoja përsëri nga spitali ushtarak. Zemra më rrihte fort. Fantazmën e Lentit, e kisha larguar nga mendja. Në përfytyrim, më shfaqeshin rrethuar me një aureolë të ngrohtë drite dy të dashuruarit. Ndjeja dhimbje të thellë për ta, por edhe besoja se do të gjenin forca ta përballonin atë sprovë të rëndë që u shfaq aq papritmas në jetën e tyre…

 

 

 

Comments

comments

-----