Vështrimi i syve të tu

Një cikël  me poezi lirike

Nga   Përparim    Hysi

 

1.Vështrimi i syve të tu

Vështrim i syve të tu: si një libër i hapur
Kur unë di mirë të lexoj
Sikur shoh mendimin e pashfaqur
Që më  thotë:-Të dashuroj!

Mendimet e pathëna janë si “fantazma”
Fantazmat, zakonisht, dikojnë për keq
Por tash unë jam me flokë të bardha
Dhe më nuk pyes për asnjë dreq.

Të pathënat na çojnë në hulli të panjohura
Pa zëmë e stresosemi ndonjëherë dhe kot
Por vështrimi i syve tuaj, vjen nga”vise të njohura”
Dhe  stresin ma heqin dhe bëhem i plotë.

Bëhem i plotë dhe mbushem me shpresë
“Hullia” ku shkel, krejt e  njohur.
I shtrenjtë vështrimi nga sytë e tu të zesë
“Fantazmat” vdiqën nga ajo ç’ka ndodhur.

2.Përjetim

Fytyra e lëmuar, e butë si kremi
Buzët, mjaltë i pastër,”kripur” me kanellë
Kaq mjafton që të më hip shendi
NJë shend shpotitës që aq më këndellë.

Shikoj që me “hile” bëka dhe ZOTI
Se ja: të ka bërë si jashtë serie!
Po si mund të duroj, unë që jam robi
Që mos pushtohem nga një brengë zilie?

Dhe ç’them, nuk është stisje e krisur
Por një përjetim i mbushur me mbresa
Daç Perëndinë, përse moj syormisur
Më çon në kohëra që u ka”vdekur licenca?!”

 

3. Më duket

Më duket sikur në xhep kam diellin
Se aq dhe i lumtur jam
Në nuk kam diellin, kam mademin
Mademin që më ka dhe e kam xhan.

Ajo më ka dhe unë e kam xhan
Por ç’duhet më shumë për të qenë i lumtur?
Kur ajo për mua bëhet kurban
Si thoni se flaskam turbull?

Turbull nuk flas fare dhe jam i kthjellët
Ashtu siç është i kthjellët një qiell pa re
Diellin,- po ju them,- e kam futur në xhep
Dhe nuk ka më të lumtur mbi dhe!

4.Mulatja

Kishe vënë kapele kashte,edhe vath të mëdhenj
Dale,moj mulate, dale! Se s’të ndjek dot andej!
Buza jote aq mishtore dhe vështrimi vezullues
Seç më çuan  në kohë rinore, në një kohë që s’rrija”sus”

Vjen më zë  ajo me dorë dhe buzëqesh pa të keq
(-A do tundësh dot”këmborë” a do shkosh, o mik, në dreq?!)
Kohë nuk ka; po hë, o burra! “Ujku” para: e vret dot?
Përparim, çlirohu nga  turpa (ndryshe, u turpërove sot?!!!)

E, që thoni… gjëkafshë s’thatë, me mulaten mu buzëlumi
Unë u ktheva “djalë në vakt”(ruaj ende “dufteburri”)

5. Po kur thonë

Po kur thonë që PARAJSA është në qiell
Dhe portën e ruan SHËN PJETRI me kyç
Mua, moj mike, aq më këndell
Sa për atë”parajsën” tjetër as që pyes hiç.

As më duhet parajsa mister
Dhe SHËN PJETRIT t’i trokas në portë.
Tek puth buzën tënde mjaltë e sheqer
Parajsën e kam ngritur mbi tokë.

Atë”Parajsën tjetër” le ta ruajë SHËN PJETRI
Mua më duhet veç një parajsë si ti
Në “parajsën” tënde “vdes” unë, i vjetri,
Ja, kaq e magjishme, je dashuri.

 

6. Nuk ka gjë

Nuk ka gjë që njëra anë e bluzës ka “rrëshqitur”
Dhe gjiri. si “pa dashje”, të ka dalë cullak
Si “pa dashje” ka ndodhur a vet e ke “selitur”
Hamendësoj dhe jo pa shkak.

Se tjetrin e mban fshehur bëluza
Hamendësoj? A do jenë njësoj?
Se kot nuk zë e më ha buza
Dhe them:- Si do ta provoj?

Mëdyshja ime nuk është e stisur
Se ndodh që”motra me motrën” nuk ngjan
E shoh atë tek “bëluza rrëshqitur”
Dhe nepsin dhe për tjetrin e kam.

 

7.Çast

Ta mora dorën e butë dhe të bardhë
Dhe pak me”politesë” e putha
Po ç’do të gjente nga një kokëbardhë
Bukuroshe! Pse të zu turpa?

Se pashë sytë e mëdhenj e qerpikët me bisht
Sikur me”bisht” më gudulisën gushën
Më gudulisën e më fshikën si miqësisht
Dhe guxova mbi ta e vura buzën.

Pse kot thonë që dashuria nuk ka moshë
Jo vetëm thonë, por ka ndodhur shpesh
Sa e mirë që ishe, o moj që”mosqofsh”
Që mua më mbushe me gëzim e shpresë.

Tiranë, 17 prill 2018

Comments

comments

-----