“Nënë Maria, mbesa Ledi, orkestranti dhe. . . , dronti “

                                 Serial tregimesh

                  Nga SOTIR ATHANASI 

 

Këto kujtoja atë ditë tek zbrisnim monopatin te shtëpia e tezes. Gazetari Adriano, do t’I dërgonte një garanci dhe Geni do të shkonte në Padova. Rinisi për ‘të një jetë e re.

Kështu mbyllet tregimi I parë ( SFIDA E NJË PËRKTHYESI ADOLESHENT) 

 

            Le të ndjekim tani, miqt e mi, tregimin e dytë: 

           “Nënë Maria, mbesa Ledi, orkestranti dhe. . . , dronti”.

           Lexim të këndshëm, miqt e mi! 

            

            2.
            Qe muaji prill. Pemët kishin çelur dhe bari ishte rritur goxha. Një grua plakë kulloste lopën këtyre djerrave. Ajo na pa nga larg tek po vareshin tatëpjetë atij shtegu dhe i tërhoqi litarin kafshës që të shkonte në anën tjetër të kësaj njomishteje joshëse.
            Livadhi i djerrë qe tokë mbujake. Lopa parapëlqente ajkësinë dhe s’fryhej së ngrëni deri në harbim. Prandaj me vrik, lëvizi kokën rrëmbimthi dhe e moshuara sakaq ra në ledh. Shtizat me gjithë thurjen e çorapeve, gati e shpuan dhe si dy shigjeta iu kryqëzuan në gjoks për të formuar një kryq. Plaka tha diçka të pakuptueshme që përfundonte me fjalët, o Zot. Mbase mund të ketë parë kryqin dhe ka kërkuar ndihmën e Zotit, për ta marrë në krahët e tij, se lutej për ‘të.
            Lëmshi prej leshi, që i ra nga xhepi i përparëses, u rrokullis një a dy metra dhe u gjend përpara gojës së kafshës, e cila në çast e kish ndalur kullotjen. Ktheu kryet nga e zonja si të ishte qen, e mbërtheu lëmshin me dhëmbë dhe e bindur erdhi te njeriu i saj si fajtore. Ajo nisi ta lëpijë me gjuhë. Se lopa s’kishte viç. Edhe plaka s’kishte djalë. Ato kishin njëra-tjetrën.
            Kafsha zgjati qafën mbi trupin e të moshuarës dhe kjo, si luftëtar i plagosur, vuri duart mbi atë zverk dhe u ngrit në këmbë.
            Qe një mënyrë e përsëritur se si barëngrënësja dhe e zonja i kryenin këto lëvizje në mënyrë të tillë, që tregonin se nuk bëhej për herë të parë ky rit e ky ndërveprim.
            Plaka rregulloi shtizat në gjoks dhe si tërhoqi litarin, u nis përpara. Lopa, si ndonjë shqerkë manare, i vajti pas e bindur. Midis tyre qe vendosur harmonia.
            Ne ngadalësuam hapat dhe i lamë kohë që, e moshuara halle madhe, të kalonte në anën tjetër të kullotës. Babai ndezi një cigare. Mamaja u kujtua të heqë këpucët me taka dhe veshi një palë të sheshta. Se e dinim: plaka nuk dëshironte të takonte njeri. Nuk i pëlqente të bisedonte me kërkënd. Gjithë ditën merrej me kafshën, të cilën e milte çdo mëngjes. Qumështin ua shpërndante me shishet e tyre komshinjve. Në gardhin e çdo komshieje ajo bënte nga një shenjë me bixhak, duke hequr pak lëvozhgë nga druri, që në fund të javës të numëronte shenjat e ato t’i kthente në të holla. Kjo ndodhte të dielave dhe të nesërmen shkonte te dyqani i ushqimeve të paguante veresiet. Qe shumë e rregullt. Ashtu, kryeulur, çapitej e fliste me vete. Ndodhte rrallë, shumë rrallë, të këmbente me dikë refrenin e saj të zakonshëm si përgjigje e pyetjes:
            – Ç’bën mëmë Mari?
            – Ç’të bëj, ja s’po mbaroj dot këto çorape, – thoshte, – vjen dimri e nipat s’kanë çfarë të veshin.
            Askush nuk dinte se për ç’nipa bënte fjalë. Se asnjë nuk mund të thoshte se ia njihte ata. Për ‘të dihej se dhjetë vjet më parë e kishin sjellë këtu në një kasolle të braktisur, e cila, dikur, kishte shërbyer për të shitur zarzavate. Dhe se të shoqin e të dy djemtë ia kishin burgosur për politikë. Thuhej se mirë burri që i vdiq në burg, po djemtë, ç’iu bënë?! E zonja nuk fliste. Ajo kishte kaluar me muaj të tërë në spitalin psikiatrik dhe shtrohej shpesh pesë vitet e para. Më pas, iu bë kronike dhe nisi të gjejë karar me lopën. E kishte marrë mëshqerrë nga tufa në kohën kur po i shpinin në thertore për plan mishi. Dikush kishte thënë se është më mirë ” për shoqërinë t’i japim një kafshë të merret me të sesa ta ushqejë kolektivi duke i paguar raportet “. Atëherë sapo kishte filluar të flitej për tufëzat dhe arëzat këtë perestrojkë alla shqiptare. Vonë u dëgjua të thuhej se dy djemtë e plakës kishin ikur në Greqi sapo qenë liruar nga burgu me ardhjen e demokracisë. Por për mëmë Marinë, ata ishin martuar, madje ishin bërë edhe me fëmijë. Prandaj ajo përgjigjej:
            – Ç’të bëj, s’po mbaroj dot këto çarape se vjen dimri dhe niprit s’kanë çfarë të veshin…
            Dhe po t’i thoshe se presim beharin nënë Mari, ajo do të përgjigjej:
            – E, për ç’behar e ke fjalën  moj nuse, mua më therin kockat e pritet shi. Ja shikoje, është nxirë tutje. Dimri i sivjetëm e hëngri beharin. Ai më parë ikën se vjen. Po mall që u rrit bari dhe lopa më jep qumësht.
            Dhe po të hidhje shikimin tutje e të vëreje lart kaltërsinë, atëherë do të bindeshe se qe nxirë shpirti i kësaj fatkeqeje, jo qielli.
            Thoshin edhe se gjatë natës e shthurte atë që plekste ditën. Nuk flitej gjë për shkakun. Por nuk qe e vështirë të merrej vesh arsyeja. Qe një Penelopë e kohës sonë. Ajo e grekëve priste me durim Odisenë, i cili më në fund do të kthehej. Kjo e jona nuk besoj të kishte lidhje me diç të ngjajshme. Jo. Thjeshtë, mëmë Marinë, e gënjente mendja në atë pritje. E, kështu shtynte tutje ata vite-vetmie e në shoqëri me lopën dhe ushqenin njëra-tjetrën, në një bashkëtingëllim të përsosur zoonoz.
            3.
            Qëndronim të heshtur përpara portës metalike të oborrit. Nga krahu i kundërt i shtëpisë dëgjohej një magnetofon, melodia e të cilit shkëputej që të luhej nga dikush me klarinë. Siç duket muzikanti kërkonte ta mësonte këngën nga kaseta e regjistruar. Melodia qe shumë e bukur dhe në atë vegël, ajo merrte një ngjyrim tejet rrëqethës. Se dhe teksti i këngës ishte i goditur dhe jetësor:
            Kur në gji na mbante nëna, 
            dhe në djepe duke tundur, 
            gjumin e bënte me ëndërra, 
            mos qante ndonjë nga çunat.
   Dhe refreni vetëm me klarinë, pastaj teksti si ndriçues:
            O vllazëri e ke kuptuar vonë, 

            Paske lindur për kusure, 
            si një qyqe, mbeti nëna jonë, 

            Pranë oxhakut, si kërcure. . . 
   Mamasë sime i ngriu dora pezull, te butoni i ziles në portë, si një copë akulli kallkan,  a si një stalagtite.  Ajo ktheu kryet nga im atë dhe vështrimet e tyre thanë shumë. Se për një shkak të ngjashëm i kishte thirrur tezja por, edhe fillikat ky refren i dhimbshëm mjaftonte të të trondiste për atë çfarë do të bisedohej aty. O Zot, ç’kohë po përjetonim! 

             Porta u hap dhe ndërsa motra e vëllezër u takuan e u përshëndetën si në mort me njëri-tjetrin, unë u ndala te vajza e dajës. Ajo ishte tetë vjeç dhe m’u hodh në qafë me një libër të ilustruar në dorë.
            – Liza në botën e çudirave,-më tha-është i bukur, xhaxhi Shpëtim?
            Kështu më thërriste përherë,  megjithëse unë për të isha djali i hallës. Për shkak të moshës ajo më fliste në emër dhe kishte kujdes të shtonte përpara edhe fjalën jo kalimtare ” xha “.
            – Pse s’e ke lexuar ende?-e pyeta.
            -Jo, sapo e bleva, sot.
            – Shumë i bukur,-i thashë vogëlushes.
            Porta e madhe qe ende e hapur e ndonëse klarina stononte këtu e atje, teksti i këngës vinte pastër e dhimbshëm në veshët e mi, në shpirtin tim. Dhe si të mos mjaftonin gjithë këto uvertura, ja tani na shfaqet dhe Liza…Kuturisa të merrem me diçka edhe për të mos zhgënjyer njomëzaken, por edhe për ta mposhtur atë dhimbje e pështjellim që po më zinte fytin, shkul e nga një shkul, si ai i së moshuarës, mëmës Mari. Prandaj e pyeta pa qenë shumë i përqendruar:
            -Ti e di si e quajnë autorin?
            – Po, xhaxhi Shpëtimi, Levis Karol. Ja ku është shkruar-dhe ajo tregoi librin.
            – Bukur, – thashë unë fjalën më parazitare që e përdorja sa herë zihesha gafil, deri sa të përqendrohesha te thelbi i bisedës. – Atëherë mua s’më mbetet veçse të të shpjegoj se ku e ka marrë autori frymëzimin për të shkruar këtë libër kaq të veçantë.
            Ajo e kuptoi se kjo nuk mund të thuhej ashtu, shpejt e shpejt e në këmbë dhe më tërhoqi me nxitim në cepin e një stoli të madh në oborr. Sytë i ndrisnin nga gëzimi. Dhe kishte të drejtë: do tumirej me diçka që nuk ishte shkruar në libër. Patjetër që, një gjë e tillë do ta lumturonte këdo në moshën e saj. Se do të mësonte një gjë, që s’e dinte askush nga shoqet e shokët e shkollës. Mbase edhe mësuesja mund të mos e dinte. Pse çudi iu duket? Se, xhaxhi Shpëtimi qe vetëm i saj. Se ajo e kishte atë djalë-halle dhe se kur të shkonte në shkollë do të thoshte: djali i hallës, që edhe shkruan tregime, më ka thënë se…
            – Mirë, pra-fillova unë: .
            Në Afrikë është një ishull që e quajnë Mauricius. Tre shekuj më parë, aty ka jetuar një zog që quhej Dronti. Anglisht: Dodo. Ky zog ishte si mjellmat. Fluturonte si ato, por me kalimin e kohës, për arsye ende të panjohura, krahët e tij nisën të zvogëlohen dhe…, kjo racë zogjsh e humbi aftësinë për të fluturuar. Prandaj detarët që zbrisnin në ishullin Mauricius, të parin gjuajtje që bënin për ushqim të freskët, pasi ata në det hanin vetëm konserva, ishte zogu i bukur Dronti. Dhe filluan t’i vrasin lehtësisht. Pa mëshirë. Një sot e një nesër. Një tani, një pastaj. Kështu, për ditë e javë të tëra. Se, të shkretët zogj nuk mund të fluturonin e t’i shpëtonin masakrës. Kjo bëri që raca e fluturakut të bukur Dronti, më në fund, të zhduket fare.
            – Dhe?
            – Dhe shkencëtarët mezi kanë mundur të gjejnë e të ndërtojnë skeletin e tij. Një i tillë është në Oksford. Muzeu i këtij universiteti me famë ndodhet në Londër. Shkrimtari Levis Karol, që i donte kaq shumë zogjtë dhe pëllumbat, i prekur nga fati i tyre tragjik, shkroi librin: “LIZA NË BOTËN E ÇUDIRAVE”. 
            Ledi kishte mbetur si e nemitur dhe sytë i mbushi me lot. Unë e lashë në ngashërimin e saj, por nuk më shkonte mendja që ajo do të shpërthente me një pyetje asgjësuese:
            – Pse janë bërë kaq të këqij të rriturit, xhaxhi Shpëtimi? Pse janë kaq pa turp?

—————————

SOTIR ATHANASI

Athinë, 

Dhjetor, 2017! 

Comments

comments

-----