PSE S’ MERREM ME POLITIKË
Nga Luan Çipi
Kam pasur mendim kaherë
Mos t’merrem me politikë,
“Shqiptaria”, më bënë nder,
E mbaj kokën lart pa frikë.
E kam porosi nga baba:
“Mos u fut n’ asnjë parti,
Mos shiko anash e prapa,
Veç për komb, për Shqipëri!”
Partitë, grupe interesi
Për pushtet, për pasuri,
Që duan hise nga thesi,
Pabesi e babëzi.
Tufa që kthehen në klane,
Luftojnë grupi me grup,
Lakmojnë kolltukë e divane,
Hahen e shahen me turp.
Duan favore për miq,
Familjarë e farefis,
Pozicione për të ligj.
Drizat, ferrat bëjnë lis.
Bota bëhet e padrejtë:
Pa meritë të bëjnë rektor,
Sonde, je pastrues në rrjetë,
Nesër, në shkollë–drejtor!
Boll të jesh anëtar partie,
T’angazhohesh në fushata,
Merr “të mira perëndie”,
Je i mbushur me dhurata.
Për pak vjet, bënë pasuri,
Merr diploma dhe dëftesa,
Ngrihesh lart në shoqëri,
Vërshojnë kërkesa e ftesa;
Nga grindjet pa kompromis
Mes partive kundërshtare,
Lufta shpejt dhe brenda nis,
Fraksionet bëhen rivale.
Kundërshtari, nuk fle gjumë,
Po përgjon e regjistron,
Vjen një kohë e shkon për lumë
Ç’ ke arritur, fluturon.
Ta gëzojmë Partinë e Madhe,
Shqipërinë me shqiptarë,
Për këtë të hymë në valle,
Për Atdheun e pa ndarë!
Tiranë, më 10.11.2017
Comments
-----