Postjeri i vogël

Përrallë nga Mimoza Dajçi

New York, Prill 2017

Më duket se ju kam folur edhe kohë më parë për Flaffy-n. Komshiun më të ri të pallatit. Banojmë në të njëjtin kat, dyert përballë i kemi. Eshtë qenush shumë lozonjar, të gjithë e duan dhe i do. Flaffy çdo ditë lahet, pastrohet, fërkon veshët me putrat e vogla njomur me pështymën e tij dhe kreh pushin e bardhë me pulla të kuqërremta. Mbaron ushqimin e mëngjesit dhe fillon të zbavitet me lodrat e tij, të cilat i shërbejnë për tu argëtuar dhe për ti mbajtur dhëmbët nën kujdes e të forta.

Pasi i bën të gjitha këto niset me gjyshin për shëtitjen e mëngjesit, i cili çdo ditë do të blejë edhe gazetën shqiptare në fund të rrugicës. Aty pranë tek një dyqan shqiptar që shet edhe ushqime me prodhime të vendit. Flaffy është shumë i lumtur kur del me gjyshin, se e di që në oborr të pallatit do të takoj shokët dhe shoqet e tij, të cilët po ashtu dalin shëtitje me të zotët. Gjyshi deri sa doli në pension kishte punuar postjer, e sa herë del nga shtëpia nuk harron të marrë me vete kapelen e postjerit, nganjëherë ja kujton edhe Flaffy.

Rrugën për tek dyqani shqiptar që shet edhe gazeta Flaffy e mban mend mirë, sy mbyllur. Gjyshi e mban nga litari dhe ai e ndjek nga pas si një mik besnik. Por edhe gjyshi ama ndihet mirë sa herë del me atë, e do Flaffy-n shumë, e herë pas here i blen ndonjë ushqim special që i pëlqen atij.

Disa ditë gjyshi nuk ndihej mirë me shëndet dhe jo vetëm qe nuk doli nga shtëpia për xhiron e mëngjesit dhe blerjen edhe gazetës, por as nga shtrati nuk mundi të lëvizë. Të gjithë u shqetësuan për gjyshin, njoftuan mjekun, infermjeret e zonës, të cilët erdhën e vizituan dhe i dhanë mjekimet e duhura.

Edhe Flaffy u mërzit shumë, dy ditë e dy net poshtë krevatit të tij qëndroi, edhe oreks për të ngrënë nuk pati. Mendjen e kishte edhe tek gazeta e gjyshit. E dinte se ishte i apasionuar i saj, e do ta blente çdo ditë. Ndërkohë thurrte në mendje plane se si mund ti vinte në ndihmë gjyshit.

Për një moment kur mjeku hyri në derë, Flaffy përfiton nga rasti, e pa u vënë re merr kapelen e gjyshit e fluturimthi zbret shkallët poshtë. Del në rrugë e shkon drejt e tek dyqani shqiptar. Rrotullohet nja dy herë aty për tu siguruar është ai apo jo. Ngre kokën lart shikon flamurin shqiptar që valëvitej sipër çatisë së dyqanit dhe thotë:

“Ham, ham, mirë qenkam, s’paskam gabuar, këtu më duhet të marr gazetën për gjyshin” dhe futet brenda. 

Selfa – shitësja e dyqanit e njohu menjëherë nga kapelja e gjyshit që mbante mbi kokë dhe i afrohet. Flyffy uli kokën e nuk fliste. Ajo e përkëdheli e pyeti për gjyshin, por Flaffy  “Ham, ham” vetëm psherëtinte dhe bëri me shenjë për nga gazetat. Selfa e kuptoi se diçka nuk shkonte mirë me shëndetin e gjyshit. Merr një gazetë dhe ja jep Flaffy-t. Ai u gëzua shumë, e në shenjë falenderimi tundi nja dy tre herë bishtin e vogël larosh si të lepurit dhe u largua.

Familjarët e ndjenë mungesën e Flaffy-t, vunë merak për atë, sidomos gjyshi. Nuk dinin se ku kishte shkuar. Papritur dëgjuan disa të lehura në derë.

“Flaffy, Flaffy – thanë një zëri – qenka kthyer përsëri”. Dhe hapën derën e apartamentit, po çfarë të shikonin! 

Flaffy mbante në gojë një gazetë dhe siç ishte gjithë djersë në fytyrë nga vrapi që kishte bërë, drejtohet për tek gjyshi, ai sapo e pa u qetësua, i mori gazetën dhe i përkedheli pushin e butë me pulla të murme.

 

Comments

comments

-----