Një cikël me poezi lirike
Nga Përparim Hysi
1. Si Penelopa
Në “avlëmendin” e madh të poezisë
Si Penelopa unë zë e thur “qilima”
Këtë “zeje” kam filluar,tash, pleqërisë
Se, kur duhej, nuk ia bëra dot prima,
Se atëherë, për mua,”ÇEÇUA” kish biçak
Dhe nuk qe biçak, por goxha hanxhar
Kokën sikur ma kishin zënë me çarg
Dhe as më shkonte mendja për të shkruar.
Përgjonte me sy të madh prej Polifemi
I përgjuar isha në çdo çap
Kish vdekur prej kohësh tek unë”bohemi”
Dhe nuk guxoja të shkruaja qoftë dhe një varg.
“Qilimin” e poezisë e fillova vonë
(Pazari i mbasditës,thonë:është i lirë!)
Ndaj ka që thonë:-Ky vallë moshën s’e shikon
Dhe zë e shkruan si të jetë i pirë?!
Kështu thonë ata që nuk më njohin
Dhe zënë mbi mua e zbrazin shpoti
Gjembat më shpojnë,por hiç nuk më lodhin
“Qilimi i poezisë sime” mbushur dashuri.
2. Nuk pyes nga turpi
Po lë veten në krahët e qejfit
M’u arratis shpirti nga trupi
Dilni dhe më shihni: hiç s’mbahem shendit
Dhe as nuk pyes fare nga turpi.
Turpi,- thonë,- nuk ka brirë
Unë jam bërë krejt si çunak!
Tek shkruaj, jam si xhind i pirë
Gati që të marrë në vetull gjak.
Çfarë?Nuk besoni dhe jini të mëdyshur?
Kujtoni se ç’shkruaj, është sajim?
Ka ardhur,o miq, syri i ndritur
Dhe me të po shkoj në vidhimë.
3. Pa titull
Zemrën e kam të bardhë si dëbora
Prushin e mallit e kam në gji
Ma kuptoj zemrën ajo, belholla.
Dhe bashkë me të bëmë dashuri.
Epo dashuria, kot nuk thonë:-S’ka moshë!
Ndodh që kalendarin e moshës e prish dashuria.
Katandisa me “belhollën”(lëre ç’bukurosh?!)
Pse kot thonë që lajthit dhe pleqëria.
Kështu ka ndodhur dhe nuk e luan topi
As mos u çuditni me vargjet e mia
Bëhet plaku tamam si DON KISHOTI
Se të bën tym, o miq, dashuria.
4.Më ka dehur maji
Më ka dehur maji
Plot erë bari e lulesh
Dhe s’e kam kollaj
Si i dehur sulesh.
Flladi tërë aroma
Vjen të hyn në shpirt
Zë”dehesh” akoma
Gjer në infinit.
Zë bëhem i vogël
Si në fëmijëri
Bota sillet rrotull
Maji nuk ka si ti.
Kështu rri i dehur
Se aq më pëlqen
Nga shendi jam “shkrehur”
Jam kthyer në bohem.
5.Syri im
Syri im është i “stërvitur”
Nuk gabon ndonjëherë në”çmim”
Të shenjova,syri i ndritur,
Dhe aspak nuk qe lajthim.
Se veç syrit tënd të ndritur
Pashë fytyrën të bardhë borë
Mos kujto se kam lajthitur
Por,përbrenda, digjem horë.
Digjem horë e po marrë flakë
(Çdo gjë ndodh si vetvetiu)
Digjet, digjet “druri i thatë”
Fajin s’e pat vetëm syu.
Se ke trupin si fidan
(Mua më gjan si bredh alpin)
Ndaj u bëra unë duman
Ndaj për ty dhe poezinë.
Tiranë, 16 maj 2018
Comments
-----