PSE SHKRUAJ?

Nga Luan Çipi

 

Shkruaj që diç të tregoj,

Një model, një shëmbëlltyrë,

Dituri, dritë të përçoj,

Të përcjell ç’ është më e mirë.

Nuk shkruaj për reshje shiu,

Që lagin tokën çdo vit,

As për jugun e veriun,

Kur fryn murrlan a flladit;

Si vaditet, si prashitet,

Si vihen gurët mbi gurë,

Si lind një fëmijë e ritet,

Si ruan mjekrën një burrë;

S’përshkruaj jetë të rëndomtë,

Ngjarje, që s’kanë interes,

Fjalët, fjalitë, nuk i vë kot,

Po i përzgjedh me kujdes.

Kam marrë përsipër të shkruaj

Se, nuk bëj dot tjetër gjë,

Tani, “plak”, veten e quaj,

Forcë në krahët, nuk kam më.

Nuk eci gjatë, nuk vrapoj,

Nuk ngre dot pesha të rënda,

Nuk drejtoj, nuk komandoj,

Si dikujt ia kishte ënda.

Prandaj shkruaj ç’më ka ngjarë,

Ç’më ka treguar babai,

Çfarë ka ndodhur ca më parë,

Çka thënë shoku, miku, vëllai.

Shkruaj për shokët e mirë,

Për Vlorën mbushur thesare,

Shpreh e shfaq ndonjë dëshirë,

Për bashkim ndër shqiptarë;

Biri im, më mirë të jetë

Dhe të kthehet sa më pranë.

Paqe, lumturi të ketë

Bota mbarë, an’e mbanë!

 Vlorë, më 01.12.2017

 

Comments

comments

-----