GAZETARI DURO MUSTAFAI, NE TELEFON…

Nga Luan Çipi

 

Më mori sot në telefon Duro Mustafai, gazetari i hershëm, tashmë në moshë mbi 85 vjeçare. Zëri tingëllues e gati urdhërues, mu duk si i ndonjë djaloshi: “Dëgjomë Luan, me duhet shpejt një artikull, që ka lidhje me Vranishtin, do rinisim botimin e revistës Hora.  Hape emeilin  tënd dhe i ke aty porositë e shkoqitura!”

Duke dëgjuar Duron në telefon, mu kujtua ai, më shumë se 70 vite më parë, kur më jepte të njëjtën porosi e detyrë për një shkrim kronik për “gazetën e murit” të shkollës shtatëvjeçare “Naim Frashëri” Vlorë, kur ne ishim bashkënxënës dhe ai, si “përgjegjës redaksie”, ndante detyrat e gazetës së shkollës.

Lexova “porositë e shkoqitura” të dërguara me internet dhe më së shumti, u gëzova nga lajmi për vendimin e rihapje së botimit të revistës periodike “Hora”, organ ky formalisht i fshatit Vranisht, të Qarkut Vlorë, po në fakt, sipas meje, me vlera që kalojnë dukshëm këtë horizont, për faktin se “Hora” del me shumë faqe e katër ngjyra, është thjeshtë në sferë mbarëshqiptare e pa ndikime të theksuara partiake, me lirshmëri e hapësirë  tematike dhe nivel letrar e shkencor të kontrolluar.

Siç më shpjegonte Durua, ky vendim i beftë, ishte marrë nga një grup vranishiotësh, me këmbënguljen e biznesmenit, inxhinierit të ndërtimit, sponsorizuesit e botuesit, Besnik Hasani. Ata e kishin bindur atë me arsyetimin, se duhen shfrytëzuar maksimalisht  në dobi të vendlindjes dhe bashkatdhetarëve, qoftë edhe vitet e fundit të jetës nga gjithkush, pa hedhur poshtë atë jetë të gjatë të Duro Mustafait, emërmadh si gazetar produktiv e cilësor dhe kryeeditor me përvojë.

Nga kjo mora shkas që të kujtoj e përshkruaj një jetë gati 70 vjeçare, si të rrallë kujt, të këtij poeti, shkrimtari e dramaturgu, po kryesisht gazetari, që, si bashkëkohës me Ismail Kadarenë, Dritero Agollin dhe Fatos Arapin, ka shkruar dhjetëra libra e mijëra artikujt dhe që ka pas nderin të jetë vendosur shpesh në krye të drejtimit të gazetave e revistave me rëndësi qendrore e kombëtare.

 

Duro Mustafai, ka lindur në “Lagjen e Re” në qytetin e Vlorës, më 21 shkurt të vitit 1933. Mësimet e para i kreu në shkollën 7-vjeçare “Naim Frashëri” në vendlindje. Përfundoi me rezultate shumë të mira Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan dhe Shkollën e Lartë, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë (Dega”Gjuhë-Letërsi”), në Universitetin Shtetëror Tiranë.

Fillimisht punoi si mësues i letërsisë dhe drejtor shkolle, në qytetin e tij të lindjes dhe më pas, po aty, në drejtimin e rinisë së rrethit të Vlorës.

Krijimtarinë letrare e ka nisur qysh në bankat e shkollës, duke shkruar vjersha e tregime në organet letrare të kohës si në gazetën “Pionieri”, në revistën letrare “Nëntori” dhe në gazetën letrare “Drita”. Për më shumë se 60 vjet pa shkëputje, ndofta duke vendosur një rekord, është marrë me gazetari. Ka punuar redaktor në gazetën “Zëri i Popullit”, kryeredaktor i gazetës “Drita” për gati 7 vjet, kryeredaktor i gazetës “Shqipëria” (për diasporën) në Ministrinë e Punëve të Jashtme (derisa doli në pension) dhe më pas, deri në ditët tona, kryeredaktor i gazetës “HORA” dhe i revistës me të njëjtin emër, organe periodike të shoqatës Atdhetare Kulturore Vranisht i Vlorës.

Për sa e gjykoj unë, profesioni i mirëfilltë, specialiteti i ngushtë superior, i Duro Mustafait është gazetaria. Këtu i ka shokët të rrallë, nga që nuk i numërohen artikujt, kryeartikujt, skicat, portretet, vëzhgimet, fejtonet dhe reportazhet gjurmëlënës, ku ka pasqyruar saktë dhe bukur ngjarje, ka nxjerrë përfundime dhe ka shtruar rrugëzgjidhje të drejta.

Ai është gazetar veteran, i hershëm e me kohështrirje të gjatë. Kur botoi shkrimin e parë në gazetën “Letrari”, me titullin “Treni erdhi në Elbasan” ishte 14 vjeç (nxënës i Shkollës Normale të Elbasanit) dhe deri në ditët tona, nuk e ka ndërprerë të shkruarin. Janë shtatë dekada pune në fushën e gazetarisë dhe ai, përsëri shkruan. Firma e tij gjendej përherë në organe të rëndësishme të shtypit të viteve të para fill pas çlirimit të vendit, po ashtu gjendet ende shpesh edhe në ditët tona.

Janë shtatë dekada pune në fushën e gazetarisë dhe ai, përsëri shkruan, firma e tij gjendej përherë në organe të rëndësishme të shtypit të viteve që jetoi, po ashtu gjendet ende shpesh edhe në ditët tona në organe të ndryshme të shtypit

Po, gazetari dhe publicisti Duro Mustafai, njëkohësisht është dhe një shkrimtar i mirëfilltë e produktiv. Ai është bashkautor i skenarit të filmit artistik “Gunat përmbi tela”, film i prodhuar nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” në vitin 1976; autori i librit “Edhe ti do bëhesh gjysh”, botuar nga Shtëpia Botuese Hora në vitin 2005; autor i librit me tregime “VRANISHTI NË SYTË E MI”, botuar nga Shtëpia Botuese “Toena”; librin me poezi UDHËVE TË JETËS SIME”, botuar nga “HORA PRESS”, në vitin 2008; romanin “Nën qiellin e Prishtinës” (Ditari i një dashurie të përgjakur), botime “Toena” në vitin 2009 dhe ditarin familjar “Fëmijët që do bëhen gjysh”, botuar nga “HORA PRESS”, qershor 2009, albumin “VRANISHTI NË FOTOGRAFI”, librin “NE, GAZETARËT E ATYRE VITEVE” etj. Ai ka botuar deri tani gjashtëmbëdhjetë libra. Dhe librat e tij, të thurura bindshëm në mendim dhe të projektuar bukur për botim, sipas meje, do vazhdojnë të shtohen në numër çdo vit. Ai ka në dorë për përpunim: “Çfarë kam parë dhe çfarë nuk kam parë në Kubë “(Kujtime, përshtypje, mbresa); “Kujtimet e Shokëve”; “Intervistë me veten dhe të tjerët” (grimca jete, në jetën e shkrimtareve dhe artistëve). Këtu përfshihen edhe kujtimet për “dashnoren e Vlorës”, gjuhëtaren historiane, Nermin Vlora, etj.

Për punët e tij gazetareske e letrare, autori Duro Mustafai ka merituar vlerësim me medalje e urdhra nderi. Veç vlerësimeve me tre urdhra “Naim Frashëri” (Kl. I,II,III) dhe disa medaljeve në fushën e krijimtarisë publicistike e letrare, në muajin dhjetor 2014, Bashkia e Vlorës i dha Duro Mustafait titullin: “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”, me motivacionin: “Gazetar profesionist në disa dekada, intelektual me kontribute të çmuara në fushën e publicistikës, letërsisë dhe edukimit të brezave…” Gjithashtu i është dhënë titulli “Personalitet i shquar i Labërisë” dhe “Qytetar Nderi i Komunës Horë-Vranisht”.

Duro Mustafai, ndonëse i moshuar, bënë pjesë ndër ata të paktët gazetarë bashkëkohor cilësor, që është ende aktiv dhe shkruan rregullisht e tërheq vëmendjen e lexuesve të shumtë, për tema të rëndësishme me interes publik edhe në ditët tona. Prandaj dhe pritet me padurim ribotimi prej tij i revistës “HORA”.

Karakteristikë dalluese e përhershme e Duros ka qenë dhe është dashuria për atdheun, shokët, kolegët, bashkëqytetarët, për farefisin dhe bashkëfshatarët e origjinës së tij. Të gjitha këto ndjenja dashamirëse, njerëzore e humane, (pa marrë vet asgjë) kanë gjetur aq bukur vendin e tyre në faqet e shtypit dhe të librave, ku buçet jehona e zërit të tij të ëmbël. Ja si e shpreh ai këtë, në një poezi:

“..Kur të iki, me vete s’kam për të marrë asgjë,

Por, në se për shoqërinë, diçka kam lënë,

I lumtur do të isha, të lija një zë,

Që të fliste me dashuri edhe për gurët që flenë…”

Ka mbi njëzetë vjet, që me Duro Mustafain dhe të tjerë pensionistë vlonjatë të mirë, këtu në Tiranë, takohemi disa herë në javë dhe kalojmë vërtetë çaste të lumtura. Shokët tanë, me të cilët pimë thuajse çdo ditë kafe e çaj, po ndonjëherë takohemi me raste festash, gëzimesh familjare dhe datëlindje të njëri-tjetrit, janë thuajse të gjithë gati bashkëmoshatarë dhe miq e shokë të vjetër, ardhur prej vitesh me punë e familjarisht në Tiranë. Bisedat tona, përgjithësisht, vërtiten rreth Vlorës dhe ngjarjeve e bëmave të kahershme atje, kur ne punonim dhe kontribuonim për familjen dhe shoqërinë.

Ishte një kohë, kur shkrimtari ynë i nderuar edhe pse pensionist, merrej me përpunimin përfundimtar të romanit “NËN QIELLIN E PRISHTINËS”. Ky libër, për mua, më i arriri si vepër në gjerdanin e artë letrar të Duro Mustafait, kishte nisur të shkruhej qysh në vitet tetëdhjetë (dhe të botohej me fashikuj në revistën Nëntori), kur ndihej e organizuar kundërshtia kosovare ndaj dhunës serbe. Subjekt i përpunuar dhe i pasuruar është aktual dhe me guxim tenton, për një bashkim njerëzor e human, në zgjidhjen paqësore e dashurore të atmosferës tradicionale tejet armiqësore midis popujve fqinjë.

Kjo ndjenjë paqësore mirëkuptimi, është princip pune e mendimi për Duron. Kështu veproi ai edhe, si kryeredaktor i gazetës dhe revistës “Hora”.

Pa përjashtim dhe në mënyrë përfaqësuese, si në të gjitha zhanret e krijimtarisë gazetareske e letrare të Duro Muustafait, në shkrimet e tij, tipar dominues ka dashamirësinë e përhershme. Ai gjithnjë ka shkruar duke demonstruar talent e mjeshtëri të rrallë, pasion, po dhe mirëkuptim e kujdes.

Do të përfundoja me pohimin tim të palëkundur se, gazetari i vjetër, i ditur e produktiv, Duro Memet Mustafai, ish pedagogu i Degës së Gazetarisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, është pa mëdyshje, një prej shkrimtarëve, poetëve më të hershëm, më produktiv e më të dashur dhe sidomos, një prej gazetarëve më të spikatur e më të nderuar të publicistikës shqiptare. Ribotimi i revistës periodike “Hora”, do ta gjallërojë  me tej atë!

 

Tiranë, më 25 Maj 2018

 

 

Comments

comments

-----