ISMAIL QEMALI

Ese nga Luan Çipi

 

Ismail Qemali lindi më 16 tetor 1846 në qytetin e Vlorës dhe vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxha të Italisë. Ai u lind në një nga familjet e mëdha të Shqipërisë së Jugut. Ishte i biri i Mahmud bej Vlorës dhe Hedije Hanëm Asllan-Pashali, nga familja tradicionale Alizoti, Gjirokastër.

Ismail Qemali jetoi 72 vjet, 3 muaj e 8 ditë ose gjithsej 26380 ditë. Ai kishte një shtat mesatar dhe me një trup me peshë po mesatare. Ismail Qemali mbante një veshje të kohës, me kostum e kravatë. Flokë dhe mjekrën i mbante gjithnjë krehur me kujdes. Ngjyra e kostumeve në përgjithësi ishte e zezë dhe në kokë mbante kapele.

Pas shtypjes së Kryengritjes kundër Tanzimatit (epopeja shqiptare e Hekalit dhe Gjolekës – 1847), Mahmud beu, (babai i Ismail beut) si një ndër udhëheqësit kryesorë të kësaj kryengritje, u arrestua dhe bashkë me të vëllain Selim pashën, u burgosën në Manastir. Familja u dërgua në Selanik ku qëndruan për tre vjet. Në Selanik familja e tij gjeti mbështetjen e madhe të konsullit francez Edouard Grasset, i njohur i Mahmud beut, qysh kur kishte shërbyer me po atë detyrë në Janinë.

Ismail Qemali, kreu shkollimin fillor dhe ndërkohë përvetësoi turqishten.

Pas politikës së re të Portës së Lartë familja e Ismailit, që ishte e vendosur e internuar në Selanik, kthehet në Vlorë. Më 1852 lirohet dhe Mahmud beu, kthehet dhe ai nga Konja në Vlorë; ndërsa i ungji Selim pasha, bashkë me një nga krerët kryengritës, Çelo Picarin, detyrohen të qëndrojnë ende në Thesali.

Me vdekjen e të gjyshit nga e ëma në Janinë, (Tahir bej Asllan-Pashali), Ismaili i bashkohet së ëmës dhe në vitin 1855 regjistrohet në gjimnazin Zosimea në Janinë, duke pasur dhe mbështetjen nga kushëriri i parë i të atit, Mustafa pasha, që ish nëpunës pranë Ismail pashë Tepelenës , në atë kohë Valí i Janinës.

Në Zosimea, Ismail Qemali, ishte i vetmi nxënës mysliman. Mësoi aty greqishten e vjetër, latinishten; mori njohuri në matematikë e fizikë dhe privatisht, mësoi arabisht e frëngjisht.

Pasi i ati kthehet në Janinë, me të shtypur revoltën e Epirit, i shpreh dëshirën e kushëririt, Ismail pashës, Guvernatorit te Thesalisë dhe Ministrit të Jashtëm Fuad pashës dhe me pëlqimin e përkrahjen e tyre, i biri shkon me studime në Stamboll.

Sipas regjistrave të Zosimeas, Ismail Qemali i dha provimet e vitit të fundit më 15 korrik 1859. Në majin e vitit 1860 ndërmerr udhëtimin nga Janina për në Stamboll, që i zgjati dhjetë ditë.

Ismaili banoi në Stamboll, në shtëpinë e Guiridli Mustafa pashës, i cili qe i afërt i tyre, ndërkohë që Ministri Fuad pasha, e punësoi në zyrën e përkthimeve të Ministrisë së Jashtme, njëkohësisht lejon që të vazhdonte dhe studimet për drejtësi.

Me një ndryshim të ambasadorit Osman në Paris, Ismail Qemali, emërohet atashè pranë ambasadës, por me t’u nisur misioni, merr lajmin e vdekjes së të motrës që e shtrëngon të kthehet në Janinë dhe të qëndrojë pranë familjes.

Aqif pasha, Guvernator i Përgjithshëm, në vitin 1862 e mori ndihmës drejtor të çështjeve politike dhe së bashku bëjnë një turr perandorak. Por, në shtator të atij viti në Athinë ndodhi një grusht shtetit. Nga kjo ngjarje detyrohen për t’u rikthyer në Janinë për të marr masat e duhura mbrojtëse.

Pas Aqif pashës, Ismail beu, tashmë i konfirmuar si nëpunës i aftë, do t’i shërbente Hysni pashës, Dervish pashës dhe Kaizerli Ahmed pashës deri në vitin 1864.

Sipas merakut dhe këmbënguljes të së ëmës. Ismaili martohet me një vejushë të re nga Konica.

Duke hapur një parantezë për jetën e tij bashkëshortore mund të themi:

Më 1864, siç shkruan edhe vetë, Ismail Qemali u martua me një grua nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, së bashku me vajzën (ndoshta gjatë lindjes). Më 1867, duke qenë me punë në Rusçuk (Bullgari), Ismail Qemali u dashurua me Kleoniqi Surmeli, e bija e Antonit, një fisnik grek nga Edirneja, nga familja e Vezirit të Madh, Ali Pasha Surmeli (Vezir i Madh 1694-95). Duke qenë se familja e vajzës, kryesisht e njerka, për shkak të ndryshimit të fesë, nuk ishte dakord që të martoheshin, Ismail Qemali, me njerëzit e tij të besuar, e rrëmbeu gruan e tij të ardhshme dhe, po të njëjtën ditë, në prani të dëshmitarëve nënshkroi «kontratën e martesës» sipas të cilës, nga pikëpamja islamike, hiqej çdo mundësi tjetër për një martesë të dytë. «Martesa ime,- shkruan Ismail Qemali,- me gjithë zhurmën që kishte shkaktuar, më dha shumë prova simpatie nga ana e miqve të mi». Me Kleoniqi Surmelin pati lumturinë, siç do shprehej edhe vetë, të kishte 10 fëmijë: gjashtë djem: Mahmud bej Vlora(1871-1920), Tahir bej Vlora (1875-1932), Et’hem bej Vlora (1885-1937), Xhevdet bej Vlora (1888-1910), Qazim bej Vlora (1893-1953), Qamil bej Vlora (1895-1950) dhe katër vajza: Mevedet (1873-1954), Alije (xx-1955), Ylvije (xx-1934), një vajzë vdiq pak pas lindjes,

Duke ardhur në rrjedhë e jetës se tij, mund të themi:

Pas disa rrethanash e ngjarjesh, që e shtrënguan të jepte dorëheqjen nga nëpunësitë qendrore, Ismail Beu, shkon në Larisa, me ftesë të kushëririt të tij Ismail pashës, Guvernator i Përgjithshëm i Thesalisë, i cili e bëri shef të kabinetit të tij.

Me rekomandimin e Mustafa Pashës, Ismaili u propozua për t’u rritur në detyrë dhe në vitin 1867, atë e tërhoqi Komisari i Lartë për Reformat në Bullgari, Mid’hat Pasha dhe e caktoi drejtor i Sekretariatit në Zyrën Juridike në Sofje të Bullgarisë, që në atë kohë ishte pjesë e Turqisë Osmane dhe më tej, me që ngeli i kënaqur prej tij, kur Mid’hat Pasha u emrua Sadrazam, e mori me vete në Stamboll Ismail beun, si sekretar personal të tij.

Duke qenë në këtë pozicion të rëndësishëm, Ismail bej Vlora, mori pjesë në komisionin shtetëror për hartimin e Kushtetutës Turke, e cila mbanë dhe kontributin e tij dhe u shpall më 1876.

Më 1868 Ismail beu u pozicionua dhe me lart, si kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorisë.

Kur ra nga detyra e Sadrazemit Mid’hat Pasha dhe u burgos në Taif, ngjarja ndikoi shumë dhe në karrierën e Ismait.

Pas heqjes së kushtetutës nga sulltan Abdyl Hamiti II dhe pas internimit të Mid’hat Pashes me 1877, Ismail Qemali dërgohet si bashkëpunëtor i tij në internim, në Kutahja, ku u mbajt deri në vitin 1884. Pas kthimit nga internimi e deri në vitin 1899, u emërua përsëri disa herë, po në detyra të rëndësishme shtetërore.

Sepse ishte shumë i çmuar nga qarqet qeveritare, u emërua pas pak kohe Mytesarrif në Afjon Karahisar (Anadoll). Këtu qëndroi mjaft kohë e tregoi zotësi e shpirt përparimtar.

U bë Mytesarrif i klasit të Parë në Manisë, Izmid dhe më së fundi Vali në Kastamonu, dhe në Bejrut. Kudo që shkoi fitoi mirëdashjen e të krishterëve dhe të pjesës përparimtare të popullit.

Por në Stamboll (në qarqet e Pallatit) mbi Ismail Qemalin rëndonte mosbesimi edhe dyshimi, që rridhnin sigurisht nga kujtimi i marrëdhënieve të tija të ngushta me Mid’hat Pashën. Mbasi u pushua nga Valillëku i Bejrutit u emërua “Shuraj – devlet Azasi” në degën e Tanzimatit. Në Stamboll qeveria dhe pallati vëzhgonin çdo sjellje të tij dhe ishte vazhdimisht nën vërejtjen e policisë së fshehtë.

Më së fundi vendosën ta dërgojnë Valí në Tarabullus, Libi. I paraqiti Abdyl Hamitit një promemorie ku, pasi përshkruante gjendjen e rëndë të brendshme e të jashtme të Perandorisë, korrupsionin, arbitraritetin e keqadministrimin që zotëronte në aparatin shtetëror qendror e lokal dhe mungesën e të drejtave njerëzore e politike për gjithë shtetasit, parashtronte programin e tij të reformave. Ai propozonte që të zbatoheshin me ngut reforma radikale, të cilat duhet të ishin të përgjithshme, t’u siguronin shtetasve të drejta në qeverisjen e vendit, lirinë e mendimit e të veprimit. Në promemorie kërkohej që të rivendosej e të vihej menjëherë në jetë kushtetuta e vitit 1876, së cilës duhej t’i bëheshin ndryshime e përmirësime, që t’u përshtateshin gjendjes së Perandorisë Osmane në fundin e shek. XIX dhe lëvizjeve kombëtare të popujve; këto ndryshime e përmirësime do të miratoheshin nga Asambleja Kushtetuese, që do të thirrej posaçërisht për këtë qëllim.

Ismail Qemali mendonte, që në vend të regjimit absolutist të sulltanëve osmanë, të vendosej një monarki kushtetuese parlamentare, e ngjashme me atë të disa vendeve të Evropës.

Mehmed Said Pasha, ish-kryeministër i Turqisë, shkruante në kujtimet e tij (më 1912) se, bashkë me promemorien, Ismail Qemali, i paraqiti sulltanit edhe projektin e një kushtetute, të cilën ai (Said Pasha) e quante si më të përshtatshme për vendosjen e një regjimi parlamentar në Perandorinë Osmane. Miratimi i një kushtetute të tillë do t’u hapte rrugën reformave decentralizuese, me zbatimin e të cilave pushteti lokal do të kalonte në duart e vendasve dhe të përfaqësuesve të të gjithë popujve të Perandorisë.

Ismail bej Vlora, disa ditë pas takimit që pati me sulltanin, me 28 prill 1900, u arratis nga Turqia së bashku me tre djemtë e tij të vegjël. Në fillim shkoi në Athinë, në Misir, pastaj në Napoli, në Romë, në Lozanë, në Paris, ne Bruksel dhe u vendos në Londër, ku qëndroi për një kohë me të gjatë. Në Athinë pati takime edhe me personalitete politike e shtetërore të kohës. Përveç të tjerëve u prit edhe nga mbreti i Greqisë, Gjergji I, që tregoi interes të veçantë për të, duke qenë se respektin që gëzonte e kishte në Greqi edhe nga i ati.

Arratisja e Ismail Qemalit bëri përshtypje të madhe në Turqi e në Evropë, prandaj sulltani qysh në ditët e para të largimit të tij, bëri disa përçapje për ta tërhequr në Stamboll duke i premtuar poste të ndryshme shtetërore, po ai nuk i pranoi.

Në emigrim iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike në dobi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Ndër propozimet e tij si këshilltar i Sulltanit, mbahet mend se Ismail Qemali ishte ai që i sugjeroi atij ndërtimin e një hekurudhe, që niste në Durrës dhe mbaronte në Stamboll. Një vepër që nuk u ndërtua as në atë kohë dhe vazhdon të jetë projekt edhe për sot.

Krahas me këtë Ismail Qemali, si dhe mjaft shqiptarë të tjerë, mori pjesë në lëvizjen e Turqve te Rinj, ku u bashkua me përkrahësit e rrymës së decentralizimit që kërkonin zbatimin e disa reformave, nga të cilat mund të përfitonin edhe kombësitë e Perandorisë.

Në Bruksel bashkëpunoi me Faik Konicën, duke marrë për pak kohë edhe drejtimin e gazetës së tij, “Albania” (1897-1909). Më pas nxori këtu gazetën e vet “Le salut d’Albanie” (lexo: Shpëtimi-i Shqipërisë).

Programin e vet politik për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare Ismail Qemali për herë të parë, e shfaqi publikisht në intervistën që i dha gazetës së njohur italiane “Tribuna”, më 21 maj 1900, kur ende ndodhej në Romë; ndërsa me 15 tetor të po atij viti, ai botoi në revistën “Albania” thirrjen “Vëllezërve shqiptarë!” drejtuar gjithë shqiptarëve, në të cilën paraqiti edhe njëherë pikëpamjet e veta për lëvizjen shqiptare. Në të dyja këto dokumente Ismail Qemali, duke folur për arratisjen e tij, thekson se u largua nga Turqia për t’u bashkuar me vëllezërit e tij shqiptarë dhe për t’u marrë vesh me ta për shpëtimin e atdheut, të Shqipërisë, e cila për shkak të rrokullimës së Perandorisë Osmane, rrezikon të copëtohet nga vendet fqinje dhe të humbas bashkë me të.

Ismail Qemali parashtroi si një kërkesë të ngutshme, të drejtë e të rëndësishme njohjen e kombësisë shqiptare, pranimin si një komb të shqiptarëve që rrojnë si në Shkodër, në Kosovë, Çamëri, në Manastir e në Janinë, e tej e këtej në viset e tjera të, Turqisë Evropiane. Ne paraqitjen e këtyre kërkesave ai shihte rrugën e mundshme të konsolidimit të kombësisë shqiptare, të afirmimit të shqiptareve si komb më vete dhe të njohjes së identitetit të tyre kombëtar në arenën ndërkombëtare:

Ne duam vetëm bashkimin dhe unitetin e racës shqiptare, përparimin e saj intelektual dhe ekonomik, me qëllim që të bëhemi mjaft të fortë për të kundërshtuar atë që synon të na përpijë ne. E ardhmja e shqiptarëve, të cilët në gjak kanë mbetur gjithmonë evropianë, sigurohet vetëm po të futeshin në rrugën e qytetërimit evropian”.

Ismail Qemali njihej dhe si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten, si dhe arabishten e persishten.

Ismail Qemali cilësohet si babai i kombit, duke qenë se ka kryer aktin më historik në të gjithë historinë e shtetit shqiptar.

Ismail Qemali zhvilloi një aktivitet të dendur politik për njohjen e Shqipërisë në opinionin evropian. Ai shpalli botërisht programin e tij autonomist në intervista e artikuj të botuar në shtypin shqiptar të kohës dhe në organe të huaja. Platforma politike e Ismail Qemalit. në përgjithësi përputhej me atë të ideologëve të tjerë të Rilindjes, por me disa veçori në lidhje me rrugët e mjetet për sigurimin e autonomisë. Në këtë etapë të veprimtarisë së tij, ai mendonte të vazhdohej rruga reformiste për sigurimin e autonomisë nga lart.

Aktiviteti diplomatik dhe tentimi për bashkëpunim me Turqit e Rinj nga ana e Ismail Qemalit, u vërejt që me pjesëmarrjen e tij në Kongresin e tyre në Paris, që u mbajt në shkurt të vitit 1902, ku së bashku me Dervish HimënJashar Erebarën etj, tentuan që forma e bashkëpunimit të jetë e sinqertë, duke i ruajtur parimet e veta, çka nënkuptonte që të mos cenohet integritetit dhe pavarësia e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Me kërkesat e veta, në Kongresin e Dytë të xhonturqve të vitit 1907, shqiptarët nuk u pritën mirë nga turqit e rinj.

Më 1908 me shpalljen e Kushtetutës (21 korrik) Ismail Qemali, kthehet në Vlorë dhe zgjidhet deputet i Beratit, në Mexhlisin osman. Bëhet udhëheqës i “Hyrrjet ve ltilaf”, parti e “Lirive dhe e Marrëveshjes”, anëtarët e së cilës ishin prej të gjithë kombësive që përbënin Perandorinë Otomane. Midis tyre të bashkuar vetëm kundra xhonturqve, përbëheshin prej elementesh heterogjenë dhe nuk ishin të organizuar si parti në popull. Ishte Deputet Beratit, por në fakt ishte përfaqësues i gjithë Shqipërisë dhe në Parlamentin e parë të Turqisë moderne, ai pati një peshë të konsiderueshme. Fjalimet e Ismail Qemalit në Kuvend kanë qenë nga më oratoriket dhe më me mendim, duke nxitur kundërshtarët ta sulmojnë pa të drejtë.

Në janar të 1912 mblidhet me deputetët e tjerë shqiptar që bënin pjesë në opozitë përkundrejt politikave të Turqve të Rinj Osmanlli të Vilajeteve Shqiptare. Të tillë ishin Nexhib beu bashkë me Ismail Qemalin, Syrja beun, Hasan Prishtinën, Myfid bej LibohovënEsad pashë Toptanin etj., të cilët u takuan në fillim pranë Hotel “Pera Palace” dhe më pas me 12 janar në shtëpinë e Syrja beut në lagjen Taksim, për çka u pagëzua “Komploti i Taksimit”

I ngarkuar nga rrethet patriotike të vendit dhe nga ky grup deputetësh, Ismail Qemali, shkoi në Stamboll për ta bindur Qeverinë Osmane t’u jepte shqiptarëve autonominë, por pa dobi.

Pas fillimit të Luftës së Parë Ballkanike, Ismailil Bej Vlora, ndërmori së bashku me Luigj Gurakuqin një aksion të ri politik për të shpëtuar atdheun..

Zhvillimet e Luftës së Parë Ballkanike, të shpallur në tetor 1912 nga shtetet ortodokse të “Aleancës ballkanike” që kishin për qëllim copëtimin e tokave shqiptare, përshpejtuan aktivitetin diplomatik të Ismail Qemalit. Kështu, më 3 nëntor 1912 Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi, arriti në Bukuresht të Rumanisë, për t´u takuar fillimisht me komunitetin shqiptar që vepronte atje. Në Bukuresht gjetën një situatë krejt të ndryshme nga ajo që sundonte në Stamboll. Kryeqyteti rumun ishte përfshirë nga euforia dhe të gjitha organizatat shqiptare që vepronin atje, qenë të vendosura për pavarësinë e Shqipërisë (shkëputjen e plotë të saj nga Turqia).

U desh fare pak kohë, që Ismail Qemali dhe delegacioni i tij, ta kuptonin se Turqia ishte përfundimisht e humbur dhe se pavarësia e plotë nga Turqia ishte e vetmja zgjidhje. Për më tepër, Komuniteti Shqiptar i Bukureshtit, kishte filluar ta konsideronte këtë akt si të pjekur tashmë. Patriotët shqiptarë në Bukuresht me kohë kishin përgatitur flamurin kombëtar, i cili do të ishte simboli i shtetit shqiptar si dhe një bandë muzikore, që do të këndonte himnin kombëtar.

Pas disa konsultimesh, më 5 nëntor në Hotelin “Kontinental” të Bukureshtit, u mbajt mbledhja e përfaqësuesve të Komunitetit Shqiptarë dhe të delegacionit me në krye Ismail Qemalin, të ardhur nga Stambolli.

Në kujtimet e pjesëmarrësve të kësaj mbledhjeje, thuhet se: “mbledhja vendosi njëzëri për pavarësinë e Shqipërisë dhe ngarkoi Ismail Qemalin dhe delegacionin e tij të kontaktonte përfaqësuesit diplomatikë të Fuqive të Mëdha dhe të merrte aprovimin e tyre për këtë vendim”.

. Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij tregon se në momentin e largimit nga Bukureshti, Kristo Meksi i la në dorë Ismail Qemalit një çek prej 500 mijë frangash ari, dhuratë e Kryeministrit rumun Taqe Junesku. Dy ditë më vonë (7 nëntor) delegacioni i plotësuar edhe me katër përfaqësues të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, u nis për në Vjenë.

Ismail Qemali me delegacionin shqiptarë, sapo kishte mbërritur në Vjenë, mori një telegram nga miku i tij i vjetër, konti Andrasay, ku e ftonte që të vijë në Budapest për t´u takuar me një mik të tijin. Më 8-9 nëntor në Budapest Ismail Qemali do të takohet me kontin Hadik von Berthold, ish-nënsekretar shteti dhe me Ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë .

Në këto takime pasi u vu në pah rreziku i copëtimit të Shqipërisë nga shtetet fqinje, Austro-Hungaria, u shpreh e gatshme ta nxiste dhe ta mbështeste Pavarësinë e Shqipërisë. Konti Hadik e siguroi Ismail Qemalin se qeveria e tyre kishte biseduar edhe me qeveritë italiane e gjermane për këtë qëllim dhe së bashku nuk e shihnin me sy të mirë një shtrirje të Malit te Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit. 

Gjatë muajit tetor dhe gjysmës së parë të nëntorit 1912 ushtria turke në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet, ndërsa trupat ushtarake serbe, malazeze dhe greke që përbënin “aleancën ballkanike”, përmes operacioneve shfarosëse ndaj shqiptarëve, kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.

 Me 13 nëntor u nis një telegram nga Vjena, si vijon:

“Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipnisë âsht sigurue. Ju porosis qi tyke i u mbështetun fatit të atdheut të punoni bashkë e si vllezën, të merreni me rregullimin e punëve të përgjithshme edhe të ruani qetësinë. I epni rretheve lajmen e gëzueshëm. Ju falem të gjithëve atënisht, Ismail Qemali”.

Me kërkesën e Ismail Qemailit, diplomatët austro-hungarez, i siguruan delegacionit shqiptar një vapor për të zbarkuar në Durrës.

Më 19 nëntor 1912, Ismail Qemali, përpara nisjes për në Durrës, gazetës italiane “Piccolo”, i deklaroi, se: “Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t’i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje”.

Në mbrëmjen e 19 nëntorit 1912, përfundimisht delegacioni shqiptar në krye me Ismail Qemalin, me vaporin austriak “Graf Wurmbrand von Brünn” nga Trieste niset drejt brigjeve të Shqipërisë dhe zbarkoi në Durrës, më 24 nëntor, ora 4, ku e priti Dom Nikoll Kaçorri.

Ishte menduar që ngritja e Flamurit të bëhet më 22 nëntor në qytetin e lashtë të Durrësit, me qëllim që të shmangnin lëvizjet e mëtejshme nëpër Shqipërinë e trazuar nga lufta, po situata në këtë qytet ishte shumë më ndryshe nga ç’pritej.

Për shkak të gjendjes së nderë që mbretëronte në qytet, po atë ditë Ismail Qemali i lajmëroi telegrafisht të gjitha qytetet që delegatët e tyre t’i nisin për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë. Ato ditë, meqë forcat serbe përparonin shpejtë drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit (më 25 nëntor), të Tiranës e Durrësit (më 26 nëntor), të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës (më 27 nëntor), ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës..

Delegacioni me në krye Ismail Qemalin, niset më 25 nga Durrësi dhe duke iu shmangur rrugës kryesore, së bashku me delegatët e Shqipërisë së Mesme, niset për në Vlorë.

Gjatë rrugëtimit të karvanit të Ismail Qemalit për në Vlorë, gjenerali i divizionit turk, Kara Sait Pasha, që kontrollonte zonën midis Lushnjës, Fierit dhe Beratit, si pararojë të pjesës tjetër të armatës së Vardarit, që po vinte prapa në rrëmujë (e shpartalluar), dha urdhër të arrestohej Ismail beu me të gjithë kolonën e tij; për këtë arsye karvani nuk u fut në Lushnjë, por e kaloi natën në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut. Natën tjetër bujtën në Fier tek Omer Pasha. Mirëpo gjatë natës komanda e trupave turke në Berat, nën trysnin e përfaqësuesve shqiptarë ndryshoi mendim. Nga Mifoli, delegacioni i Ismail Qemalit, udhëton me dy karroca dhe pas shumë peripecive, në pasditen e 27 nëntorit 1912 arrijnë në Vlorë.

Situata në Vlorë ishte krejt e ndryshme nga ajo e Durrësit. Populli vlonjat me këtë rast i bëri pritje madhështore delegatëve të ardhur nga disa krahina të Shqipërisë. Ismail Qemali për këto momente në kujtimet e tij do të shkruaj: ”Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli me përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”..

Delegatët e ardhur nga shumë vise të Shqipërisë…, u vendosën në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, kushëri i Ismail Qemalit (në selamllëk – oda e burrave),. Meqenëse anijet luftarake greke i qenë afruar portit të Vlorës dhe me të drejt i druhej ndonjë sulmi të forcave greke, por edhe për shkak të përparimit të pa ndaluar të ushtrisë serbe në verilindje të vendit, pa arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, në mbrëmjen e 27 nëntorit, delegatët që ndodheshin në Vlorë vendosën të nesërmen të mblidhnin Kuvendin Kombëtar, për ta shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe Qeverinë e Përkohshme .

U caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemali dhe ai më 28 Nëntor 1912, ngriti në Vlorë flamurin e kuq me dy krena shqiponjash, një flamur që deri më sot na vjen në tre variante: I pari, se këtë e qëndisi Marigo Posioi, një nuse e shtëpisë ku fjeti Ismaili natën e fundit; atë që e solli Spiridon Ilo nga SHBA; varianti i tretë i Eqrem bej Vlorës, sipas të cilit ia dha ai flamurin që ia kishte falur Aleadro Kasstriota, burri i një princeshe që pretendonte se ishte pasardhëse e Skënderbeut.

Në politikën e brendshme, Qeveria Kombëtare, u tregua i prirë për kompromise me çifligarët, për të përfituar nga ndikimi që gëzonin këta në shtresat e pasura e të mesme, por edhe i vendosur për demokratizimin e jetës së vendit. Por, me politikën e tij liberale e demokratike ngjalli kundërshtimin e rretheve konservatore e reaksionare, ku gjeti përplasje edhe nga bejlerë brenda familjes së tij. Kjo nuk e tërhoqi plakun e mençur.

Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, ndonëse në kushte shumë të vështira të brendshme e të jashtme, mori një varg masash në fushën e ekonomisë, të ndërtimit shtetëror dhe të kulturës kombëtare që hapnin rrugën e zhvillimit demokratik të atdheut.

Ajo, mbrojti pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar, tërësinë territoriale të vendit.

Ismail Qemali është kryeministri dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar. Ai qëndroi në krye të qeverisë nga data 28 Nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë.

Kabineti i Qeverisë së Vlorës përbëhej nga 10 anëtarë: Kryeministër – Ismail Qemali, Zëvendëskryeministër – Nikoll Kaçorri, Ministër i Jashtëm – Myfit Libohova, i Luftës – Mehmet Pashë Dërralla, i Drejtësisë – Petro Poga, i Arsimit – Luigj Gurakuqi, i Financave – Abdi Toptani, i Bujqësisë – Pandeli Cale, i Post Telegrafit – Lef Nosi.

Fjalia më e veçantë e ligjëratës së shkurtër e “Pavarësisë” e Ismail Qemalit në Vlorë është: “Zotit të Madh,… të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i Lirë. Flamuri i ynë, në atdheun tonë të lirë”.

Edhe pas ngritjes së flamurit shqiptar, realisht ushtria turke dhe institucionet e saj bashkëjetonin me qeverinë e Vlorës edhe pas 28 nëntorit 1912, ku dhe batalionet e Vardarit të mundura nga trupat serbo-bullgare ishin strehuar në fshatrat e Myzeqesë kishin shprehur gatishmërinë për mbrojtjen e territorit të shteti shqiptar në qoftë se do të cenohej. Ishte kjo ushtri, që i dha “qeverisë së Vlorës”, vetëm një copë territor, (Llogara – Mifol).

Nuk mjaftonin turqit dhe fqinjët grabitqar, po në ato ditë heroike të “Pavarësisë” duhej t’i bëhej ballë dhe lloj-lloj ndërhyrjeve të çuditshme: Në morinë e pretenduesve për fronin e Shqipërisë renditeshin “fisnikë” të ndryshëm, e një ndër këta ishte Izet Pasha, një ushtarak me origjinë shqiptare, si makinacion nga Turqit e Rinj. Ata, prirjet e dëshpëruara që të shpëtonin territoret e Perandorisë në Ballkan, dërguan në mision majorin në karrierë Beqir Grebenenë me mbi 400 trupa në vaporët e linjës austriake Lloyd që shkonte deri në Trieste.

Majori zbarkon me një varkë në Vlorë me pak oficerë për t’iu parashtruar planin qeverisë së përkohshme. Misioni i majorit xhonturk me origjinë shqiptare Beqir Grebeneja i cili kishte hyrë në kontakt edhe me Ismail Qemalin dështoi (pasi dhe u arrestua nga xhandarmëria e qeverisë së Vlorës me të zbarkuar në breg.

Ky ishte dhe shkaku kryesor që Ismail Qemali u detyrua të japë dorëheqjen dhe më pas të largohej nga Shqipëria. Pushtetin ia “dorëzoi” Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Pas kësaj u largua nga Shqipëria për në Nicë të Francës, për t`u kthyer disa muaj më pas e për t’u larguar sërish në Itali.

Ismail Qemali, vitet e fundit të jetës i kaloi në mërgim duke punuar gjithnjë për të mirën e atdheut dhe duke bashkëpunuar me kolonitë shqiptare.

Më 1917, Partia Kombëtare Politike e shqiptarëve të Amerikës, e caktoi delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris. Pak kohë para vdekjes, i bindur se historia do t’i epte të drejtë largpamësisë së tij ndaj kërkesave legjitime të popullit shqiptar, do shkruante: «Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. Pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në Sinisinë e Ballkanit».

Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, ku ndodhej i ftuar nga Qeveria Italiane për të arritur një bashkëpunim mbi të ardhmen e Shqipërisë, më 8 shkurt 1919. Atë e shoqëruan tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane.

Trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinierës “Alpino”, u shoqërua në Vlorë.

Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora.

«…Nëse matim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë,- shkruante në ‘Kujtime familjare’, Safa Vlora,- duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmotshme… as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi. Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apoteozë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit…”..

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli patriot. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars 1913, kur bëri një vizitë në Vlorë. Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Ethem Bej Vlora.

Ceremonia e varrimit u bë po më 12 shkurt 1919, ditën e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua himni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella. Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria Djelmoshat e Vlorës dhe nga gazeta Kuvendi. Mbas këtyre vinte një numër i madh qytetarësh pjesëtarë të Shoqëria Djaloshare. Pasonte banda ushtarake që luante marshe funebëre. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitraljerëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh. Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre, të tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit dhe po atë e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Ethem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u zhvendos në Vlorë, në lulishten e qytetit, në një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Sot, përbri varrit të tij, ngrihet një monument madhështor, që simbolizon atë ditë nëntori, që do t’i jepte emrin e bukur atij sheshi të madh.

Në mbyllje do shtoja: Nga kontributi për Kombin Shqiptar, Ismail Bej Vlorën, unë do ta rendisja menjëherë pas Skënderbeut. Nderimi, vlerësimi dhe titujt e dekoratat që i takojnë Atij, duhet të gjykohen nga studiuesit dhe organet kompetente posaçërisht.

Ajo që shoh unë me keqardhje, është mungesa për Të, e një monumenti të posaçëm e madhështor, në qendër të Tiranës, pranë Muzeut Kombëtar, për mos të ngelur te ajo shtatore salloni, e vendosur papërshtatshmërish, diku afër Presidencës.

Në këtë jetëshkrim modest janë shfrytëzuar shkrime e studime të mara nga interneti si Wikipedia dhe me autorë: “Historia e Popullit Shqiptar”, Vllamsi, Zografi, Vokopola, Eqerem Vlora, Darling Vlora, Enrik Memeti, Bardhosh Gaçe, etj.

Tiranë, më 01.05. 2018

 

 

Comments

comments

-----