Lamtumirë Irfan Bregu!

Nga Luan Çipi

Jemi mbledhur sot këtu, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Irfan Bregut, shokut dhe mikut tonë të dashur, gazetarit, poetit dhe mësuesit vlonjat, që gjithë jetën e tij u përpoq për fjalën dhe mendimin e lirë, për jetë më të mirë për Atdheun dhe për Vlorën tonë të bukur, që i skaliti dhe i bëri të pavdekshëm me shkrimet,  poezitë dhe penën e tij të artë.

Irfan Bregu lindi në qytetin e Vlorës në vitin 1938 , u rrit dhe u burrërua këtu në Vlorë dhe në Kryeqytet dhe po këtu , në “betlehemin e lirisë’, pati fatin të mbylli sytë dhe të sigurojë përjetësinë.

Duke mos u ndalur te gazetaria dhe mësuesia, që zunë një periudhe të gjatë pune për Irfan Bregun, ajo çka do ngelet e pavdekshme në krijimtarinë e tij letraro artistike është poezia me peshë, me specifikë poemën e bukur gjurmëlënëse, të mbushur me ide atdhetarie e dashurie dhe me bazë figurat artistike letrare dhe metaforat tërheqëse, që s’harrohen lehtë.  Irfani nisi te shkruaj dhe nuk pushoi për 50 vjet rresht, kuzen# vend nderi: 15 poema, libra shkollore , tekste e antologji, fjalorë gjuhësor enciklopedik, disa libra me poezi, tri librat për Kosovën, etj.

Në krijimet e tij të fundit poeti, duke luftuar me gjendjen e tij shëndetësore, të rënduar, vërente si qytetar, poet e shkencëtar me keqardhje, shkallën e pamjaftueshme të demokracisë shqiptare, shtimin e padrejtësive dhe krimit dhe drogës, me merakun që  këto të zgjidhen e të ndreqen sa më shpejt, të merrte fund grindja shekullore dhe te kishte mirëkuptim të plotë shoqëror, me shpresë dhe besim që “lulet e zeza” të bëhen sa më shpejtë të bardha.

I shprehim ngushëllime, në emër të Grupit te Shokëve të Tij me banim në Tiranë, Dritës, gruas së tij të denjë e heroike, djemve, familjes dhe te afërmve dhe gjithë qytetarëve vlonjat që e kishin Irfan Bregun, si djalin e tyre të dashur.

Duke i dhënë lamtumirën e fundit poetit te spikatur, Doktorit të Shkencave Gjuhësore dhe Nderit te Qytetit të Vlorës,  Irfan Bregut,  ju ftoj ta nderojmë së fundi atë, duke mbajtur një minutë zi.

Vlorë, më 25 Mars 2018

Comments

comments

-----