Gjuha!

Nga Kadrii Tarelli

 

Gjuha jote, gjuha ime!

bëhet lesh, kur s’ka dhe qime.

Kur ze e llap prapa shpine

Edhe gurin e bën thërrime.

 

Kocka s’ka e kocka thyen,

Ca i lan dhe ca i lyen.

Dikujt shpirtin ia gërryen,

Si bishë, dikë e shqyen.

 

Në kuvend, nëpër fjalime,

Qimen tra e trarin qime,

kur i bie vetëm një vrime

për grurë, na japin hime.

 

Gjuha, këngë për rini,

Psherëtin, o ngre stuhi.

Diku ndez një yll të ri,

Diku zjarrin e bën hi.

 

Tek syri, shkrep dashuria,

Në zemër, fole mirësia.

Gjuha i bashkon të dyja

I ngjit lart tek perëndia.

 

Me ninulla rritet fëmija,

Në lahutë u gdhend trimnia.

Në fjalë lidhet burrnia.

Me gjuhë përcillet ditunia

 

Poeti vargun ka pasuri,

I urti fjalë me porosi:

Atdheu, kombi ka liri,

Kur gjuhën gjejmë, unë e ti.

 

Kadri Tarelli

Durrës më: 21. 03. 2018.

 

 

 

Comments

comments

-----