Van Gogu shqiptar

Nga Keze Kozeta Zylo

 

(Rreth filmit dokumentar “Zois” që u shfaq në festivalin ndërkombëtar në New York)

Tabllotë e pikturuara nga Zoi Shyti jane si sytë e yjeve që vetëm shkëlqejnë…

Në mjediset e qendrës kinematografike “Kaufman Center” në Zukor Theater u shfaq filmi dokumentar për artistin e shquar, Zoi Shyti fitues i disa çmimeve ndërkombëtare.  Në festivalin ndërkombëtar të filmit që konkurrojnë 189 filma, filmi dokumentar për Zoi Shytin është nominuar me tri çmime. 

Filmi dokumentar është realizuar nga regjisori Bujar Alimani, producentët Damian Pervizi dhe Dritan Haxhia, drejtor të fotografisë Dritan Haxhia, edituar nga Sabir Kanaqi, kurse muzika është kompozuar nga Fatrin Krajka dhe zërimi nga Elvis Ikonomi.

Filmi flet per një histori sa tronditëse aq dhe të magjishme, ngase përshkruan rrugën e mundimshme të një artisti të madh që u arratis nga diktatura komuniste në vitin 1964 dhe erdhi në tokën e ëndrrave.  

Drama dhe arti janë pjesë e shpirtit dhe e botës plot imagjinatë të një artisti të madh si Zoi Shyti.

Filmi dokumentar më së shumti sillte skena nga shtëpia e tij e cila ishte e veshur vetëm me piktura dhe nuk shikoje asnjë milimetër bosh në mur midis tablove të mahnitshme. Duke dëgjuar dhe shikuar filmin dokumentar realizuar me mjeshtëri nga djem të talentuar, si dhe duke pasur fatin ta intervistojë direkt për TV “Alba Life”, pashë nga afër një botë të pasur artisti, krejtësisht unike për nga historia e tij, preka nga afër “tablotë” në “Galerinë e Arteve” që mban emrin e një artisti të kalibrit botëror Zoi Shyti. 

M’u duk se takova Van Gogun shqiptar, por në diemensione vuajtjeje të tjera nga vuajtjet personale të piktorit hollandez, sepse Zoi jetonte nën një shtet diktatorial, iu internua nëna dhe anëtarë të familjes për shkak të arratisjes së tij…

Përjetova dramën e një artisti të vërtetë që kaloi kufirin shqiptar për në Greqi dhe prej andej në Amerikë. Veprat artistike të tij kanë shetitur në vendet më të rëndësishme të botës që mbajnë në shpirt e në zemër kryeveprat e artit botëror duke filluar nga Washingtoni, Parisi, Londër, New York, Meksiko etj… Me një edukim shumë të lartë që mori në tokën e premtuar nga  “University of Pennsylvania” (best fine art schools), arriti të japë mësim në Firence, Meksikë, San Fancisko dhe të bëhet zë i dritës së artit botëror, por dhe i Kombit të tij. 

Punimet e ndryshme shfaqeshin herë pas here në ekran dhe ato që të ngeleshin në mendje ishin projekti për gruan më të famshme në botë shenjtoren Nënë Terezën e cila i shërbeu njerëzimit deri në frymën e fundit. Portreti i shenjtores Nëna Terezë është sa delikate po aq dhe e paepur për t’ju shërbyer të varfërve.  Piktori me penelin e tij sjellë po aq të gjallë figurën e Gjergj Kastriot Skëderbeut të heroit Kombëtar dhuruar bashkisë së Parisit në nderim të emrit të një sheshi “Skanderbeg” në Paris.  Tablotë me ngjyra marramendëse sjellin shpirtin e lirë të një pikturi dhe poeti universal. 

Syri shetit në ekran sa nga ngjyrat e tablove tek momentet reale të takimit me nënën e dashur pas 28 viteve. Takimi i përmalluar me nënën e tij të internuar për shkak të arratisjes të të birit ishte tejet i dhimbshëm, ato të kujtonin copëza tragjedish nga shumë emigrantë të arratisur dhe të ikur pas viteve 90 që për arsye të ndryshme nuk patën mundësi t’ju hidhnin një grusht dhe nënave të tyre…

Portretin e nënës së tij e kishte sjellë të gjallë, të bukur, edhe dritëhijet dukeshin sikur kishin bashkuar diell e hënë në sytë e saj gjithë dritë… Nëna është portret ndriçues dhe aromatizon me lulet që i ka pikturuar përpara duarve.  Momenti i shfaqjes së nënës dhe të birit nën tingujt e një muzike të përmallshme dhe të përvuajtshme kompozuar mjeshtërisht nga Fatrin Krajka, një kompozitor që premton shumë të bënte ta përjetoje atë vuajtje shpirtërore në gjithë përmasat njerëzore, dramën e ndarjes forcërisht, nënë e bir… Përqafimi i nënës me të birin, muzika dhe rënia e lotit si tingull dhimbjeje kishin hyrë në një rezonancë të plotë me spektatorin, ishin një trinity hyjnore…

Portreti i nënës është trajtuar gjerësisht që nga antikiteti e deri në ditët e sotme, por meqë si autore e shkrimit e vleresoj artistin si një Van Gog medoemos më vjen ndërmend portreti i nënës së Vang Gogut, një pikturë e vitit 1888, Anna Carbentus Van Gogh, e nxjerrë nga një fotografi bardhë e zi. Ai ndau emocionalisht disa nga veprat e tij që ai mendonte dhe se nëna e tij do të vlerësonte më shumë me lule dhe mjedise natyrore.

Në këtë pikturë, Van Gogh kap natyrën dinjitoze dhe krenare të nënës së tij.

Ndërsa shikon të gjithë dokumentarin më duket se ecin paralelisht si Zoi Shyti dhe Van Gogu i cili dhe ky i fundit pati një jetë shumë të veshtirë për arsye të sëmundjeve të tij, por edhe trajtimit nga njerëz të ndryshëm që donin ta privonin nga arti dhe jetoi për mjaft kohë në varfëri të tejskajshme.

Zoi shqiptar e kaloi fëmijërinë në një dramë të vërtetë duke i shpëtuar bombardimit të nazistevë gjermanë duke e nxjerrë atë nga gërmadhat dhe rrënojat që mund t’i shkaktonin humbjen e jetës. Ndersa Van Gogu i shkakton dhimbje vehtes nga depresioni siç i ndodhi në një rast me prerjen e veshit të majtë , më 23 dhjetor dhe e çoi në një shtepi publike, ngase ishte pasionant me një prostitutë që kishte rënë në dashuri këmbë e kokë.  Zoi shqiptar respekton vajzën nudo Xhekin e cila kishte pozuar për 6 orë pa lëvizur për ta pikturuar.  Portretet nudo të femrave ishin tabllo të realizuara mjeshtërisht nga piktori dhe ndihej qartë se sa i ndjeshëm ishte piktori karshi seksit femër, deliktatesës së saj, bukurisë së virgjër dhe respektit pakufi që ndjente piktori karshi bukurisë hyjnore me emrin grua.  Format e përsosura trupore, detajet simbolike, fjalët e tij shprehnin shpirtin e lirë, civilizimin qytetar kur tha se: “Bota pa femrën do të ishte në terr të plotë”…

Van Gogu në pikturën “Sorrow” thotë se: “Dua të bëj vizatime që prekin disa njerëz. Ky portret është një fillim i vogël … ka të paktën diçka drejtpërdrejt nga zemra ime”…

Ai solli portretin e nje gruaje të abadonuar dhe jepte mesazhin se askush s’duhet të lihet vetëm, pra e dashuroi Sorrown ashtu siç qe.

Portreti i gruas pas abortit te Zoit “Van Gogut” shqiptar është shumë e dhimbshme si ndëprerja e një jete që sapo është ngjizur në shenjtërinë e mitrës së gruas dhe e lenë qëllimisht e papërfunduar nga dora e mjeshtrit si vetë aborti i saj… Pafajësia, ëmbëlsia e dashurisë, fati i keq janë të sjella mjeshtërisht në tabllonë “Pas abortit”…

Pamë një film dokumentar të realizuar me profesionalizëm që duhet medoemos të shikohet nga publiku i gjerë shqiptar, sepse tabllotë janë si sytë e yjeve që vetëm shkëlqejnë, thotë Van Gogu:

“Për pjesën time nuk di asgjë me ndonjë siguri, por sytë e yjeve më bëjnë ëndërr”…

Filmi dokumentar me veprat e artit të Zoit, Van Gogut shqiptar është tronditës dhe impresionues, është një film që të ngelet në kujtesë për tërë jetën, sespse sjellë portretin e një artisti të madh të kalibrit botëror si Zoi Shyti, Van Gogu shqiptar…

21 mars, 2018

Staten Island, New York

 

 

 

Comments

comments

-----