RITAKIM ME TISH DAJIN

Nga Luan Çipi

 

 

E shoh në fotografi dhe më shfaqet si i gjallë,

Mësuesi im i dashur, muzikanti Tish Daija,

I shndrisin sytë e zi, i shkëlqen djersa në ballë

Më sodit, sikur më flet dhe më fton nga largësia.

 

Tishi, nuk ish si kushdo, po një engjëll perëndie,

Një mësues i veçantë, si baba e vëlla i madh,

E takoje, ngazëllyer shprehte ndjenja dashurie,

Dorën ta vinte te supi, të largonte breng e hall.

 

Fare i ri, njëzet vjeç, i fuqishëm, djalë i dukur,

Të shtatë notat muzikore, na i ndryu thellë në zemër,

Me këngë e me melodi, na blatoi dhuratë të bukur,

Me urti e shkodrani, na dha dije, vlerë dhe emër.

 

Tishi, talent i gjithanshëm, futbollist i “Flamurtarit”,

Me numrin shtatë në shpinë, rendte me një vrap rrufeje,

Stadiumi i gjithë më këmbë, Ai, sfida kundërshtarit,

Shënonte gola të rrallë, si kund tjetër, nuk i gjeje.

 

Ishte frymëzim qiellor, një talenti i madh i lindur,

Që u poq e u plotësua, në kulturën moskovite,

Me Ansamblin Artistik, gjithë botën kish mahnitur,

Tish Daija, Artist Populli, Atdheun sa lart e ngrite!

 

Shumë suita, uvertura, kuartete dhe balete,

Kompozime gjithfarë zhanresh, muzikë të paharruar,

Të panumërta arritjet, dhjetëra vepra monumente,

Akademik, Nderi i Kombit, shkodrani artist i shquar.

 

Si në vendlindje në Shkodër, në Tiranë e Diasporë

Midis nesh e gjejmë gjeniun, sa herë dëgjojmë meloditë,

Për të nuk ka vdekje kurrë, bashkë me ne është në Vlorë,

Ndër breza do ta nderojmë, me ne kuvëndon përditë!

 

Tiranë, më 14.03.2018

 

 

Comments

comments

-----