TAKIM ME DR. PROF. MINELLA PAPAJORGJIN

Nga Luan Çipi

 

Në dt.11 Tetor 2017, në Restorant “Tepelena” Tiranë, me nismën e ekonomistit vlonjat Niko Gjyzari, u organizua një drekë pune, me vëllezërit Papajorgji, Harillën dhe Minellën. Si shkak ishte përcjellja e Dr. Minellës për në vendbanimin e tij permanent, Amerikë, në një takim dashamirës kortezie i katër vlonjatëve, të moshuar, miq mbi shtatëdhjetëvjeçar, në kujtim të mbresave të hershme deri fëmijërore të një miqësie të pastër shumëvjeçare. Unë, Harilla dhe Nikua jemi 83 vjeçar dhe Minella  6-7 vjeç më i ri. Atje, në Skelë e Kume të Vlorës, nga e kemi zanafillën e përbashkët, Minella, na ka parë shumë vite virtualisht dhe 30 vjet më pas, na është dashur ta shohim ne, në atë rritje të vrullshme të tij, drejt niveleve më të larta shkencore të kohës:

Minella, i birri i këpucarit vlonjat Niko Papajorgji, qysh fëmijë i kishte pasion librat dhe studimin dhe në vitin 1964 përfundoi me rezultate maksimale Fakultetin e Mjekësisë të U.Sh. Tiranë. Një vit më vonë, ai u specializua në Universitetin Mjekësor të Bukureshtit për ikolog, si dhe mori kulturë plotësuese mjekësore në Paris dhe në disa klinika të qyteteve të tjerë të Evropës dhe Amerikës. Shpejt, si specialist ndër të rrallët në vend, ju fut me vendosmëri punës dhe kërkimeve shkencore në fushën laboratorike dhe te higjienës dhe epideomologjisë. Botoi mbi 170 artikuj e punime shkencore brenda vendit dhe morri pjesë e referoi ne 17 konferenca të rëndësishme shkencore ndërkombëtare nga Evropa deri ne Amerikë. Ai fitoi kështu ndër të parët, titullin Kandidat i Shkencave Mjekësore, me temën interesante të profilit të tij: “Roli i antibiotikëve në infeksionet kërpudhore kandida” në vitin 1978 dhe titullin e Doktorit të Shkencave Mjekësore për “Eliminimin e infeksionit dermatofitik në Shqipëri”, në vitin 1986 dhe në vitin 1993 u shpall Docent i Fakultetit të Mjekësisë të U.Sh. Tiranë.

E suksesshme ka qenë dhe puna e tij akademike si pedagog në mikrobiologji nga viti 1971 deri në vitin1990. Gjatë kësaj periudhe ai udhëhoqi me sukses në Tiranë  edhe 4 doktorata dhe 6 diploma universitare mjekësore, si dhe u angazhua në kolegjiumin e Revistës Shëndetësore Kombëtare.

Një event gjurmëlënës në jetën e Profesor Doktor Minella Papajorgjit është njohja në vitin 1986 nga Instituti “Paster” Francë, krenari e botës shkencore ndërkombëtare, e një zbulimi mikrobik të veçantë për izolimin e streptomyces, që mori emrin e zbuluesit të shquar tashmë në shkallë Evropiane, Minella Papajorgji. Një vlerë e çmuar historike për Shëndetësinë Shqiptare është dhe fakti se Ai, drejtoi me sukses dhe e ngriti në nivel shkencor, Institutin e Higjienës dhe Epidemiologjisë në shkallë vendi..

Ndryshimet politike demokratike në Shqipëri, që profesor M. Papajorgji, i priti me simpati, nuk i krijuan atij fushë të lirë veprimi shkencor dhe mjedisi ku vepronte, në krye të Institutit Higjeno Epidemiologjik, nuk i kënaqte më dëshirat e tij për ndryshim e modernizim.

Ishin përpjekjet e tij të shumta humane të suksesshme, në ndërhyrje direkt me dhjetëra raste, deri në përdorim të aparaturave me laser, për ndërhyrje deri antikanceroze, hapat e tij të fundit në të vërtet dëshpëruese, pa përkrahje e inkurajim dhe pa sadisfaksionin që meritonin në Shqipëri.  

Profesor Minella Papajorgji, tashmë mbi 70 vjeçar, për arsye vetiake shëndetësore dhe të nevojës për operimi, pas mbi 40 vjet pune intensive në Shqipëri, shkon në Amerikë, ku edhe u detyrua të shpërngulet dhe të banojë familjarisht. Edhe atje, diktuar nga pasioni i tij i pashuar shkencor, punoi për mbi tre vjet në një Laborator të një Spitali të Madh dhe vazhdon të thërritet e të angazhohet vullnetarisht në raste emergjente.  

Ndahemi nga mjeku i shquar, vlonjati Minella Papajorgji, miku ynë i hershëm, me konsideratë, dashuri e respekt të veçantë dhe besojse e kemi të drejtën e të gjithë bashkëkohësve dhe miqve të tij, t’i urojmë atij, rrugë të mbarë për Amerikë, duke e falënderuar për punën  e tij të gjatë shkencore e humane, në dobi popullit shqiptar dhe më tej, pse jo të mbarë njerëzimit!

Tiranë, më 15.10.2017

 

Comments

comments

-----