Kreuztanne(Udhëkryq)

                   Një libër realist dhe origjinal nga Fate Velaj

Nga Viron Kona

 

Sapo përfundova së lexuari librin”Kreuztanne” të Fate Velaj. E lexova shpejt brenda dy-tri ditësh dhe mund të them se u përfshiva në këtë libër që është, sa jeta e autorit të librit, aq edhe jeta e njerëzve të afër të tij, të familjes, miqve dhe shokëve, madje është jeta e thuajse shumicës së shqiptarëve të kohës së tranzicionit demokratik. Shumëkush  gjen aty veten në këto kohë përpjekjesh për t`u integruar në mënyrë të plotë në shoqërinë e civilizuar evropiane… Duket se kjo është jeta shqiptare, dallgë, stuhi, dallgë dhe përsëri stuhi dhe dallgë të tjera. Ato nuk mbarojnë, por e rëndësishme është sesi ne vozitim për t`i çarë ato dallgë, cili është vektori që ndjekim, vendosmëria dhe guximi për të përballuar sfidat dhe vështirësitë që nuk janë të lehta për t`u kapërcyer, aq më tepër që tek ne, ndonjëherë është më lehtë “të lëvizësh një mal, se sa një mendim”. E teksa “notoj” në këto përsiatje, autori i ”Kreuztanne”, që është njëherazi dhe protagonisti, na e ka dhënë me librin e tij një shembull të shkëlqyer dhe kuptimplotë, një mësim që i vlen gjithkujt, veçanërisht neve në Shqipëri.

Libri ka stil origjinal, nuk ka sforcime dhe sajesa, vjen natyrshëm, ashtu siç vjen jeta, me gjithë koloritin e saj, me larminë e ngjarjeve, me freskinë  e stinëve dhe të ngjyrave, që ia lënë natyrshëm vendin njëra – tjetrës. Lexon ato 292 faqe libër dhe ndjen pranë njerëz të njohur dhe të pa njohur, secili me botën, tiparet dhe veçoritë e veta; njihesh me tipa dhe karaktere origjinalë, që diku i ke takuar, ke bashkëbiseduar dhe ke ndarë me ta shqetësime, vështirësi, dhimbje, gëzime… S`ka rëndësi se çfarë kombësie i përkasin, ata janë njerëz me pamjet dhe vlerat e tyre, me arritjet dhe mangësitë, të bukur apo të shëmtuar, të shkolluar apo të pashkolluar, të gjithë janë njerëz të kësaj kohe dhe të kësaj bote. Libri është i të gjithëve, u shërben të gjithëve,  nuk është lokal, është ndërkombëtar, secili gjen aty veten, qoftë shqiptar, rumun, hungarez, boshnjak, bullgar, turk, serb, por edhe italian, francez, austriak e gjerman…Gjithkush, argatë apo pronarë, i thjeshtë apo shkencëtar, i zakonshëm apo i talentuar, mësues apo nxënës, ata të gjithë janë aty, vërshojnë në faqet e librit, e më së shumti shkrihen te jeta e protagonistit dhe  personazheve të tjerë, ata flasin dhe rrëfejnë natyrshëm, veprojnë si njerëz të këtij shekulli, me arritjet dhe paragjykimet, me mangësitë dhe përparësitë, ata janë edhe anakronikë edhe modern, janë jo stampë apo si “të nxjerrë nga fabrika”, por të lindur dhe të rritur në natyrën e lirë, edhe në fusha dhe malësi, edhe në lugina e brigje, edhe mes malesh me borë, veçse kudo dhe kurdoherë shfaqen në faqet e librit origjinalë, me pamje,fytyrën,lëvizjet dhe me zërin e secilit. Mendoj se kjo vlerë origjinale është një tjetër meritë e që na e dhuron “Kreuztanne”.

Libri  ka një dramaturgji të brendshme, që intrigon e të bën të mos e lëshosh nga dora. Mjediset dhe personazhet janë portretizuar qartësisht bukur. Në çdo situate lexuesi është pranë apo bashkë me protagonistin, ai përjeton jetën në emigracion, vështirësitë që ndesh mërgimtari veçanërisht në fillim, kur i duhet të mësoj të flas e komunikojë me vendasit, kur i duhet të gjej punë dhe të tregoj edhe ai personalitetin, vlerat dhe aftësitë e tij për t`iu përgjigjur kërkesave të vendit ku ka shkuar. Nuk thuhet kot “Si vendi, edhe kuvendi”, ndryshe në vendin tënd dhe ndryshe mes njerëzve të një vendi të panjohur më parë, aq më tepër kur aty ndodhen edhe të tjerë në pozitën e refugjatit, edhe ata, të ardhur nga vende të ndryshme apo siç shigjeton autori, nga vendet e Traktatit të Varshavës…

Përparësitë e Perëndimit janë të dukshme në raport me pjesët e tjera të globit. Njeriu aty është jo thjeshtë qenie, që lufton për mbijetesë, por ai është edhe vlerë, ai pranohet, respektohet, vlerësohet por edhe mbështetet e ndihmohet. Autori e thekson këtë nëpërmjet veprimeve të njerëzve, marrëdhënieve që krijon shteti austriak apo vendasit me mërgimtarët, ata trajtohen pa paragjykime dhe ndihmohet sinqerisht me  mundësitë ekzistuese. Shteti dhe banorët i ndihmojnë mërgimtarët dhe mendojnë se si t`ua lehtësojë hallet dhe vështirësitë…Ata janë të ndjeshëm, nuk janë indiferentë ndaj jetës së të tjerëve, nuk veprojnë me ekstremitet kundër tyre. Është një botë e ekuilibruar, e gjerë dhe humane, me vlera dhe mësime që i ka fituar nga përvojat e vështira që ka kaluar në dekada e shekuj. Veçanërisht ideja e Evropës së bashkuar, një ide e madhe e njerëzve përparimtarë dhe modernë, të cilët kanë projektuar dhe programuar sesi t`u vijnë në ndihmë edhe atyre që janë të prapambetur, në mënyrë që një ditë të afërt, edhe ata të ecin me hapin e më të përparuarve.

Kompozicioni i librit? Nuk është se është zbatuar ndonjë ligj apo rregull, libri ecën në vijë të drejtë, pa kthesa, pa ulje dhe ngritje, pa sajesa dhe letrarizma artificiale, ai vjen natyrshëm, fare natyrshëm…Them se mbase kështu është më mirë, që lexuesi të mësoj se si e nisën shqiptarët jetën e ekonomisë së tregut, se si iu futën me vrull dhe dëshirë të plotë demokracisë, se si u përpoqën të integrohen në ekonominë dhe jetën perëndimore, duke treguar potenciale, se edhe ata  janë si të tjerët, me kulturën, arsimin dhe nivelin e duhur për të qenë të barabartë mes të barabartëve…Historia na ndihmon shumë ne shqiptarëve për të ngritur dhe mbajtur lart dinjitetin tonë, mjafton që, ndonjëherë, ta thërresim atë, të thërresim për ndihmë korifenjtë e saj dhe, mësimet që do të përfitojmë janë nga më të çmuarat. Shqipëria ka një hero të madh si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili bëri shumë për historinë e  popullit shqiptarë, për lirinë dhe pavarësinë, por edhe për Evropën, e mbrojti atë nga okupacioni dhe sundimi osman; Shqipëria përfaqësohet me një Shenjtore të rrallë, Nënë Terezën, që e njeh dhe e nderon e gjithë bota, e ka model të mirësisë dhe humanizmit; Shqipëria krenohet me Aleksandër Moisiun… E kështu, ajo tregon tri faqe të trekëndëshit: liri-pavarësi, paqe dhe humanizëm, art dhe kulturë. Me këto përfaqësime dhe cilësi të tjera të vyera, është e mundur të arrihet gjithçka e mirë dhe bashkëkohore për popullin tonë  vital, prandaj e ardhmja e tij, është e ardhmja evropiane, pavarësisht pengesat, paragjykimet, “shkopinjtë nën rrota”…Koha do të eci edhe për Shqipërinë, ndonëse edhe ne vetë duhet të ndihmojmë më shumë në këtë ecje…Dhe, në këtë kontekst, them se ne na ndihmon gjithçka e vërtetë dhe përparimtare, na ndihmojnë shembujt për të cilin kemi nevojë, dhe, mendoj se “Kreuztanne” është një shembull i tillë.

Libri fokuson episode dhe ngjarje që  përkojnë me natyrën. Protagonisti, herë kalon ditë të qeta në normalitetin e  tyre, herë ditë me ngrica dhe akuj. Realiteti shkakton në jetën e tij edhe shkulma gëzimi, edhe shkulma hidhërimi e dhimbje, por, që, gjithnjë rrethohet nga dashuria, paqja dhe mirësia e njerëzve të dashur që ai i ka merituar t`i ketë pranë, ai dhe familja e tij, bashkëshortja dhe fëmijët, miqtë dhe banorët e shumtë të vendlindjes apo të vendit të emigrimit ku ai banon dhe punon.

Shkaktojnë emocion të fortë episode dhe ngjarje kur protagonistit i duhet të kapërcejë vështirësi, dhe që ai ia del në krye. Arritjet dhe sukseset e tij nuk se kanë ardhur spontanisht, por sepse vetë rrjedha e natyrshme e tyre ka çuar në rezultat. Me emocion të fort përshkruhet veçanërisht çelja e ekspozitës së parë figurative. Lexuesi kupton se arritja  e saj  nuk është e rastit, por një ëndërr e protagonistit, e “projektuar”  që në fëmijëri, kur babai i tij i mrekullueshëm, i shkolluar, i arsimuar, njeri që e njihte jetën dhe botën, i tregonte birit të tij bukuritë e Gjirit të Vlorës, bukuritë e qiellit dhe të detit, të kodrave dhe maleve, të kështjellave dhe kalave  e, sidomos të Kaninës së lashtë, vendit që ka nxjerr në shekuj burra shteti, heronj dhe heroina… Fate Velaj pikëzon këtu faktin se arti ka aftësinë t`i lidhi dhe t`i afrojë njerëzit, të çfarëdo kombi qofshin, prandaj dhe aftësia dhe talenti i personazhit kryesor të librit, jo vetëm zgjoi interesimin  e vendasve, por edhe dëshirën e  tyre për t`u njohur nga afër dhe, pastaj, pa paragjykime, për ta parë e trajtuar atë si të barabartë.

Në të gjithë faqet e romanit ndihet vendlindja  e autorit, Vlora me historitë dhe bukuritë, me vlera dhe njerëzit e dashur, ata janë në çdo hap, ata  e shoqërojnë protagonistin e librit vazhdimisht, sa herë ai ndihet në vështirësi ata i ka pranë: nënën, babanë, motrat, mbesat e bukura, të gjithë njerëzit e tij të dashur…Por ai ka edhe kulturën dhe edukatën e lartë, është njeri me personalitet, prandaj fiton dhe simpatinë  e vendasve meshkuj apo femra, me pozitë apo të thjeshtë, fiton edhe simpatinë e mërgimtarëve të tjerë, nga Shqipëria dhe shtete të tjerë dhe, të gjithë ata e tregojnë respektin, me mirësinë e tyre, duke iu gjendur siç e kanë zakon njerëzit  e mirë. Në momentin kur ai u fut në shtëpinë e re, ashtu edhe kur fëmija e tij e parë nuk ia arriti të dilte në jetë, njerëzit e afërt dhe të tjerë iu gjendën me praninë e tyre, me gatishmërinë për t`i ardhur në ndihmë, ata morën pjesë sinqerisht në dhimbjen e tij, ndihmuan në lehtësimin sadopak të saj…Sa nevojë ka njeriu në raste të tilla! Gjithkush e di, kjo nuk është e re, jeta ka shumë të papritura, ajo është edhe befasuese, edhe e ëmbël, edhe e hidhur, e, gjithsesi, ajo në çdo rast duhet përballuar.

Asgjë nuk vjen vetvetiu pa punuar dhe pa luftuar, pa iu gjendur të tjerëve dhe pa i ndihmuar edhe ti ata. Ke miq kur je edhe vet mik. Jo vetëm: ”Mirë se të gjeta!, por, edhe: “Mirë se erdhe!” Këtë çelës të artë të jetës, banori i ri i “Kreuztanne”  e di mirë, shumë mirë, ndaj ai është tip shoqëror e miqësor, i do njerëzit dhe i respekton, është i drejtë dhe i ndershëm me ta, nuk abuzon dhe nuk përfiton padrejtësisht, madje ai harrin deri atje, saqë, kur qyteti që e mirëpriti u përmbyt, ai hapi një ekspozitë me piktura dhe, shumën e fituar ia fali banorëve në nevojë të qytetit… Dhe, gjithçka në këtë botë shpërblehet, asgjë nuk lihet në harresë, ndonjëherë disi vonë, por boshllëk nuk ka. Prandaj dhe protagonisti i librit, vet autori Fate Velaj, siç lexojmë në fund të librit, në faqen e biografisë së tij është nderuar: Në vitin 2014-në Cleveland, Ohio-Usa, kryetari i bashkisë i dorëzon ”Rezolutën e mirënjohjes” për punën e tij nëpërmjet artit dhe kulturës si ndërtues urash midis popujve. Në vitin 2013 – Presidenti i Austrisë  i akordon medaljen e lartë ”Kryq i artë i kalorësit të shkallës së I”- për merita të veçanta për Republikën e Austrisë. Në vitin 2011 – Presidenti i Parlamentit Europian, i jep medaljen e lartë “Civi Europaeo Preamium”(Qytetar Europian) për merita të veçanta për Bashkimin Europian. Në vitin 2003-në Kryeministrinë e Austrisë, i dorëzohet medalja”Bundesehrenzeichen”-(Qytetar Nderi) për merita të veçanta për Republikën e Austrisë. Ndërkaq, ai fiton disa çmime: Në vitin 2009-në Novoli, Itali fiton çmimin”Focara” për fotografinë bashkëkohore. Në vitin 2003-në Sanremo, Itali fiton çmimin e parë në “Sanremo Arte” për pikturën bashkëkohore. E cili nuk do të ndihej i nderuar me këto arritje,vlerësime dhe çmime, që sintetizojnë një jetë luftarake dhe përpjekje të njeriut të  kohëve moderne…

“Kreuztanne” vjen me një natyrshmëri tërheqëse, aty gjen përshkrime të mrekullueshme të natyrës. Autori, duke qenë piktor, ashtu siç “vozit” penelin në peizazhe dhe skicime, ashtu dhe skicon tipa dhe karaktere që shfaqen të gjallë përpara lexuesit, të bukur dhe të mirë, por edhe me mangësitë, pasi vetë jeta dhe shoqëria njerëzore vjen e tillë, ajo nuk është e arrirë plotësisht, ndërkohë që ajo rendë e vërshon drejt perfeksionit. Përshkrimet përbëjnë  vlerë të veçantë të këtij libri, ato janë plot gjallëri dhe ngjyrë, me dritë hije dhe sikur ndjen në to deri dhe erën e ngjyrave, lagështinë e tyre përpara tharjes në kanavacë. Sikurse shfaqen aq të gjallë dhe duke lëvizur përpara teje, si përpara një skene plot dritë të teatrit, personazhet e librit, shokët, kolegët dhe miqtë e protagonistit, ata vendas dhe ata mërgimtarë: Arturi, Guri, Syckoja, Pauli, Anemmarie, Fritz, Daniela, Dr. Kladnig, Ricard Brahun… Janë të gjithë personazhe të dashur për heroin e librit: Babai i tij që kishte studiuar në BS dhe që punonte në Shqipëri në sektorin e vështirë të naftës; nëna e urtë dhe e dashur, gjithnjë e merakosur; motrat aq të dashura; mbesat dhe njerëzit e tjerë të familjes….

Titulli i librit “Kreuztanne”, që do të thotë “Udhëkryqi”, nga fjala “Kreuz”, që gjermanisht do të thotë kryq, jo vetëm që është një titull tërheqës dhe  intrigues, por edhe domethënës. Kështu është jeta  e njerëzve, gjithnjë kanë përpara një udhëkryq, ata janë gjithnjë përpara një vendimi. Sidomos kur hallet dhe vështirësitë janë shumë të mëdha, udhëkryqi është më i koklavitur, ndaj ai kërkon orientim dhe qartësi, dritë që të çajë rrugët dhe të gjejë orientimin e duhur…”Kreuztanne” është dhe jeta e çdo mërgimtari, që jeton gjithnjë përmes dilemave dhe udhëkryqeve dhe ku i duhet të zgjedh dhe të vendos për fatin e tij dhe të familjes. Me romanin e tij Fate Velaj na e jep drejt dhe qartësisht si drita e diellit orientimin në këtë udhëkryq, mjafton që të nisim leximin e këtij libri se, pastaj, ashtu siç ndodh në legjendën me fillin e Ariadnës, filli i artë të tërheq vetë, të tregon rrugën për të dalë nga labirinti i herrët dhe i turbull, për ta lënë atë përgjithmonë pas dhe për të qëndruar vetëm  në dritën e diellit…

Comments

comments