Mark Gjonaj dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar në betimin e tij si Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Nuk është hera e parë që Mark Gjonaj mbledh shqiptarët e Diasporës bashkë në auditoret amerikane, por ato që do të mbahen mend dhe lenë gjurmën e ndritur në historinë tonë kombëtare janë dy betimet e tij, e para si Ansambleist i Shtetit të Nju Jorkut dhe e dyta si anëtar i Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut. 

Qindra shqiptarë dhe amerikanë mbushën auditoriumin në Herbert H.Lehman Eduacational Campus për të marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit të z.Mark Gjonaj si këshilltar i Bashkisë së Nju Jorkut. 

Çdo shqiptar dhe amerikan ndihej tejet krenar për z.Mark Gjonaj, sespse Mark Gjonaj ka ditur të fitoj zemrën e zgjedhësve të tij, por jo vetëm.  Mark Gjonaj është një politikan i thjeshtë dhe plot kulturë, komunikues me të gjitha nivelet si dhe një punëtor i jashtëzakonshëm. Të gjitha këto vlerësime u dëgjuan nga goja e zgjedhësve që ndalonin dhe flisnin para kamerave. 

Amerikanja Karen Siegel, një grua e moshuar fisnike me një kapele të bukur në kokë ndaloi me shumë delikatesë pranë TV “Alba Life” dhe tha: “Unë e dua Mark Gjonaj, ai është gjithmonë pranë të moshuarve, puna e tij e jashtëzakonshme nuk njeh kohë”…

Në këtë ceremoni ishin të ftuara Ambasadorja e Shqipërisë në Washington Floreta Faber, Ambasadorja e Kosovës në Washington Vlora Çitaku të cilat ishin në podium, si dhe Ambasadorja e Kosovës në Nju Jork Teuta Sahatqija, Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Besiana Kadare dhe Ambasadori i Malit të Zi.

Moderatorja e ceremonisë ishte znj.Lisa Sorin. 

Imami i qendrës Islamike shqiptaro amerikane Edin Gjoni bekoi hapjen e ceremonisë së inagurimit.  Nxënësit e shkollës së mesme Herbert Lehman interpretuan Hymnin Kombëtar Amerikan ndërsa Hymnin Kombëtar Shqiptar e këndoi Jessica Raja.  Me emocion dhe respekt të ve ç antë u prit në sallë hyrja e skuadrës me ngjyrë blu të cilët mbanin në duar flamujt e Kombit Amerikan, të Nju Jorkut etj si dhe Flamurin e  Kombit Shqiptar.

Personalitete të larta të politikës amerikane si senatori Jeff Klein, Markos Crespo, ansmambleistë të shtetit të Nju Jorkut, avokatë,  miq të afërt të z.Mark Gjonaj i uruan me fjalë miradie për detyrën e re dhe me besim të plotë se ai do të vazhdonte punën plot sukses. 

Ambasadorja e Shqipërisë në Washington lexoi përshëndetjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa Ambasadorja e Kosovës në Washington Vlora Çitaku lexoi përshëndetjen e presidentit të Kosovës z.Hashim Tha ç i dhe të kryeministrit z.Ramush Haradinaj.

Me duartrokitje të nxehta u shoqërua familja e z.Mark Gjonaj si bashkëshortja e tij fisnike znj.Roberta dhe dy djemtë e tyre kur u ngjitën në skenë për të shoqëruar betimin e tij.  Sipas traditës amerikane betimi i politikaneve të lartë bëhet duke vendosur dorën mbi librin e shenjtë, Biblën. 

Gjykatësja Llinet Rosado, anëtare e Gjykatës së lartë të shtetit të Nju Jorkut performoi ceremoninë e betimit.

Përshëndetja e z.Mark Gjonaj ishte me përulje për zgjedhësit, me falënderime për shqiptaro amerikanët dhe me besimin e madh tek Zoti.  Ai premtoi se do të vazhdojë të ndihmojë të gjithë qytetarët duke e shtuar dhe më shumë besimin e tyre.

Auditoriumi mori një pamje të bukur festive me ngjyrat mahnitëse të kostumeve shqiptare kur në sallë hyri grupi i valleve “Rozafati” të drejtuara nga Angjelina Nika.  Ata përshëndetën me valle me motive ë bukura shqiptare në nderim të Këshilltarit të Bashkisë së Nju Jorkut z.Mark Gjonaj.

Ceremonia u mbyll me bekimin e Dom Pjeter Popaj, Famulltar i Kishës katolike “Zoja e Shkodrë” në Harstedale, New York.

Pas ceremonisë z.Mark Gjonaj dha intervistë për TV “Alba Life” me bashkëpunëtore zonjushen Rea Ulaj si dhe u morën intervista te mjaft aktivistëve të njohur të Diasporës si z.Ismet Kurti, z.Esad Gjonbalaj etj të cilët kishin ndihmuar në fushatën elektorale të zgjedhjes së tij në Bashki.  

Zonja Vera Mjeku, njëkohësisht drejtore e stafit të z.Mark Gjonaj, falënderoi para kamerave të gjithë bashkëpunëtorët dhe vullnetarët që ndihmuan në fushatën elektorale dhe premtoi se do të vazhdojnë të punojnë më shumë për të pasur suksese të mëtejshme, Këshilltari i Bashkisë së Nju Jorkut z.Mark Gjonaj.

Dita e diel ishte një ditë nga më të veçantat, nga më emocionueset, ngase u ndjemë tejet krenarë si shqiptaro amerikanë kur nga podiumi i auditoriumit u dëgjua zëri i një shqiptaro amerikani të zgjedhur në nivelet e larta të politikës amerikane i cili po lë gjurmë të ndritura në historinë tonë kombëtare. 

Dita e diel në Nju Jork ishte Dita e Mark Gjonaj si shqiptaro amerikani i parë i zgjedhur në Bashkinë e Nju Jorkut si dhe e Flamurit Kombëtar Shqiptar që qëndronte krenar përbri tij.

21 Janar, 2018

New York

 

 

 

 

 

 

Comments

comments