RENE I PAFAJSHEM NGA PLUMBA MIZORE

Me rastin e 100-vjetorit të pushkatimit të Themistokli Gërmenjit

Nga Skifter Këlliçi

 

Më 9 nëntor  mbushet plot një shekull nga dita kur Sigurimi i Ushtrisë franceze e cila gjatë Luftës së parë Botërore kishte pushtuar Korçën dhe krahinen rreth saj , pas një procesi gjyqsor me dyer të mbyllura , më 9 nëntor të vitit 1917, për tradhti të lartë dënoi me pushkatim atdhetarin e madh shqiptar, Themistokli Germenjii, atëherë me detyrën e prefektit të këtij qyteti.

Ky punim, si të gjithë studimet e mëparshme, është bazuar vetëm në të dhëna të marra nga dosjet që ndodhen në Arkivin Qendror Shtetëror dhe materiale të shtypit të asaj periudhe dhe më vonë. Dhe kjo sepse duke qenë një proces gjyqsor ushtarak, dosja e tij ndodhet ende nëArkivin Shteteëror Francez dhe mund të hapet pikërisht pas kësaj datë. Besojmë se me interesimin e organe përkatëse kjo dosje do të sillet së shpejti në Shqipëri dhe do t’u bëhet e njohur studiuesve tanë.

Si u zhvillua procesi gjyqsor

Pala paditëse në procesin gjyqsor kundër Themistokli Gërmenjit përbëhej nga Benuai, shefi i Syrtesë, pra, Sigurimit të ushtrisë, Drioja, inspektori i Sigurimit, dhe Glavani edhe ai oficer i lartë i Sigurimit. Në përbërjen e Këshillit të Lartë të Luftës ishin pesë ushtarakë francezë, si edhe avokati mbrojtës, Tyber.

Duket e çuditshme se si një oficer si Tyberi, një ndër intrigëthurësit për ta futur Themistokliun në kurth, të ishte caktuar avokat i tij mbrojtës !?…Këtë dyshim shpreh edhe historiani i njohur, Muin Çami, në studimin e tij “Rreth dënimit të Themistokli Gërmenjit dhe ekzekutimit të tij”, (“Studime Historike” nr 4, 1977, faqe 118)), ku , ndër të tjera, ai shkruan:”Në rast se kapiteni Tyber qe me të vërtetë avokati mbrojtës i Themistokliut, atëherë kemi plotësisht të drejtë të pohojmë se ishte sajuar gjithçka, në mënyrë të përsosur, jo vetëm nga akuza, por dhe vetë gjyqi”.

Themistokliu u akuzua për tradhti të lartë, bazuar në aktakuzën, mbështetur në përfundimet e fundit të Syrtesë,sipas të cilave:

A .Të gjitha veprimet armiqësore të ndodhura në krahinën e Korçës nga ana e austriakëve, janë bërë me ndihmën e e agjentëve të prefekturës.

  1. Në zonën austro-hungareze agjentët e rekrutuar prej shërbimit informativ francez, janë paditur dhe ekzekutuar, kurse familjet e tyre janë internuar e burgosur.

C .Këto,(A dhe B), janë shkaktuar si nga shërbimi informativ austriak, ashtu dhe nga partizanët e tij.

Në një shkrim të gjatë, të botuar në gazetën “Posta e Korçës”, më 13.2.1930, me titull “Vrasja e dëshmorit”, një autor anonym pasi radhit këto pika të rëndësishme të aktakuzës, vazhdon edhe fakte të tjera, që nuk janë gjë tjetër, veçse sajime absurde dhe qesharake të Syrtesë.

I tillë është gjoja fakti se para luftimeve të zhvilluara në Boboshticë, Adem Beqiri, bashkëpunëtor i Themistokliut, qenkësh dërguar në zonat e armikut dhe paskësh takuar gjeneralin austriak, Vazari, për t’i dhënë informacione. Jo vetëm kaq, por Themistokliu paskësh shkruar një letër i që i drejtohej shefit të zbulimit austriak, e cila qënkesh gjetur në astarin e një kapote të një oficeri austriak, siç dëshmonte togeri Dë Mari.

Por të tëra këto bien poshtë nga një raport i gjeneralit Sal drejtuar Komandës së Përgjithshme të Armatës së Lindjes, në të cilin ai dëshmon se spiuanzhi austro-hungarez në drejtim të Korçës, udhëhiqej në Sovjan nga oficerët madhorë, Semere, dhe më pas Vitner, me ndërmjetës një agjent, të quajtur Muharrem, rekrutuar nga prej tyre. (P.Tako,”Themistokli…”,faqe 309).

Më poshtë anonimi vë në dukje se në procesin gjyqsor u lexuan edhe disa dëshmi të të burgosurve. Po ato ishin marrë pas torturash të vazhdueshme, ashtu siç do të deklaronte vite më pas Ciz Mehmeti, një xhandar i forcave të Themistokliu. Për me tepër, siç pohon anonimi, këta dëshmitarë nuk u thirrën të depononin gjatë procesit gjyqsor.

Një ndër këta dëshmitarë ishte dhe shqiptari Pasho Kolaneci, i cili u dënua me vdekje, por më pas u fal nga Syrteja. Ishte pikërisht ky që i dha informacione Benuait se gjoja kishte qenë ndërlidhës i Themistokliut me Fehmi Zboqin, një tjetër shqiptar i akuzuar për tradhti ndaj Francës. Kësisoj Pashoja u fal e bashkë më te edhe Fehmi Zboqi që u lirua më pas.

Sipas anonimit, Themistokliu me një gjakftohësi të pashembullt i hodhi poshtë këto dëshmi, që nuk kishin asnjë bazë. Si përfundim, trupi gjykues nuk mundi të vertetonte akuzën kundër Themistokliut për tradhti të lartë.

Anonimi në vazhdim të artikullit të tij te “Posta…” shkruan se avokati mbrojtës, Tyber, vuri në dukje se Këshilli i Luftës nuk mund ta gjykonte Themistokliu si francez, por si shqiptar. ”Mbrojti tezën që njeru nuk mund të quhet tradhëtar, përvec se kur punon kontra kombit dhe atdheut të vet, qoftë i vetëm, ose në bashkëpunim dhe në marrëveshje me fuqi të huaja.Themistokliu, si patriot shqiptar dhe nëpunës i lartë i atdheut të tij, për veprat e tij është përgjegjës vetëm përpara kombit të vet.” Ndaj, kërkoi pafajësinë.

Ndoshta anonimi në fjalë 13 vjet pas kësaj ngjarjeje ngatërron Tyberin, armik të Themistokliut, me dikë tjetër që mund t’i ketë shprehur këto fjalë, i cili është treguar jo vetëm i ndershëm gjatë këtij procesi gjyqsor të montuar, por edhe objektiv, siç pohon edhe studiuesi Tako në veprën e tij kushtuar Themistokliut.

Më tutje Tako shkruan se më vonë një profesor i shquar i Universitetit të Parisit ka shprehur thuajse të njejtin opinion për dënimin e padrejtë të Themistokliut. Profesori nënvizon se gjatë këtij procesi u bënë shumë akuza të cilat, sipas mendimit të tij, ishin të sajuara. Mund që edhe vetë Tyberi pas shumë vitesh të ketë shprehur ndjenja pendimi për dënimin e padrejtë që e dërgoi Gërmenjin në plumb.

Në librin e tij “Gjashtë muaj të historisë së Shqipërisë”, (frengjisht), botuar në Paris më 1929, Dakoeni, ish-komandanti i forcave franceze në Korcë, që më pas u zëvendësua nga Sali, “…ka dhënë mendimin se drejtësia franceze duhej ta rishikonte procesin, sepse në gjykimin e çeshtjes “pati gabime juridike”. Këtë mendim ka shprehur edhe miku i Shqipërisë, Zhysten Godar, në parathënien e këtij libri. Edhe francezë të tjerë që kishin simpati për Shqipërinë kanë qenë të këtij mendimi”. (P.Tako.”Themistokli…”, faqe 311).

Trupi gjykues, pas kësaj farse të neveritshme, me tri vota pro dhe dy kundër, e dënoi Themistokliun me vdekje. Syrteja kështu mposhti përfundimisht Sarrajin dhe shtatmadhorinë, që e kishin mbrojtur Themistokliun.

Të ndalemi tani te artikulli “E vërteta e ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit nga francezët” shkruar nga studiuesi dhe shkrimtari i njohur , Aurel Plasari, botuar më 16 shkurt të vitit 2015 në gazetën “Tema”, ku jepen disa të dhëna të reja nga procesi i mësipërm gjyqsor.

”Dëshmitari kryesor ishte një Demir Hasan”,- thekson Plasari.- Ky ka qenë pjesëtar i çetës së Sali Butkës, ndërkohë që ka punuar edhe për organet e sigurimit francez, në kuadrin e shërbimit të informacionit tëArmatës së Lindjes. Me pohimet e tij gjatë procesit ka dëshmuar për kontaktet   e fshehta që ka mbajtur Th. Gërmenji me “anëm tjetër” të frontit, atë të forcave ushtrake të pushtimit në Shqipëri. Për komandën e Armatës së Lindjes kontakte të tilla konsideroheshin si “tradhti”, në kuptimin e “bashkëpunimit me armikun”.

Pra, del se në këtë proces gjyqsor të këë qenë një dëshmitar shqiptar… Por, nisur nga qëllimet cinike të Syrtesë, që pa tjetër të akuzojë Themistokliun për “bashkëpunim me armikun”. “Nga pikëpamja shqiptare kontakte të tilla të Gërmenjit,- vazhdon Plasari,- përbënin një qëndrim largpamës politik në të mirë të ruajtjes së stabilitetit të Republikës Autonome të Korçës, si dhe së ardhmes së saj, kur Lufta e Parë Botërore të kishte përfunduar. Më vonë, gjenerali francez Dakoen, dashamirës i shpallur i Korçës dhe i shqiptarëve, në përgjithësi, – vazhdon Plasari,- e ka shprehur hapur këtë pikëpamje: “Themistokliu kishte lidhje TEK armiku, çfarë nuk do të thotë Me armikun. Ne i kemi shfrytëzuar ato lidhje së bashku në shumë raste”. (Gen. Descoins, Six mois d’histoire de Albanie, novembre 1916- mai 1917, A. Costes. 1930, f 51)”.

Pasi dëgjoi vendimin e jurisë, Themistokliu tha i qetë: “Sidoqë u dënova me vdekje, unë po vdes i pafajshëm dhe jam i bindur që vdekja ime ka për t’i shërbyer Shqipërisë. Dhe më poshtë shtoi: “ Më vjen keq që po vdes nga plumbat e francezëve, me të cilët lidha besë për t’i shërbyer çështjes shqiptare dhe miqësisë me Francën. Kjo dhëmbje do të jetë e ëmbël duke ditur që vdes në luftën për lirinë e atdheut tim të dashur, Shqiqërisë….Vdes i lumtur dhe i kënaqur, se e kam ndërgjgjen të pastër dhe shpirtin e qetë në përmbushjen e detyrave kundrejt Shqipërisë. Lutja e fundit që u drejtoj francëzëve është të mos rrëzojmë flamurin kombëtar që kam ngritur në Korçë dhe të mos bëhen shkak që të prishet ajo copë Shqipëri.”

Sipas anonimit “…këto fjalë tronditën ata që u ndodhën në sallë, sa mjaft prej tyre ulën kokën nga turpi, se nuk mund ta shihnin atë drejt e në sy”. (“Posta…”, 25.2.1930).

Logjikisht kështu duhet të këtë ndodhur sepse, në mjediset ushtarake franceze kishte njerëz që e kuptuan se sa poshtë kishin rënë ata që montuan një proces të tillë të turpshëm, për të bërë theror Themistokliun dhe për t’i dhënë goditjen vdekjeprurëse Krahinës Autonome të Korçës.

Dhe kjo, sepse pushtuesit francezë tashmë e kuptuan se krijimimi kësaj krahine qe një fitore e madhe jo vetëm e Korçës, por edhe e Shqipërisë, që cënonte interesat e tyre në të ardhmen. Ata edhe pas përfundimit të Luftës së Përbotshme, mendonin të ruanin zona ndikimi në Ballkan e në Shqipëri. Jo më kot e mbajtën Esat pashën në Paris që më pas ta kthenin në Shqiqëri për të luajtur kartat franceze dhe serbe.

Pushkatimi

Në atë kohë, pra, më 9 nëntor të vitit 1917, Themistokliu nuk ishte vecse 46 vjec. Që Sigurimi francez e kishte mbërthyer në kthetrat e tij gjakatare, këtë e kishte parandier. Megjithatë, ai nuk u largua nga Korça, gjë që mund ta bënte fare lehtë, sepse askujt nuk do t’i jepte llogari, aq më tepër pushtuesve francezë. Madje, ka pohime se shokët i kishin thënë të largohej, e, megjithatë, ai nuk u largua, i bindur në drejtësinë e tij. (“Gazeta e Korçës”, 11.2 1930).

Në çastet e pushkatimit të Themistokliut ka qenë Ogyst Mortieri, ushtarak francez që më 1914 ishte martuar me një vajzë pogradecare, të quajtur Athina Sotiri. Dhe më 1917, pas luftimeve në Pogradec, ku mori pjesë edhe Themistokliu, u emërua komandant garnizoni. ”Skuadra,- dëshmon ai,- gatitej të shtiente.Themistokliu hapi gjoksin dhe me trupin përpara e priti batarenë e plumbave burrërisht, si shqiptar i vërtetë.” (“Kuvendi Kombëtar”, Ilo Mitkë Qafëzezi, “Vrasja e Themistokli Gërmenjit”,17 dhjetor 1933) .

Më poshtë po aty:”Kur do ta pushkatonin,- ka deklaruar një oficer i shtabit madhor francez,- nuk pranoi t’i lidhnin sytë dhe i kërkoi një copë letër oficerit të togës së pushkatimit me lutjen që të lexohej pas mbarimit të detyrës. Dhe në kohën që zbrazeshin pushkë, u dëgjua nga goja e tij:”Rroftë Shqipëria! Rroftë Franca!”.Themistokliu ra ngadalë, ashtu siç pritet një lis i madh. Oficeri çeli letrën dhe sytë iu mbushën me lot kur lëçiti:”Dhe mbas vdekjes sime,”Rroftë Franca!”.

Me tutje në këtë shkrim, I.M.Qafzezi shkruan:”Pushkatimin e ndiqnin së largu dy hije. Donin të bindeshin me sytë e tyre për vdekjen e tij. Dhe u zhdukën përsëri si fantazma, porsa panë që trimi vaditi me gjakun e tij të pafajshëm dheun e huaj. Cilët mundtë ishin këta? Ndoshta Esat pasha dhe Eftim Gjini”.

Gërmenji nuk u varros në Korçë, ku pati shprehur dëshirën, por në Zeitenlik të Selanikut. Madje as në varrezat qytetare, por në ato të robërve austriakë. Dhe kjo ndodhi, sepse pushtuesit francezë kishin frikë se varrimi i Themistokliut në Korçë do të kthehej në manifestime të furishme popullore kundër tyre. (Muin Çami, ”Studime…”, nr.4 1977, faqe 120). Eshtrat e Themistokliut u varrosën pas shumë vjetësh në varrezat e Korçës.

Një ditë pas pushkatimit të Themistokliut, më 10 nëntor, gjenerali Sal, komandanti i forcave pushtuese në Korcë, mblodhi këshillin qeveritar të Krahinës Autonome dhe me cinizëm njoftoi se një natë më parë Themistokli Gërmenji ishte pushkatuar si bashkëpunëtor i armiqve të Francës dhe aleaëve të saj.

Ky lajm tronditi pa masë të pranishmit, sepse askush nuk besonte në fjalët e gjeneralit francez. Por, çuditërisht, një major francez, i quajtur Masje, i tha Salit pa drojë: ”Nëse Themistokliu ishte fajtor, unë jam fajtori më i madh”. Pra, dëshmonte se Themistolkiu nuk kishte tradhtuar. Nuk kaluan veçse disa ditë dhe Masjeja nuk u pa më në Korçë. (“Drita”, “Themistokli Gërmenji një nga përpjekësit për vetqeverimin e Shqipërisë”, 23.11.1973).

Me të marrë këtë mandatë, e shoqja e Themistokliut, Evdhoksia, u takua me Glavanin, shefin e Sigurimit francez në Korçë dhe i kërkoi atij t’i shpjegonte arsyet e pushkatimit të burrit të saj.

Cilatdo qofshin ato, unë protestoj për vrasjen tij , se Themistokliu ishte i pafajshëm dhe ra viktimë e shpifjeve,- shtoi ajo.

-Shikoni, zonjë,- u përgjigj Glavani, duke përdorur të gjitha argumentet e mundshme.- Ju duhet të pranoni faktin, sado i hidhur të jetë,se Këshilli i Luftës, që dënoi burrin tuaj, u mbështet në prova të sigurta.

-Çfarë provash? M’i jepni ato,- ia preu me zemërim dhe e hidhëruar ajo.- Çfarë gjyqi qe ai, kur nuk u thirr asnjë dëshmitar për të fajësuar burrin tim?

E veja e shikoi me qortim dhe inat e shtoi:

-Themistokliu asnjëherë nuk ka vepruar me kokën e tij dhe pa biseduar me Dakoenin e më pas me Salin. Për çfarë u akuzua? Ju lutem edhe një herë, më paraqitni provat.

Glavani u zu ngushtë.

-Gjykata e mbështeti vendimin,- tha ai,- në provat që u paraqitën , sipas të cilave u vërtetua se Themistokliu i kishte dhënë armikut informata ushtarake mbi Korçën e krahinën e saj.

-Nuk është e mundur,- iu përgjjigj ajo.- Ju lutem, më lejoni të shkoj në Selanik për të mbledhur të dhënat e e nevojshme. Dua që gjyqi i burrit tim të përsëritet duke u bindur në pafajësin e tij. (P.Tako,”Themistokli…”.faqe 323).

Por këto prova Glavani dhe oficerë të tjerë madhorë francezë, nuk ia dhanë kurrë Evdhoksisë. Kuptohet, nuk kishin çfarë t’i ipnin.

Megjithatë, Evdhoksia në qershor të vitit 1920 u takua me gjeneralin tjetër francez, Dë Bartu, dhe iu lut t’i jepte një kopje të aktit gjyqësor. Dhe Dë Bartui i premtoi.Por kur shkoi në Selanik, pa se të gjitha aktet gjyqsore të Armates së Lindjes ishin dërguar në Paris. Megjithatë, ai kërkoi nga Ministria e Drejtësisë në Paris që t’i dërgohej një kopje e procesit të Selanikut kundër Themistokliut. Mirëpo ky proces nuk ra në dorë të tij e, rrjedhimisht, në dorë të Evdhoksisë. (AQSH, dosje 27, faqe 5,letër e dë Furtusë, Sofje, 7.7.1920).

Pas pushaktimit të Themistokliut në shenjestër të Syrtesë u vunë komisarët e policisë, Kozma Trebicka e Llazo Progri, Tefik Panariti, Mehmet Starova e më vonë te Qamil Panariti etj. Disa prej tyre vdiqën në kampin e përqendrimit në Bitinckë, madje edhe në Guajanën franceze .

Pushtuesit francezë   abroguan pa ngurrim Protokollin e 10 dhjetorit, në bazë të të cilit Korça, siç e kemi parë në pjesët e para të këtij cikli, shpallej krahinë autonome dhe ajo u quajt thjesht kazaja e Korcës, pushtuar nga forcat e ushtrisë franceze.

Ne, ushtarët e Francës,- tha Sali në në një takim me anëtarët e shoqërisë “Përparimi”,-po luftojmë për të përhapur në të gjithë botën fjalët e lirisë,barazisë, dhe të vëllazërimit.Të tërë ata që i kuptojnë ç’duan të thonë këto fjalë, janë miqtë tanë, ata që nuk duan t’i kuptojnë, janë armiqtë tanë.” (“Gazeta e Korçës”, 24 korrik 1917).

Lajmi i pushkatimit të Themistokliut shkaktoi hidhërim, dhëmbje dhe indinjatë tek të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë atdheut. Midis tyre e ndjeu këtë humbje shoku i tij i armëve, Sali Butka. Lajmin e vdekjes e botuan shume gazeta , ndër të cilat edhe gazeta “Dielli”, që botohej në Boston, e cila shkroi: ”Frenqtë dyfeqisnë prefektin e Korçës, atdhetarin e madh, Themistokli Gërmenji”, (18 dhjetor 1917). Kjo ishte e kuptueshme. Duke vrarë Themistokliun kaq mizorisht, Franca kishte vrarë dhe zemrat e shqiptarëve, të cilët tek ai shihnin një atdhetar të madh të çeshtjes kombëtare.

Epilog

Një mëngjes janari të vitit 1999, disa muaj para se të nisesha për në Amerikë, tek shetisja me publicistin e njohur, Pirro Naçe, një burrë më pamje të qeshur, u ndal para nesh. Pasi na përshëndeti, nisi të fliste frengjisht.

-Njihu , me ambasadorin francez në Tiranë zotin……- m’u drejtua më pas Pirroja.

Pastaj edhe unë i thashë se cili isha. Si u mendua një grimë, ai me një shqipe të përsosur më pyeti se mos isha autor i romanit “Vrasës me duar të bardha”, kushtuar Themistokli Gërmenjit. Pohova me kënaqësi. Pastaj fytyra e tij u mbulua një çast nga një hije trishtimi.

-Para disa ditësh,- zuri të fliste,- bëra një vizitë në varrezat e ushtarëve francezë, të rënë në Korçë gjatë Luftës së Parë Botërore. Dhe aty vura një kurorë edhe te varri i atdhetarit të madh shqiptar, Themistokli Gërmenji, që u pushkatua padrejtësisht nga ushtarakët tanë më 1917.

Pas kaq dekadash, Franca, nëpërmjet ambasadorit të saj, kërkonte falje. Me pak fjalë, por domethënëse.

Sidoqoftë, nuk mjaftojnë veprime të tilla fisnike që janë përsëritur edhe nga diplomatë të tjerë francezë të cilët kanë punuar në Tiranë. Bazuar në fakte që do të zbulohen nga hapja e dosjes së këtij procesi të kurdisur gjyqsor, do të vërtetohet, tashmë juridikisht, pafajësia e Themistokli Gërmenjit. Dhe shpresohet se kjo dosje, më së fundi, jetë në duart e studiuesve tanë, pas 9 nëntorit të këtij viti, kur mbushen 100 vjet nga dita e dënimit me vdekje të këtij veprimtari të shquar të lëvizjes sonë kombëtare.

 

Comments

comments

-----