Me shoshë e vërteta kurrë nuk mbulohet

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

“E vërteta del gjithmonë mbi gënjeshtrën, ashtu si gjalpi del mbi ujin” [Servantes (Miguel de Cervantes Saavedra  1547-1616)]

 

          Para do kohësh, miku im i nderuar, akademik Flori Bruqi, një personalitet i shquar i kulturës shqiptare me përgatitje enciklopedike, si shumë të tjerë, më njoftonte edhe mua në internet si më poshtë:

“Ky është libri im në PDF që do të botohet këto ditë!”.

Ishte fjala për librin me titull: “Dëshmi të krimit të pandëshkuar”. E lexova me një frymë dhe në internet botova këtë reagim, të cilin ia nisa edhe akademik Florit për Portalin e tij “Agjencioni Floripress”.

 

Urime nga zemra

Akademikut Prof.dr. Flori Bruqi

“Me botimin e librit të ri me titull “Dëshmi të krimit të pandëshkuar”, akademiku Flori Bruqi po jep një kontribut të jashtëzakonshëm për ndriçimin e shumë të vërtetave tragjike për popullin shqiptar të Kosovës në veçanti dhe për kombin shqiptar në tërësi. Shumë nga këto probleme të mprehta që ai ka parashtruar në këtë libër-monument, duhej ta kishin shqetësuar me kohë e me vakt klasën politike shqiptare në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup. Asaj i takonte t’i grumbullonte këto fakte tronditëse, të përgatiste dosjet përkatëse, t’i përkthente në gjuhët kryesore dhe t’ua niste kryeqyteteve kryesore evropiane, Brukselit, Departamentit të Shtetit, Kongresit dhe Senatit Amerikan dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjithsesi, akademiku Flori Bruqi, si një figurë e shquar me përgatitje enciklopedike, si një intelektual i nderuar erudit, e ka kryer dhe do të vazhdojë ta kryejë gjithmonë me nder detyrën e shenjtëruar para kombit shqiptar.

Nderim dhe respekt të thellë për këtë punëtor të palodhur të letrave shqipe me vlera të rralla intelektuale. 

Eshref Ymeri

Santa Barbara, Kaliforni

03 qershor 2017”

Botuesi i librit të akademik Florit, drejtori i Shtëpisë Botuese “Klubi i Poezisë”, zotëria i nderuar Rexhep Shahu, një personalitet i shquar i kulturës shqiptare, poet dhe publicist mjaft i talentuar, pasi akademik Flori ia kishte përcjellë reagimin tim për librin në fjalë, m’u drejtua më kërkesën e mëposhtme:

“I dashur profesor Eshrefi.

Uroj të jesh shkëlqyeshëm me shëndet e me humor.

Të shkruaj e të lus që të më dërgosh disa paragrafe, sa të dëshirosh e ta çmosh vetë, për librin e Flori Bruqit, “Dëshmi të krimit të pandëshkuar”.

Unë lexova një shënim ekselent tëndin dhe aty u nxita të të kërkoj ta zgjerosh dhe unë ta fus si parathënie në librin e Florit.

Unë jam duke e përgatitur për botim librin e Florit.

Shpresoj se do të ma plotësosh dëshirën. Shkruaj sa mendon vetë.

Te fala.

Rexhep Shahu

Tiranë, 04 qershor 2017”

Në respekt të këtyre dy intelektualëve me formim të shkëlqyer nacionalist, unë përgatita recensionin dhe ia nisa zotërisë Rexhep Shahu.

Kaluan disa ditë dhe s’po merrja përgjigje nga zotëria Rexhep Shahu nëse i kishte shkuar ose jo recensioni im. Pasi u interesova përmes akademik Florit, zotëria Rexhep Shahu, më dërgoi përgjigjen e mëposhtme:

“I dashur profesor,

Unë të kërkoj shumë ndjesë, shkrimi yt ka ardhur, është i mrekullueshëm, do të botohet siç është.

Të kërkoj ndjesë shumë.

Te fala.

Rexhepi

Tiranë, 16 qershor 2017”

          Këtë recension, zotëria Rexhep Shahu, më datën 08 korrik 2017, e ka botuar edhe në Portalin “Fjala e Lirë”, të intelektualit të mirënjohur Fatmir Terziu, kurse akademik Flori Bruqi e ka botuar në Portalin e vet “Agjencioni Floripress” të datës 27 korrik 2017. E kanë botuar, gjithashtu, edhe  Portalet Bota Sot” dhe “Epoka e Re”. Në të gjitha këto Portale, recensioni është botuar i plotë, pa lëvizur as edhe një presje të vetme.

          Ndërkohë, akademik Flori Bruqi më kërkoi adresën se dëshironte të më dërgonte një kopje të librit që sapo kishte dalë nga shtypi. Autografi i tij mban datën 20 korrik 2017. Libri më erdhi pas një jave. E mora librin dhe nisa ta shfletoj, duke e filluar leximin nga recensioni im. Kur arrita në faqen 18, u skandalizova dhe një revoltë e brendshme më shpërtheu në heshtje në krejt qenien time. Paragrafet 33, 34, 35 ishin hequr nga recensioni, sepse kanë këtë përmbajtje:

“Murat Jashari i është drejtuar me 104 pyetje ish-Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-ministrit të mbrojtjes në qeverinë e përkohshme të Kosovës Azem Syla (1951). Kam shkëputur vetëm tri pyetje me një kuptim mjaft domethënës:

“Pse nuk i keni dërguar në vend dy snajperë të bardhë të kalibrit 338, të cilët unë t’i dorëzova, një për Komandant Kumanovën (Ismet Jasharin) dhe një për Flamurin (Gafurr Elshanin)? Komandant Kumanova dhe Flamuri m’i kanë kërkuar ata snajperë për të vrarë komandantë të pushtuesit serb e jo që ju, po me ata snajperë, t’i vrisnit ushtarët më të mirë të lirisë. A ishte kështu? Zotëri, detyrën dhe rolin e kujt e keni kryer kundër popullit tuaj, ju me mafien e Drejtorisë Politike dhe të Kryesisë së PDK-së? (Citohet sipas: “Vëllai i Ismet Jasharit, komandantit “Kumanova”, me 104 pyetje për Azem Sylën”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 20 janar 2016).

Ja, pra, çfarë bën në Kosovë mediokriteti që stigmatizon Kadarea: vret ushtarët më të mirë të lirisë, që të lulëzojë mercenarizmi, tradhtia në shërbim të Beogradit”.

Me heqjen e këtyre tre paragrafeve, masakruesit e recensionit kanë fshehur veprën kriminale të bandës së HashimThaçit në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bandë kjo, e cila, siç do të citohet më poshtë, kreu vrasje të shumta politike nga radhët e përfaqësuesve të nacionalizmit shqiptar në Kosovë.

Në faqaen 19 janë hequr edhe paragrafet 41, 42, 43, me këtë përmbajtje:

“Me këtë rast, akademiku Flori Bruqi, me një elegancë intelektuale, pa bërë asnjë koment të vetin, e nxjerr tërësisht zbuluar presidentin Hashim Thaçi kur ishte kryeministër, lidhur me qëndrimin e tij ndaj kishës së paligjshme serbe. Ai shkruan:

 “Në një emision të Radio Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi, i pyetur për objektin e ngritur pa leje të kishës ortodokse serbe në ambientet e Universitetit të Prishtinës, e ka quajtur atë një vepër të shëmtuar. Ai ka thënë se kjo kishë, në fakt, është monument i Sllobodan Millosheviçit. Por kur është pyetur se cili duhet të jetë fati i saj, kryeministri ka dhënë një përgjigje diplomatike: “Kemi punë më të mëdha për të bërë, por do t’i vijë radha edhe asaj””.

Interesante! Por autoritetet e Beogradit nuk pritën sa të bënin “punë më të mëdha”, por e shembën menjëherë xhaminë shqiptare që qe ngritur pa leje”.

Duke cënuar rëndë të drejtën e autorit me flakjen nga recensioni edhe të këtyre tre paragrafeve, masakruesit, këta shërbëtorët kurrizshtruar, kanë maskuar servilizmin dhe mercenarizmin e agait të tyre Hashim Thaçi, si vegël e verbër në shërbim të Beogradit.

Në recensionin tim, paragrafi 44 fillon me këtë fjali:

“Pra, në sytë e popullit shqiptar të Kosovës, Thaçi mundohet ta reklamojë veten si “atdhetar”, ndërsa kur i kërkohet mendim se si duhet vepruar me atë kishë të paligjshme, ai zbulon servilizmin dhe mercenarizmin e tij ndaj Beogradit. Sepse servilizmin dhe mercenarizmin e vet ndaj Beogradit ai e ka faktuar shumë herë me lëshimet skandaloze që i ka bërë shovinizmit serb, në bashkëpunim të ngushtë me Isa Mustafën dhe me Edita Tahirin, që prej 19 prillit të vitit 2013 dhe deri tani”.

Kurse në librin e akademik Florit të faqes së larpërmendur (19), ky paragraf është masakruar poshtërsisht në atë mënyrë, që t’u krijojë përshtypjen lexuesve, sikur autori i recensionit s’paska haber fare nga struktura sintaksore e fjalisë në gjuhën shqipe. Ja si është masakruar paragrafi:

“Pra, në sytë e popullit shqiptar të Kosovës, disa liderë mundohet ta reklamojë veten si atdhetar, ndërsa kur i kërkohet mendim se si duhet vepruar me atë kishë të paligjshme, ai zbulon servilizmin dhe mercenarizmin e vet ndaj Beogradit. Sepse servilizmin dhe mercenarizmin e vet ndaj Beogradit ai e ka faktuar shumë herë me lëshimet skandaloze që i ka bërë shovinizmit serb, në bashkëpunim të ngushtë me Isa Mustafën dhe me Edita Tahirin, që prej 19 prillit të vitit 2013 dhe deri tani.

Siç shihet, masakrimi i sintaksës së dy flalive të këtij paragrafi duket açik dhe është bërë qëllimisht, në mënyrën më të poshtër. Në fjalinë e parë, mbiemri “Thaçi”, në rolin e kryefjalës, është zëvendësuar me kryefjalën e përbërë në numrin shumës “disa liderë”. Normalisht, autorët e masakrës duhej që këtë kryefjalë në numrin shumës, ta përshtatnin me kallëzuesin në numrin shumës: “disa liderë mundohen…”. Por jo, dashakeqësia e masakruesve arrin deri aty, saqë kryefjalën e kanë vënë në numrin shumës (disa liderë), kurse kallzuesin (mundohet) e kanë lënë në numrin njëjës. Po ashtu, edh kallëzuesi i kësaj fjalie  “i kërkohet” dhe togfjalëshi “ai zbulon”, duhej të ishin në numrin shumës (u kërkohet dhe ata zbulojnë), në përshtatje me kryefjalën e përbërë “disa liderë”. Veç kësaj, në pjesën e fjalisë së parë të masakruar “…disa liderë mundohet ta reklamojë veten si atdhetar”,  këtë fjalën e fundit (atdhetar) duhej ta vendosnin në numrin shumës (atdhetarë), në përshtatje me kryefjalën në numrin shumës (disa liderë). Po kështu kanë vepruar edhe me fjalin e dytë, ku shprehja ai e ka faktuar” duhej të ishte në numrin shumës (ata e kanë faktuar), sepse edhe për këtë fjali, si kryefjalë shërben kryefjala e  përbërë e fjalisë paraardhëse në numrin shumës disa liderë”. Pra, këta miq të regjur të Thaçit, “e kanë maskuar” Thaçin në mes e lartë, por “e kanë lënë zbuluar” në mes e poshtë.

Ja përmbajtja e një fjalie të recensionit tim, me të cilën fillon paragrafi 45:

“Mercenarizmit dhe tradhtisë së treshes Thaçi-Mustafa-Tahiri, ia nxjerr bojën përfundimisht Aleksandër Vuçiçi, i cili para do kohësh ka deklaruar për një marrëveshje të arritur në Bruksel”.

Në libër kjo fjali është masakruar në këtë mënyrë:

“Mercenarizmit dhe tradhtisë së liderëve kosovarë ia nxjerr bojën përfundimisht Aleksandër Vuçiçi, i cili para do kohësh ka deklaruar për një marrëveshje të arritur në Bruksel”.

Pra, thaçistët pa kurrfarë nderi dhe dinjiteti në formimin e tyre, shprehjen e recensionit tim “Mercenarizmit dhe tradhtisë së treshes Thaçi-Mustafa-Tahiri”, e kanë zëvendësuar me shprehjen “Mercenarizmit dhe tradhtisë së Liderve Kosovarë”, duke maskuar kësisoj tradhtinë e treshes në fjalë.

Në paragrafin 51 të recensionit tim jepet kjo fjali:

“Por është për të vënë duart në kokë që treshja pa dinjitet kombëtar Thaçi-Mustafa-Tahiri, në bazë të marrëveshjeve që ka nënshkruar me Beogradin në Bruksel, në heshtje dhe në fshehtësi nga populli shqiptar i Kosovës, Mitrovicën e Veriut e konsideron territor serb”.

Në këtë fjali, në faqen 21 të librit, është bërë ky masakrim:

“Por është për të vënë duart në kokëLiderët pa dinjitet kombëtar në bazë të marrëveshjeve që kanë nënshkruar me Beogradin në Bruksel, në heshtje dhe në fshehtësi nga populli shqiptar i Kosovës, Mitrovicën e Veriut e konsideron territor serb”.

Përsëri, edhe në këtë paragraf, shprehja treshja pa dinjitet kombëtar Thaçi-Mustafa-Tahiri”, e cila luan rolin e kryefjalës së përbërë në numrin njëjës në fjali, është zëvendësuar me shprehjen “Liderët pa dinjitet kombëtar”, kryefjalë e përbërë edhe kjo, por në numrin shumës, që nuk është përshtatur me kallzuesin “e konsideron”, i cili, po ashtu, duhej të ishte në numrin shumës (e konsiderojnë). Por thaçistët enveristë, të verbuar pas dashurisë përvëlimtare për idhullin e tyre Hashim Thaçi, të cilit ia kanë fshirë emrin sa herë që ai përmendet në recensionin tim, të kujtojnë redaktorët e dikurshëm të gazetës enveriste “Zëri i Popullit”, të cilët, të gjithë artikujt që u vinin nga bashkëpunëtorët në terren, i masakronin sipas qejfit të tyre, për të ngritur sa më lart kultin e partisë dhe të kriminelit Enver Hoxha.

Mendoj se masakruesit e recensionit tim më kot janë munduar ta maskojnë Hashim Thaçin me gjethe fiku. Aktiviteti i tij antikombëtar, në krye të bandës që ka drejtuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përmes faqeve të internetit, ka dalë në dritën e diellit me kohë e me vakt. Aktiviteti i Hashim Thaçit dhe i bandës së tij kriminale gjatë dhe pas luftës, të kujton aktivitetin e kriminelit Enver Hoxha, sidomos në periudhën mes viteve 1941-1948, kur ai, në përputhje me platformën kriminale të Beogradit, luftën antifashiste e shndërroi në luftë civile, ashtu siç e kishte për zemër shovinizmi serbosllav: që shqiptarët ta hanin kokat e njëri-tjetrit. Prandaj mërgimtari i shquar nacionalist Xhafer Leci, shkruan nga Gjemania:

“Hashim Thaçi është ai që me kompaninë e tij i solli shumë të këqia Kosovës; vrasje, dhimbje, terror, plaçkitje të pasurive shoqërore dhe shtetërore!…Dihet se edhe marrëveshjen e arritur në mes kolonel Tahir Zemajt dhe Ramush Haradinajt, në Dukagjin, për një luftë të përbashkët kundër okupatorit serb, e ndërpreu-prishi pikërisht Hashim Thaçi, duke kërcënuar kolonel Zemajn, se atë do ta luftonte më parë dhe më shumë se sa forcat serbe!! A nuk flet kjo për sabotim lufte? A nuk flet  kjo për vrasje të pafajshme të të gjithë atyre atdhetarëve që përpiqeshin të luftonin për çlirimin e Kosovës, si kolonel Ahmet Krasniqi, i cili gjithashtu ishte kërcënuar nga Hashim Thaçi, me kompaninë e tij, se do e vrasin! A nuk ishte kjo dëshirë e Serbisë, që shqiptarët të vriteshin në mes vete?! Ka edhe shumë dëshmi të tjera që flasin se Hashim Thaçi ishte një agjent i Beogradit (Citohet sipas: Xhafer Leci. “Hashim Thaçi të hetohet për veprimtari antikombëtare”. Faqja e internetit “Voal”. 23 qershor 2014).

Pra, Beogradi, në qëndrimin ndaj Kosovës gjatë viteve të luftës, zbatoi të njëjtën strategji, si edhe në Shqipëri pas vitit 1941: i pati përgatitur me kohë shërbëtorët e vet besnikë, të cilët do t’i hidhte në veprim për shfarosjen e përfaqësuesve të nacionalizmit shqiptar në Kosovë. Këtë strategji të shovinizmit serbosllav e ka nxjerrë në pah një tjetër mërgimtar i shquar, zotëria Idriz Zeqiraj, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës për landin e Bavarisë. Ai shkruan:      

“Serbia i kishte argatët e vetë të gatshëm. Ajo kishte planifikuar, që, sido që të rrjedhin ngjarjet në Kosovë, donte që njerëzit e saj të vihen në pozicione favorizuese për atë, Serbinë. Por, asaj nuk i mjaftonte vetëm ndihma e social-komunistëve të Tiranës. Bëri si bëri, koordinoi me mikën tradicionale të Serbisë, Francën, e cila do t’ia ofronte Hashim Thaçit “mikun” e gatshëm, Arnaud Danjean, agjent i Sigurimit francez, DGES. Kurse, ish-shefi i shërbimit francez, Pierre Siramy, në një kanal televiziv, ka thënë: “Hashim Thaçi është agjent i Francës” (Citohet sipas: Idriz Zeqiraj. “Hashim Thaçi u arrestua për vrasjen e Ali Ukajt, u lirua pas telefonatës së Xhavit Halitit”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 14 gusht 2017). 

Një tjetër mërgimtar i nderuar, zotëria Bardh M. Nengurra, hedh edhe më shumë dritë mbi bandën e komandantëve të Ushrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një artikull të paradokoshëm, tek i drejtohet Ramush Haradinajt, ai thekson:

Unë them se Kosova duhet të ju hiqet nga duert e juve KOMANDIRAVE dhe KOMISARVE stalinista që ky popull të jetojë me hallet e shumta që i ka e qe shumicen nuk i kishte as në kohen e okupimit serb, por jeni juve sunduesit e sajë qe ja ngarkuet barr mbi supe… Ty t’u ka ba mani dhe smundje psiqike posti i kryeministrit të Kosovës. Dhe asnjihere nuk po ke aftësi ta kuptosh se ti je i padëshrueshem per at post. Je i padeshrueshem sepse ty nuk të perkrah populli i këti shteti të brisht qe juve komandirat enverista e sakatuet”. (Citohet sipas: Bardh. M. Nengurra. “Ken po e rren se je mik i Ibrahim Rugovës o Ramush Haradinaj”. Faqja e internetit “Voal”. 06 gusht 2017).

Kjo bandë stalinisto-enveriste në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në majat pushtetit pas përfundimit të luftës, paska kryer krime të rënda, të konkretizuara me shumë vrasje politike. Përsëri mërgimtari nacionalist Idriz Zeqiraj shkruan:

“Lista emërore e ekzekutimeve vijoi me vrasjet serike… për të arritur kuotën shifrore të 1.820 viktimave politike, të ekzekutuar nga komandantët dhe bandat e tyre, të cilët sot vazhdojnë pushtetin e tyre të përgjakur në Kosovën, kinse, të “lire” e “demokratike!”. Vrasjet politike në Kosovë janë masive, madje shifra e tyre tejkalon numrin e dëshmorëve faktikë, të rënë në luftën e Kosovës (Citohet sipas: Idriz Zeqiraj. “Hashim Thaçi u arrestua për vrasjen e Ali Ukajt, u lirua pas telefonatës së Xhavit Halitit”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 14 gusht 2017).

Por Hashim Thaçit ia nxjerr bojën keq edhe një ushtarak i lartë rus, general-kolonel Leonid Ivashovi, i cili ka qenë dëshmitar në mbrojtje të Millosheviçit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Sipas tij, Hashim Thaçi paska qenë kundër pranisë së NATO-s në Kosovë, duke u justifikuar edhe me “mospraninë” e Serbisë. Veç kësaj, ai paska mashtruar Sekretaren e Departamentit të Shtetit Medlin Ollbrait (Madeleine Albright 1937), së cilës i paskej deklaruar se pas fillimit të bombardimeve të Serbisë nga forcat e NATO-s, në Kosovë do të shpërthyekej  një kryengritje e fuqishme kundër trupave serbe dhe përgjithësisht kundër Serbisë. Ja çfarë ka deklaruar gjenerali rus:

“… unë kam qenë i vetmi nga dëshmitarët që kam dhënë dëshmi dy ditë me radhë. Ndër të tjera, ditën e parë rrëfeva për dy telefonata të përgjuara të Medlin Ollbraitit me Hashim Thaçin. Ende para fillimit të ngjarjeve të mëdha (para fillimit të bombardimeve kundër Serbisë E.Y), ai, në ngutje e sipër, paskej deklaruar se në territorin e Kosovës, përveç shqiptarëve, nuk do të jetë i pranishëm askush as NATO-ja, as serbët. Ollbraiti, e cila asokohe po i telefononte nga Gjermania, i dha një dush të mirë udhëheqësit kosovar mendjekarafil. Më 25 mars 1999, ditën e dytë pas fillimit të bombardimeve, ata patën një tjetër telefonatë. Këtë radhë Ollbraiti po fliste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës: “Ku ma keni atë kryengritjen, – po i ulërinte ajo në telefon, – pse nuk e keni filluar kryengritjen?”. Kur unë solla këto fakte, anëtarët e trupit gjykues zgurdulluan sytë” (Citohet sipas: Leonid Ivashov. “Intervistë për revistën “Itogi”. Faqja e internetit “russmir.info”. 27 gusht 2010). 

Kur njihet me përmbajtjen e citimeve të mësipërme, çdo lexues i vëmendshëm nuk mund të mos vijë në disa përfundime të dhimbshme për fatin e Kosovës.

Së pari, siç bëhej e ditur nga mjetet e informimit masiv më shumë se dy vjet më parë, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, i ishte dërguar një ftesë nga një organizatë të rinjsh, për të marrë pjesë në një takim që organizohej në Beograd më 23 prill 2015. Por  kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, para mbajtjes së atij takimi, pati deklaruar se do ta arrestonin Hashim Thaçin nëse shkonte në Serbi. Ai qe shprehur:

 “Ligjet ekzistojnë ende dhe ne do ta arrestojmë Thaçin nëse vjen këtu” (Citohet sipas: “Vuçiç kërcënon Hashim Thaçin: do ta arrestojmë nëse vjen në Serbi”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Panorama”. 18 prill 2015).

Në të vërtetë, Vuçiçi dhe gjithë -içët e tjerë të politikës serbe, nuk kanë qenë dhe nuk janë kurrë të interesuar për “arrestimin” e Hashim Thaçit. Sepse Thaçi për ta është “pasuri kombëtare” me vlera të jashtëzakonshme për mbrojtjen e interesave serbe në Kosovë. Sikur kryeministri Vuçiç të ishte me të vërtetë i interesuar për “arrestimin” e Hashim Thaçit, ai nuk duhej të dilte me një deklaratë publike për ndalimin e tij nga organet e drejtësisë serbe. Ai, kuptohet vetvetiu, duhej të priste që Hashim Thaçi, në fillim, të shkonte në Beograd dhe pastaj organet e drejtësisë mund të vepronin për “arrestimin” e tij. Por Vuçiçi, me deklaratën e tij, kërkonte që Thaçit t’ia ngrinte sa më lart aksionet (autoritetin, famën, vlerat) në sytë e popullit shqiptar të Kosovës, në mënyrë që ky të vazhdonte të mbetej në majat e pushtetit për mbrojtjen e interesave të Serbisë në Kosovë. Aq më tepër që, në vitin 2016, Thaçi do të zgjidhej president.

Së dyti, sipas të gjitha gjasave, lexuesit kanë të drejtë të dyshojnë se edhe arrestimi nga ana e autoriteteve franceze i Ramush Haradinajt në janar të këtij viti, disa muaj para zgjedhjeve të 11 qershorit, sipas një “urdhërarresti” të lëshuar nga Beogradi, paska qenë thjesht  një skenar i  përgatitur me shumë marifet nga ana Beogradit dhe e Parisit. Me sa duket, ky skenar paska pasur si qëllim që edhe Ramush Haradinajt t’i ngriheshin sa më lart aksionet në sytë e popullit shqiptar të Kosovës, në mënyrë që kur të lirohej nga autoritet franceze dhe të kthehej në Kosovë, të pritej nga populli si një “hero” i vërtetë, siç edhe ndodhi në realitet. Madje iu thurën edhe këngë. Pra, skenari funksionoi për bukuri, sipas regjisurës së Beogradit dhe të Parisit. Kësisoj çelej shtegu që, pas zgjedhjeve të 11 qershorit, banda e komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shërbëtore besnike e Beogradit, jo vetëm të mos lëvizte nga majat e pushtetit, por t’i forconte edhe më shumë pozitat e veta në krye të tij. Prandaj jo më kot Ramush Haradinaj u zgjodh kryeministër i Kosovës me votat e deputetëve të listës serbe.

Me masakrimin që i kanë bërë recensionit tim, argatët e regjur të Hashim Thaçit kanë bërë falsifikimin e të vërtetës historike. Këtë falsifikim e kanë bërë me ndërgjegje të plotë, duke fshirë duart e tyre të pista me recensionin tim.

Falsifikimi i të vërtetave historike është një shtrembërim i ndërgjegjshëm i ngjarjeve historike. Shtrembërimi i fakteve historike zë fill që nga Egjipti i lashtë, ku faraonëve, që në gjallje të tyre, u visheshin akte të shquara heroike ose u stërmadhoheshin meritat e tyre. Me kronikat egjiptiane zë fill epopeja e gënjeshtrës së madhe, një falsifikim ky i përmasave gjigante i  fakteve historike në mbarë botën. Ky falsifikim pati një zhvillim të madh në perandorinë romake, ku, në përpjekjet për justifikimin e fushatave agresive, perandorët, me argatët e vet, me dekretet që firmosnin, ndryshonin përmbajtjen e kronikave. Më vonë, e vërteta dilte në dritë sipas dëshmive dorëshkrimore të bashkëkohësve të njërit ose të tjetrit sundimtar.

          Libri i akademik Flori Bruqit “Dëshmi të krimit të pandëshkuar”, të cilin unë e recensionova me shumë kënaqësi, është një vepër e shkëlqyer që nxjerr në pah shumë të vërteta historike, të cilave banda e Hashim Thaçit në krye të Kosovës, siç e kanë quajtur me shumë të drejtë mërgimtarët e nderuar kosovarë që i citova më lart, u ka vënë përsipër kapakun e rëndë të heshtjes së madhe. Në këto kushte, ky libër merr rëndësinë e një pamfleti të shkëlqyer politik, sepse flak tutje kapakun e heshtjes së madhe të bandës thaçiste dhe u përcjell lexuesve të katër të vërtetat e rënda për gjëmat e përbindshme që shovinizmi i tërbuar serbosllav i shkaktoi popullit shqiptar të Kosovës në mbyllje të shek. XX, gjëma këto, për të cilat banda në fjalë nuk ndërmori as edhe një hap të vetëm në institucionet ndërkombëtare për ndëshkimin shembullor të Beogradit dhe për kompensimin nga ana e tij të të gjitha shkatërrimeve që i shkaktoi popullit shqiptar të Kosovës. Përkundrazi, jo vetën që s’e bëri një të tillë, por e lejoi Beogradin t’i zhvaste lëshime pas lëshimesh, duke e shndërruar Kosovën në një prostitutë të shovinizmit serbosllav.

          Libri i akademik Flori Bruqit është botuar në Shtypshkronjën Vision Print në Prishtinë. Pra, unë kam të drejtë të dyshoj se masakruesit e recensionit tim duhet të jenë punonjës të asaj shtypshkronje, miq zemërpërvëluar të Hashim Thaçit dhe të bandës së tij. Me shkurtimet dhe me ndërhyrjet skandaloze që kanë bërë në recensionin tim, ata më kanë fyer rëndë në sytë e lexuesve, duke u krijuar atyre bindjen, sikur dijet e mia në lëmin e sintaksës dhe të rregullave gramatikore të gjuhës shqipe, qenkan “të cekëta”. Në të vërtetë, struktura sintaksore, rregullat gramatikore dhe drejtshkrimore të gjuhës shqipe, për mua janë perëndi mbi të gjitha perënditë. Pra, punonjësit e asaj shtypshkronje që janë marrë me botimin e librit të akademik Flori Bruqit, me masakrimin që i kanë bërë recensionit tim, kanë fshehur disa të vërteta historike, të cilat ia nxjerrin bojën keq Hashim Thsaçit dhe bandës së tij. Por dihet më së miri se të gjithë ata që mundohen të fshehin të vërtetat historike, ngrejnë në kult vetëm gënjeshtrën. Pikërisht zelli i tyre në shërbim të gënjeshtrës, më kujton një thënie të bukur të Martin Luter Kingut (Martin Luther King 1929-1968):

          “Gënjeshtra përdridhet gjithmonë si nepërka, e cila asnjëherë nuk e drejton trupin, qoftë kur zvarritet, qoftë kur rri shtrirë. Vetëm kur ka ngordhur ajo e drejton trupin dhe nuk shtiret më”.

Në këto kushte, librin që akademik Flori Bruqi ma dërgoi si dhuratë nga Prishtina, unë nuk mund ta mbaja më në bibliotekën personale se më “ndotte” mjedisin me atë recension të masakruar dhe me atë gjuhë shqipe të përçudnuar. Prandaj, së bashku me disa gazeta të vjetra, e përcolla për karton. Kështu që autorit shumë të nderuar, akademikut Flori Bruqi, i rekomandoj ta ribojë librin në fjalë, nëse i ka mundësitë, me atë variant të recensionit tim, i cili, siç e përmenda më lart, është botuar në disa faqe interneti, pa lëvizur as edhe një presje.

Këtë reagim ndaj masakrimit të recensionit tim, e titullova me një gjysmë fjale të urtë, të cilën, në mbyllje, po e jap të plotë: 

“Me shoshë e vërteta kurrë nuk mbulohet, ndaj dhe frika e fajit kurrë nuk largohet”.

Los Anxhelos, Kaliforni

          02 tetor 2017  

 

 

 

 

 

Comments

comments

-----