Urim per kryetarin e ri të Vatrës, z. Dritan Mishto!

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Vatra jonë e Nolit dhe e Konicës, e cila është pasuri kombëtare si organizata më e vjetër shqiptare në botë dhe që i ka qëndruar Kombit në ditët më të vështira dhe më historike gjithmonë meriton që në krye të saj të jenë shqiptarë të devotshëm, burra të urtë, tolerant dhe të mençur. 

Si një anëtare aktive e Diasporës e prita me pozitivitet dhe plot dashamirësi zgjedhjen e kryetarit të ri të Vatrës të cilët kishin kuvendin e tyre për zgjedhjen e kryetarit të ri në ditën e shtunë, më 10 qershor, 2017-të.

Vatra e meriton qe ne krye te saj të këtë z.Dritan Mishto një burrë të kulturuar në Perëndim, një atdhetar të flaktë, një kontribues të devotshëm në Diasporë i cili e tregoi me plot dinjitet karizmën e tij kur ishte Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York.

Stafi i shkollës Shqipe “Alba Life” që operon ne disa lagje te Nju Jorkut i uron punë të mbarë Z.Mishto.  Z.Mishto ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York për disa vite dhe më duhet të pohoj se ka qenë nje nga diplomatët më aktivë, i cili me një përkushtim atdhetar vetëm për Kombin, nuk linte aktivitet pa marrë pjesë dhe pa i përshëndetur nga afër. 

Fjala e tij prej një diplomati të karierës ka frymëzuar sa e sa gjenerata duke i mbajtur lidhjet e forta midis Diasporës dhe Kombit, gati lidhje si mishi me kockën. 

Si diplomat i karieres, por i hequr pabesisht nga k/m Rama në mes të “mexhlisit” në Manhattan i cili që ne takimin e pare që pati me Diasporën u “dhuroi” pjesëmarrësve “mandatin e heqjes së një diplomati” duke treguar se në se nuk je me Ramën hidhesh në “rrugë”…  Kryeministri Rama gaboi rëndë, sepse Diaspora nuk mund t’ia hidhte poshtë kontributet që kishte dhënë diplomati Mishto sepse shumica e Diasporës shohin Kombin dhe jo qëllimet cinike të politikës që e çojnë Kombin vetëm në regres.

Më duhet të them se TV “Alba Life” dhe Shkollat Shqipe janë komplet të pavarura nga rrymat e ndryshme politike dhe shprehim krenarinë tonë për punën dhe bashkëpunimin me mësuesit, prindërit, artistët, shoqatat, personalitete të shquara të Kombit, si dhe me diplomatë dhe ambasadorë të gjitha qeverive politike pa dallime se dhe ndërtimin e punës sonë e kemi krijuar tërësisht në forcat tona.

Stafi i TV “Alba Life” dhe Shkollës Shqipe ashtu siç e priti me dëshpërim mënyrën e heqjes së z.Mishto arbitrarisht nga kryeministri Rama ashtu dhe e priti me shumë dashamirësi zgjedhjen e Tij në krye të vatranëve, ndërkohë i urojmë dhe ish kryetarit të Vatrës z.Gjon Buçaj shëndet dhe vazhdimësi në punët atdhetare.

Pas heqjes nga detyra të z.Mishto stafi i Shkollës Shqipe “Alba Life” për të respektuar punën e Tij, përkushtimin e madh karshi shkollave shqipe, frymëzimin që jepte herë pas here dhe për t’i shprehur mirënjohjen, mësuesit, prindërit dhe nxënësit e shkollave shqipe në një nga degët e saj në shkollën publike amerikane në Brooklyn e pritën z.Mishto plot respekt dhe dashuri ditën e premte, në datën 4 tetor 2013-të në mjediset e saj.  Zoti Mishto ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij fisnike znj. Agatia Mishto.  

Pasi ka mbaruar mësimi, Themeluesi i shkollave shqipe dhe producent i TV Alba Life z.Qemal Zylo në emër të stafit të tij i dhuroi z.Mishto në prag të largimit të tij për shkak të shkarkimit nga detyra deklaruar nga z.Rama në New York një pllakë mirënjohjeje me këtë motivacion: “Për një kontribut të jashtëzakonshëm dhe përkushtim të sinqertë për shkollat Shqipe dhe TV Alba Life. Ne vlerësojmë kontributin tuaj për ruajtjen dhe kulturën shqiptare në Shtetet e Bashkuara gjatë shërbimit si Konsull i përgjithshëm në New York”.

Gjatë marrjes së pllakës së mirënjohjes Z.Mishto tha me emocion se ishte i nderuar për vlerësimin që i bënë Shkollat Shqipe, TV Alba Life dhe uroi që ato të zgjerohen dhe të mos mbyllen kurrë.  

Ai u nda me dashuri dhe plot respekt me ta dhe u premtoi se do të vijë përsëri.  Përcjellja e tij plot mirënjohje nga fëmijët dëshmoi qartë se Z.Mishto do të jetë përherë midis nxënësve të shkollave Shqipe.

Dhe premtimi shpresoj se do të mbahet duke ardhur përsëri e përsëri jo vetëm në shkollat shqipe, por kudo, ndoshta dhe më shumë se më parë, tashmë jo si Konsull I Përgjithshëm i Shqipërisë në New York, por si kryetar I Vatrës, pasardhës i devotshëm i Nolit dhe Konicës…

11 qershor, 2017

Staten Island, New York

 

Comments

comments

-----