Sa mall kam për radion e vjetër mbi komodinë

Nga Alban Omari

Kishim në shtëpi një radio të vjetër ku babai im, ndjestë pastë, ulte zërin në minimum dhe dëgjonte ‘Zërin e Amerikës’; aq shumë e ulte nga frika se mos e dëgjonin, saqë shpesh herë vetëm ai e dëgjonte dhe unë, mamaja ime dhe motra thuajse nuk dëgjonim gjë.

Aq të lidhur ishim me atë radio të vogël të zezë, prodhim gjerman më duket, saqë na dukej gjëja më me vlerë që kishim në shtëpi.

Dikur ca vite më vonë ajo u vjetërua shumë, nuk gjenim dot llamba për të dhe blemë një radio të re.

Im atë e mori të vjetrën, e mbështolli me një mashkë me ato të cilat mbështillja unë librat dhe e ruajti për shumë vite, mbi dollapin ku mbante rrobat e tij.

Pas shumë vitesh unë, si shumë më “i zgjuar” se ai, ngaqë radio më “zinte” shumë vend e hodha jashtë shtëpisë.

Eh, sa herë më vjen të qaj kur kujtoj radion e vjetër, u tregova aq pa mend kur gjërat i kisha vetë në dorë e më dukej “vetja zoti i shtëpisë” dhe me një sekondë të trurit tim zhduka një pjesë të kujtesës sime familjare.

Më vjen turp për atë që kam bërë dhe nuk i kam thënë kujt kurrë.

Ishim të lumtur që kishim atë radio në shtëpi, por jo se mburreshim jashtë me të, ishte pak a shumë si shfaqje e huaj ajo radio për atë kohë.

Aq bukur do dukej kjo radio sot po ta pastroja, ta rregulloja, ta ndizja përsëri dhe në dhomën time, nga ajo kuti e vjetër e zezë të vinin tingujt e kohës së sotme.

Falë zotit nuk e bëra me orën e vjetër me kurdisje mbi komodinë që më zgjonte çdo ditë në orën 7, kur nisesha në shkollë.

Herë-herë e kurdis, e vë mbi kokën e krevatit dhe kënaqem me tik takun e vjetër të saj.

“Mirëmbrëma, mireserdhët në sallën e Teatrit Kombetar, ju lutem fikni celularët tuaj dhe mbani qetësi shfaqja po fillon. Shikim të këndshëm”.

Nën zërin radiofonik të Vangjel Toçes fillonte çdo shfaqje në Teatrin Kombëtar.

Kam ndjekur jo pak shfaqje këto vitet e fundit në këtë sallë të vjetër, biles parvjet i pashë të gjitha të interpretuara gjatë stinës teatrore.

Me përjashtim të pjesës “Pamje nga Ura” me interpretimin brilant të Timo Fllokos, që në sallë ndodhej një politikan i rreshtit të dyti të mazhorancës, në gjithë këto shfaqje nuk kam parë njerëz të politikës, opo si nuk pashë një politikan deputet që sot shfaqet si bashkëfirmosës i ligjit për shembjen e teatrit apo si kundërshtar i tij!

E vërtetë ndoshta në dimër aty bënte ftohtë, rradhëve nuk u dalloheshin numrat, nuk dukeshin pothuajse fare numrat në çdo karrige, por çuditërisht aty ishte ngrohtë dhe shumë komod.

Dukej tamam si radio ime e vjetër që here-herë bënte kuak-kuak e bëzhhh zhurma pa kuptim.

Ishte si një tavernë e vjetër ku shkon për të ngrënë drekë apo darkë dhe është më e këndshme se një restorant luksoz me xhama me shkëlqim e pllaka ngjyra-ngjyra.

Ishalla nuk u thot mendja të djegin edhe rregjistrimet e pjesëve teatrale ose t’i fusin midis akteve pjesë nga takimet “Llogaridhënie para popullit’.

Është tamam kthim në kohë si atëhere kur udhëheqësi qelbësirë i diktaturës shembi kisha e xhamia dhe në vend të tyre ndërtoi monumente kult të diktaturës.

Ehh, tani ka marrë fund gjithçka, kishim dëgjuar gjithë këto vite për ndërtime të ligjshme, por termin “Ndërtim me ligj të veçantë” nuk e kishim dëgjuar ndonjëherë; së shpejti brenda kesaj vjeshte, muret e zeza të teatrit do shemben, eskavatorë e buldozierë do të bëjnë plur e hi gjithë historinë kulturore të familjes shqiptare ashtu siç bëra dhe unë me radion time të vjetër me historinë e familjes sime.

A do t’i vijë ndonjë herë turp për këtë që po bëjnë, aq më tepër që nuk janë si unë pronar i radios, por vetëm administratorë të teatrit?!

Sa herë do kalojmë pas disa viteve andej, përballë xhamave me ngjyra që të vihen apo pllakave mermeri gjithë shkëlqim që do të shtrojnë, do të kujtojmë se prej andej na vinte çdo të premte ‘Teatri në Ekran’, si e vetmja shfaqje kulturore e viteve të diktaturës e cila megjithë tekstet e ngarkuara politikisht të skenarëve përçonin edhe interpretimin brilant të aktorëve.

Dhe tani që në shtëpi kam smartfonë, tabletë samsung, smart tv, malli më merr për radion e vjetër, nuk më prishte asnjë punë ta kisha ruajtur ashtu siç ma la babai im, të vjetër dhe mbështjellë me mashkën e librave të mi.

Ohhh. tani është shumë vonë ora po afron.

“Mirësevini në vendin ku ka qenë Teatri Kombëtar, ju lutem, një minutë heshtje dhe mbani qetësi, shfaqja po fillon. Shikim të këndshëm”!

Comments

comments

-----