PËR DISKUTIMIN E KUFIJVE KOSOVË – SËRBI

Nga Thanas L. Gjika

 

Këto ditë po diskutohet problemi i korrigjimit të kufijve midis shtetit të Kosovës dhe shtetit të Sërbisë. Po marr guximin edhe unë të shpreh shkurt mendimin tim:

Ideja e krijimit të shteteve kombëtarë në Gadishullin e Ballkanit ku të përfshihen gati gjithë territoret ku flitet gjuha e popullit të tyre, më duket ide e drejtë. E them këtë sepse popujt e Ballkanit janë larg nga mendësia e tolerancës europiane. Ideja e krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan shpie tek krijimi i një shteti kombëtar Shqiptar në Ballkanin Perëndimor, një shteti Sërb në Ballkanin Qendror, një shteti Bullgar në Ballkanin Perëndimor. Pra nuk ka pse të krijohen dy shtete shqiptare dhe një Maqedoni ku shumicën e përbëjnë Bullgarët e Shqiptarët.

Nëqoftëse shtrimin dhe zgjidhjen e problemit të krijimit në Ballkan të shteteve kombëtare e marrin përsipër ShBA-të dhe BE-ja, atëhere nuk ka pse të shqetësohemi dhe nuk ka pse ta kundërshtojmë.

Bashkimi me shtetin e Kosovës i Luginës së Preshevës ku shqiptarët përbëjnë shumicën dhe bashkimi me shtetin e Sërbisë i Mitrovicës së Veriut ku sërbët përbëjnë shumicën, siguron paqen midis këtyre dy shteteve dhe nuk e dëmton Kosovën. Puna është që ky proces të shpihet deri në fund, pra deri tek krijimi i shtetit kombëtar Shqiptar, shtetit kombëtar Sërb dhe shtetit kombëtar Bullgar.

Fjalët se Mirovica e Veriut përbën “zemrën e Kosovës”, ose pasurinë e saj më të madhe, etj, nuk duhet të na shqetësojnë, ato janë fjalë e asgjë tjetër.

Begatinë e një shteti dhe të banorëve të tij nuk e sjellin pasuritë nëntokësore, e mbitokësore, as fushat e gjera dhe as brigjet e bukura të deteve. Begatinë e një shteti dhe të banorëve të tij e krijojnë njerëzit, sidomos qeveritarët me punën e tyre. Nëse një shtet e drejtojnë njerëz të ndershëm dhe atdhetarë, ai shtet dhe populli i tij jetojnë në begati e paqe. Nëse një shtet e drejtojnë njerëz të pandershëm dhe jo atdhetarë, ai shtet dhe populli i tij jeton në varfëri. Shëmbujt janë të shumtë, por unë po ju sjell vetëm një:

Populli i Zvicrës, popull i një shteti të vogël me shumë male me pak fusha e pak minerale, dhe pa bregdet, jeton në begati; kurse populli i Rusisë, popull i një shteti të madh me fusha të gjera, plot pasuri minerale e brigje të shumta detare, jeton në varfëri. Për të njëjtat arsye jetojnë në begati si populli i Zvicrës edhe populli i Belgjikës, Hollandës, Danimarkës, Suedisë, Norvegjisë, etj. Dhe po për këto arsye jetojnë në varfëri si populli i Rusisë dhe populli i Indisë, Meksikës, Kongos, etj.

Pra dhe populli i Kosovës në ditët tona dhe ai i Shqipërisë së bashkuar nesër, si dhe ai i Sërbisë së sotme dhe ai i Sërbisë së bashkuar nesër, do të jetojnë në begati e paqe nëqoftëse do të drejtohen nga burra shteti atdhetarë e të ndershëm dhe jo se do të kenë nën qeverisje edhe këto ose ato krahina.

Popullit shqiptar nuk i duhen disa shtete, por një shtet i vetëm kombëtar ku të përmblidhen sa më shume territore ku shqiptarët përbëjnë shumicën. Ekzistenca e shtetit të Kosovës si shtet shqiptar i pavarur, ishte një zgjidhje e përkohëshme derisa t’i mbushej mendja klasës politike të shtetit Sërb se Kosova nuk ishte pjesë e Sërbisë. E tani që u kuptua se për shtetin Sërb është më mirë të bashkojë teritoret ku populli Sërb përbën shumicën dhe të mos pretendojë më për Kosovën dhe Luginën e Preshevës, problemi i bashkimit në një shtet shqiptar i trojeve ku populli shqiptar përbën shumicës merr rrugën e zgjidhjes.

Në rast se Kosova pasi të lëshojë Mitrovicën e Veriut dhe të marrë Luginën e Preshevës, do të vijojë të jetë shtet i pavarur, lind problemi: shqiptarët e Maqedonisë do të jenë minoritet i shtetit Shqiptar të Shqipërisë apo minotitet i shtetit Shqiptar të Kosovës?

Zgjidhje më e mirë dhe paqesjellëse është bashkimi i Republikës së Shqipërisë me Republikën e Kosovës në një shtet dhe shkrirja e shtetit të Maqedonisë midis Bullgarisë dhe Shqipërisë së bashkuar. Përderisa shqiptarët e ballkanit Perëndimor, që sot jetojnë të ndarë në disa shtete luftuan kundër pushtuesit osman dhe shtetit Sërb me një flamur të përbashkët, flamurin e Gjergj Kastriotit, do të thotë se ky popull duhet të krijojë një shtet kombëtar nën këtë flamur. Zgjidhjet e tjera janë afatshkurta… 

Comments

comments

-----