Kostandin Ristani: Ofrohem të kontribuoj për vendin tim!

Publikuar në Flas Shqip

Kostandin Ristani, shpall vizionin e tij si kandidat i Diasporës në Kanada, për në Këshillin Koordinativ Kombëtar

Një nga emrat e njohur të komuniteti shqiptar në Ottawa, Kanada, Kostandin Ristani, pasi ka lexuar artikullin e publikuar në 

Flasshqip.ca me titull “Propozim Ministrit Majko: 30 emra nga Diaspora”, ka reaguar përmes një statusi në Facebook.

Z.Ristani, me qytetarinë që e karakterizon gjithmonë në diskutime, duke u ndjerë i vlerësuar, ka falenderuar redaksinë e FLASSHQIP.CA, për përfshirjen e kandidaturës së tij në propozimin e publikuar në këtë portal. Ne po e publikojmë më poshtë statusin e plotë të z.Kostandin Ristani, në vazhdim të debatit publik konstruktiv dhe transparent të këtij procesi të iniciuar nga Flasshqip.  

Së pari falenderoj sinqerisht editorialin e FLASSHQIP.CA dhe në mënyrë të veçantë frymëzuesin dhe kontribuesin e përkushtuar të këtij portali Taulant Dedja, për përfshirjen e kandidaturës time në propozimin e publikuar në këtë portal. Nuk mund ta fsheh që sigurisht ndjehem i vlerësuar dhe i përfshirë në atë fillesë e zhvillim që mendohet se do të jetë një veprimtari e ligjëruar dhe e organizuar që i kontribuon kombit shqiptar.

Sikurse edhe disa shënime të vëna këtu* nga disa bashkëbisedues, bile edhe kontribues të shquar të komunitetit tonë në Kanada, edhe unë ndjehem në një gjendje enigme e të papërcaktuar se çfarë do të jetë synimi, pritshmëria dhe arritshmëria e Këshillit Koordinativ të Diasporës në Shqipëri!?

Si gjithmonë, pushtetarët shqiptarë dhe punonjësit e lartë të administratës shqiptare, pretendojnë se ndërtojnë një legjislacion të tipit Perëndimor apo Evropian, por injorojnë që ky legjislacion duhet, patjetër e në mënyrë të pa diskutueshme, të shoqërohet me politika, procedura, direktiva dhe udhëzime përkatëse për ta bërë ligjin apo aktin e parlamentit apo të qeverisë të zbatueshëm. Kjo nuk ndodh në Shqipëri. Në çdo rast e kam deklaruar drejtpërdrejt që kjo është të gënjesh veten e të propagandosh në mënyrë të pa sinqertë apo injorante për t’i hedhur hi syve të huajve përfaqësues apo të ngarkuar me punë dhe shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, se shteti shqiptar bën dhe ka ligje siç i do Evropa-“Mos ta nij kush bre burrë-thotë shkodrani! As të huajt dhe as shqiptarët nuk gënjehen nga këto deklarata demagogjike e tollumbace politike. Kjo qe hyrja e asaj që dua të parashtroj këtu më poshtë.

Duke vazhduar me përmbajtjen e asaj ç’ka dua të paraqes dëshiroj të shpalos edhe një herë këtu vizionin tim për kombin shqiptar, shtetin shqiptar dhe të ardhmen e Shqipërisë e të shoqërisë shqiptare. Për të bërë të njohur këtë vizion më duhet të pohoj përpara se çfarë i dalloj unë mangut dhe krejtësisht të pagjetshme e të pandodhura shtetit e politikës shqiptare. Ato janë:

  1. Një strategji e konsoliduar dhe e unifikuar kombëtare në drejtimet e zhvillimeve afatgjata gjeopolitike, politike, ekonomike dhe shoqërore;

  2. Ndërgjegjja shtetformuese dhe shtetvepruese perëndimore në elitën politike dhe administrative-drejtuese të shtetit shqiptar. Këto dy gjetje, kam patur fatin si kanadez dhe keqardhjen e trishtueshme si shqiptar, t’i zbuloj gjatë veprimtarisë time të privilegjuar që kam pasur këto 12-13 vjetet e fundit në marrëdhënie të veçanta veprimtarie ndërkombëtare, ku, për arsye të politikës korrekte apo të stilit të komunikimit perëndimor, nuk i zbulon dot askush duke përfaqësuar Shqipërinë. Me një fjalë shteti shqiptar sipas standarteve perëndimore konsiderohet i pabesueshëm. Këto gjetje më kanë ngacmuar krenarinë, sedrën dhe ndërgjegjen time prejardhore dhe etnike sa që keqardhja dhe trishtimi më ka nxitur që të ofrohesha për të kontribuar në projektimin e një zhvillimi afatgjatë dhe në ndërtimin e programuar dhe me etapa të asaj veprimtarie shtetërore dhe administrative që do eliminojë në vite ato mangësi me përmasa e pasoja kombëtare. Jam ofruar për të kontribuar me shkrim direkt tek autoritetet më të larta të shtetit dhe nëpërmjet dy intervistave televizive. Me shpenzimet e mia kam marrë pjesë në tubimet e dy diasporave: në Tiranë në nëntor të 2016 dhe në Prishtinë në maj të 2018. Unë e njoh shumë mirë vendin tim të lindjes dhe mjedisin shqiptar në vazhdimësi pa rënë në kurthin e politikës banale mediatike sepse nuk e njoh nëpërmjet bokseve televizive mbasi e kam atë mundësi të privilegjuar të të qenurit atje me periudha nga dy-javore deri në pesë-javore, pesë-gjashtë herë në vit gjatë pesë vjetëve të fundit dhe, më parë, dy-tre herë në vit që kurse jam shpërngulur nga Tirana për në Kanada. Nuk kam problem me të udhëtuarit apo qëndruarit në Shqipëri sa herë të kem dëshirë apo punë. Kur ofroj shërbimin tim për vendin tim të lindjes nuk kam ose ushqej absolutisht paragjykim për çdo forcë apo forca politike të rradhës që qeverisin Shqipërinë. Të vetmen vështirësi që kam është se nuk përshtatem dot me rastin kur një Ministër apo Kryeministër të më thotë që unë apo neve të zgjodhëm në këtë Këshill nën administrimin e këtij Ministri dhe duhet të ndjekësh udhëzimet e ndoshta të votosh apo të aprovosh vendimet e tij. Kjo nuk përputhet me principet, integritetin tim personal e paanshmërinë intelektualo-profesionale. Unë paraqes eksperiencën, ekspertizën, analizën, këndvështrimin dhe rekomandimet e mia pavarësisht se pëlqehen ose janë të mirëpritura nga autoriteti vendim-marrës, por nuk mbaj mëri në vetvete apo peng veten se pse autoriteti vendim-marrës nuk mori parasysh rekomandimet dhe gjetjet e mia, për sa kohë që nuk më bën pjesëtar dhe duartrokitës të vendimit që merr. Në çastin që unë paraqes analizën, këndvështrimin tim dhe rekomandimet e mia pasuese unë e quaj detyrën time të përfunduar. Në bashkësinë time të punës brenda dikasterit ku punoj dhe me kolegët ndërkombëtarë jam i njohur si specialist dhe ekspert sfidues që mendon jashtë kutisë dhe rehatisë së konformizmit.

Si përfundim!

Cc: Z. Kryeministër, Z. Ministër, Z. Ambasador:

“Take it or leave it – this is who I am”! Unë ofrohem të kontribuoj për vendin tim të lindjes me tërësinë e potencialit tim intelektual pa mbajtje anësie dhe interesa politike, por njëkohësisht duke respektuar autoritetin e të zgjedhurit apo të emëruarit në pushtet. Nuk kam ndër mend të angazhohem në formacione politike në Shqipëri dhe në ambientin shqiptar.

 *Në komentet në postimin e artikullit në Facebook- shën. i redaksisë 

Comments

comments

-----