VAZHDIMËSI E SHPIRTIT TË SHQIPTARIZMIT PËR LIRI E PAVARËSI KAPEDAN SALI VRANISHTI – KOMANDANTI TRIM MAMAN SALIU

Nga Qatip Mara 

 

Gjyshja ime Haxhika Karafil Beqaj (Hasanaj) kur isha fëmijë më këndonte dhe shpesh recitonte vargje të tëra me këngët e trimave të Labërisë. Gjyshja më këndonte me shumë krenari këngët për djalin e xhaxhait të saj Kapedan Sali Murati Vranishti duke përshkruar edhe betejat që kishin zhvilluar në frontin me armikun. Edhe gjyshi im Mehmet Jaup Beqaj që kishte luftuar përkrah me Kapedan Sali Murati,në rininë time më tregonte e përshkruante betejat që kishin bërë me komandantin trim Sali Murati Vranishti.
Atdhetari i flaktë dhe luftëtari i shquar për lirinë e Pavarësinë e Shqipërisë Heroi i Popullit Sali Murati, lindur në 1880 është i njësuar me emrin e vendlindjes Vranishtit, fshatit trimëror të Lumit të Vlorës, simbol i heorizmit të Labërisë , e cila gjithmonë ishte burim i pashtershëm trimërie për Liri, duke treguar se përbënë bazën , bërthamën e Shqiptarizmës që nga lashtësia Iliri , Arbëria , deri në ditët tona Kryetrimi Sali Murati me artin e të luftuarit në betejat kundër turqëve vepronte me shkathtësi, me guxim e zotësi të rrallë. Ai nisej në beteja duke vrapuar e sulmuar me befasi, i vërsulej armikut si vetëtimë, pa iu dridhur qerpiku nga vdekja. Mbi Bogonicën e Madhe kur luftonte sikur hidhte valle. Në vitin 1908 kur patrioti madh Ismail Qemali shkoi për takim në Vranisht, kryetrimi Sali Murati u betua me burrat e Vranishtit se do të luftonte me armë për çlirimin e vendit
Me vendosmëri Sali Murati krijoji dhe komandoi çetën për” Lirinë e Shqipërisë “
e cila ishte çeta e parë në Lumin e Vlorës si repart i organizuar dhe me objektiva të qarta
për realizimin e programit kombëtar Në beteja ajo u kalit dhe forcua në aksione kundër armikut,.ku printe komandanti trim Sali Murati. Ai e udhëhoqi me trimëri e heroizëm këtë çetë në disa aksione, jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me 1911 është pjesëmarrës në Mbledhjen e Drashovicës në përkrahje të kerkesave te Memorandumit të Gërçes.


Aksioni më i bujshëm është ai i hapjes së burgut të Vlorës, më 24 gusht 1912, prej të cilit liroi gjithë të burgosurit, ngjarje qe pati jehonë në shtypin vendas dhe atë të huaj. Në prag të shpalljes së pavarësisë, shkon në ndihmë të popullsisë të Delvinës dhe lufton ndaj bandave shoviniste greke. Me krijimin e qeverisë të Ismail Qemalit, gradohet kapiten dhe emërohet komandant i Sigurimit Publik
Në librin “Gjurmë të kohëve të përflakura” të autorit Arshi Xhelili shkruhet : “ Edhe me shpalljen e pavarësisë, shovinistët grek i vazhdonin sulmet e tyre kundër shqiptarëve. Ata kishin arritur deri në Kallarat e Kurvelesh. Nuk mund të përshkruhen masakrat që ata bënë në këtë periudhë. Arritën deri atje sa të thernin me thikë për së gjalli një grua shtatzanë. Dhe tregimet arrinin deri atje sa njerëzit u larguan nga shtëpitë dhe u vendosën në shpella. Thuhej se duke zbritur me litarë në një guvë, që të çonte në shpellë, lindi një djalë. Të qarat e fëmijës ishin simboli i jetës. Njerëzit e shpellës u mbushën me gëzim.
Më 26 prill 1913 në Tërbaç, u mblodhën çetat nga 20 fshatra. Në krye të fshatarave qe një kryetar dhe në krye të gjithëve ishte Sali Murati. Si nëkryetar ishte Selam Abazi. Në orën 7 të mëngjesit çetat dolën në Llënxhën e fshatit. Aty erdhi Mydyri nga Berati. Ai kishte hipur në një kalë me shalë, dikush i mbajti Mydyrit kalin, dikush e ndihmoi të zbriste. Të tjerët u qasën dhe filluan të përqafoheshin me të. Më pas e mori fjalën Sali Murati, i cili tha :
“ – Shokë luftojmë me një armik të fortë e me synime ambicioze. Qeverinë e re nuk e lanë të marrë frymë. Shkollë s’kam e oratori nuk di shumë që të flas këtu ashtu si e do puna. Por një gjë di të them. Na duhet të luftojmë dhe po luftuam do të fitojmë.”
Sali Murati ishte trim e llafi i zinte vend.. Rreth orës 3 të mbasdites çetat u larguan nga fshati Tërbaçit dhe nisën marshimin për në Kuç, Çorraj,Kudhës. Grekët kishin zënë kalanë e Borshit.
Më 27 prill 1913 , ora 4 pas mesit të natës, çetat rrethuan Kalanë e Borshit. Plani ishte parë me kujdes. Sali Murati hartoi planin e sulmit për të marrë kalanë e Borshit.
Nata ishte e kthjellët, qielli i mbushur plot yje, të cilët kishin filluar të faleshin njëri mbas tjetrit në dritën e ditës që po agonte. Dallgët e lehta të detit ledhatonin ëmbël bregun. Një fllad i freskët vinte nga hapësira të pafund të detit Jon, i cili flinte i qetë. Xixëllonjat ja shtonin bukurinë këtij prag mëngjesi Luftimet ishin të ashpra. Pas befasisë së parë grekët u mobilizuan dhe zunë pozicionet. Ata kishin pozicione të favorshme e dominuese. Goditjet dhe kundërgoditjet vazhduan deri në datën 30 prill.Ra muzgu. Dielli u fsheh tutje në Jonë. Dalë-ndadalë po vendosej qetësia. Vetëm të lehurat e e ndonjë qeni dëgjoheshin herë pas here. Sali Murati doli nga vend komanda. U ul në një shkëmb dhe vështirimin e treti tutje në brendësi të kalasë. Dyfekun e vendosi me kondakë në tokë midis këmbëve dhe e kishte mbështjellë mbi duart e vëna njëra mbi tjetrën dhe mbi to kishte vendosur kokën.
U mendua gjatë ashtu, pastaj, ai ,mblodhi të gjithë kryetarët e çetave. Ishin 20. Në mesnatën e datës 30 prill çetat filluan sulmin. Çdo gjë u bë në fshehtësi të plotë.Lufta u ndez e ashpër. Aty ra Selfo Rrapi . Grekët filluan të tërhiqen duke lënë shumë të vrarë.Luftëtarët i ndoqën edhe nga Fterra. Një grup luftëtarësh shoqëroi trupin e Selfo Rrapit për në Gumenicë, ku u varros me shumë nderime., ashtu siç u takon trimave, atyre që bien për kombin, atyre që s’kursejnë as gjakun e tyre për trojet e vëndit.
Kështu sipas porosive të dhëna nga Qeveria e Vlorës, luftëtarët e Labërisë dhe ata të Kurveleshit çliruan Borshin,Tatëzatin, Fushë Bardhën dhe Delvinën. Zëri i atdheut në çdo kohë ka qënë urdhër për shqiptarët.”
Në epopenë legjendare të luftës çlirimtare të vitit 1920 shkëlqen heroizmi i kryetrimit Sali Murati, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. . Plagoset rëndë gjatë sulmit për marrjen e kalasë së Kaninës. Gazeta italiane “Epoka” do ta cilësonte “Gjeneralissimi i rebelëve të Jugut”. Në romanin “Ultimatum ” të Petro Markos, është personazhi qendror.
Figurën e tij atdhetare populli e ka sintetizuar me vargjet:
“Kapedan Sali Vranishti,
Sa rrojti, i punoi gishti.”


MAMAN SALIU


Në vargun e këtij gjerdani trimëror vazhdoi i biri , Maman Saliu, i cili ishte pjesë e traditës patriotike të kësaj familjeje, pasardhës i denjë i Heroit të Popullit Sali Muratit
Maman Saliu u edukua e u frymëzua nga shëmbulli sakrificave të mëdha për mbrojtjen e aspiratave të lirisë dhe flamurit kombëtar. Okupimi fashist, forcoi dëshirën e zjarrtë të këtij biri vranishtiot për t’iu bashkuar Luftës Antifashiste, për Shqipëri të lirë e të pavarur.
Shokët e tij bashkëluftëtarë, kuadro e njerëz të thjeshtë, flasin plot dashuri e respekt për këtë komandant trim partizan, ushtarak të zotin e intelektual me vlera të spikatura, që diti të drejtojë me mençuri, guxim, shembull personal e përkushtim .
Maman Saliu u lind në 15 maj të vitit 1922 në Vranisht të Vlorës. . Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa plotoren në qytetin e Vlorës. Në këtë qytet vazhdon studimet në shkollën tregtare. Me pushtimin e vendit, angazhohet që në fillim të vitit 1942 me lëvizjen antifashiste. Në korrik të 1942 arrestohet dhe burgoset në Vlorë dhe në Tiranë.. Merr pjesë në luftën e Gjormit dhe në atë të Tragjasit. Më 25 gusht 1943 caktohet komandant i çetës partizane “Sali Murati”, me pas komisar çete në batalionin “Halim Xhelo”, kurse në 20 janar të 1944 komisar kompanie në Brigadën e 5-të Sulmuese. Në maj të vitit 1944 plagoset rëndë në mbrojtje të Kongresit të Përmetit. Mbas kthimit nga spitalet partizane, ngarkohet komisar i batalionit të parë në Brigadën e 5-të.. Doli nga lufta me shumë plagë në trup Pas çlirimit të vendit i besohen detyra të rëndësishme komanduese e drejtuese në strukturat e Sigurisë Kombëtare. Ka mbajtur gradën ushtarake “kolonel”. Kolonel Maman Saliu vazhdoi të punojë më përkushtim si kuadër i lartë ushtarak deri në vitin 1966, kur vullnetarisht largohet familjarisht nga Tirana dhe shkon në vendlindje, jo për të përfituar të mira materiale , por për t’i shërbyer popullit. . Figura atdhetare, autoriteti dhe pesha e fjalës së Maman Saliut, e kanë bërë një personalitet të shquar të Labërisë dhe është i njohur jo vetëm në Labëri, por në gjithë vendin.

Maman Saliu u nda nga jeta në qytetin e Tiranës, më 3 shkurt 2012.. Ata që e njohën në luftë, punë e jetën e përditshme këtë  burrë të stërralltë të Labërisë, ndjehen krenarë që kishin një bashkëluftëtar, shok e mik të tillë. Një vlerësim i lartë për Maman Saliun u ndie dhe në ditën e përcjelljes së tij për në banesën e fundit, ku kortezhi i njerëzve nuk kishte të numëruar, ndërsa fjala që mbajtë në përcjelljen për në banesën e fundit nga kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës, shkaktoi emocione mjaft prekëse për të gjithë të pranishmit. Pikërisht atë ditë, krijuesi gjirokastrit Sejmen Gjokoli, kishte shkruar këto vargje:

Malet e Vranishtit nxijnë

Qajnë për Maman Salinë

Qajnë për burrin e rëndë

S’do ta shohin më në këmbë…

Maman Sali Labëria

Mbi supe të rri lavdia

Ka botuar librat me kujtime “Trokitje në kujtesë” dhe “Në vorbullën e jetës” .


ARBEN MAMAN SALIU


Në vazhdimësi të traditës atdhetare të Heroit të Popullit Kapedan Sali Vranishti , ecën sot, nipi tij , Arben Maman Saliu, i cili shërbeu me devotshmëri në Akademin e Rendit Publik ‘Arben Zylyftari” Tiranë duke paraqitur një performancë cilësore. Para pak kohe Arben Saliu është emëruar Drejtor i Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Policisë së Shtetit
.Duke trashëguar traditat më të vyera të paraardhësve, është i thjeshtë, modest , me kulturë qytetare, me aftësi intektuale. Ashtu siç thotë populli : “Tek ka rrjedhur do pikojë, do vejë soja në sojë”
Qatip Mara
Nju Jork 08.05.2018

 

Comments

comments

-----