URIME NTELEKTUALIT TË TALENTUAR XHEVAIR LLESHI ”MJESHTRI MADH” NË 70 VJETORIN E DITËLINDJES

Nga Qatip Mara

Këtu larg oqeanit,ku jam pacient i përhershëm i spitalit të trasplantit Nju Jork,më erdhi ftesa e intelektualit të talentuar,”Mjeshtri Madh” Xhevair Lleshi,i cili shkruante:

“- I nderuar mik ..,( se ku i dihet je afër!, ditën e mërkurë,01 Nëntor 2017,në orën 10.20,në sallën e Akademisë së Shkencave, Tiranë,bëhet promovimi i librave të mi dhe i 70 vjetorit tim. Je i ftuar or mik ta kalojmë së bashku me miq e shokë të tjerë këtë takim.Faleminderit. Xhevair Lleshi”.

       Sa do të doja të isha i pranishëm në këtë takim,ku malli ma djeg shpirtin, edhe çdo ditë përballem me sfidat e vdekjes nga krizat e trasplantit të zemrës, e cila më ka dhënë shansin e jetës së Dytë,por nga larg shpreh urimet më të mira për ditëlindjen e shtatëdhjetë të shokut të studimeve universitare, mikut të nderuar Xhevair Lleshi.

    50 vite më parë në vitin 1967 e njoha në  Fakultetin Histori-Filologji Tiranë. Ishte student i shkëlqyer, nuk i dridhej qerpiku kur merrte tezën e provimit përgjigjej menjëherë duke folur rrjedhshëm me elekuencë. Me qartësi mendimi,me argumentime shkencore fliste përballë historianëve të mëdhenjë Aleks Buda e Stefanaq Pollo duke fituar vlerësimin maksimal prej tyre. Ishte student i talentuar me një botë të pastër shpirtërore. Me dashamirësi e buzëqeshje të sinqertë të ftonte në biseda duke komunikuar thjeshtë pa mëndjemadhësi.Të gjitha këto biseda të cilat i dëgjonim me vemendje ishin dritare për të fituar dituri.Kishte integritet mendor e shpirtëror të admirushëm duke fituar natyrshëm respekt e mirënjohje.Performanca cilësore e tij ishte e harmonizuar edhe me emrin bukur Xhevair.

        Ishte drejtor shkolle në zonën e largët të rrethit të Beratit duke ecur çdo ditë në këmbë nëpër rrugica kodrinore-malore,punonte me përkushtim për arsimimin e brezit të ri.Emri Xhevair Lleshi ishte bërë shumë i njohur në  shtypin e asaj kohe….sepse në shkrime kishte mendime inovative për mësimdhënjen e drejtimin e shkollës. Si drejtor i Zonës dhe i shkollës Sheqëz – Qereshnik,u dallua për aftësi komunikuese duke drejtuar me shumë talent punën mësimore-edukative. Ishte shumë korrektë në zbatimin e disiplinës në shkollë. Kishte krijuar e harmonizuar   kolektiva kompaktë duke i motivuar për arsimimin dhe edukimin e nxënësve . Me thjeshtësinë që e karakterizonte motivionte çdo mësues në punën mësimore edukative, kishte shumë aftësi njohëse e me shumë takt pedagogjik përhapte përvojën e përparuar.

Xhevair Lleshi

     Me suksese kreu Studimet Pasuniversitare Specializim për Psikologji – Pedagogji , e meritonte të punonte në institucionet qëndrore arsimore –shkencore, por në atë kohë vlerësohej më shumë “diploma kryesore,anëtarsimi në parti” .Mungesën e “diplomës partiake” e sfidoi me punë të përkushtuar si mësues në gjimnazin”B.D.Karbunara” Berat , e në vazhdimësi filloi punën   Libretist në Teatrin Profesionist Berat.Krahas punës në arsim kishte nisur krijimtarinë letrare.

       Intelektuali Xhevair Lleshi është personalitet i njohur  e i respektuar nga një rreth i gjërë intelektualësh cilësor, por edhe nga opinioni publik jo vetëm brenda Shqipërisë por kudo ku banojnë shqiptarët nëpër botë.Në medien e shkruar e virtuale pasqyrohet veprimtaria letrare e intelektualit Xhevair Lleshi për kontributin e tij letrar në Prozë,Poezi,Dramatarurgji Përkëthime, Studime Psikologjike,Historike,Ese, Manuale,Tekste Shkollore etj. Njëkohsisht prej vitesh në tregun e botimeve të librit,Shtëpia botuese “UEGEN” Tiranë është dalluar për botime të larmishme cilësore nën drejtimin e pronësi të inteketualit të talentuar Xhevair Lleshi.Të gjitha këto arritje janë produkt i aftësive të talentit ,vullnetit të hekurt të inteketualit Xhevair Lleshi.

.

Krijmatira letrare e tij ka fillesat e saj në shkollën e mesme pedagogjike ,për të cilën,Ai shkruan:

       “Krijimtaria ime? Ajo zë fill në shkollën e mesme teksa nisa të kërkoja brenda vetes. Nga gazeta jonë letrare e murit po hynim në udhën e një mëkati të madh, që s’dihej si do të shprehej e si do të ngardhosej, si do të jetonte dhe a do të kryente inçest, vetëvrasje, krime të tjera, do të përleshej në dashuri apo do të jetonte jetën me prozaizëm të vdekshëm. Kush e dinte? “

       Megjithëse libri i parë me poezi ju kthye “ me shënimin se libri nuk mund të botohej pasi kishte mjaft hala në bykun e grurit”,Ai nuk u demoralizua por me durim,këmbëngulje,vullnet vazhdoi krijimtarinë letrare duke botuar dy libra me tregime, drama , komedi, pjesë teatrore për fëmijë e të rritur ,të cilat u realizuan me suksese në skenë e të vlerësuara nga publiku artdashës,

Në vazhdimësi krijmataria letrare Xhevair Lleshi u bë më e larmishme duke botuar romane,vëllime poetike, studime psikologjike etj.

                Ja disa nga veprat e botuara të autorit Xhevair Lleshi

 

  1. 1. Përsëri Me Shokët – Tregime, 1988 , / 2. Plaku Shqipes,monografi, 1989,2014, / 3 Së bashku – Dramë, 1986, / 4.Bijtë e Shpiragut    ,dramë,1987, / 5.Luajmë drejtorash,komedi,1990,/.6 Fjala e burrit,dramë,1988,  / 7. Kriza, Dramë, 1989,/ 8. Kurthi i dasmës,dramë,1987,/ 9.Lëvizja teatrore, studim,1989,/ 10.Taulantët,roman,1992,/ 11. Dita e ngrirë, Poezi, 1993,/

  2. 12. Demi i egër,tregime,1993,/ 13. Paraadoleshenca, Studim, 1994, 2014, /14.Psikologji e personalitetit,1997, . 15. Shenjtëria e tij,Fëmija,Studim, 1998, /16.Italisht në 70 ditë,metodë,1998

  3. 17. Frëngjishtja pa mundim, metodë,1998,/ 18. Italishtja pa mundim,metodë,1998,/

  4. 19. Mëkati i bukur,roman,2008,/ 20.Onufri,roman,2009, / 21. Grupi Lemeria,tregime,1996/

  5. 22. Libri i madh me gjëegjëza,2003, / 23. Anekdota shqiptare,2002, / 24. Karakteristika psikologjike,studim,1986, / 25. 32 tekste shkollore,2006 – 2014, / 26. Dikush pret gjithnjë,tregime, 2013, / 27.Onufri- die ikonenelegende,2013, / 28.Onufri – legends des ikones,2015, / 29. Berati -Betlehemi shqiptar,2014, / 30.Elegji,poezi,2014,

31.Struktura e personalitetit njerëzor, 2015, / 32.Anatomia e melankolisë sociale,2015

       Në veprimtarinë krijuese te Xhevair Lleshi është pasioni tij shpirtëror për qytetin e Beratit, duke krijuar një binom të pandashëm e që e shoqëron në çdo çast.

Ai shkruan : “ për dhjetë vjet me radhë kam kërkuar në arkivinqendror në Tiranë dhe kam gjetur aq shumë material për Beratin, për (e thënë ndryshe) Betlehemin shqiptar (siç e quan Indro Montanelli), sa do të duheshin mijëra faqe për t’i shkruar ato që janë fjala, historia, personaliteti, jeta dhe vdekja, e bukura, e mira dhe e shëmtuara, e keqja, dëlirësia, eleganca, thjeshtësia, kapadaillëku, memecëria, shurdhësia, oratoria, mikpritja, dashuria, lufta, egërsia, gjaku, poshtërsia… gjithçka që kurrsesi nuk arrin dot ta thuash e që përbëjnë mëkatin e çuditshëm të atij qyteti të madh e të vogël njëherësh. Berati kështu u bë dashuria ime, jeta ime e gëzueshme, drita e brendshme dhe më duhej kështu të mrekullohesha nga emrat e njerëzve, nga turravrapi i tyre elegant e i kobshëm, nga vetë jeta e zvarritur dhe e hirshme e qytetit. Pas ftohjes titanike të ekonomisë së viteve tetëdhjetë dhe falë specializimit tim për psikologji në Universitetin e Tiranës, historia dhe njerëzit e vjetër të tij u bënë pjesë e qenies sime, pjesë e brendshme dhe e pakuptueshme e nënvetëdijes sime.”

 

     Xhevair Lleshi lindi në Lapardha të Beratit një qendër banimi me fushëpamje të gjërë e me prodhime të shumta bujqësore e blegtorale,me një frutikulturë të shëndetshme.Aty mori mësimet e para edukative nga prindërit e tij të dashur ,fisnikë,të përkushtuar për familje,të cilët krenoheshin e lumuroheshin nga sukseset e djalit Xhevair Lleshi. Duke kaluar fëmininë e rininë e hershme në Lapardha krijoji familjen e tij të mrekullueshme.Nisi jetën e gëzuar familjare ku lindën djemtë e shtrenjtë Arian Lleshi & Gentur Lleshi. U vendosën me banim në lagjen “Barikada” të qytetit Berat. Në një mjedis komod banimi djemve u mundësoi një arsimim në shkolla cilësore,të cilët shkëlqyen në mësime. Në një dhomë të veçantë ishte sistemuar biblioteka e pasur me shumë libra,e cila ishte dhoma e punës ku intelektuali Xhevair Lleshi shkruante me shkrim dore mijëra faqe letre të krijimtarisë e studimeve të tij.Në tavolinën e tij të punës qëndronte në orët e vona duke “situr” miellin e krijimtarisë në prozë, Kujdesi e shërbimi shëmbëllor me përkushtim i familjes së tij e qetësonte nga lodhja e streset e kohës.Harmonia familjare,mirëkuptimi ,devotshmëria për njeri-tjetrin ishin mbështje lehtësuese në krijimtarinë e Xhevair Lleshit.

Në teatrin profesionist të qytetit Berat si libretist,ai,u dallua për përkushtim e cilësi krijimtarie në komedi e drama,të cilat gjallëronin skenën për publikun.Kur filluan poçeset demokratike inteketuali Xhevair Lleshi ishte përkrahës aktivë i ndryshimeve të përmbyjes të sistemit diktatorial. Kur ecja ishte në ngjitje me suksese e gëzime,befas përballet me dhimbjen e madhe të humbjes të djalit GENTUR. U shua në lulen e rinisë në moshën 18 vjeçare.Trishtimi,lotët e ngrirë nga hidhërimi tronditën familjen. Pas asaj dhimbje  të madhe të humbjes fizike të të paharruarit Gentur, ka mposhtur dhimbjen me punë krijuese e nisi të botonte gazetën “Mesazh “ e në vazhdimësi krijoji Shtëpinë Botuese “UEGEN” duke e zhvendosur nga Berati në Tiranë. Nën drejtimin e tij “Uegen” lindi, u rrit e sot kokuron denjësisht me suksese në tregun e librit.

       Ecja në rrugën e krijimtarisë për intelektualin e talentuar Xhevair Lleshi nuk ka qënë e lehtë. Ai në rrëfimin e tij shkruan:

Librat e mi morën frymë lirisht, pa ndeshur përgjigje të pafajshme, për shkak të çerekut anësor e mëkatar të biografisë, u zgjuan nga gjumi letargjik pas vitit 1997 (sepse vdekja aksidentale e tim biri në vitin 1992 mbeti një traumë e vogël përballë përmasave të përbindshme të vitit 1997) dhe filloi të përpëlitej në gjoksin e ndezur të një burri që e shihte gjithçka me përvëlimën e vdekjes dhe arriti më në fund ta kryejë mëkatin e vërtetë.Kohët e fundit duken tmerrësisht të shkurtra, sepse litari mblidhet dhe ditënetët kanë një turravrap të jashtëzakonshëm shpejtësie. Kjo nuk ndodh vetëm me mua, por me të gjithë vrapuesit (jo të shpejtësisë dhe as jo të maratonës) në kohë. Prandaj dhe unë nxitoj. Nxitoj për të qenë gjithnjë i freskët (freski bardha!) që të mbërrij në finish me hap të lehtë, i qetë dhe me një gaz autoritar e ironik në buzë. Sepse të tilla do të jenë edhe ato libra që janë në proces botimi” Veprimtaria botuese në Shqipëri është e vështirë,  por botuesi i Uegen-it Xhevair Lleshi ndoqi rrugën e sigurisë së një botimi të mirë cilësor duke krijuar aktivitet të zgjeruar në tregun e librit dhe me guxim ka sfiduar vështirësitë e krizës së besimit tek tregu librit.                            Presidenti Bujar Nishani e ka dekoruar me medaljen” Mjeshtri Madhe”.        

                   

     Në ditën e shënuar të 70 vjetorit të lindjes i uroj nga zemra ime amerikane me kombësi shqiptare : Edhe 100 vite të lumtura!

Me mirënjohje e falënderoj për humanizmin e tij ndaj meje.Kisha humbur shpresat për ta botuar librin “Vlora Djepi I Pavarësisë”,të cilin e kisha shkruar në vitin 2012 ,por nuk munda ta botoja për shkak të atakut të zemrës në Tiranë. Pas operacioneve të zemrës 2013 – 2014 nga Nju Jorku i dërgova mikut Xhevair Lleshi kopjen e librit. Ai e mirëpriti me shumë dashamirësi ,duke treguar gatishmëri për ta botuar.

        E kisha provuar humanizmin e tij shpirtëror në vitet kur isha student , e sidomos në vitet e vështira kur punoja tuneleve me të dënuarit politik, jo vetëm ai nuk më braktisi, por më dërgonte me postë leksionet e lëndëve që më duheshin për dhënien e provimeve në Tiranë. Në një kohë kur hetuesia më gjurmonte çdo komunikim, ai guxoi  e më shkruante letra optimiste që ta përballoja sfidën e dënimit politik.Në ditët kur sapo kisha dalë nga operacioni në Nju Jork më dërgoi disa mesazhe përshëndetje optimiste të cilat më frymëzuan që  ti përballoja sfidat e sëmundjes.

      Kur sapo mbusha vitin e parë të trasplantit të zemrës në vitin 2015, më dërgoi njoftimin ” Librin e çuam në shtyp.”.Megjithëse kishte qënë me mbingarkesë në punën e tij drejtuese të UEGEN e sidomos me krijimtarinë  e tij  të larmishme  letrare,studimore, ishte përkushtuar për botimin e librit “Vlora Djepi I Pavarësisë”. E pak ditë më vonë.më kishte nisur me postë për  New York  kopjet e para të librit të botuar. 

       Miqtë e mirë njihen në ditët e vështira. U emocionova e më dukej sikur isha në Tiranë e Vlorë. Sigurisht kur jeton me zemrën e tjetrit  të trasplantuar  emocionet janë të dëmshme,por emocionet e gëzimit që ndjeva kur mora në dorë librin e botuar ,të dërguar nga shtëpia botuese UEGEN në adresën time të banimit në New York, më dhanë forcë e optimizëm për ta jetuar jetën e dytë aktivisht,ashtu si isha në Tiranë në vitin 2012.

    Në vazhdimësi me humanizmin e tij miku  Xhevair Lleshi redaktoi e  botoi në pranverën e vitit 2016 librin tim autobiografik  “Në labirintet e jetës sime”, duke e promovuar në panairin e librit në Ulqin, dhe në fund të stinës verore  priste me shqetësime testin e trasplantit të zemrës sime amerikane që të më lejohej të udhëtoja me avion për Tiranë.

     Dhe erdhi dita e shumë e enderuar 23 gusht 2016 të ecja me këmbët e mija në Tiranë,ku katër vite më parë kisha ikur me barelën e të sëmurit të kërcënuar nga vdekja me ambulacën fluturuse mbi oqean drejt Nju Jorkut.Të parin që njoftova se kisha mbritur në Tiranë ishte miku nderuar Xhevair Lleshi. U takuam të përmalluar në lokalin Kristal Centër.

     Ishim përballë njeri tjetrit me emocione të shumfishta. Unë mbaja në karahrorin tim zemrën e një amerikani të ri që kishte humbur jetën në një aksident, e fatkeqësisht trupi tij ishte në banesën e tij të fundit në Amerikë,por zemra e tij jetonte e pulsonte në trupin tim, duke më dhënë shansin e jetës së Dytë. Pa këtë zemër amerikane trupi im para katër viteve do ishte tek banesa e fundit, por si në legjenda mbijetova dhe isha në tavolinë përballë më mikun e shtrenjtë Xhevair Lleshi. Nuk na besohej që shikonim njeri-tjetrin.

     Fjalët nga emocionet na ishin ngurtësuar. Me sy të gëzuar e zemrën e tij dashamirëse miku Xhevair Lleshi rrezatonte dashuri vëllazërore, po pagëzonte zemrën time amerikane me ndjenjat e atdhedashurisë shqiptare. Sytë e tij shprehnin shumë emocione gëzimi të përziera me një dhimbje të përhershme në zemrën e mikut tim dashur Xhevair Lleshi. Sytë e tij më vëzhgonin duke kryer një test psikologjik për trasplantin e zemrës time amerikane,sepse zemra e djalit të shtrenjtë Gentur Xhevair Lleshi që humbi jetën aksidentalisht në Itali ishte trasplantuar në trupin e një tjetri. Zemra e djaloshit 18 vjeçar Gentur Lleshi jeton e trasplantuar tek mjeku kirurg italian Damian Bostonelli,, të cilin miku dashur Xhevair Lleshi kishte shkuar për ta takuar.

       Në tregimin që ka publikuar “ZEMRA E TIM BIRI RREH TE NJË TJETËR”, midis të tjerash shkruan:

     “Ai ishte një burrë rreth të pesëdhjetave. Fliste një italishte të rrjedhshme, se, tek e fundit italian ishte. Adresë pas adrese, kumt pas kumti, vit pas viti unë më në fund ia gjeta vendndodhjen. E pashë edhe në fishën e portës së hyrjes. Damian Bostonelli. Ky më dukej si emër shqiptar dhe si mbiemër nga Bostoni. Fisha ishte e shkruar me të zi mbi një fashë të kaltër qielli….Hipa në ashensor dhe zbrita para hyrjes së tij. Atij njeriu, që ende s’dija ç’ishte dhe ç’fytyrë më fshihte, doja vetëm t’ia shihja të gjitha ç’i shkruheshin në sy dhe sa ndikonte zemra tek ai. Kaq. Sepse ky, Damian Bostonelli, kishte transplantuar dikur zemrën e tim biri. Më bëhej herë pas here sikur do të flisja konkretisht me zemrën e djalit. Doemos kjo më emociononte shumë, më jepte ca dridhma të pazakonta dhe kur e kur edhe më alarmonte.

       Vërtet, si ndihej ai burrë me zemrën e tjetrit? A ndikonte ajo, zemra e re, në personalitetin e tij? Dhe si? A e shikonte, për shembull, botën me sytë e pezmit, apo të gëzimit? A i ekspozohej shpirti në fytyrë pas çdo rrahjeje? A skuqej ndonjëherë nga vrulli i gjakut të saj?

     Nga një miku im i ngushtë, që kishte ndërruar edhe ai zemrën, në New York, duke i pasur edhe vajzën edhe dhëndrin mjekë, kisha dëgjuar se zemra e transplantuar ka disa huqe të tjera dhe e natyrshme që të detyron të bësh një jetë pa rruaza të bardha gjaku, që mua çuditërisht më dukej magjike dhe e bukur. Diçka si përtej natyrores, ose midis ëndrrës dhe realitetit. Pra, me një fjalë isha edhe i tronditur dhe po aq kureshtar. Dera e tij u hap tej e tej. Dhe unë hyra…. ….

………………………………………………………………………………………

Unë kisha ardhur, sigurisht përmes emocionesh, po ama thjesht doja ta njihja atë njeri që mbante zemrën e tim biri…… ……Ai më pa dhe nuk u tërhoq. M’u bë sikur ra mbi mua një lloj drite e çuditshme, që s’di pse m’u duk si një mirënjohje e thellë. Drita sikur buronte prej syve të tim biri, gjithmonë e adhuruar fort dhe si shigjeta të mrekullueshme e të fshehta të një siglimi të jashtëzakonshëm. Po më bëhej sikur ajo dritë e qiqërimtë po më mbulonte krejt, që mund të mos fshihej më nëpër mendime. Nuk do ta merrte vesh njeri këtë shikim kaq të ngrohtë. Zemra! Po, po zemra ime ishte aty. Kishin hyrë në një lidhje që gjithnjë e më shumë po bëhej shpirtërore…

………………………………………………………………………….. ……..zemra e tim biri rrihte dhe rreh ende në trupin e atij burri dhe unë kurrë s’mund ta nënçmoja këtë fakt. Kur të më këpuste malli, me siguri do ta dorëzoja veten sërish në prehrin e emocioneve”

 

    Pas takimit emocional në lokalin Kristal Centër shkova në shtëpinë botuese “UEGEN” ,ku fiksuam edhe foton  që shoqëron këtë përshëndetje urimi për 70 vjetorin e  ditëlindjes të intelektualit të talentuar,Mjeshtri Madhe,Xhevair Lleshi.

      

                                         Xhevair Lleshi   & Qatip Mara

Duke biseduar aty mësova se kishte në dorë për t’i mbyllur katër libra për personalitetin, një me poezi, një publicistikë, një libër historik gjithnjë për Beratin, një tjetër për 1000 kapitenët e mëdhenj të historisë botërore, një roman, “Shënime të vrara” me publicistikë nga Uegen etj. …

   Kur po vlerësoja permormancën e tij shëmbullore, karakterin e personalitetin e tij që ka sfiduar kalvarin e vuajtjeve me dhimbje, për krijimtarinë e tij të larmishte cilësore, dhe për krijimin e administrimin si pronë e shtëpisë botuese “UEGEN” me modesti më tha :

   ”Miku im i vjetër, e vërteta është se ti jetën time e njeh aq hollë, madje aq sa edhe e mbivlerëson së tepërmi. Veçse unë jam brenda të mirës dhe të keqes sime. Domethënë unë jam një i vdekshëm krejt i zakonshëm dhe në këtë botë kam bërë ç’munda e ç’dita. Për ato që kam bërë ndihem mirë, edhe pse mua, si çdo krijues ndoshta, më rrethojnë mijëra ide, fluturime, angazhime, lodhje të frikshme, duke harruar të përditshmen, mungesën e përbindshme të kohës dhe ashtu, lakuriq në mendime, para gjithë botës që na rrethon mbetemi sërisht memecë të përjetshëm…Sidoqoftë, edhe pse shumë e tepërt, unë gjej guximin për të falënderuar. E, kështu, edhe falënderimi po më duket si mëkat, por i bukur, si titulli i romanit që kam botuar “Mëkati i bukur”.

     Intelektuali talentuar Xhevair Lleshi,Mjeshtri madh vazhdon me intensitetë të lartë punën krijuese duke e shfrytëzuar në maksimum të tashmen. Si një lumë i pandërprerë i burojnë mendimet me një logjikë të mprehtë e bukuri artistike estetike skalit personazhe në veprat e tij krijuese.Me përkushtim si pronar e drejtues i shtëpisë botuese “Uegen” sfidon vëshirësit e tregut të librit.Djali tij Arian Xhevair Lleshi me bashkshorten Alma Lleshi Metushi janë intelktual të talentuar si botues të “Uegen”. Në emblemën “UEGEN” janë sintetizuar shkronjat e para të emrave të mbesave të talentuara Uendi Arian Lleshi, Nensi Arian Lleshi,të cilat vazhdojnë studimet në universitetet europianoperëndimore duke ecur në gjurmët e gjyshit të talentuar Xhevair Lleshi.

     Emblema “Uegen” ka edhe shkronjat emrit të djalit engjëllor Gentur Lleshi që ishte i talentuar në letërsi. Libri tij “Endrrat e vdekjes sime” është një monument hyjnor i shpirtit të tij të bukur,që Zoti e mori si engjell me engjejt në Qiell në moshën e adoleshencës shkollore.Zemra e tij jeton e pulson në trupin e tjetrit duke i dhënë jetë mjekut kirurg italian Damian Bostonelli,por shpirti tij është pranë familjes të shtrenjtë Xhevair Lleshi duke e uruar për 70 vjetorin e ditëlindjes,ashtu si e uronte me atë buzëqeshjen e bukur në 30 vjetorin e lindjes të vitit 1977 në Lapardha.Kisha fatin me familjen time të pija një gotë qumësht nga duart e vogla të vogëlushit Gentur në Lapardha..Ai kthehej nga kopshti parashkollor dhe priste me dashuri babain e shtrenjtë Xhevair Lleshi që lodhej ,udhëtonte në këmbë me kilometra çdo ditë për në shkollë në Qereshnikun e largët.

       Sot pas katër dekada, në 70 vjetorin e ditëlindjes  bashkohen shumë urime për intelektualin e talentuar Xhevair Lleshi nga miqtë e shumtë dashamirës.Ndonëse oqeani më ndanë fizikisht, por me mendje e shpirtë do jem te salla e akademisë së shkencave  ku promovohen librat e tij e festohet 70 vjetori ditëlindjes.

Gëzoftë edhe 100 vite me shëndetë,lumturi e suksese në krijimtari!          

   Qatip Mara  

    New York 31.10.2017

 

Comments

comments

-----