100 VJETORI I NDËRTIMIT TË HEKURUDHËS SË PËRGJAKUR DHE PJESËMARRJA E SHQIPTARËVE NË NDËRTIMIN E SAJ, 1916-1917

Nga Prof. Dr. Risa Sadiku, Prishtine

 

Sivjet mbushën 100 vite të ndërtimit të hekurudhës së përgjakur në relacionin Gostivar –Kërçovë, në të cilën kanë marrë pjesë dhunshëm edhe shumë shqiptarë nga Kosova dhe territoret tjera  etnike shqiptare, të cilat kanë qenë nën pushtimin bullgar gjatë  Luftës së Parë Botërore. Mjerisht, për këtë ngjarje tragjike dhe të dhimbshme në historiografinë e popullit shqiptarë nuk kemi ndonje studim të veçantë, në përjashtim që kjo ngjarje tërthorazi përmendet te disa autor, si te Milovan Sekuliq, Katarina Gogova, Petar Stojanov etj., dhe disa autor shqiptarë e përmendin ndërtimin e hekurudhës në mënyrë sipërfaqësore në monografit e tyre.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Bullgaris në bazë të marrëveshjes të arritur me Austro-Hungarin dhe Gjermanisë i takoi Maqedonia dhe pjesa dërrmuese e territoreve të Kosovës, me qendrat kryesore, Gjilani me rrethinë, Kaçaniku, Ferizaji, Prishtina dhe Prizreni, kurse pjesët tjera të Kosovës, kanë qenë nën okupimin e Austro-Hungarisë.[1]

          Vlen të theksohet se territoret okupuese, bullgare gjatë kësaj periudhe kanë qenë të ndara në dy zona inspektuese të Moravës dhe Maqedonisë. Territoret e Kosovës të cilat i janë bashkëkangjitur regjionit inspektues ushtarak bullgar me qendër në Shkup, kanë qenë të ndara në dy zona okupuese, atë të Prishtinës dhe Prizrenit me rrethinë, kurse zona okupuese e Kaçanikut me rrethinë i ka takuar zonës okupuese të Shkupit, ndërsa Gjilani me rrethinë i ka takuar zonës okupuese të Kumanovës.[2] Në krye të ketyre zonave okupuese ka qenë i emëruar Raco Petrov i cili ka pas pushtet të pa kufizuar. Në aspektin administartiv, dy zonat okupuese të Kosovës e Prishtinës dhe Prizrenit ka qenë e ndarë në 8 rrethe dhe 116 komuna, në kuadër të të cilave territore jane përfshi 832 fshatra, në ato kanë jetuar 317. 438 banor.[3] Për shkak të rëndësisë strategjike të çdo regjioni, pushtonjësit bullgar kane stacionuar ka një division ose ka një brigade ushtarake, të cilat kanë pas autorizime të pa kufizuara dhe kontrolle absolute mbi popullatën civile, si në vuarjen e taksave, mbledhjen e tepricave, mobilizimin e popullatës në punë të dhunshme e tjera obligime. Popullata civile nën okupimin bullgar, ka qenë e plaçkitur, e shtypur, e varfër tej mase, sa që me shumë vështërësi kanë mundur të sigurojnë kafshatën e bukës.

          Detyra e parë e regjimit okupues bullgar në Kosovë ka qenë largimi i intelektualëve dhe gjinisë mashkullore me qëllim që mos me pas rezistencë gjatë sundimit të tyre. Gjatë kësaj periudhe të sundimit bullgar në Kosovë, sidomos gjatë viteve l916- 1917, çdo lëvizje kundër regjimit bullgar, është manifestuar me interrnime të dhunshme nëpër territore të ndryshme të Bullgarisë, për të cilët janë hapur kampe të veçanta interrnimi, në të cilat është jetuar në shumë kushte të rënda dhe të vështira, të cilat kanë rezultuar me vdekjen e shumë të interrnuarave nga uria. [4]

            Regjimi okupues bullgar, me rastin e filimit të ndërtimit të hekurudhës Gostivar Kërçovë, në shtator të vitit 1916, organizon rekrutimin dhe mobilizimin e meshkujve prej moshës 18-32 vjeçare. Në fillim të vitit 1917, rekrutimi i meshkujve vazhdon prej moshës 32 deri 45 vjeëare, kurse më vonë rekrutimi vazhdon deri në moshën 65 vjeçare. Meshkujt e mobilizuar janë dërguar në frontet e luftës në kuadër të ushtrisë bullgare. Këtë mobilizim e ka kundërshtuar ashpër në forma të ndryshme edhe popullata shqiptare e cila ka qenë nën sundimin bullgar. Ato persona të cilët e kanë refuzuar rekrutimin dhe mobilizimin bullgar, ose ato të cilët janë nxënë duke u larguar (desertuar) nga frontet e luftës, regjimi bullgar ndaj atyre personave ka ndërmarrë masa të ashpra ndëshkimi, disa nga ato janë pushkatuar, kurse numri më i madh i tyre, në kushte shumë të vështira janë dërguar në punë të dhunshme fizike, sidomos në ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave në territoret okupuese bullgare.[5] Njëra ndër hekurudhat më të përgjakura e ndërtuar në mënyrë më ç’njerëzore gjatë viteve 1916-1917, pa dyshim është ajo e relacionit Gostivar – Kërçovë, në të cilën, përveç popujve tjerë që kanë qenë  nën okupimin bullgar, në ndërtimin e saj, kanë marrë pjesë edhe një numër i madhë i shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia Perëndimore, shumica prej të cilëve kur nuk u kthyen në familjet e tyre, pasi nga  punët e rënda fizike, mungesa e ushqimit, veshmbathjes, strehimit dhe mundimeve të ndryshme fizike, ndërruan jetë duke punuar dhe sëmundje të ndryshme, trupat e të cilëve në shumicën e rasteve u mbuluan me  gurë, afër hekurudhës, disa i kanë hedhur në gropat e  përrockave, kurse disa janë varrosur në varreza kolektive, pa ceromoni fetare dhe pa shënim emrash. Mjerisht deri më sot, për këtë ngjarje tragjike, nuk është shkruar ndonjë studim i veçantë, nga studuesit shqiptarë, edhe pse ka kaluar një shekull nga kjo periudhë. Punët e dhunshme, të mundimshme jashtë çdo normë njerëzore, vuajtjet për një kafshat buke, të kosovarëve dhe të tjerëve të cilët kane punuar në ndërtimin e hekurudhës, janë thelluar në kujtimet e te gjithë banorëve të atyre fshatrave ku ka kaluar treni me kolosek të ngushtë i ashtu quajturi “Qiro’’, të cilat kujtime nga gjyshërit e tyre, edhe sot me rrënqethje i tregojnë niprit e tyre, lidhur me ndërtimin e hekurudhës së përgjakur.[6]  

          Vlen të theksojmë se përveç një numri të madh të kosovarëve, të mobilizuar me dhunë, të cilët marrin pjesë në ndërtimin e hekurudhës Gostivar-Kërçovë, një numër tjetër i kosovarëve, po ashtu të mobilizuar nga Prishtina dhe Prizreni me rrethinë, janë dërguar dhunshëm në ndërtimin e hekurudhes Veles – Prilep, si dhe ndërtimin e objekteve tjera  rrugore, hapjen e gropave për mbrojtjen e ushtrisë bullgare e shumë lloje tjera të punëve fizike.[7] Ky mobilizim masiv i regjimit bullgar, në vendbanimet e shqiptarëve, e vështërsojnë edhe më tepër varfërin ashtu të mjerueshme familjare, një situatë e tillë ndikoi edhe në rrënien e ekonomisë së përgjithshme, sepse nuk ka pas fuqi fizike (punëtor krahu) për të punuar tokën, kurse familjet kanë qenë të obliguara t’i  paguajnë tatime regjimit  bullgar, sipas tarifave të caktuara nga ato, në shumë raste ka pasur familje që nuk kanë patur mundësi  të sigurojnë as kafshatën e bukës as për veti. 

          Lidhur me ndërtimin e hekurudhës Gostivar-Kërçovës, Katarina Gogova, në librin e sajë “Kervava Pruga” (hekurudha e përgjakur), botuar në Shkup në vitin 1965, në mes tjerash thekson, Maqedoninë Perendimore, Lufta e Parë Botërore e ka gjetur pa rrugë të përshtatshme hekurudhore dhe automobilistike, të cilat i kanë ploësuar kërkesat e kohës, rrugët të cilat janë trasheguar nga Perandoria Osmane, nuk i kanë plotësuar kushtet minimale për qarkullimin e mallrave dhe lëvizjen e mjeteve ushtarake.

          Me hapjen e frontit të Selanikut, gjatë Luftës së Parë Botërore i cili shtrihej prej malit Kozhuv-Kajmakcallan e deri te lumi Shkumbin në Shqipëri, aleatët Francez, Anglez dhe Serb, këtë vijë frontale e kanë furnizuar me ushqim dhe armatim përmes rrugëve detare, kurse kundërshtarët e tyre, Gjermania, Austro-Hungaria dhe Bullgaria e kanë pasur  vështirë të furnizojnë ushtrit e tyre me ushqim dhe armatim, përmes rrugëve ekzistuese në Maqedoninë Perlndimore, andaj është paraqitur nevoja për ndërtimin e hekurudhës Shkup -Ohër. Në rrethana të këtilla, në të cilat është gjetur ushtria Gjermane, Austriake dhe Bullgare në atë kohë, qeveritë e tyre marrin vendim urgjent, që sa më shpejtë të planifikojnë ndërtimin e hekurudhës, në relacionin e lartë cekur me dimension o60 cm, për të furnizuar ushtritë e tyre me armatim dhe ushqim në frontin e Selanikut. Njëra hekurudhë do të ndërtohet prej Gradskos nëpër malin Pelister, Prilep deri në Manastir, kurse hekurudha tjetër planifikohet të ndërtohet prej Shkupi-Gostivar-Kërçovë-Strugë-Elbasan[8] 

          Ndërtimi i hekurudhës së parë prej Gradskos deri ne Manastir fillon në vitin 1915, kurse përfundon në vitin 1917, dhe menjëherë lëshohet në përdorim, kurse hekurudha e dytë prej Shkupi deri në Ohër, fillon të ndërtohet në vitin 1916. Ndërtimi i sajë prej Gjorce Petrovi deri në Gostivar ka shkuar pa probleme të mëdhaja, pasi terreni ka qenë i rrafshët problemet fillojnë me vazhdimin e ndërtimit të hekurudhës prej Gostivari për në Kërçovë, në të cilin relacion terreni ka qëenë malor, i pa përshtatshëm për ndërtim, sidomos problem të madh ka paraqitur ndërtimi i hekurudhës përmes malit Bukovik. Për të realizuar ndërtimin e hekurudhës sa më shpejt, regjimët okupuese të kohës, në veçanti ai bullgar, në kuadër të të cilit regjimi ka qenë një pjesë e madhe e territoreve shqiptare, ka bërë mobilizimin e shqiptarëve në disa faza, për ta ndërtuar hekurudhën në fjalë sa më shpejt. Sipas Katarina Gogovës, në ndërtimin e hëkurudhës, përveç shqiptarëve të Kosovës, kanë marrë pjesë edhe rob luftë serb, rus, rumun, grek, si dhe shqiptarë dhe maqedon vendor ku ka kaluar ndërtimi i hekurudhës.[9]

          Ndërtimi i hekurudhës Gostivar-Kërçovë, në atë kohë është zhvilluar në kushte jashtëzakonisht të vështira të punëve fizike. Punëtorët të cilët kanë punuar në ndërtimin e hekurudhës, kanë qenë pa veshmbathje, gjysmëlakuriq, pa ushqim të mjaftueshëm, pa mbulesa mbi kokë, kanë punuar punë të rënda fizike, duke thyer gurë për hapjen e rrugës së trenit me kazma dhe lopata, duke ndërtuar ura me lartësi dhe gjatësi të ndryshme, në mungesë të higjienës dhe ushqimit, shpesh janë përhap sëmundje të ndryshme, sidomos tifuzi, ato punëtor të cilët i kanë kap sëmundjet dhe ato punëtorë të cilët kanë qenë të pa aftë për punë fizike, në mesin e të cilëve ka pasur edhe shumë shqiptarë, në shumë raste janë varrosur të alivanosur pa i lëshuar shpirti, ka pas raste kur janë shti të gjallë në mesin e kashtave të misrit dhe i kanë djegur. Me një fjalë, të dyja anët e hekurudhës ku ka kaluar treni është i mbushur me kufoma të punëtorëve që kanë marrë pjesë në  ndërtimin e saj si rob lufte apo me dhunë, në mesin e tyre ka edhe  shumë  varreza edhe të shumë punëtorëve nga Kosova.[10]

          Me rastin e ndërtimit të hekurudhës Gostivar-Kërçovë, disa kilomatra rrugë  kalojnë nëpër fshatin Tuhin i cili terren është malor, ndërtimi i hekurudhës nëpër këtë fshat edhe sot te gjeneratat e tanishme ka lënë kujtime trishtuese lidhur me kushtet dhe mundimet që kanë përjetuar ndërtuesit e hekurudhës në atë kohë, të cilat janë përcjellë gjeneratë pas gjenerate, disa nga ato kujtime janë përshkruar në librin e Sadik Sadikut-Stafe në monografinë TUHINI të botuar në Kërçovë në vitin 2014 i cili për herë të parë na jep shënime modeste por shumë interesante edhe për këtë ngjarje i cili në mes tjerash thekson, se në ndërtimin e hekurudhës Gostivar-Kërçovë e cila ka kaluar nëpër fshatin Tuhin, kanë marrë pjësë edhe shumë shqiptarë edhe nga Kosova, Presheva, Bujanovci dhe Kumanova, të cilët fshatarët e Tuhinit të gjithë i kanë  quajtur Kosovar, si dhe një numër i madh i robërve të luftës nga Greqia, me sa duket numëri më i madh i këtyre robërve sipas tregimeve, kanë qenë shqiptarë Çamë.[11] Këtë rast më së miri e vërteton stërgjyshi i Sadik Sadikut, Sali Sadiku Çaushi,[12] i cili në mes tjerash ka theksuar, se kur është ndërtuar hekurudha, një punëtor (rob lufte) “grek” i cili ka kërkuar ushqim, e merr dhe e fsheh në mesin e familjes së tij, të cilin e mbanë mbi  6 muaj me një sakrificë shumë të madhe, sepse, nëse hetohej nga bullgarët që dikush ka strëhuar rob lufte, ose u jepte ushqim i kanë pushkatuar në vend, si robin e luftës edhe atë që e ka strehuar apo ka dhënë ushqim. Sali Çaushi me vetëdije rrezikon vetën dhe familjen, “Grekun” e veshë me rrobe shqiptarësh të vendit, natën e ka strehuar të flej në shtëpi, kurse ditën e ka vendosur në mesin e kashtave të misrit të cilat i ka bërë në formë të mullarit për mos me e vrejt ndonjë anëtarë i kojshive, se në atë shtëpi ka të strehuar rob lufte. Në këtë mënyrë familja Sadiku e trajton “grekun” për gjashtë muaj, duke ruajtur me kujdës të veçantë, pas këtij afati e vesh me tesha të fshatarëve dhe e përcjellë deri në fshatinë Kishaf të Manastirit, gjoja për të bërë tregti, me këtë rast kur ndahet Sali Çaushi nga robi i luftës, ai i thotë: “Se edhe unë jam shqiptarë por gjuhën e flasim pak më ndryshe se na jemi toskë” .[13] Po ashtu shumë bashkahonik të ndërtimit të hekurudhës nga fshati Tuhin, kanë treguar së shumë të ashtuquajtur “grek” e kanë folur gjuhën shqipe, por ajo pasi ka qenë toskërishtja, fshatarët e Tuhinit të cilët kanë qenë të  pa shkolluar kanë folur gjuhën e tyre lokale, vështirë e kanë pasur të kuptojnë gjuhën e dialektit Çamë, andaj kanë menduar se grekët po mundohen të flasin shqip, duke mos ditë se edhe ato kanë qenë shqiptare nga Çamëria.[14] Sipas autorit të monografisë Tuhini, në ndërtimin e hekurudhës  kanë punuar edhe fshatarët e Tuhinit herë si të obliguar, disa herë edhe të paguar.      Vlen të thëksojmë, se shumë feshatar të kohës, kur është ndërtuar hekurudha, fëmijëve dhë nipërve të tyre u kanë treguar për mizorit, torturat, mundimet e pa përshkruara të ushtrisë bullgare që i ka ushtruar ndaj robërve të luftës dhe ndaj atyre që kanë marrë pjësë në ndërtimin e hekurudhës, qofshin ato shqiptarë nga Kosova, grek, Çamë apo të tjerë . Ushqimi ka qenë aq e dobët sa që nuk ka mundur të quhet as ushqim, për tu përballuar punëve të rënda fizike. Uria për ushqimm ka qenë aq e madhe, sa që në shumë raste kanë hangër edhe pemë të kalbura dhe kunguj të pa zier dhe pa pjek, ka pasur raste që kanë hangër edhe rrënjë të drunjve dhe të barishteve, fshatarët e Tuhinit në shumë raste janë munduar me shumë sakrifica fshehurazi tu japin nga pak bukë ose diçka tjetër ushqimore, por ka qenë shumë rrezik i madhe, për shkak të masave të ashpra  vdekjepruese nga regjimi bullgar, edhe pse gjatë kësaj përiudhë të Luftës së Parë Botërore ka dominuar varfëria totale në ushqim.[15] Robërit e luftës nuk kanë pas vend strehim as ditën as natën, dhe askush nuk është kujdesur për këtë çështje, punëtorët e lodhur dhe të raskapitur nga punët e rënda fizike, pa ushqim dhe ujë të mjaftueshëm, të alivanosur nga puna, uria dhe sëmundje të ndryshme, në shumë raste pa dhënë shpirt janë varrosur të gjallë. Sot, në fshatin Tuhin dihen disa varreza kolektive, por edhe shumë vende skaj hekurudhës ku janë varrosur robërit e luftës të cilit i kanë mbuluar me gurë ose duke shemb ndonjë trap prockash. Një nga vendet e tilla ku janë varrosur shumë Kosovar dhe të tjerë, në afërsi të hekurudhës, vendi quhet Ura e Gurit që kalon mbi lumin e Tuhinit, gjendet 300 metra larg, nga satcioni kryesor hekurudhor i fshatit.[16]  Në këtë kontekst, nipërit e gjeneratave të tanishme, sipas tregimeve të gjyshërve të tyre ju kujtohen tregimet për vuatjet e pjesëmarrësve të ndërtuesve të urave të hekurudhës, siç është rasti ndërtimi të urës në afërsi të mahallës Vesele të fshatit Tuhin, thuhet së gjatë ndërtimit të asaj ure, më tepër ka pasur robë lufte të vdekur, në mesin e tyre dhe shumë Kosovar, se sa gurë që kanë vendosur për ndërtimin e urës. Këtë vdekje masive e dëshmon edhe sot e kësaj dite varreza kolektive e cila gjendet në mesin e fshatit Tuhin, në afërsi të të cilit vendi sot është ngritë një pllakë përkujtimore dëshmorëve të kombit të cilët kanë ra në luftërat e shëkullit XX-të. Shumë eshtra në varrezën  masive në qendër të fshatit të lartcekur janë zbuluar edhe gjatë vitit 1945-46, kur fshatarët e Tuhinit, me urdhër të pushtetit lokal të Kërçovës, kanë filluar të ndërtojnë shtëpinë e kulturës në qendër të fshatit, më të cilin rast janë zbuluar shumë eshtra të robërve të luftës të cilët kanë marrë pjesë në ndërtimin e hekurudhës, në mesin e të cilëve dhe të shumë Kosovarëve. Eshtrat e zbuluara gjatë ndërtimit të shtëpisë të kulturës, një fshatar i ndërgjegjshëm nga mahalla Vesele i fshatit Tuhin i quajtur Zylfi Ahmedi i mbledhë me kujdes të veçantë dhe i rivarros te Livadhi i Gruas, afër një shkambi, të cilat  gjëndën edhe sot.[17]

          Sipas tregimeve të bashkahonikëve të cilët e kanë përjetuar ndërtimin e hekurudhës në atë kohë, të cilat tregime u janë përcjellë  brez pas brezi, në fshtin Tuhin ka disa varreza kolektive të asaj kohe, njëri nga ato vende ku përmendët shpesh se ka varrezë kolektive janë Livadhet e Ollomone, të cilat sot janë pronë e Shaban dhe Jakup Maksutit, pastaj përmendet Livadhi Hajdarit Bashe, afër vendit i quajtur Arat e Zitit  Stafe, përmendet varreza kolektive të Kasolla e Djegme, në skaj rrugës kryesore në të majt, prej te mahalla  e Stafeve, për në fshatin Tuhin. Ka edhe varreza tjera të robërve të luftës, të cilët nga lodhja dhe uria kanë vdekur nëpër fusha dhe male, viktmat e tilla i kanë varrosur fshatarët e Tuhinit pa ceremoni fetare, për mos me i hangër egërsirat.[18]

Zonja dhe Zotërinjë, të nderuar pjesëmarrës, në pa mundësi finaciare, për me bërë  hulumtime më të thella, nëpër arkivat bullgare, lidhur me këtë ngjarjë të dhimbshme  që ka përjetuar populli shqiptarë, në veçanti ai i Kosovës gjatë Luftës së Parë Botërore, jam përpjek përmes metodës narrative, të jap disa shënime elementare, për këtë temë të margjinalizuar të historiografisë të popullit shqiptarë, për të cilën deri më tani, nuk është shkruar ndonj studim i veçantë, por as që përmendët në historinë e popullit shqiptarë, e cila ngjarje, për mendimin tim, në këtë vit jubilar, meriton t’i kushtohet një sesion i veçantë shkencor, nga institucionet kompetente, qofshin ato në Kosovë, apo në Maqëdoni. Shpresojmë që me këto pak shënime të dhëna me këtë rast, të ngjallin interesim dhe rrezatim  te  studjuesit e rinjë dhe institucionet kompetente shkencore që në të ardhmën, për këtë ngjarje tragjike të bëjnë hulumtime më të thella arkivore dhe si e tillë jo vetëm  të zëjë vendin meritor në historinë e popullit shqiptarë, por edhe në vendin ku kanë mbet eshtrat e shqiptarëve  nga Kosova dhe të tjerve, të ngrihen pllaka përkujtimore, në të cilat do të shënohën emrat e tyre. Sipas hulumtimeve të bëra deri më tani në këtë fushë nga disa hulumtues, janë mbledhur afër 100 emra të shqiptarëve nga Kosova, të cilët kanë ndërruar jetë në ndërtimin e hekurudhës Gostivar – Kërçovë.

3 qershor 2017                                                                   Kumtesën e përgatiti 

     Durrës                                                                         Prof. Dr. Riza Sadiku d.v.

Prof. Dr. Riza Sadiku, Prishtinë

KRIMET DHE MASAKRAT  NDAJ  ÇAMËVE NË FILAT, ME THEKS                                                                                                  TË VEÇANTË NË SPATAR, 1944-1945

Projektet  për copëtimin e tokave shqiptare  të Serbisë dhë Greqisë, zanafillën e kanë  në pjesën e parë të shek.XIX. Për realizimin e qëllimit të lartpërmendur, Serbia harton platformën politikë të ashtuquajtur “NACERTANIE”, qëllimi kryesor i këtij programi ka qenë krijimi i Serbisë së Madhe, në kuadër të së cilës do të përfshihej Kosova, prej Manastiri deri në Tivar dhe Shqipëria Veriore, kurse Greqia,  krijimin e Greqisë së Madhe me qendër në Konstadinopojë e ka parapa në platformën politike të “MEGALI IDEA’’ (Idea e Madhe), në fillim të vitit 1841. Shenja e para për realizimin e Megali Ides në Greqinë, erdhën në shprehje në gjysmën e dytë të shek.XIX, kur filluan bandat greke të sulmojnë territoret shqiptare të cilat ishin në kuadër të të Vilajetit të Janinës. Sulmet e bandave greke, sipas Megali Ides, në mënyrën më të vrazhdë erdhën në shprehje në Filat në vitin 1854, më të cilin rast u masakruan shumë familje Çame, në mesin e të cilëve edhe familja e Xhafer Pashë Demit.[19]

Planet për copëtimin e territoreve shqiptare, sipas projekteve të lartpërmëndura të Serbisë dhe Greqisë filluan të zbatohen në praktikë gjatë Krizës Lindore, veçanërisht, pas Kongresit të Berlinit në vitin 1878, më të cilin rast, Greqia nga Vilajeti i Janinës shkëput Prevezën dhe Artën, dhe menjëherë fillon spastrimin etnik, duke detyruar popullatën shqiptare të emigronte në perëndim të tokave Çame.

Vlen të theksohet se zyrtarizimi i copëtimit të territoreve shqiptare u bë në Konferencën e Londrës, pas mbarimit të Luftrave Ballkanike, në këtë Konferencë, Serbia dhe Greqia, me ndihmën e Francës dhe Rusisë, arritën të realizojnë projektet e tyre të përpiluara më herët, dhe nga kjo periudhë, për popullin shqiptarë, të cilët kanë qenë të okupuar nga Serbia dhe Greqia, fillon tragjedia më ë rëndë e dëbimit të tyre, në mënyrat dhe  format më barbare, duke i vrarë, masakruar, burgosur,  dhunuar dhe dëbuar me dhunë  nga trojet e tyre etnike, e cila dhunë kulmon gjatë viteve 1944-45, kur shqiptarët musliman të Çamërisë, në mënyrën më brutale masakrohen, burgosen dhe dëbohen nga trojet shekullore të tyre, kurse shqiptarët ortodoks, për të mbijetuar detyrohen të konvertohën me dhunë si grek.

Popullata shqiptare e Çamërisë, thuajse gjatë të gjitha periudhave historike e ka ndihmuar popullin grek, si në fitimin e pavarësisë, ashtu edhe në çlirimin e Greqisë nga okupatorët gjerman-italian. Rasti më eklatantë dhe pa presedencë në historinë botërore është kur qeveria fashiste greke e Metaksajit, para fillimit të konfliktit italo –grek, mbledh mbi 8000 meshkuj shqiptarë, prej moshës 17-70 vjeçare i burgos në ishujt e largët të detit Egje, nga këto të burgosur 600 vetë i masakruan, kurse 300 të tjerë i hudhin të gjallë në të, gjatë udhëtimit.[20]

Me pushtim e Greqisë  nga Gjermania, lirohen çamët nga interrnimi dhe kthimi i tyre në vendbanimet e tyre, është pritur që çamët të hakmerrën forcave shoveniste greke, për vrasjet dhe vuajtjet që ju kanë shkaktuar, por ndodhi krejtësisht ndryshe, ato zgjodhën rrugën e bashkëpunimit dhe bashkëjetësës, si dhe të krijimit të rezistencës së përbashkët për çlirimin nga okupatori gjerman, kështu në janar të vitit 1943, në Filat formohet çeta e parë shqiptaro-greke. Në qershor të vitit 1943, u formua batalioni “Çamëria”, i cili në shtator po të atij viti, zhvillon betejën e famëshme të Konispolit kundër gjermanëve e cila ka zgjatur 55 ditë, kurse në pranverë të vitit 1944, është formuar batalioni “Ali Demi”, në kuadër të të cilit janë rradhitur më shumë se 500 djem çamë. Po ashtu edhe shumë çamë tjerë morrën pjesë në çlirimin e vendit në kuadër të ushtrisë greke.[21]

Me gjithë përpjekjet e çamëve për bashkëpunim të sinqertë dhe mirëkuptim, shovenistët grek, pritnin rastin e volitshëm për realizimin e programit të Megali Ides, të pastrimit etnik të terrenit, dëbimin dhe shkombëtarizimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike të Çamërisë. Realizimi i programit nacional grek, erdhi në shprehje në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, edhe ndaj atyre pak shqiptareve që kishin mbushur, kur bandit famëkeq të gjeneralit Napoleon Zerva, gjatë kësaj periudhe bënë krimet dhe masakrat e pa para deri atëherë ndaj çamëve. Me hyrjen e  forcave të Zervës më 27 qershor të vitit 1944 në Pramithi, në mënyrën më barbare dhe brutale vret më se 600 shqiptarë musliman, në mesin e tyre shumë gra, fëmijë dhe pleq, para si t’i vrasin në mënyrën më të tmerrshme torturohen dhe një numër i madhë i grave dhunohen. Më 23 shtator të vitit 1944, banditët e Zervës plaçkisin fshatin Spatar dhe vrasin 157 fshatar, me të cilin rast vajzat dhe grat e rëja dhunohen në presencë të familjeve të tyre, kurse ato burra që mbetën të gjallë, lidhen dhe dërgohen në ishujt e Egjeut.[22]

Për vrasjet makabër në  fshatin Spatar, sipas një deklarate të dhënë nga Devish Sula  nga i njajti fshat i përshkruan më sa vijon: “ Çetat Zervite, të komanduar nga kolonel  Kranja, në shtator të vitit 1944, e kanë rrethuar fshatin Spatar i cili gjendet 3 km larg Filatit. E premtën pas dreke zervistët kanë hy në fshat, në mëngjesin e ditës tjetër e kanë grumbulluar të gjithë popullatën te xhamia e fshatit, kurse në anën tjetër ushtarët kanë filluar t’i grabisin dhe dhunojnë vajzat, gratë dhe plakat deri në moshën 50 vjet, pasi i ç’nderojnë ua marrin parat, ua kanë prerë flokët, veshët dhe vrasin te guri i Muçës, kurse një numër i grave janë dhunuar në shtëpinë e familjes të Sako Banushit nga Skopiona, pastaj kriminelët i kanë shpuar me bajoneta dhe i kanë vrarë. Burrat të cilit i kanë mbledhë në xhami, i kanë dërguar në Filat, të cilët në mënyrën më mizore i kanë vrarë dhe pastaj  i kanë hedhur në një varrez masive në fushën e Filatit”[23]

Lidhur me masakrën në Spatar në vitin 1944,  një deklaratë ka dhënë edhe Shabane Azemi në Delvinë, më 26 shkurt 1947, e cila në mes tjerash thekson: “ Se si në fshatin Spatar, ushtarët e Zervës ia kanë marrë burrin 48 vjeçar, Bajram Azemin. Zonja Shabane  me disa gra nga Spatari kanë shkuar në Filat, për të parë  burrat, të cilët kanë qenë të burgosur. Me këtë rast ushtarët e Zervës i burgosin edhe grat, kurse burrat e tyre i vrasin në fushën e Filatit, në mesin e tyre e kanë vra edhe burrin e saj Bajramin dhe kunatin Lah Halil Azemin, kurse gratë e burgosura sipas dëshirës, zervistët i kanë dhunuar (ç’nderuar)”.[24]

Fatime Prenja, në deklaratën e saje të dhënë me 26 shkurt 1947, në Delvinë, për krimet e ushtarëve te Zervasit në Parathemi, : “Më 28 qershor 1944 ushtari i Zervës Kiço Kamo nga Parathemia ia ka marrë burrin Veliun 68 vjeçar dhe ia ka therr me thikë. Ditën e enjte ushtarët Zervista i kanë ardhur përsëri në shtëpi më ia marrë vajzën Shuquranën, por atë Fatimja e ka shpëtuar duke ua dhënë Zervistëve të gjithë pasurinë që e ka pasur, mbi 300 milion drahmi e shumë gjësende ari. Ditën e tretë Zervisti Dhimo Pasko me djalin e tij Sortir Pasko nga Parathemia ia morën Fatimës djalin 19 vjeçar, Abedinin dhe ia vrasin brenda në shtëpi,  kurse djalin tjetër më të vogël Prenjën ia rrahin për vdekje, duke dashur nëna ta shpëtoj djalin e rrahin në mënyrën më barbare edhe Fatimën, nënën e Prënjit”.

 Për krimet dhe barbarizmat që i janë bërë popullit shqiptarë, në veçanti shqiptarëve mysliman në Çamëri gjatë viteve 1943-1945 vlen të theksojmë deklaratën e Imam Uzejr Dauti i cili ka qenë hoxhë në katundet e Filatit. Në daklaratë Imami Uzejr, me argumente bindëse thekson se pas masakrave në Parathemi dhe Filat në shtattor të vitit 1944, pas një muaji d.m.th., ne tetor të vitit 1944, në Filat ka hyrë EAM-i (Forcat ë Armatosura Komunistë Greke), të cilat kanë lëshuar një komunikatë përmes të cilës u kanë bërë thirrje popullatës së larguar me dhunë nga vendbanimet e tyre, se kush dëshiron mund të kthehet në familje dhe shtëpitë e tyre se nuk e gjenë gjë. Me të marrë vesh këtë lajm shumë familje çamë kthehen në Filat, në fshatin Spatar, në Kalibaq dhe në Vërselë. Pas kësaj komunikate ushtria e EAM-it nuk ka qëndruar gjatë aty, por pas disa ditësh ka shkuar në Janinë, në Filat ka lënë vëtëm disa roje. Pas largimit të EAM-it, në Filat hynë përsëri ushtria e Zervasit, të cilët japin lajmin se e gjithë popullata myslimane të mblidhet në Medanllëk, te puset e Filatit. Me këtë rast popullatën e tubuar të pambrojtur, e rrethojnë ushtarët e Zervës dhe në mënyrën më mizore dhe brutale  e plaçkisin, ua marrin të gjitha ushqimet, gjithëçka çfarë kanë pasur me vete, sa që edhe nga trupi ua heqin teshat, grave çame ua heqin shamit dhe këpucat i lëjnë zbathur dhe të zhveshura në një gjendje të mjerueshme dhe të vajtueshme. Duke u gjetur në këtë situate shqiptarët mysliman, disa tregtar grek nga Filati i kanë propozuar Napoleon Zervës, që këta shqiptarë t’ua dorëzojnë atyre, për t’i nxjerrë ata jashtë kufirit grek, për në Shqipëri, këtë propozim e refuzuan Zervistët, duke thënë se ata vetë do t’i dërgojnë deri në kufi. Zervistët kur i kanë nisur për në kufi u përgatisin edhe një masakër tjetër jashtë Filatit në Vanërr në të cilin vend ata zejne pusi në 3-4 pozita, në të dy anët e ngushticës, kur kanë filluar të kalojnë burrat janë kositur nga zervistët në sy të familjarëve, pas kryerjës se kësaj masakre mizore ushtria e Zervasit në Filat ua ka vuar zjarrin shtëpive myslimane.[25]

Masakrën e Spatarit ende e ka të freskët edhe Arif Ramadan Arifi, nga i njëjti fshat i lindur në vitin  l922, i cili tani në moshë të shtyer jeton në Malin e Robit në Golem, me të cilin, autori këtij shkrimi, më 18 shkurt të vitit 2017, ka zhvilluar një intervistë në shtëpinë e tij. Arifi kur filloi të rrëfejë për këtë ngjarje tragjike i shpërthyen lotët, duke theksuar, se nuk mundet me u besu syve të tij se çka ka përjetuar Spatari në shtator të vitit 1944, nga ushtarët e zervës, plaçkitje, dhunime, masakra dhe dëbime me dhunë, nuk ka mundur ta paramendoj se njeriu ndaj njeriut mund të jetë më i egër së kafsha ndaj kafshëve. Arif Arifi, si bashkahonik okular i masakrës të Spatarit thekson se në mesin e shumë të vrarëve në këtë feshat, Arifit në prezencën e familjes së tij ia kanë therë babain Ramadan Arifin, ia kanë vra edhe dajën Nysret, si dhe shumë gra e fëmijë. 

Vlen të theksohet së Arif Arifi, pasi vendosët në Shqipëri, ka pas nostalgji të madhe  për fshatin e lindjes Spatarin. Në vitin 1990 , Arifi me Qerim Ismail Refatin, ilegalisht e kanë kaluar kufirin dhe shkojnë në fshatin e lindjes, me të cilin rast e viziton edhe shtëpinë ku eshte rritur e cila ka qenë në gërmadha, me këtë rast e njohin disa shokë të shkollës fillore, njëri ia bënë me dije, të largohet sa më shpejt se do të burgosen nga qeveritarët grek.  Arifi largohet ilegalisht nga fshati edhe më i dëshpëruar, pasi fshati i tij dikur shqiptarë ishte greqizuar me dhunë .

Për gjenocidin e Zervës në pastrimin etnik të Çamërisë nga shqiptarët e konfirmojnë edhe dokumentat arkivore  amerikane, angleze dhe gjermane. Si pasojë e këtyre sulmeve barbare dhe gjenocidale ndaj çamëve, ato  detyrohen me dhunë të shpërngulën  në Shqipëri më se 35 000 çamë. Këtë shpërngulje, disa  historian grek dhe diplomacia greke mundohen të justifikojnë me një tezë absurde duke trumbetuar, se populli çamë ka qenë bashkëpunëtor i nazi-fashistëve dhe është larguar me ato për në Shqipëri, gjatë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

          Në këtë mënyrë të paskupullt, nacionalistët grek të Megali Ides, e zbatojnë në praktikë spastrimin e Çamërisë nga elementi shqiptarë, mjerisht regjimi, grek edhe sot e kësaj dite jo që nuk e pranon gjenocidin ndaj Çamëve, por me sjelljet e tyre ndaj shqiptarëve ende nuk kanë hequr dorë nga idet e Megali Ides, e cila vjen në shprehje në disa institucione zyrtare të shtetit edhe kohën e sotme, si në disa nivele ushtarake, ashtu dhe në disa zona kufitare.

Vlen të theksojmë së çështja çame edhe pse u anatemua dhe u margjinalizua nga regjimi komunist,  ajo kurrë nuk u harrua te mërgata shqiptare, e cila në shumë raste në kuadër të rrethanave të kohës, në disa organizata ndërkombëtare e kanë ngritur çështjen çame përmes Lidhjes Kosovare, kurse në vitin 1970 themelohet “Lidhja Çame” në Çikago, e cila ka pasur edhe organin e saj, revistën “Në Krahë të Shqiponjës”, përmes të cilës në kuadër të mundësive pa rreshtur ka afirmuar dhe ndërkombëtarizuar çështjen çame në administratën amerikane dhe organizata tjera ndërkombëtare.

4 qershor 2017                                                  Kumtesën e përgatiti,

   Gjirokastër                                                   Prof. Dr. Riza Sadiku d.v.

[1] Mr. Milovan Sekuliq, Kosovo od 1912 do 1918 godine, Doktorska disertacija, Universitet u Pristini, Filozofski Fakultet,  

  Prishtina, 1980, fq. 557

[2] Mr. Milovan Sekuliq, po aty, fq. 558

[3] Shiqo gjersisht : Dr. Petar Stojanov, fq. 345-374

[4] Mr. Milovan Sekuliq, Kosovo  od 1912 do 1918 godine, Doktorska disertacija. Universitet u Prishtini, Filozofski Fakultet, 

   Prishtina, 1980, fq.561

[5]. Mr. Milovan Sekuliq, po aty

[6]. Hasan Maksuti, 86 vjecar, nga f. Tuhin, bisede gojore e zhvilluar me atorin e punimit ne janar te vitit 2017 ne Kercove.

[7]. Mr. Milovan Sekuliq, Kosovo  od 1912 do 1918 godine, Doktorska disertacija. Uniersitet u Prishtini, Filozofski Fakultet, 

   Prishtina, 1980, fq.564

[8] Katarina Gogova, Krvava Pruga, Skopje, 1965, fq. 7

[9] Katarina Gogova, Krvava Pruga, Skopje 1965, 7

[10] Katarina Gogova, po aty, fq. 8

[11] Sadik Sadiku-Stafe, Tuhini, Kercove, 2014, fq. 169

[12] Titullin Caush e ka marre ne ushtrine e Perandrise Osmane, te ciles I ka sherbye 7 vjte ne Selanik.

[13] Sadiku Sadiku-Stafe, Tuhini, 2014, fq. 169

[14] Sadik Sadiku-Safe, po aty

[15] Hasan Maksuti, 86 vjecar nga fshati Tuhin, interviste e realizuar me autorin e kumteses, ne mars te vitit 2017 ne Kercove.

[16] Sadik Sadiku – Stafe, Tuhini, Kercove, 2014, fq.170

[17] Sadik Sadiku – Stafe , Tuhini, po aty.

[18] Sadik Sadiku –Stafe, Tuhini. (monografi), Kercove, 2014, fq. 170

[19] Selman Sheme ‘’CAMERIA’’, monografi, irane 2005, fq.11,12

[20] Selman Sheme, ‘’CAMERIA’’ MONOGTAFI, Tirane 2005, fq. 17

[21] Selman Sheme, po aty

[22] Selman Sheme, po aty

[23] Kastriot Dervishi, Masakra ne Cameri. Shtepia botuese 55

[24] Kastriot Dervishe, po aty

[25] Kastriot Dervishi, Masakra ne Cameri. Shtepia botuese 55

Comments

comments

-----