FRYMËZIM, DASHURI, DHIMBJE, JETË E ATDHE, NË KRIJIMET E POETEVE E SHKRIMTAREVE TONA

Meditim mbi librin “Kur flasin zemrat”. Shkruar nga Murat Gecaj

Nga Kadri Tarelli

 

Para pak kohësh, në një takim miqsh në Durrës, Dr. prof. Murat Gecaj më dhuroi librin e tij të botuar së fundmi, “Kur flasin zemrat”, kushtuar krijueseve, vajzave dhe grave shqiptare, këtu dhe në trojet etnike arbënore e në diasporë. Është një tjetër buqetë me lule shumëngjyrshe, që autori i shton librit “Për ju krijuese”, të botuar dy vjet më parë. Një gjerdan florori me gurë të çmuar, për gratë e vajzat tona, të cilat e meritojnë dyfish ta mbajnë e t’i gëzohen, sepse janë dy herë krijuese: së pari, janë nëna që nisin, sjellin e rrisin jetë, e më pastaj janë poete, shkrimtare, piktore, artiste, mësuese, stiliste, shkencëtare, shtetare, politikane e dipllomate, që punojnë dhe frymëzohen të krijojnë art, letërsi, muzikë, etj, etj.

Profesor Murati, me këto dy libra, i solli publikut shqiptar një vepër studimor me vlera të mirfillta letrare, artistke, ideore e kritike, kushtuar krijueseve tona, zemërarta e fjalëzjarrta. Një punë që do e kërkon shumë përpjekje e mundim, që harxhon kohë e studim, njohje e përkushtim, qëndresë e durim, duke zbritur në “galeritë e thella”, për të nxjerrë “gurrët e çmuar”, që i shtohen parreshtur artit, krijimtarisë dhe kulturës kombëtare.

 E admiroj dhe e falënderoj profesor Muratin, jo thjesht si studjues e krijues i palodhur, si gazetar i kudondodhur, por më së shumti për këtë gjetje të re në fushën e letrave dhe krijimtarisë femrore, duke e sjellë atë në vëmendjen disi të cunguar të lexuesit dhe të opinionit letrar shqiptar. Një mundësi e dobishme, për të dëftyer se janë edhe ato, ndaj duhen njohur e mbështetur, sepse kanë thën, po thonë e do të thonë gjëra të bukura e të shëmtuara, të ëmbla e të hidhura, për jetën e dashurinë, fëmijët e familjen, atdheun e kombin, ikjen e mallkimin, vuajtjen e mërgimin, forcën e mbijetesën, dështimin dhe suksesin. Është një zë hyjnor që zbret nga qielli në tokë, ndaj duhet ta dëgjojmë, sepse jeta është dhuratë perëndie, puna detyrë njerëzie, suksesi vepër guximi e mençurie, ndërsa krijimi, dhunti vetiake e mision shoqërie.

Unë po e them, ndërsa lexuesi le të më gjykojë kur të lexojë: A nuk ngjan jeta e vërtetë dhe krijimtaria letare e secilës, apo secilit nga ne, me endjen në tezgjah, qepjen e qëndisjen e veshjeve e kostumeve kombëtare të Servete Kastratit nga Gjakova, endëse dhe stiliste e njohur në Kosovë?! Aty derdhet pa kursim bota e saj shpirtërore, sepse aty gjen jetë se ka jetë, natyrë, fisnikëri e bujari shqipatre. E gjitha e fituar me mund e punë, me dashuri, mençuri, fantazi e frymëzim vajze, gruaje e nëne. Lexojeni e do të bindeni. Sa botë të gjallë ka në punimet e saj.

Lexuesi, kur ka mbaruar së lëçituri të gjitha faqet, kupton se shkrimet janë të larmishme, të shkruara në kohë të ndryshme, kushtuar “heroinave” të kartave në gjuhën shqipe. Dikush prej tyre ka shkruar edhe në gjuhë të ndryshme të botës, disa janë nderuar e vlerësuar me çmime e tituj nderi. Këtu në këtë liber gjen shumë intervista dhe skicime, analiza e vlerësime shkrimesh e librash, të autoreve, të cilat i ka takuar në përurime e panaire librash, në veprimtaritë e Shoqatës Arsimore Kombëtare Shqiptare, apo edhe të shoqatave të tjera atdhetare. Me shumë prej tyre, profesori ynë i nderuar, ka mundur miqësisht të pijë edhe një kafe, ku janë shkëmbyer libra e rrahur mendime  rreth letërsisë, jetës, njëkohësisht edhe të halleve e derteve të autoreve që janë në emigracion, apo të atyre që sapo e kanë nisur udhën e bukur të artit e letërsisë. Secila një univers më vete për t’u admiruar e për t’i kënduar. Profesori është modest me veten dhe me ne, duke vënë në libër edhe dy shkrime të krijuesit e kritikut letrar Sejdo Harka: “Reshida Çoba: Me një hit të bukur për dashurinë” dhe “Merita Gjoni, shpirti poetik i një mësueseje”, të cilat në vetvete janë poezi brenda prozës letrare, veprim që e pasuron librin.

Kam ndjesinë, se këndonjësi i këtij libri do të jetë në një gjykim të përbashkët me mua, kur them se në secilin shkrim do të ndiejë aq shumë dashuri e mall, gëzim e trishtim, besë e zhgënjim, sa na bën të themi: zemra e fëmrës shqiptare është mbushur veç me poezi e dashuri, për t’ua dhuruar të tjerëve me tepri. Sa shumë madhështi e fisnikëri ka në shpirtin e secilës, që është vajzë, motër, grua e nënë, dhe që ka guximin të shprehet e të shkruajë thjesht, bukur e letrarisht, duke na përcjellë mesazhe universale të botës njerëzore. Ato, “Të urtat gjer në madhështi”, me atë çka mendojnë, krijojnë e këndojnë, kanë privilegjin të na dhurojnë pjesë nga shpirti, e të ndajnë me ne paqe, mirësi e mirëkuptim, ende më tej edhe kënaqësi letare, estetike, edukative, për me tepër edhe ndjesi nderimi e mirënjohjeje. Ndoshta këtyre poeteve, shkrimtareve dhe artisteve u shkojnë më shumë përshtat, fjalët e filozofit Hegel, kur thotë: “Njeriu nuk është gjë tjetër, veçse një varg i veprave të veta”. I lumtur është ai ose ajo, që krijon e le pas vepra të mira. Ky është edhe mesazhi i këtij libri të professor Muratit.

Unë në këtë shkrim po i shmangem me qllim analizës së ndonjë emri apo shkrimi. Atë më mirë e më bukur e ka bërë vetë autori, ndaj po ndalem në diçka të veçantë që “zbulova”, në “shprehjet e arta”, që në mënyrë lakonike përmbajnë oqean ndjenjash e mendimesh të vyera për të gjithë lexuesit. Këto pak fjalë, sa shumë na bëjnë të mendohemi, mbase edhe të pendohemi, të mallëngjehemi, të prulemi e të përgjërohemi. Unë po i risjell në formë citatesh, ndërsa komentet mund t’i ujdisë secili sipas gjykimit të tij:

Ja si shprehet Vjollca Myftari: “Kur ne u tregojmë përralla fëmijëve, ata i ze gjumi dhe ne lumturohemi. Ndërsa ku ata na thonë një të vërtetë, e cila nuk na pëlqen, ne nuk duhet të na zerë gjumi”. Cili nga ne, prind apo edukator, ka guxim t’i shtojë fjalë të tjera, kësaj nëne, njëherazi mësuese edhe edukatore. A është kjo një porosi e mësim, për këdo që rrit fëmijë dhe do që ata të bëhen të mirë e të zot në jetë?

Më tej një tjetër personazh, Bukurie Bushati, autore e disa romaneve me tematikë të mprehtë shoqërore, kur ka dëgjuar një tregim tronditës për një vajzë dhe nënën e saj, shkruan romanin “Prostitutë më bëri nëna”, ku ngre zërin e protestës ndaj dukurive të shëmtuara, dramatike e gati tragjike, duke thënë me zemërim: “Çdo femër mund të sjellë një fëmijë në jetë, por jo gjithkush mund të bëhet nënë!”. S’besoj se ka nënë në botë, kur do të lexojë apo dëgjojë këto fjalë, nuk do të ulet e të marë kokën në duar, për t’u menduar gjatë, për fatin e jetës që sjell në jetë.

Dashuria, një faqe tjetër e jetës dhe e zemrës, që ze një vend mjaft të madh në këtë libër, duke marrë vlerësim e qëndim sa vetiak aq edhe përgjithësues. Ja si kumton me qetësi e shumë vendosmëri, Albulena Shaqiri: “Dashuria të bën të fortë para gjithë botës, por të dobët para personit që dashuron”. S’ besoj se dikush do të habitet. Gjykoj se janë fjalë që dalin nga përvoja vetiake në dashuri, mbase edhe ngë përvoja universal e njerëzimit. Ka kush që do ta kundërshtojë, apo të thotë ndryshe? Sepse pak më poshtë ajo thotë: “Punë e vështirë, që unë s’po dija! Marrëzi apo e mirë, qënka dashuria?!”

Një mendim i pjekur shfaqet mbi bukurinë e jashtme apo edhe të brendëshme të femrës, mbase edhe të çfardo lloj bukurie që hasim në jetë. A nuk kanë kptim filozofik këto pak fjalë të shkrimtares Xhiliola (Ola) Lamaj, kur thotë: “Para një bukurie që hesht, askush nuk ka dëshirë të qendrojë për një kohë të gjatë. Ndaj edhe soditja është kalimtare”. A nuk duhet ta dëgjojmë ne, apo ta dëgjojnë të rinjtë, e ca më shumë vajzat e reja, që i kushtojnë aq kohë e rëndësi bukursë së jashtme. A nuk është një mësim i bukur, që u thuhet aq thjesht e bujarisht atyre, që e marrin jetën lehtë e kursehen në ngritjen arsimore, profësionale e kulturore, për skalitjen e botës së brendëshme, që përbën pasuri mbi pasuri!

Ky libër si vazhdim i të parit, përbën edhe një vlerë tjetër të shtuar në vazhdimësinë e shkrimeve, sepse hap udhën e studimeve e botimeve të tjera, kushtuar femrave të suksesshme, që kanë guxim e gjejnë frymzim për të krijuar letërsi e art të bukur. Është kënaqësi e lehtësi, kur një krijues gjen një libër të shkruar, apo një rrugë të shtruar.

Urime profesor Muratit, edhe për shumë libra të tjerë, po kaq të mirë e me vlerë.

 

Kadri Tarelli

Durrës më 10. Të Prillit. 2017

 

 

Comments

comments

-----