DISTANCA MIDIS ËNDRRËS DHE REALITETIT

              Përvoja dhe shëmbulli i dmd SILVANA ÇUMANI

Nga Llazar Vero

Tani duket sikur nuk ka asgjë që nuk mund të realizoj Dr. Silvana Çumani. Por po të kthehesh pas në vite do të shohësh me sytë e mëndjes se asgjë nuk ka qënë e lehtë. Vinim nga një vënd dhe formim, ku nuk ekzistonte as në ëndërr prona private, apo për të qënë më të saktë: biznesi privat.


I jati, Çumani, pasi mbaroi shkollën e mesme në Fier, u fut  në punë si gjithë vëllezërit e tjerë. Por dashurinë për librin nuk e harroi. Shruante herë pas here edhe ndonjë vjershë. Familja e tij e ardhur nga Çamëria, pas genocidit të shovinistëve grek në fund të Luftës së Dytë Botërore, u vendos në rrethin e Fierit, ku gjeti mirësinë e myzeqarëve. Ndërsa e jëma, Miranda, nga Tepelena, ishte një nga mamitë më të njohura në Fier, si për përvojën ashtu edhe për gatishmërinë për të ndihmuar gratë.  E shikoje atë sa në një anë të qytetit në tjetrën duke ngarë biçikletën, dimër dhe verë, ditën dhe natën. E papërtuar dhe gojëmbël.


 Atë që nuk e realizuan dot të dy prindërit për veten e tyre,për të vazhduar studimet e larta, e realizuan me Silvanën që përfundoi në Tiranë studimet për dentiste.  Gjatë viteve në universitet u njoh me Altin Llogonin, studentin e mjekësisë nga Lushnja. Dhe pastaj ardhja në Amerikë. Vështirësitë e para. Silvana, ashtu këmbëngulëse si përherë, për rivlerësimin e diplomës që kishte marrë në Tiranë, punoi si asistente pranë klinikës dentare të Universitetit të Pensilvanisë. Pas kësaj aplikoi dhe ndoqi programin dyvjeçarë, për studentët e huaj që kanë përvojë pune, në Universitetin e Pensivanisë (University of Pennsylvania) që i dha mundësinë e marrjes së diplomës amerikane. Punoi edhe dy vite të tjera me një dentist amerikan.


Më 2005 hapi klinikën e saj dentare në South Philly. Me shumë drojë.  I jati,Çumani, e nxiste, e inkurajonte. Në fillim punonte dy ditë në klinikën e saj dhe tri ditë në një klinikë tjetër. Nuk ishte e lehtë. Ndërkohë ishte bërë nënë e dy fëmijëve të mrekullueshëm, Sarës dhe Erikut. Altini dhe prindërit e ndihmonin sa mundeshin, por barra  më e madhe i binte asaj vet.


Por edhe çlodhja kërkonte pjesën e saj. Mblidheshin me bashkëmoshatarët fundjavave në shtëpinë e njëri-tjetrit, pergatisnin barbeky dhe pinin ndonjë gotë për të shoqëruar humorin që u jepte mosha.


SILVANA ÇUMANI

Pastaj përsëri punë. Klinikës iu shtuan klientët dhe Silvanës, doktoreshës fjalëmbël, të kujdesshme dhe të papërtuar iu dëgjua emri jo vetëm në rrethet e emigrantëve shqiptarë por edhe amerikanë. Po sikur të hapte  edhe një klinikë tjetër? Këtë herë emri i saj u bë i njohur në një zonë tjetër të Filadelfias, në Fishtown dhe Port Richmond. Në vitet e para pacientët ishin më shumë shqiptarë dhe vetëm 30 përqind amerikanë. Doktoreshë Silvana lajmëroi se shërbimi për pensionistët shqiptarë do të ishte falas. Shoqata “Bijtë e Shqipes” duke e përgëzuar për këtë nismë e vuri këtë lajm edhe në Web-in e fb e shoqatës.


 Puna sa vinte e shtohej. Në fillim ishte vetëm dhe një ndihmëse. Pastaj punësoi edhe një doktor tjetër. Tani ka të punësuar 28-30 punonjës, 12 prej të cilëve janë shqiptarë.  Sot që po shkruajmë këto fjalë për këtë zonjë të re shqiptare qëndra e saj mjekësore: “SILVANA CUMANI DMD AND ASSOC, PC” , ka një emër të nderuar, tanimë jo vetëm midis shqiptarëve por më së miri edhe midis amerikanëve. Dhe raporti i klientëve ka ndryshuar: tani shqiptarët zënë vetëm 30 përqind të tyre.


Këto të dhëna i marrim nga bashkëshorti i doktoreshë Silvanës, Altini që ka marrë përsipër detyrën e menagerit në këtë biznes. Duke spjeguar shkakun e ndryshimit të këtij raporti ai thotë se kjo vjen jo vetëm se janë shtuar  klinikat me dentistë shqiptarë por edhe se veprimtaria e klinikës “Cumani” është zgjeruar.


– Tani ne kemi  përveç shërbimit për të rritur por edhe shërbimin pediatrik, ortodontist, periodontist. Klinika është pajisur me aparatura të kohës si për kontrollin panoramik tridimesinal. Çdo gjë është e dixhitalizar dhe kompiuterizuar… -Altini tregon me kënaqësinë e njëriut që shikon një ëndërr të realizuar, jo vetëm të Silvanës por edhe të tij. Në sytë e tij shihet edhe krenaria por edhe lodhja që mbart realizimi i një ëndërre të bukur.


– Ku qëndron kënaqësia në punën tuaj? – e pyes me kurreshtje duke ditur se nga profesioni i tij si mjek ai është kthyer në një biznesmen i sukseshëm përkrahë bashkëshortes së tij Silvanës.


– Kënaqësia e parë për mua dhe Silvanën, është kur punësojmë të tjerët. -Mendohet pak dhe shton: Tjetër është realizimi i një detyrimi moral , dhënia e parave për institucione të ndryshme. Këtë e kemi mësuar nga amerikanët më shumë.. Është gjë e bukur. I japim rregullisht çdo vit, kishës shqiptare këtu në Filadelfia, Universitetit të Pensilvanisë, Shkollës së fëmijëve tanë…


Për mirësjellje ai nuk përmënd se çdo vit kjo klinikë i jep 1500 dollarë edhe Shoqatës Shqiptare-Amerikane “Bijtë e Shqipes”,  apo që sponsorizon edhe botimin e ndonjë libri  me autor shqiptar…. Ndërs mua më ngacmoi endërra se sa të fortë do të ishim sikur të gjithë bizneset shqiptare të vepronin kështu.


 Altini, sikur ta priste këtë pyetje u përgjigj mënjëherë : -Shpirtin e biznesit e ka marrë nga i jati, Çumani. Ishte ai që e nxiti  dhe e mbështeti t’i futej kësaj rruge. Ndërsa etikën e punës dhe shpirtin e sakrificës e ka marrë nga Miranda, mamaja  e saj.


Të bisedoje me Altinin, ishte kënaqësi. Jo vetëm për biznesin e tyre, për familjen dhe fëmijët, por edhe për problemet e komunitetit dhe të vendit tonë, Shqipërisë.


– Fëmijët janë rritur tani,- duket sikur mbyll bisedën Altini – Sara është në vitin e fundit të shkollës së mesme (High Scholl) , ndërsa Eriku është në vitin e shtatë.


Largohem nga klinika dentare Cumani me një ndjenjë krenarie për atë ç’kanë bërë dhe ç’mund të bëjnë bashkatdhetarët tanë të brezit të ri. Sa ëndërra dhe dëshira të realizuara dhe sa të tjera akoma në rrugën e realizimit. Midis ëndrrës dhe realizimit është një hapësirë e madhe e mbushur me guxim, punë dhe sakrifica.


Shënim. Mw 5 Mars 2011 Kwshilli Drejtues i Shoqatws “Bitw e Shqipes: e vlerwson atw me “Certifikatw Mirwnjohje” kurse mw 8 Mars 2017 me “Nderi i Komunitetit”.


Llazar Vero


Filadelfia

Comments

comments

-----