Zoti Majko e bojkotoi / luftoi shoqërinë VATRA

Nga Thanas L. Gjika

 

Të vish në SHBA me detyrë shtetërore për të krijuar lidhje me diasporën për ta ndihmuar atë, pa e filluar, ose mbyllur vizitën me një takim pune tek shoqëria “Vatra”, do të thotë ta bojkotosh, ta luftosh këtë shoqëri, e cila është trashëgimtarja e atdhetarizmit shqiptar në diasporën tonë që nga Rilindja.

         Më 2012, me rastin e 100-vjetorit të shoqërisë “Vatra” gazetari Astrit Lulushi shkroi një artikull, ku shprehu vlerësimin e tij për këtë shoqëri të lashtë patriotike të diasporës shqiptare: “Federata “Vatra” i ngjan një besëlidhjeje – Lidhja e Lezhës, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastirit, Konferenca e Pezës (para se të tradhëtohej) – të gjitha të krijuara në pika kthesash historike, dhe pasi përmendte disa nga punët e saj atdhetare kulturore, ai kritikoi qeverinë shqiptare që nuk dha një vlerësim të denjë për këtë institucion, por e la “Si një të moshuar pa pension – Monument Kulture që nuk mbrohet nga shteti shqiptar” (libri “Zhgënjime sporadike” f.114).

         Vizita e z. Pandeli Majko Ministër i Diasporës këto ditë në SHBA, ku ai vizitoi disa qytete dhe takoi anëtarë të disa shoqërive, pa kërkuar të bënte një vizitë pune te qendra e shoqërisë “Vatra” në New York, tregon se ai ka pasur porosi ta bojkotojë këtë institucion atdhetarie.

         Kjo tregon se qeveria e sotme shqiptare e drejtuar prej Partisë Socialiste, bijës së drejtpërdrejtë të Partisë së Punës së Shqipërisë, vijon ta luftojë shoqërinë “Vatra”, sepse e konsideron atë armik të saj në SHBA, njësoj si dikur PKSH /PPSH-ja, që e quante këtë shoqëri të përbërë nga kolaboracionistë të arratisur.

         Nuk mund ta konceptojmë dot sesi mund të kryhet një vizitë pune në SHBA prej Ministrit të Diasporës me program për të ndihmuar diasporë, pa filluar serinë e takimeve nga shoqëria “Vatra”, ose pa e mbyllur këtë vizitë tek kjo vatër e ngrohtë ku prushojnë thëngjijtë e ndezur prej atdhetarëve Konica, Noli, Floqi, Kirka etj.

 

Comments

comments