KUJTIME TË PËRMALLSHME

Tregim i jetuar

Nga Leonora N. Lami

Në shkollë, i ulur në bangon e fundit nuk shquaja mirë shkrimin e profesorit në dërrasën e zezë, shkruante një njeri i njohur, dhe e qortoja me vete profesorin për shkrimin e keq, por kur u ula në bangon e parë fillova të shoh mirë nga sytë dhe e kuptova se nuk e kish fajin profesori por miopia ime. 

Kështu më ndodhi dhe mua në jetë. U përpoqa sa munda të shpëtoj dashurinë time dhe fol e fol e fol, por asnjë reagim dhe së fundi  e kuptova se kisha folur kot, ai që unë i drejtohesha ishte shurdh!

                                                     *     *    *

Ke vendosur që ne të ndahemi?! Mirë. E kuptoj. Këto kohë të përpjekjeve të mia për të shpëtuar dashurinë tonë kam vënë re një ndodhi interesante: Sa herë që ne grindemi ora ime çakordohet, pra ora që më ke blerë nuk është orë, por barometër që mat gjendjen tonë shpirtërore. Kështu që mua kot më pyesin: sa është ora?  Kjo nuk mat kohën, po pulsin, shpirtin.

E di që ndarja është shumë e rëndë, po edhe kështu si e filluam ne, nuk mbarohet. Edhe në qoftë se nuk do të ketë më dashuri midis nesh, do të ketë patjetër dhimbshuri. Ti më shkatërrove jetën, të ardhmen, dhe, megjithatë mua më vjen keq që ti më detyron të të braktis, të të lë pikërisht tani. Po mos harro, mos harro, mos harro kurrë se ajo që lindi nuk shuhet kollaj. Ne do të jemi gjithmonë bashkë kudo. Sa herë të hypësh në biçikletë dhe të dalësh nga Uji i Ftohtë unë jam pas. Do të mbështet kokën tek shpina jote dhe do të them ngadalë, shumë ngadalë: nisu tani.

Kur të heqësh shikimin nga rruga shiko përpara në hapësirë dhe unë do të jem aty, do të thërras dhe ti do vish patjetër se do të marrë malli. Mos u fut kurrë në det pa marrë edhe mua dhe mos shko larg sa do bëhem merak. Deti ka shumë të papritura. Në darkë kur të kthehesh nga shëtitja do biesh të flesh. Mos e mbyll derën. Unë do të vij, do të vij patjetër. Ti ke nevojë për gjumë por po nuk erdha unë nuk do të zëri gjumi. Do hap derën ngadalë, do hyj dhe do qëndroj në këmbë.

-Po fle? Mos i pulit sytë, unë jam dhe do të zgjat duart.

Ti do ngrihesh, do ngrihesh patjetër dhe do të qëndrojmë në këmbë së paku pesë minuta. Kam shumë dëshirë të më përkëdhelësh flokët, supet, duart, trupin, po mos u ul, mos u ul më poshtë. Burri nuk duhet të ulet kurrë në këmbë të gruas, sado hyjni të jetë ajo. Për mua kjo nuk është dashuri. Do të qëndrojmë ashtu ato pesë minuta, të shkrirë në ngrohtësinë e dashurisë por mos u mundo të shtrihesh në krevat, sepse pikërisht atëherë do të iki.

Kudo që të jesh, në shtëpi, në shkollë, në restorant, kur të ulesh në tavolinë shiko nga dera. Unë do të vij patjetër, dua të të shikoj. Po mos lëviz. Do hyj shumë ngadalë do të buzëqesh, do të dërgoj një të puthur në ajër dhe do iki.

Mos u mërzit. Kjo ishte dashuria jonë. Dhe patjetër që kështu do të vazhdojë. Më fal për shkrimin por ti e kupton se si po i shkruaj këto rreshta.

Kur të marrësh letra nga unë mos harro: mbylle derën. Rri ku të duash po më mirë në krevat. Vure fotografinë time përpara, pak larg mbi ato lulet që s’thahen, që t’i kam sjellë unë. Ti nuk arrite asnjëherë të kuptoje domethënien e atyre luleve.

Thuaj ç’të duash edhe të mira edhe të këqia por mos thuaj asnjëherë atë që nuk të kam dashur mos e ço nëpër mend, unë edhe sikur të bëhem mbretëreshë s’të kam për të harruar.

Më kupton Besnik?

Në mars kur të çelin lulet, gjej patjetër një mollë dhe këput një degë të vogël. Ajo është simbol i sinqeritetit, i pastërtisë dhe vetmohimit tim për ty.

Mbylli sytë dhe unë jam me ty kudo.

Comments

comments