FUQIA MAGJIKE (NAFTË-GAZMBAJTËSE) E BREZIT OFIOLITIK MIRDITË-KOSOVË

Nga Prof. Asoc. Dr. Vangjel Kici/ Toronto

 

Brezi Ofiolitik Mirditë-Kosovë ka perspektivë të madhe naftë-gazmbajtëse. Nafta dhe gazi janë pasuri strategjike kombëtare, prandaj duhen shtetëzuar. Për të vendosur, mbi shtetëzimin apo privatizimin e naftës, duhet të zhvillohet referendum popullor, dhe jo të vendosë vet qeveria.

Autori i këtij shkrimi, gjatë gjithë jetës së tij, ka menduar dhe punuar për të ndihmuar, sadopak, për zhdukjen e varfërisë ekonomike të popullit. Ai ka menduar ta arrijë këtë me ndihmën e gjeologjisë, duke hapur perspektiva të reja për naftë dhe gaz. Për zhvillimin  ekonomik të Shqipërisë kanë rëndësi të gjitha degët: Industria, bujqësia, blegtoria, pyjet, turizmi etj. Por asnjëra nga këto degë nuk mund ta nxjerr vendin tonë nga kriza e thellë ekonomike, ku ndodhet. Në industrinë mekanike (prodhimi i makinave dhe i makinerive të ndryshme) Shqipëria nuk ka tradita. Ne nuk mund të konkurojmë vendet industriale të Europës dhe të botës, sepse edhe atë industri që kishim (uzina, fabrika…) e shkatërruam. Edhe bujqësinë e kolektivizuar dhe të mekanizuar, kooperativat bujqësore dhe fermat shtetërore, i shkatërruam. Shtetet e tjera lindore nuk i prishën kooperativat bujqësore, por i shndërruan në ferma bujqësore private të fshatarve, të shkëputura nga shteti. Pse i shkatërruam kooperativat bujqësore dhe fermat? Sepse pushtetarët tanë do të krijonin monopolet e tyre, për të sjellë në Shqipëri prodhime bujqësore jo cilësore (me hormone) nga jashtë. Qeveritë e njëpasnjëshme bëjnë sehir bujqësinë e shkatërruar. Ato nuk rekomandojnë dhe nuk mbështesin krijimin e fermave bujqësore dhe blegtorale private, sepse prishen monopolet e pushtetarve. Me ardhjen e gjoja demokracisë, pyjet u shkatërruan plotësisht. Turizmi i vetëm, pa degët e tjera të ekonomisë, nuk mund ta nxjerr vendin nga kriza. Ai kërkon shumë investime, por shteti nuk ka asnjë mundësi financiare. Fushat ekzistuese të naftës, dhe minierat, qeveritë e njëpasnjëshme ua dhanë të huajve, me konçesione korruptive. Këto pasuri natyrore të Shqipërisë po grabiten plotësisht nga të huajt, në bashkëpunim me pushtetarët tanë të korruptuar. Të gjitha pasuritë shtetërore (publike) u privatizuan, ose u dhanë me konçesione. Tani shteti shqiptar nuk ka pothuajse asnjë pronë apo pasurí. Shteti pa prona dhe pa pasurí është shumë i dobët, i pafuqishëm. Ai mezí “mbahet në këmbë”. Shteti nuk ka asnjë të ardhur. Populli shpreson kot nga qeveria, që të bëjë investime në bujqësi, shëndetësi, arsim, kulturë, shkencë, turizëm, mbrojtje etj. Këtë shtet të dobët, të katandisur qellimisht në këtë gjëndje mjerane, tani e kërcënojnë edhe shtetet e vogla fqinje, dhe Shqipëria qendron e përulur para të gjithve.

Qeveritë e njëpasnjëshme, për tu mbajtur në pushtet, marrin kredi nga bankat e huaja. Borxhi i jashtëm i Shqipërisë ka arritur rreth 11 miliardë dollarë. Edhe borxhi i brendshëm është shumë i lartë. Populli po përjeton një krizë të thellë ekonomike. Ai është varfëruar shumë. Si do të shlyhen këto borxhe të larta, që sa vjen dhe shtohen? Si do të zhvillohet ekonomia? Si do të rritet mirëqënia e popullit? Për këto probleme jetike nuk ka asnjë plan dhe perspektivë.                                                                                                 Autori i këtij shkrimi mendon se vetëm shtetëzimi i naftës, gazit dhe minierave mund ta shpëtojë vendin tonë nga katastrofa ekonomike, sidomos shtetëzimi i naftës dhe i gazit. Shqipëria nuk mund të konkurojë në botë me prodhim makinash, por me prodhime nafte dhe gazi ajo mund të konkurojë. Këtu nuk kam parasysh naftën e dikurshme (prodhimi maksimal vjetor 2.2 milion tonë), por një industri nafte shumë më të zhvilluar, sepse Shqipëria ka perspektivë shumë të madhe për naftë dhe gaz. Këtu nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë jugperëndimore, ku ndodhen vendburimet e njohura të naftës dhe të gazit. Këtu kam parasysh sidomos Shqipërinë Lindore, Brezin Ofiolitik Mirditë-Kosovë (ofiolit d.m.th shkëmb magmatik i rrëshqitshëm, me ngjyrë të jeshiltë). Ky brez përfshin

afërsisht një të tretën e sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë, dhe pothuajse të gjithë Kosovën. Kjo mund të shihet në hartën skematike (brezi me figura të zeza, Fig. 1). Në këtë hartë shihet se masivët, përjashtuar veriun e Mitrovicës, në Kosovë dalin pak në sipërfaqe, sepse janë të mbuluar nga shkëmbinjtë e moshave të reja gjeologjike. Ata “nxjerrin kokën” në sipërfaqe vetëm aty-këtu, për shkak të gërryerjes (erozionit) të mbulesës së re shkëmbore. Poshtë kësaj mbulese, që ka trashësi relativisht të vogël, pa dyshim Kosova ka shumë masivë ultrabazikë, sikurse ka në Shqipëri.

Autori i këtij shkrimi, bazuar në të dhënat e shumta të studimeve shumëvjeçare, në terren dhe në laborator, ka bindjen e plotë se poshtë brezit ofiolitik, i quajtur “Brezi Ofiolitik Mirditë-Kosovë”, vazhdojnë gëlqerorët e Malit me Gropa, që ndodhet në lindje të Tiranës. Këta gëlqerorë dalin në sipërfaqe, nga poshtë brezit në fjalë, në lindje të tij, (në Malin e Thatë-Trebisht-Lurë-Gjallicë-Sharr). Trashësia e këtyre gëlqerorve është rreth 4000 m. Autori ka argumentuar se masivët ultrabazikë të serpentinizuar (figurat e zeza në hartë) janë diapire, d.m.th. trupa magmatikë, që kanë depërtuar nga poshtë gëlqerorve. Ata i kanë shpuar dhe ngritur këta gëlqerorë poshtë vetes. Këto struktura të mëdha (strukturat e shpuarjes) kanë rëndësi të madhe për naftë dhe gaz. Sikurse shihet në hartë, masivët ultrabazikë janë të mëdhenj dhe të shumtë në numër. Pra, duhet të jenë krijuar shumë struktura të shpuarjes poshtë tyre (shih librin me titull: “Nafta në Albanide”, 2013). Në këtë libër është faktuar, se në të dy anët e Brezit Ofiolitik Mirditë-Kosovë (në perëndim dhe në lindje) ka shkëmbinj burimorë, të pasur me karbon organik, për formimin e naftës dhe të gazit. Këta shkëmbinj zhyten, nga të dy anët, poshtë brezit në fjalë. Është faktuar se këta shkëmbinj kanë arritur pjekurinë (maturimin) e karbonit organik, për formimin e naftës dhe të gazit. Drejtpërdrejt, sipër shkëmbinjve burimorë, vazhdojnë gëlqerorët, që shërbejnë si rezervuarë për grumbullimin e naftës dhe të gazit. Ekzistojnë strukturat e favorshme për grumbullimin e naftës dhe të gazit (strukturat e shpuarjes etj.). Sipër strukturave të shpuarjes shtrihen shkëmbinj magmatikë dhe shiste (rreshpe) argjilore, që shërbejnë si mbulesë e padepërtueshme nga nafta  dhe gazi. Strukturat e shpuarjes, dhe mbulesat e tyre, formojnë kurthet për ruajtjen e naftës dhe të gazit. Të gjitha këto fakte, që u përmendën më lartë, formojnë të ashtuquajturin “sistem nafte”. Pa këtë sistem, nuk ka naftë dhe gaz. Pra, në Brezin Ofiolitik Mirditë-Kosovë ekziston sistemi i naftës. Kështu krijohet bindja, se poshtë masivëve ultrabazikë, që janë të gjithë  të serpentinizuar në shkallë të ndryshme, ndodhen struktura gëlqerore naftë-gazmbajtëse. Shpërthimet e herëpas -hershme të gazit metan, në thellësitë e minierës së kromit në Bulqizë (gaz i lagur, shoqërues i naftës), e mbështesin mendimin e shprehur më lartë. Në botë është vërtetuar se masivi serpentinik New Idria në Kaliforni (SHBA) është diapir. Ai ka krijuar strukturën e madhe të shpuarjes në vendburimin e madh të naftës Coalinga në Kaliforni (Coalinga Oil Field).

Perspektiva naftë-gazmbajtëse e brezit në fjalë është një mundësi e madhe, e pafaktuar.

Për të vërtetuar naftë-gazmbajtjen e Brezit Ofiolitik Mirditë-Kosovë është rekomanduar bërja e dy profileve seismike në masivin ultrabazik të Bulqizës (në luginën Plani i Bardhë-Bulqizë-Valikardhë, që e ndërpret në mes masivin, nga perëndimi në lindje). Në rast se këto profile vërtetojnë ekzistencën e gëlqerorve poshtë masivit, që është shumë e mundur, formën e tyre strukturore (strukturën e shpuarjes) dhe thellësinë e përshtatëshme të ndodhjes, të shpohet një pus kërkimi për naftë dhe gaz. Rezultati, shumë i pritshëm pozitiv, do të hapte perspektivë shumë të madhe për naftë dhe gaz në të gjithë

Brezin Ofiolitik Mirditë-Kosovë. Kështu do të zbuloheshin në seri vendburime gjigante nafte dhe gazi, poshtë secilit masiv. Brezi Ofiolitik Mirditë-Kosovë do të zbulonte fuqinë e tij magjike, të jashtzakonëshme.

Sa të mëdha janë këto struktura në Brezin Ofiolitik Mirditë-Kosovë? Për krahasim po japim një shembull:

Vendburimi i madh i naftës, Kirkuk, ndodhet në Irakun Verior (rajoni kurd). Ai është zbuluar në vitin 1927, dhe është vënë në shfrytëzim në vitin 1934. Nga madhësia, vendburimi Kirkuk është i pesti në botë. Ai e ka gjatësinë 96.5 km, dhe gjerësinë ndërmjet kontakteve naftë-ujë, 4 km. Shkëmbinjtë rezervuarë janë gëlqerorët e moshës Eocen-Oligocen. Ata kanë trashësí vetëm 365 m. Thellësia e puseve është 450 deri 900 m.

Në Brezin Mirditë-Kosovë, për krahasim, po marrim vetëm masivin ultrabazik Tropojë-Has. Sikurse shihet në hartë, ai shtrihet nga qyteti B. Curri deri në Morinë. Ai ka gjatësi 44 km dhe gjerësi 15-18 km. Ky masiv e ndërpret kryq, nga perëndimi në lindje, Brezin Ofiolitik Mirditë-Kosovë. Sipas interpretimit të paraqitur më lartë, ky masiv duhet të ketë shpuar (prerë) dhe ngritur nën vete gëlqerorët. Në anën veriore të masivit, dhe në anën jugore të tij, gjatësia e gëlqerorve të ngritur duhet të jetë 44 km. Gëlqerorët e ngritur në anën veriore të masivit  e kanë rënien drejt veriut (në Kosovë). Gëlqerorët e ngritur në anën jugore të masivit e kanë rënien drejt jugut. Trashësia e gëlqerorve është rreth 4000 m, kurse në Kirkuk është vetëm 365 m. Pra, në strukturën e shpuarjes, të masivit Tropojë-Has, rezervuari për grumbullimin e naftës dhe të gazit është shumë më i madh se në Kirkuk. Gjatësia e strukturës së shpuarjes është pothuajse sa gjysma e gjatësisë së strukturës së Kirkukut, por gjerësia nuk dihet. Ajo mund të jetë edhe më e madhe. Nga ky shembull rezulton se në Brezin Ofiolitik Mirditë-Kosovë mund të zbulojmë shumë struktura naftë-gazmbajtëse të rangut botëror, sepse në këtë brez ka shumë masivë të tjerë të mëdhenj, sikurse ai i Tropojë-Hasit.                                                                                                                                    Para 10 vjetësh, në Shqipëri zotëronte mendimi se shkëmbinjtë e Brezit Ofiolitik Mirditë-Kosovë janë formuar në një oqean të dikurshëm. Ky mendim e përjashton perspektivën naftë-gazmbajtëse, sepse shkëmbinjtë ofiolitikë nuk janë naftë-gazmbajtës. Në 10 vjeçarin e fundit zotëron mendimi tjetër, se Shqipëria Lindore ka ndërtim shumë mbulesorë. Mbulesat shkëmbore janë të vendosura njëra mbi tjetrën. Ofiolitet janë formuar në oqean, por jashtë Shqipërisë. Shkëmbinjtë e këtyre mbulesave gjoja kanë ardhur nga lindja, nga jashtë Shqipërisë. Edhe ky mendim, tërthorazi e përjashton perspektivën naftë-gazmbajtëse, sepse strukturat e supozuara nuk shihen në sipërfaqe (janë të mbuluara nga shkëmbinjtë ofiolitikë), dhe se ato duhet të ndodhen shumë thellë. Autori i këtij shkrimi, në librin e lartpërmendur, ka argumentuar se të dy këto interpretime janë të gabuara. Shkëmbinjtë e Brezit Mirditë-Kosovë nuk janë formuar në oqean. Ky brez nuk ka ndërtim shumë mbulesorë, dhe nuk është i ardhur nga lindja, por i formuar brenda Shqipërisë. Ky interpretim hap perspektivë të madhe për naftë dhe gaz, perspektivë të jashtëzakonëshme.

                                                                                                                                             Në qoftë se kjo naftë-gazmbajtje e madhe e pritëshme, do të ishte e shtetëzuar, kjo do të ishte një dhuratë shumë e madhe për kombin shqiptar. Në qoftë se kjo naftë-gazmbajtje e madhe e pritëshme jepet me konçesione, ose privatizohet, ky do të ishte një mallkim i madh për kombin shqiptar. Për këto dy mundësi duhet të vendosë vet populli, dhe jo qeveria, pa e pyetur fare popullin. Nafta dhe gazi janë pasurí strategjike kombëtare. Për problemin e shtetëzimit, apo të privatizimit të naftës dhe të gazit, duhet të zhvillohet referendum popullor. Prandaj, duhet anuluar vendimi i qeverisë së mëparëshme “Rama-Meta”, për privatizimin e Shoqërisë (kompanisë) shtetërore të naftës, Albpetrol sh.a. Duhet të anulohet edhe vendimi tjetër i qeverisë “Rama-Meta”, për nxjerrjen e të gjithë Shqipërisë në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Të dy këto vendime antishqiptare janë akoma në fuqi. Meqënëse sipërfaqja e Shqipërisë është e vogël, vetëm deti mund të jepet me konçesione të drejta, siç i ka bota. Duhet të prishen të gjitha marrëveshjet  konçesionare, për vendburimet ekzistuese të naftës dhe të gazit. Ato nuk kanë sjellë asnjë zhvillim ekonomik në vendin tonë, por vetëm grabitje të plotë të naftës dhe varfërí.

Prandaj, nafta dhe gazi është e nevojshme të shtetëzohen sa më parë. Të rihapen  

 institutet e dikurshme shkencore të naftës. Fillimisht të rihapet një Ndërmarrje Shpim Kërkimi dhe një Ndërmarrje Shpim Shfrytëzimi. Të forcohet kompania shtetërore e naftës, Albpetrol, me seksionet e nevojshme: Seksioni i Kërkimit, Seksioni i Prodhimit, Seksioni i Përpunimit dhe Seksioni i Tregtimit. T’i pritet hovi kryeministrit Rama, dhe ministrit Gjiknuri, që po kërkojnë gjithandej nëpër botë kompani të huaja, që të vijnë në Shqipëri, për të grabitur naftën dhe gazin, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar. Kryeministri Rama, dhe ministri Gjiknuri, para se të ftojnë të huajt, të japin llogari për grabitjen e plotë të naftës dhe të gazit, gjatë qeverisjes së tyre të kaluar. Pas gjithë asaj që ndodhi (shkatërrimit dhe grabitjes së naftës), kush e kundërshton shtetëzimin e naftës dhe të gazit, ose e justifikon me mënyra të ndryshme mosshtetëzimin e naftës dhe të gazit, është antishqiptar, antikombëtar. Për këtë nuk ka asnjë dyshim. Kundërshtarët e shtetëzimit të naftës u shërbejnë vetëm të huajve dhe vetes së tyre, por jo popullit.

Nafta dhe gazi, si pasurí shtetërore, janë e vetmja mundësi për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë ekonomike. Ato janë e vetmja shpresë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për rritjen e mirëqënies së popullit. Në këtë drejtim, Brezi Ofiolitik Mirditë-Kosovë pritet të ketë fuqi magjike. Asnjë pasurí tjetër e Shqipërisë nuk mund ta shpëtojë Shqipërinë dhe popullin shqiptar. 

 

 

Comments

comments