ME VATRANË NË TORONTO, KANADA

Nga Thanas L. Gjika

(Shënime udhëtimi)

 

          Në Toronto ON të Kanadasë, Shoqëria “Vatra” ka pasur që në kohët e hershme një degë, e cila ishte mbyllur gjatë viteve 1950. Në vitin 2010 atje u rikrijua dega e cila ka sot 23 anëtarë. Një nga nismëtarët e rikrijimit të kësaj dege ishte z. Tony (Tonin) Sufaj, një kastratas i cili ka rënë e bie në sy për kurajon dhe bujarinë e tij të veçantë në veprimtarinë atdhetare.

          Unë pata rast të shkoja në Toronto me bashkëshorten time Jualia. Z. Dalip Greca më dha telefonin dhe e-mailin e z. Tony, të cilit i kërkova një takim për të mbledhur të dhëna për një shkrim lidhur me gjendjen e degës së shoqërisë Vatra në Toronto. Më 26 gusht, si e kishim lënë, z. Sufaj erdhi bashkë me dy shokë të tij, me sekretarin e degës, z. Lul Rrafshi dhe z. Besnik Rexhvelaj, anëtar i kryesisë së degës. Kurse z. Qamil Llapshtica, nënkryetari i degës, nuk mundi të vinte sepse ndodhej për vizitë në Prishtinë, prej nga na përshëndeti në telefon…

* * * 

          Tonin / Tony Sufaj është një malësor i gjatë dhe elegant, i shkathët në biseda dhe të imponon respekt që në minuatat e para të takimit. Rrethanat e jetës e penguan të kryente shkollën e lartë, por përvoja e jetës e ka bërë atë, që me anë të zgjuarësisë natyrale, të jetë një veprimtar i suksesshëm i diasporës sonë në Amerikën e Veriut.

          Që kur ishte nxënës në vitin e tretë të gjimnazit, ai ishte mbushur me ndjenja kundërkomuniste. Këto ndjenja ai i kishte thithur gjatë dëgjimit të bisedave me të moshuarit, të cilët kishin pakënaqësi ndaj regjimit komunist, si dhe nga dëgjimi i emisioneve në gjuhën shqipe që transmetonin Radio Podgorica (Mali i Zi) dhe Radio Zëri i Amerikës. Ai edhe pse i ri, kuptoi se jeta në Shqipëri nuk po pëmirësohej si propagandonte Radio Tirana dhe Radio Shkodra, por po keqësohej.

      

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

    Në vitin 1986 u ftua të luante futboll me skuadrën “Vllaznia” të Shkodrës, skuadra e futbollit “Vllaznia e New Yorkut, e cila përbëhej nga djem shqiptaro-amerikanë. Midis lojtarëve të skuadrës shqiptro-amerikane, ishte dhe një kushëri i Toninit. Ky, gjatë vizitës që bëri në shtëpi të Sufajve midis tjerash tha: “Ma mirë i dekun në ferr se skllav i gjallë këtu në Shqipni”. Kjo thënie i buçiste herë pas here në kokë djaloshit të Sufajve.

          Mbas gati një viti, kur Tonini i kishte mbushur 17 vjetët, nxënës në klasën e tretë gjimnaz, shkroi në dërrasën e zezë parullën “LIRI DEMOKRACI!” me shkronja të deformuara që të mos kuptohej i kujt ishte shkrimi.

          Nga Dega e Brendshme e Shkodrës shkuan disa policë te drejtoria e shkollës. Ata filluan t’i merrnin në pyetje një nga një nxënësit e asaj klase dhe iu thoshin: “Ne e dijmë që e ke shkruar ti, por tregona dhe shokët që të kesh rrethana lehtësuese për dënimin tënd.”

          Asnjë nga nxënësit nuk e pranoi. Kur i erdhi radha Toninit, ky u përgjigj: “ Po kur e dini që e paskam shkruar unë, pse nuk më arrestoni, po i merrni në pyetje gjithë djemtë e klasës?”

          Më tej Toninin filluan ta merrnin në pyetje në Degën e Punëve të Brenshme në Shkodër, ku i bënin presion të pranonte se ai e kishte shkruar parullën. Ai kundërshtoi dy muaj rresht, pastaj vendosi të arratisej, tek daja i nënës së tij në Mal të Zi. Me kurajë ai u arratis i vetëm dhe pas disa formalitetesh, u lejua të shkonte për të jetuar në Tuz, te familja Vuçina, ku jetonte disa muaj në vit daja i nënës së tij që shkonte prej New Yorkut, zoti Zef Tom Vuçina. Ai u kujdes si për djalin e vet, pas do kohe e njohu me një vajzë të mirë, me zonjushen Maria Lulgjuraj, me të cilën Tonini u fejua dhe shpejt u martua. Në vitin 1993, djemtë e dajë Zefit e morrën Marien në New York dhe pas disa muajsh mundën ta tërhiqnin dhe Tonin. Aty Tonini u quajt Tony. Meqenëse Maria kishte vëllezërit e vet në Detroit, dy bashkëshortët vendosën të shkonin atje, ku dhe u sistemuan me punë e banesë.

          Maria dhe vëllezrit e saj ishin pasardhës të Mark Gjek Lulgjurajt, një luftëtar i çetave antikomuniste të Prenk Calit. Ai ishte bir i fshatit Cem të Selishtës që i ishte dhënë Malit të Zi. Një djalë të tij, Fran Mark Lulgjuraj, pikërisht babain e Marie Lulgjurajt, e kishin vrarë forcat e Sigurimit të shtetit shqiptar.

          Duke parë përkushtimin atdhetar dhe fetar të Tonit, shqiptarët e Detroitit i besuan atij detyrën e skretarit të Kishës së Shën Palit dhe pasi e kualifikuan për të krijuar një shoqëri pastrimi e ndihmuan që të krijonte shoqërinë e tij, ku ai gjatë viteve 1996 – 2007 punësoi deri 35-40 shqiptarë.

          Duke qenë se pati mungesa në dokumentacion, zyra e emigracionit e SHBA-ve nuk ia dha qytetarinë amerikane dhe Tony u detyrua të emigronte në Kanada, pikërisht në Toronto ON. Këtu ai u lidh me shqiptarët katolikë me të cilët krijoi një grup besimtarësh të devotshëm me të cilët u fillua organizimi i mbajtjes së meshëve të djelave me ndihmën e Dom Ndue Gjergjit prej Kosove, që shkonte prej Detroit MI. Më tej këtë punë e vijoi Dom Mariani po prej Kosove. Tani punën e tyre e vijojnë Dom Gjovani prej Tirane dhe Dom Ambrozi.

          Përveç nismëtarëve Gjergj Nikolla nga Kosova, Zef Deklaj nga Kelmendi dhe Tonyt, tani grupi ka arritur në 500 anëtarë. Eshtë marrë e drejta për të krijuar kishën me emrin “Misioni Shën Nënë Terezës”. Me kuotat e anëtarësisë së kryefamiljarëve dhe me dhurimet e ndryshme, është krijuar një shumë gati një milion dollarë dhe po synohet të blihet një godinë kishe.

          Në vitin 2009 Tonyn e zgjodhën kryetar të Shoqërisë “Malësia e Madhe” me qendër në Toronto. Duke ia njohur kontributin në veprimtaritë shoqërore atdhetare, si një ndër demokratët e parë që në kohën e diktaturës, Shoqëria e të Përndjekurve Politikë me kryetar z. Kurt Kola, më 6 tetor 2015 i dha z. Tony Sufaj vlerësimin “PISHTAR I DEMOKRACISE”.

          Me formimin e degës së Shoqërisë “Vatra”, anëtarët e kësaj dege e zgjodhën Tony Sufajn kryetar të saj, detyrë të cilën ai e vijon edhe sot. Këtu në Toronto Tony punon në një restorant italian, kurse Maria mban një kompani pastrimi. Kjo familje ka katër fëmijë, tre vajza dhe një djalë. Vajza e madhe Kristina është studente në “Sheridan College”, vajza e dytë Albina, është po ashtu studente në “Toronto State University” për biznes administrim, kurse vajza e vogël Jozefina dhe vëllai i saj binjak Jozefi, janë nxënës në klasën e tetë.

          Tony me gjithë familjen e tij është ndër organizatorët e mbrëmjeve të Festës së Flamurit në Tornto, ku shkojnë qindra shqiptarë. Përveç vendlindjes, Tony kryen vizita dhe në Kosovë e Mali të Zi, ku bashkëpunon për gjallërimin dhe forcimin e shqiptarizmit. Miku i tij Monsinjor Dom Lush Gjergji e ka ftuar sivjet të marrë pjesë në Festën e përurimit të “Katedrales Shën Nënë Tereza”.

          Vitin e kaluar ai pati bërë një vizitë rreth e rrotul Kosovës nëpër pikat historike, të cilat i kishte fiksuar në fotografi. Disa prej tyre pata rast t’i shikoja gjatë takimit tonë në Second Cup 355 Danforth Ave. M’u kujtuan vizitat e mia me Julian në Prekaz tek Jasharajt, në Prishtinë te varri i Ibrahim Rugovës, etj. Por Tony kishte shkuar dhe në Boletin dhe në Mitrovicë, ku unë nuk shkova dot. Në Mitrovicë, Tony shkoi për të takuar në shenjë respekti Prof. Tef Vokrin, një i arratisur prej Vaut të Dejës që jetoi e punoi shumë vjet në Prishtinë si mësues e tani kalon vitet e pensionit në Mitrovicë për të mbajtur gjallë shqiptarizmin. Në Prishtinë ai u takua dhe me z. Ramush Haradinaj, sot Kryeministër i R. Së Kosovës.

          Gjestet e veprimet e Tonyt në të mirë të atdhedashurisë janë të shumta e nuk mund t’i përmendim të gjitha, por nuk mund të le pa përmendur përpjekjet dhe ndihmat e tij financiare për vendosjen e monumentit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut vepër e skulptorit Xhiku në oborrin e katedrales “Shën Pali”, monumentin e Shën Nënë Terezës tek vendi i shenjtë “MARRY LAND” pranë Torontos. Këtë monument e kishte realizuar skupltori nga Mitrovica Tol Istrefi.

          Tony është një humanist dhe dhurues bujar midis shqiptarëve të Torontos. Ai ka dhuruar shuma të konsiderueshme në mijëra dollarë për krijimin e kishës së Shën Palit, për monumentet e ndryshme dhe tani për krijimin e fondit “Misioni i Shën Nënë Terezës” dhe për monumentin e Shenjtores shqiptare në “MARRY LAND”.

          Kur i thashë:

          -“Të lumtë Tony, për veprimtarë dhe humanistë si ty ka nevojë forcimi i aktiviteteve kulturore të diasporës sonë në Amerikë”, ai m’u përgjigj me thjeshtësinë e një malësori të ndershëm: “Duhet të kisha bërë më shumë, sidomos në anën organizative. Dega jonë ka dy vjet që ka ngelur te numëri 23 anëtarë. Festojmë Ditën e Flamurit, por është e nevojshme të organizojmë edhe takime të tjera edukative dhe fondmbledhëse, etj…

* * *

          Një kënaqësi tjetër ishte njohja me mjekun, Prof. Asc. Lul Rrafshi, sekretar i degës i cili ka mbaruar studimet e larta për mjekësi. Ai është i ndryshëm prej Tony-t. Ai nuk flet shpejt e me patos, bie në sy për urtësinë e disa malësorëve, që flasin pa ngut, me një qetësi që të detyrojnë të dëgjosh me vëmendje ato që thonë.  Luli është prishtinas. Studimet e larta i kreu në Bukuresht për mjekësi. Aty ndoqi dhe studimet pasuniversitare për Radiologji. Kur filluan trazirat në Kosovë në vitin 1999 u kthye në Prishtinë për të qenë pranë familjes. Së shpejti Kosovën e vërshoi lufta dhe Luli me bashkëshorten e vet, zonjën Rabi, mbas disa vështirësish mundi të emigronte në Maqedoni, sepse kthimi në Bukuresht ishte i pamundur. Në kampin e refugjatëve u lindi, Nita. Oficerët e imigracionit Canadez i morrën dhe i dërguan në Kanada ku dhe u vendosën në qytetin Halifax. Këtu doktor Rrafshi filloi punën në borde të ndryshme si “Medical Council of Nova Scotia”, “Metropolitan Immigration and Settlement Association”, ku punonte me refugjatë dhe imigrantë nga e gjithë bota. Edhe puna vullnetare u bë një gjë e përditshme pë doktorin human në qytetin ku jetonte. Po aty ai trajnoi dhe disa përkthyes në fushën e mjekësisë, për të njohur termat mjekësore dhe fjalorin kryesor të anglishtes për ta përdorur gjatë takimeve të pacientëve të ndryshëm me mjekët. Për Gjyqin e Provincës Nova Scotia, doktor Rrafshi përgatiti në shqip dhe anglisht ligjin “Small Claim Court”.

          Për punët vullnetare, mjeku shqiptar fitoi çmimin e parë si “Vullnetari më i mirë i vitit 2003” për gjithë Provincën Nova Scotia, çmim të cilin deri atëhere e kishin fituar vetëm kanadezët, por jo ndonjë emigrant. Po këtë vit ai u integrua në sistemin mjekësor kanadez dhe filloi specializimin në fushën “Family Medicine”. Deri më sot në Kanada midis mjekëve që emigrojnë aty arrijnë të integrohen në sistemin kanadez vetëm 10-15% e tyre, të tjerët bëjnë punë të ndryshme.

          Doktor Luli mbasi mbaroi specializimin arriti të fitojë dhe titullin Adjunct Profesor (Profesor i Asocuar) dhe deri në vitin 2007 punoi në “Family Medicine” dhe në “Emergency Medicine” në Sydney Nova Scotia. Këtë vit ai vendosi që familisht të transferohej në qytetin London ON, ku kryen të njëjtën punë. Krahas punës në klinikë ai tani kryen punon dhe si trajnues i studentëve pranë “Medical University” në Community Medicine. Ai mban dy klinika mjekësore dhe një poliklinikë me shumë shërbime mjekësore.  

          Të gjitha këto arritje, thotë doktor Rrafshi, nuk do t’i kisha arritur pa ndihmën e së dashurës, gruas sime Rabi, arkitekte e diplomuar, e cila vendosi ta sakrifikojë specializimin e saj dhe të më mbështeste mua në fushën time të mjekësisë. Ajo vijon të udhëheqë punën në klinikat tona dhe biznesin tonë që zhvillojmë në fusha të tjera. Ajo gjithashtu është një nënë e mbrekullueshme, nënë dhe edukatore e tre fëmijëve: e vajzës Nita dhe djemve Graniti dhe Ariani.

          Luli dhe zonja Rabi për disa vite kanë dhënë ndihmesën e tyre si pjesë drejtuese e shoqatës shqiptaro-kanadeze “Iliria” në London ON së bashku me z. Besnik Rexhvelaj, president i kësaj shoqate. Po ashtu ata janë aktivizuar për krijimin e ekipit futbollistik “Albanian FC”, ekip i cili vijon të korrë suksese çdo vit me fitore duke marrë çimeve të ndryshme. Sekretar si Prof. Lul Rrafshi dhe nënkryetar si z. Llapshtica, Tonyit ia bëjnë të lehtë detyrën e kryetarit.

* * *

          Anëtari i kryesisë së degës së Vatrës Toronto ON, z. Besnik Rexhvelaj, është anëtar i kësaj dege që nga viti 2010. Ai u lind në Malësinë e Madhe pranë buzës së Liqenit të Shkodrës më 1967, kreu studimet e larta në UT, Fakulteti Ekonomik dega Financë më 1991. Ai ka një trup mbi mesatar dhe ka një karakter të afërt me toskët, ka pamjen e një burri energjik, bën shakara dhe flet shpejt, por me atë saktësinë që ia kërkon profesioni i ekonomistit të aftë.

          Ai ka qenë ndër nismëtarët e Lëvizjes së Dhjetorit 1990 dhe të formimit të Partisë Demokratike. Ardhja e familjes Rexhvelaj (Besniku, zonja Nora, djali Brendon dhe vajza Blerta) në Kanada u mundësua në shkurt 2002 si “Landed Emigrant”. Ndër hapat e parë të Besnikut, pas punësimit me orë të reduktuara në “TD Bank”, ishte evaluimi i diplomës së financierit pranë “Toronto University” duke ndjekur studimet mbasdite. Më tej ai përfundoi kursin e plotë për Investment Adviser pranë “Fanshawe College” dhe “Canadian Security Institute”. Në vitin 2005 ai filloi punën si Mortgage Agent në Mortgage Intelligence.

          Zoti Rexhvelaj shquhet për kërkesa ndaj shokëve e sidomos ndaj vetes. Në vitin 2012 ai përfundoi kursin e plotë për Mortgage Broker dhe sot ai ka një grup prej katër Mortgage Agents që punojnë në zyrën e tij. Gjatë viteve 2013, 2014 dhe 2015, kompania ku ai punon e përzgjodhi midis 3000 agjentëve të saj, si një ndër “mortgage broker-it” më të suksesshëm. Edhe bashkeshortja e tij zonja Nora (Kocaj) e diplomuar dhe ajo më 1993 pranë Fakultetit Ekonomik dega Financë e unifikoi diplomën në Kanada dhe tani ka marrë titullin “Certified General Accounting” (CGA). Që nga viti 2012, ajo punon pranë Bashkisë së qytetit London OT me detyrën Drejtoreshë e Financës. Të tillë prindër kanë rritur dhe fëmijë të suksesshëm. Brendon-i është student në vitin e tretë për Programim Kompjuterash, dhe kryen praktikën profesionale pranë një kompanie të madhe që merret me programimin e aparateve matës. Kurse Bletra ka përfunduar shkollën e mesme dhe në janar do të vijojë studimet për psikiatre pranë “Wester University”.

          Besnik Rexhvelaj është dhe kryetar i shoqërisë atdhetare “Iliria” me qendër në London ON të Kanadasë. Kjo shoqëri përbëhet nga emigrantë shqiptarë nga të gjitha krahinat shqiptare brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo ka në emblemën e saj flamurët e dy shteteve shqiptare si dhe portretet e dy figurave kryesore që përfaqësojnë botën tonë: Gjergj Kastriotin Skënderbeun dhe Shenjtoren Nënë Tereza. Kur e pyeta, pse nuk e ktheni shoqërinë “Iliria” në degë të shoqërisë Vatra, Besniku m’u përgjigj:

          “Shoqëria ‘Iliria’ ka program të ngjashëm me shoqërinë “Vatra”, por sot për sot mendojmë se është më mirë ta forcojmë e zgjerojmë ashtu si është. Ndërkohë synojmë të krijojmë një degë të Vatrës në London, mbasi në këtë qytet jemi 3000 shqiptarë. Iliria mbledh anëtarë të të gjitha bindjeve politike, kurse Vatra anon nga e djathta”.

          * * *

          Të nesërmen më 27 gusht unë me Julian kryem një vizitë respekti tek varri i kushëririt të saj, të ndjerit këngëtar Kristo Kardhashi (Christo Cardassis), një minoritar grek me origjinë nga Lefterhori i Sarandës, i cili kishte vdekur një vit e gjysëm më parë, por ne nuk kishim pasur rast të merrnim pjesë në varrimin e tij. Në Vorezat shkuam bashkë me zonjën Petra, bashkëshorten e tij, një hebre gjermane. Kjo familje nuk lindi fëmijë dhe tani zonja Petra jeton e vetme. Si mik i saj erdhi në këtë ceremoni ing. Bujar Sinoimeri, një burrë i urtë me origjinë nga Gjinokastra, i lindur në Sarandë, që ka emigruar në Toronto, ku punon si ingjinier programues prograsmesh kompjuterike në firma Rogers. Në këtë profil punon edhe djali i z. Bular, i diplomuar në Kanada.

          Bujari kishte marrë pjesë dhe në varrimin e z. Kristo dhe kishte bërë fotot e rastit, një kujtim i paharruar. Ai shkoi në atë varrim për të plotësuar porosinë e mbesës së Kristo Kardhashit, zonjës Varvara Gjini dhe vajzës së saj, me të cilën Bujari ruan shoqërinë që nga vitet e shkollës së mesme.

          Gjatë bisedave me Bujarin rra fjala për degën e shoqërisë “Vatra” në Toronto dhe anëtarët e saj. U gëzova kur dëgjova se ai kishte respekt për këtë shoqëri.

          -”Vatrës i jemi borxh për gjithë atë veprimtari patriotike në të kaluarën edhe për ato që bën sot në të mirë të popullit shqiptar kudo ku ky jeton”, tha Bujari në përfundim të bisedës.

         

Comments

comments