NJË E DIELË TEK “BIJTË E SHQIPES”

Nga Vasil Filipi  

          

Po bëja kohë që nuk kisha qenë tek shoqata “Bijtë e Shqies”. Puna, shkolla e fëmijëve, hallet dhe problemet e familjes ishin shkaku i kësaj shkëputje, prandaj vendosa që të dielën që po afrohej të shkoja tek ata. E dija qysh më parë që ditët e mërkurë, të shtunë dhe të dielë, në godinën e shoqatës, gjen anëtarë të këshillit drejtues, por vendosa të shkoj të dielën për arsy se në këtë ditë bën mësimin shkolla shqipe.              
            I hipa autobusit dhe zbrita në stacionin që është pranë shoqatës. Ato 150 deri 200 metër largësi që ndajnë stacionin ku zbrita, me godinën e shoqatës, i bëra në këmbë. Sëlargu vura re dy flamujt, atë amerikan dhe shqiptar që valviteshin mbi ndërtesë, dy simbole të dallushme që të lënë të kuptosh, për të gjithë kalimtarët, se në atë godinë zhvillon veprimtarinë një shoqatë Shqiptaro-Amerikane, Shoqata “Bijtë e Shqipes”, emri i së cilës lexohet qartë në tabelën e vendosur mbi hyrjen e godinës.       
            Dera e Qendrës Kulturore ose “Shtëpia e Shqiptarit” siç ia kanë vënë emrin bashkatdhetarët e Komunitetit Shqiptar të Filadelfias, ishte e mbyllur. Të paktën kështu dukej nga larg, çka më bëri të dyshoj se ndoshta këtë të dielë, shkolla mund të kishte pushim. U gabova sapo vura dorën mbi dorezën e derës, kur dëgjoj zërat e fëmijëve që këndonin Himnin Kombëtar.    


            Hapa derën me kujdes dhe pashë brenda grupin e fëmijëve, që me pëllëmbën e dorës së djathtë të vendosur pranë zemrës dhe me vështrimin nga qoshja e sallës, ku është vendosur flamuri shqiptar, sapo përfunduan së kënduari: “….Kush është burrë nuk friksohet/por vdes, por vdes si një dëshmor”. Në përfundim gjithë grupi duartrokiti. Duartrokita edh unë.         
            Mbas përfundimit të himnit, grupi u shpërbë në grupe më të vegjël, e me në krye mësueset, morën drejtimin për në klasat e tyre. Në sallën kryesore ngeli pjesa më e madhe e fëmijëve, të cilët u ulën pranë tavolinave të ndarë në dy grupe, ai i klasës së tretë dhe ai i klasës së dytë. Fëmijët e klasës së katër e të pestë zbritën poshte në sallën e bibliotekës së librit shqip “Prof. Anastas Dodi”, kurse ata më të vegjëlit, të klasës së parë, u ngjitën shkallëve për në katin e dytë.        
            Takuam disa nga anëtarët e këshillit drejtues që ishin aty në atë çast si: Tajar Domi, kryetari i shoqatës, Llazar Vero, Dritan Matraku, n/kryetar i dytë, Bujar Çela, Vlashi Fili, sekretar i shoqatës, si dhe prindërit: Milot Rukiqi, Fitim Hamza apo edhe Denis Çela, të cilët mbasi sjellin fëmijët në shkollë, për shkak të distancës së largët që banojnë, nuk largohen, por qëndrojnë aty deri në përfundim të mësimit.           
            Për të mos prishur qetësinë e mësimit dhe për të biseduar qetë, na ftojnë që të ulemi në klubin e shoqatës. Atje përpara një filxhani me kafe apo edhe një godë raki, që na i server me shumë kultutë z. Llazar Vero, fillojmë bisedën. Në krye të lokalit një televizor i madh, trasmetonte një kanal televiziv shqiptar. Duke zhvilluar bisedën me pyetje e përgjigje mësuam mbi organizimin dhe veprimtarinë e shkollës shqipe, në drejtim të cilit më pëlqente të dëgjoja më tepër. 
            Është i treti vit, që me propozim të mësueseve dhe miratim të tonë e të prindërve, kemi shtuar kohën e mësimit në shkollë, nga dy në tre orë. Kështu që tani mësimi fillon në ora 9 e 30 minuta dhe përfundon në ora 12 e 30 minuta, – filloi të më tregonte z. Tajar Domi, dhe më tej vazhdoi. Siç e dini, shkolla shqipe “Gjuha jonë” zhvillon mësimet në ciklin 5vjeçar, sipas klasave, nga e para, ajo e abetares, deri në të pestën, me programe të rregullta sipas lëndëve që zhvillojnë, për të cilat nxënësit, në fund të vitit shkollor testohen dhe vlerësohen:  
            Klasa e parë, abetare dhe këngë. 
            Klasa e dytë, lexim, njohuri fillestare në gjuhën shqipe dhe këngë.  
            Klasa e tretë, si klasa e dytë por më të avancuara.       
            Klasa e katërtë, lexim, gjuhë shqipe, njohuri mbi historinë dhe këngë.        
            Klasa e pestë, Lexim, gjuhë shqipe, histori dhe bashkëbisedim.         
            Një rëndësi të madhe mësueset i kushtojnë mësimit të vjershave dhe këngëve, të cilat përbëjnë edhe pjesën kryesore të programit që fëmijët tregojnë para prindërve në festat e fundvitit, për ato të 7-8 Marsit, festës së mësuesit dhe të nënës, si dhe në mbyllje të vitit shkollor kur shpërndahen dëftesat. Po qe se do të jeni mbas një jave, do të shikoni ato që fëmijët kanë përgatitur për festat e 7-8 Marsit
, – na ftoi z. Tajar. 

            Në përfundim të orarit të mësimit, një grup i zgjedhur i fëmijëve, që përbëjnë grupin artistik të shkollës, nën drejtimin e mjeshtrit, kompozitorit Hamdi Gjana, mësojnë këngët që z. Hamdi përgatit vazhdimisht për ta. Ky grup përfaqëson shkollën në festivalin e fëmijëve në Nju Jork, si dhe jep shfaqe në përfundim të vitit shkollor dhe në mbrëmjen festive të Pavarësisë së Shqipërisë.   
            Çdo muaj ne kemi caktuar një anëtarë të këshillit drejtues që kujdeset direkt për shkollën, pret e përciell fëmijët si dhe interesohet për ndonjë problem që mund të dali gjatë mësimit. Ja në këtë muaj e ka këtë detyrë z. Dritan Matraku. Kjo nuk do të thotë që të tjetrët nuk janë pranë shkollës çdo të dielë.
    

            Në bisedë e sipër vijnë edhe anëtarët e tjerë të këshillit drejtues, Sadik Elshani, Haki Çollaku, apo edhe Bashkim Bërdufi.       
            Ka prindër që janë larg prej këtu, – tregon z. Llazar Vero dhe mbasi sjellin fëmijët, nuk largohen, por qëndrojnë këtu deri në përfundim të mësimit. Gjatë kësaj kohe pijnë një kafe në lokalin tonë, apo shijojnë edhe ndonjë diçka tjetër si dhe shkëmbejnë biseda me ata që ndodhen aty. Pëveç këtyre, ka prindër që ose qëndrojnë mbasi sjellin fëmijët e pijnë një kafe e pastaj largohen për të ardhur përsëri në ora 12 e 30 minuta, ose vijnë para përfundimit të mësimit, e shijojnë kafenë, në pritje për të marë fëmijët. Për këtë qëllim shërben kjo sallë për të cilën e ngritëm para disa vitesh.    
            Zakonisht ne jemi këtu, të mërkurave, të shtunave dhe të dielave, vazhdon të tregojë z. Llazar. Këto janë tre ditë kur Qëndra Kulturore është e hapur për të gjithë, por kjo nuk do të thotë që nuk e hapim edhe në ditët e tjera, kur vijmë për punë e probleme të ndryshme të shoqatës. Orari përgjithësisht është ai që kemi edhe për shkollën shqipe, ditët e diela.
            Ndërkohë para se të fillonte pushimi, midis orëve të mësimit, erdhi dhe z. Bujar Gjoka, n/kryetar i parë dhe përgjegjës i financës së shoqatës. Ai solli disa ushqime dhe pije që kishte blerë për fëmijët.   
            Në pushimin midis orëve të mësimit, – filloi të tregonte ai, – ne u japim diçka fëmijëve, një pako të vogël me biskota, një vafer, ndonjë çokollatë si dhe ndonjë shishe ujë apo lëng frutash. Fëmijët e dinë këtë dhe sapo mësuesja njofton pushimin, ata afrohen pranë tavolinës ku janë përgatitur më parë ato që do u shpërndahen atyre. Për këtë interesohet ai që ka muajin e kujdesit të shkollës por edhe z. Tajar Domi, Llazar Vero si dhe ndonjë prindër, ku dallohet Milot Rukiqi apo edhe Fitim Hamza, që nuk përtojnë asnjëherë për t’u shërbyer fëmijëve. Në çdo fund muaji festojmë datëlindjet e atyre fëmijëve që e kanë patur atë festë, gjatë atij muaji. Për këtë shoqata jonë përgatit një tortë të madhe, ku sipër shënohen emrat e fëmijëve që kanë datëlindjen, por edhe prindërit e fëmijëve japin ndihmesën e tyre.      
            Në pushimin midis orëve të mësimit, u prish qetësia në Qendrën Kulturore. Fëmijët nga të gjitha klasat, u mblodhën në sallën kryesore. Kishin festimin e datëlindjes katër fëmijë: Amalia Molla, Aiden Sanxhaku, Elio Lefta dhe Vanesa Agolli. Femijet rrethuan bashkënxënësit e tyre që kishin datëlindjen dhe filluan këngën “Shumë urime për ju…..”. Mbas shuarjes së qirinjve z. Bujar Gjoka shpërndau dhuratat që ishin përgatitur për tad he pastaj të gjithë bashkë shijuan edhe tortën e datëlindjeve.
            Në pushim takuam edhe me grupin e mësueseve, që bisedonin dhe tregonin diçka nga ora e mësimit apo edhe shkëmbenin përvojën. U afruam tek grupi i tyre. Ishin Raimonda Bardhi, Kozara Doko, Irini Zenelaj, Shpresa Rama, që kanë vite që japin mësim në këtë shkollë, por edhe e reja Elvana Pone.           
            Sa bukur dhe emocionuse është kur dëgjon këta fëmijë të shkollës “Gjuha Jonë” të flasin drejt e pa gabime gjuhën shqipe, – filloi të na tregojë zonja Raimonda Bardhi, një nga mësueset më të vjetra dhe drejtore e kësaj shkolle. Por më bukur është kur shprehen nëpërmjet rrecitimeve me ndryshime të zërit, duke përciell të gjalla ato ndjenja dhe kulturë të trashëguara nga të parët tanë, nga pena e artë e Naimit, Migjenit, Gjergj Fishtës, Asdrenit,etj. Me të drejtë krenohemie themi: “Kemi bërë detyrën më humane në botë, duke përciell vlerat më të vyera të identitetit dhe kombit tonë, e ia lëmë trashëgim këtyre ëngjëjve për ta çuar më tej në rrugën tonë të diturisë.     
            Menduam të vizitonim edhe fëmijët në klasat e tyre. Në klasën e parë ku jep mësim mësuesja Irini Zenelaj, nxënësit po përgatisnin tre këngët e programit për festën e 7-8 Marsit. U ulëm në një nga bangat e klasës dhe ndoqëm përgatitjen e tyre. Nuk kisha si të mos emocionohesha, kur fëmijët këndonin në shqip aq bukur dhe me shoqërimin me duar që i bënin këngës, të kënaqnin pa masë. U bëra një foto dhe mbasi falenderuam mësuesen Irini, për pasionin që tregon ndaj fëmijëve, dolëm nga klasa me mbresat më të mira. Më klasat e dytë, të tretë, të katërtë e të pestë, ndoqëm për pak çaste mësimet në to dhe bëmë foto të fëmijëve duke ndjekur mësimet.  
            Siç na tha sekretari i shoqatës, vitet e fundit, numëri i nxënësve që ndjekin shkollën “Gjuha Jonë” është në shifrat 50 deri 60. Në vitin që po vazhdojmë janë rregjistruar 52 fëmijë. Por ne jemi të pakënaqur me këto shifra dhe duam të kemi sa më shumë fëmijë, mbasi numëri I familjeve shqiptare në Filadeffia I kalon 5.000. Deri sot nga kjo shkollë kanë përfunduar ciklin 5vjeçar rreth 600 fëmijë, shumica të lindur këtu, në Amerikë dhe që në përfundim të shkollës kanë marë dëshmine përkatëse.    
            Më tej ai vazhdon. E rëndësishme është që të flitet shqip në familje, mbasi në të kundërt edhe ajo që mësohet në shkollën tonë, harrohet në vitet në vazhdim.    
            Ai më tregoi edhe një poezi që kishte bërë duke u nisur nga pohimi që tha më sipër. E quajtëm me vend ta vendosnim në këtë reportazh.     

            FLISNI SHQIP. Jam i vogël, jam fëmi/Kam nevojë për ndihmën tuaj/Që në fis me njerëzit e mi/Mos ta kem si gjuhë të huaj/Shokëve dua që t’u them/Kjo është gjuhë e nënës time/Dhe krenar për ju të jem/Për së gjalli e ne kujtime/Ndaj ju prindër u kërkoj/Në shtëpi të flisni shqip/Që dhe unë ta mësoj/Ta mësoj e mos ta harroj.        
            Koha e mësimit mbarroi dhe fëmijët një e nga një, së bashku me prindërit e tyre u larguan nga shoqata. Qendra Kulturore ra përsëri në qetësi.
            U përshëndetëm me anëtarët e këshillit drejtues të shoqatës dhe u larguam me mbresat më të mira për këtë shkollë shqipe, që vazhdon pa ndërpreje, qysh prej 13 vitesh të “ushqejë” fëmijët e komunitetir shqitar në Filadelfia me një “ushqim” të veçantë, gjuhën shqipe. Urimet më të mira për këtë shkollë dhe Shoqatën “Bijtë e Shqipes” që kujdeset për të. Pastë jetën e suksesshme dhe sa më të gjatë.


                                                            Vasil Filipi   
            Filadelfia, 26 Shkurt 2017

Comments

comments

-----