Nga
rrëfimi i çasteve të jetës së përditëshme e sidomos të atyre më të
vështira ngrihet lart figura e Nanë Drandes: shembulli i parë i Gonxhes
së re në rrugën e përkushtimit ndaj më të varfërve të të varfërve.
Shkrimi ka ditur të paraqesë mirë edhe aspekte të tjera të veprimtarisë
së Nënë Terezës. Në pak fletë autori nxjerr në pah vrrullin e madh
shpirtëror të Nënë Terezës, fuqinë e mirësisë dhe dashurisë të saj.
Për herë të parë flet Lazër Bojaxhiu, vëllai i misionares të nderuar me çmimin Nobel për paqen
NËNË TEREZA, IME MOTËR
Lazër
Bojaxhiu jeton prej tridhjet vitesh në Palermo: u largua nga Shqipëria
në kohën e fashizmit, mbas pushtimit italian dhe ka qenë i dënuar me
vdekje si 'kriminel' nga një gjykatë në Tiranë. - "Prej kohe e kam
respektuar dëshirën për përmbajtje të Nënë Terezës" thotë, "por tani
vendosa të flas: bota duhet të njohë mizorinë e regjimeve komuniste" -
"Megjithë ndërhyrjet e politikanëve të gjithë kombësive pranë qeverisë
shqiptare nëna jonë vdiq pa mundur ta përqafojmë edhe një herë as unë e
as ime motër". - "Nënë Tereza i ka falur, por është mirë që të gjithë
ta njohin dramën tonë".
nga
Gaetano Salimbeni, në bazë të bisedës me Z. Lazër Bojaxhiu në Palermo,
dhjetor, 1979; botuar në GENTE (NJERËZ) - dhjetor 1979 (n. 52) dhe
janar 1980 (n.1) (Përktheu shqip dhe pajisi me shënime Pandeli Pasko Kuteli)
Ka
një dramë të fshehtë në jetën e Nënë Terezës të Kalkutës, të cilën nuk
e ka ditur asnjeri dhe mbi të cilën ajo nuk ka dashur të flasë kurrë.
Nuk mundi të përqafojë edhe një herë nënën plakë në shtratin e vdekjes.
Është një dramë që e ka jetuar në heshtje duke e ndarë vuajtjen me të
vetmin njeri që i ka mbetur nga familja: me të vëllanë. Pikërisht i
vëllai na e zbulon këtë. "E di se Nënë Terezës nuk do t'i pëlqejë t'i
lexojë këto gjëra nëpër gazeta", thotë Lazër Bojaxhiu. "Ajo ka qenë
gjithnjë aq e përmbajtur e madje edhe është drojtur të flasë për
familjen e vet. "E ç'janë ankthet tona të vogla përpara tragjedisë së
miliona qenieve njerëzore të cilët vdesin çdo ditë për bukë?" më thosh
gjithnjë. Për vite të tërë ia kam respektuar këtë dëshirë përmbajtje
dhe ia kanë respektuar sidomos politikanët të cilëve Nënë Tereza u
fliste për nënën e saj duke u kërkuar të bënin diçka. Dhe këta ishin
Kenedë-t dhe De Golë-t. Asnjeri nuk ia doli dot. Ja, shkruaje këtë:
motrës të vogël e të përulur e cila u pat ardhur në ndihmë miliona të
braktisurve, ajo që u ka dhënë dashurisë dhe solidaritet njerëzor aq
shumë njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t'i qëndrojë mbi krye të
shtratit të vdekjes nënës së vet. Dhe kjo grua e gjorë vdiq e
dëshpëruar duke shtrënguar në kraharor një fotografi të vjetër të
njomur me lotë. Shkruaje: kështu vdesin në një vend komunist, në
Shqipëri".
Lazër
Bojaxhiu, qytetar shqiptar, 71 vjeç jeton prej tridhjet vitesh në
Palermo, ku është drejtor i degës siçiliane tënjë enti farmaceutik.
Është refugjat politik. La Shqipërinë nën fashizëm mbas pushtimit
italian dhe ishte oficer në ushtrinë italiane. Një gjykatë e Tiranës e
ka dënuar me vdekje si 'kriminel'; pra në se kthehet - e vrasin. Nëna e
tij vdiq në Tiranë më 1974. Ishte 83 vjeçe.
E FSHEHTA E TMERRSHME
"Dua
së pari të sqaroj një pikë" thotë vëllai i Nënë Terezës. "Ne jemi
shqiptarë, jo jugosllavë si shkruajnë nga pak gjithë gazetat e botës.
Keqkuptimi ka ardhur nga që Shkupi, qyteti ku jemi lindur, më parë
ishte shqiptar dhe pastaj i kaloi Jugosllavisë. Po ne të gjithë
vazhdojmë të flasim shqip dhe motra ime (e cila di edhe anglisht dhe
pak frëngjisht) letrat m'i shkruan shqip." "Andrallat për familjen
tonë", kujton Zoti Lazër "filluan pikërisht nga kjo luftë mes
Jugosllavisë dhe Shqipërisë për zotërimin e Kosovës, krahinës ku
ndodhet Shkupi dhe që nga sipërfaqja është më e madhe se gjithë
Shqipëria e sotme. Babai ynë Nikoll Bojaxhiu, i cili ishte tregtar i
kamur dhe kishte edhe një sipërmarrje ndërtimi (pat ndërtuar teatrin e
parë në Shkup), ishte i angazhuar edhe politikisht: kuptohet, përpiqej
për të drejtat e popullsisë së Kosovës, e cila ndjehej dhe dëshëronte
të mbetej shqiptare. Është e qartë se kur erdhën jugosllavët iu desh të
vuante gjithë llojet e shpagimit dhe hakmarrje. Vdiq i helmuar më 1919,
gati 46 vjeç. Dhe është e qartë, edhe pse nuk thuhet në asnjë
çertefikatë mjekësore, u helmua nga jugosllavët".
Më
1919, vitin e vdekjes së Nikoll Bojaxhiut, e ardhëshmja motër Tereza
(emri i pagëzimit të së cilës është Gonxhe, përkthyer italisht Agnese -
Anjeze) ishte 9 vjeç me që pat lindur më 27 gusht 1910; Lazri, vëllai
ishte 11 vjeç dhe 13 vjeç motra e madhe Agata (vdekur më 1976, dy vjet
mbas së ëmës, edhe ajo e vetme dhe e dëshpëruar). Është pikërisht kjo
drama të cilën motër Tereza e jetoi në heshtje për shumë vite: vdekja e
nënës dhe motrës. Lazër Bojaxhiu nuk do të dëshironte të shtonte gjë
tjetër asaj që pat thënë: "E di se po hap një plagë ende të pambyllur
në zemrën e Nënë Terezës dhe që do të mund të mbyllet me vështirësi,
por është e nevojshme që njerëzit ta dinë si është vdekja në këtë vend.
Në se vendosa ta zbuloj të fshehtën e tmerrshme (mund ta kisha bërë
qysh në Oslo gjatë ceremonisë të dorëzimit të çmimit Nobel nënë
Terezës), e bëj veç për këtë: dëshëroj që popujt e gjithë botës t'i
hapin mirë sytë".
"TË KALLURA NË DHE TË GJALLA"
Quhej
Drande (emër lule - drandofile) nëna e Agatës, Lazrit e Gonxhe
Bojaxhiut. "Ish një grua me karakter të jashtëzakonshëm", kujton i
biri. "Shkatrrimi ekonomik që pësuam mbas vdekjes së babait nuk e
ligështoi. Nuk mundi të rifillojë veprimtarinë e dëmtuar, por filloi
menjëherë një veprimtari tregtare me mjaft t'ardhura: atë të qilimave,
qëndisjeve dhe prodhimeve të tjera të artizanatit vendas, që lulëzonte
në gjithë vendin. Fundja, u bë nënë e babë bashkë. Dhe këtë punë
vazhdoi ta bëjë për shumë vite, sa kohë që familjes iu desh puna e saj.
Pastaj lufta (lufta e dytë botërore), shkatrrimi i dytë. Nga Shkupi
nëna dhe motra që tashmë kishin mbetur vetëm, mbasi Goxhja ishte tashmë
në Indi dhe unë në Itali, u shpërngulën në Tiranë. Dhe atje, me ardhjen
në fuqi të komunistëve mbetën "të kallura në dhe të gjalla". Kufijtë u
mbyllën pa asnjë mundësi komunikimi me ne për të paktën dhjetë vjet.
Pastaj, më në fund, një shenjë jete me një letër e cila më mbrriti në
Itali, në Palermo. Iu përgjigja, ju dhashë lajme për mua e për Nënë
Terezën. Ishte gjë e madhe që po mund të komunikonim. Ato na shkruan
përsëri. Por egjimi komunist i Tiranës nuk toleron t'u shkruash më
shumë se një letër në muaj të dashurve të tu që ndodhen jashtë shtetit
dhe përveç kësaj, letrat si në dërgim ashtu edhe në mbrritje duhet të
kalojnë nëpërmjet censurës së Shtetit".
Nënë
Tereza (kështu e quan i vëllai apo thjesht "nëna") i pati hedhur
ndërkohë themelet e asaj që do të shndrrohej në "organizatën ndihmëtare
më frytdhënëse në botë". Vetëm me forcën e saj të madhe që ish forca e
dashurisë. "Përballë kësaj motre të përulur me zemër aq të madhe", pat
thënë Indira Gandi, "të gjithë ndjehemi të vegjël e të turpëruar nga
vetja jonë". Tashmë Nënë Terezës i hapeshin gjithë dyert: Kenedi, De
Goli, mbreti Gustav Adolf i Suedisë, ishin jo vetëm përkrahës të
veprës, por edhe miq të saj. Dhe atyre Nënë Tereza mundi t'u drejtohet
për t'u kërkuar t'i shkëpusë motrën dhe të ëmën nga një rregjim i
pamëshirshëm, i cili ua bënte të dëshpëruar vetminë.
"U takuam në Romë më 1960" kujton Lazër Bojaxhiu.
"Nënë
Tereza kthehej nga Shtetet e Bashkuara dhe unë që nuk e shihja prej kaq
vitesh pata dëshirë të shkoj e ta përshëndosh në aeroport duke u
përzier me turmën e vogël të motrave që po e prisnin. U përqafuam
gjatë-gjatë, me dashuri, po askush nuk na njohu për vëlla e motër: ajo
aq e vogël dhe e hajthme, unë të paktën dyfish i gjatë. Me mua ishin
edhe ime shoqe dhe ime bijë që nuk e kishin takuar asnjëherë. "I
thashë: "Nënë, duhet të bëjmë një gjë për këto gra të mjera që rrojnë
aty në Shqipëri". M'u përgjegj: "Ki besim, tani diç mund të bëj. Kam
shumë miq në gjithë botën që mund të më ndihmojnë". "Ndenjëm katër ditë
në Romë" kujton përsëri i vëllai. "Unë në hotel, ajo në kolegjin e
motrave. Rrinim bashkë disa orë në ditë, hanim drekë në hotel dhe një
herë edhe në kolegjin ku qëndronte. Ajo kish shumë punë, takime në
çfarëdo orë. Nuk arrita të kuptoj kurrë ku e kishte aq forcë një grua e
vogël me pamje aq të brishtë. Ajo thosh gjithnjë: "E kam nga Zoti këtë
forcë". I ktheheshim bisedës për nënën. Shkruajtëm bashkë nga Roma.
"Shiko se do t'ia dalim ta nxjerrim nga Shqipëria", vazhdonte të më
siguronte. Dhe unë mendoja si do t'u përgatisja një qoshe në shtëpinë
time në Palermo, ku mund të vendoseshin e të jetonin më në fund të
qeta. Në Palermo Nënë Tereza do të mund t'i takonte shumë lehtë.
"GËNJESHTËR"
"Kaluan
vite, u takuam edhe herë të tjera, përsëritëm të njejtat biseda, ndërsa
letrat që vinin nga Shqipëria kishin gjithnjë e më shumë ankth. "Dua
t'u shoh përpara se të vdes: është e vetmja lutje që i bëj të madhit
Zot", shkruante nëna. "Në jetë", më thoshte më pas Nënë Tereza në një
nga takimet tona, "kam arritur gjithë ç'kam dashur vetëm me forcën e
dashurisë; por ama ka pengesa të cilat mjerisht dashuria nuk arrin ende
t'i kapërxejë". E hidhte fjalën tek përpjekiet e bëra nga Kenedi, nga
De Goli, nga mbreti Gustav Adolf i Suedisë, të cilat dolën të kota.
"Di
se në veçanti ministri i atëherëshëm i jashtëm francez Kuv dë Myrvil
pat bërë hapa konkrete ndaj kolegut të vet të Tiranës: Shqipëria,
asohere aleate e Kinës, synonte të hapej me drojtje ndaj Perëndimit dhe
qeveria frënge dukej e prirur për të filluar dialogun. A nuk ishte pra
rasti më i mirë për të zgjidhur çështjen e nënës dhe motrës të motër
Terezës! "Por as kësaj here nuk u arrit ndonjë gjë. Ministri i jashtëm
frëng pati këtë përgjigje nga kolegu i tij shqiptar: "Zonjat Drande dhe
Agata Bojaxhiu nuk janë në gjendje fizike që lejon një udhëtim jashtë
shtetit"1). Ishte gënjeshtër. Nëna dhe motra nuk ishin të sëmura, nuk
kishin rënë në shtrat. E vetmja sëmundje e tyre ishte vetmia,
dëshpërimi. Dhe vdiqën të dyja të dëshpëruara: nëna më 1974, motra
Agata pas dy vitesh".
"TË DISH TË FALËSH"
Kujtime
të tmerrëshme, të cilat na u shfaqën në mënyrë dramatike edhe në
mbrëmjen e ceremonisë për dorëzimin e Nobel-it në pallatin e madh të
Stokholmit. "Isha gati duke i nxjerrë në shesh të gjitha me gazetarët",
thotë Lazër Bojaxhiu. "U bllokova nga buzëqeshja e Nënë Terezës. Ajo
është gjithnjë e prirur ndaj faljes dhe i tashmë i ka falur". Ju
buzëqeshi të gjithëve motra e përulur, e cila as në ceremoninë zyrtare
nuk hoqi dorë nga nga sari i saj i bardhë prej pambuku me anë ngjyrë
qielli, kapur në supe me një kryq. I buzëqeshi mbretit të ri të Suedisë
(nip i mikut të saj të madh Gustav Adolf), u buzëqeshi dinjitarëve të
Oborrit, anëtarëve të Akademisë, duke i falenderuar për nderin e madh
që i patën bërë. "E di mirë" e saktësoi "se ky nuk është çmim për mua,
se gjithë këto miliona nuk di fare ç't'i bëj, meqë gjithnjë kam jetuar
në varfëri, po është për punën time, dhe për punën time këto miliona
nuk mjaftojnë. Sidoqoftë unë do t'i shpenzoj shpejt, i kam bërë tashmë
programet; e di se të tjera do të vijnë nga gjithë bota". Nuk pranoi as
drekën zyrtare. "Paratë që keni shpenzuar për darkë, në se doni, mund
t'ua jepni fëmijëve të mij". Ia dhanë. Dhe doli nga skena buzëqeshur,
si pati hyrë. Vëllait (dhe mbesës që e shoqëronte) para se të ndahen i
tha: "Dashuria, kujtoje, do të thotë edhe, dhe mbi të gjitha, të dish
të falësh".
PJESA E DYTË
KUR IME MOTËR ISH 18 VJEÇ
"Në
këtë moshë Gonxhja vendosi të bëhet murgeshë: u nis për Irlandë dhe
mbas një viti ishte në Indi me emrin motër Tereza." - "Shembulli i
nënës sonë ishte pa tjetër vendimtar për thirrjen që ndjeu Gonxhja: që
kur ishte vajzë ndihmonte të varfërit, iu shpinte përditë për të
ngrënë". "Nënë Tereza", thotë i vëllai Lazër "i ka falur vrasësit e
prindërve tanë, ndërsa unë nuk di në se do të mund t'i fal ndonjëherë.
Ajo ka forcën e madhe të dashurisë që e mban, në saje të së cilës ka
kapërxyer aq shumë çaste të vështira dhe fituar aq shumë beteja. "Të
duash, kujtoje mirë o vëllai im" më thosh gjithnjë " do të thotë edhe
të dish të falësh". Ma tha edhe mbrëmjen kur i dhanë Çmimin Nobel në
Stokholm dhe unë pyes veten në se do të mund ta kem atë forcë. Do t'i
kërkoj ndihmë asaj në se do që edhe unë t'i fal..." Për Nënë Terezën e
Kalkutës janë shkruar shumë libra: për punën që bën sot e 40 vjet "në
mes të më të varfërve të të varfërve të botës"; për shtëpitë që ka
hapur, të cilat nga Italia u shtrinë në gjithë kontinentet, për
fjalimet që mban, letrat, meditimet, mësimet. Por ne kemi ditur shumë
pak për jetën e saj. "Nënë Terezës nuk i pëlqen të flasin për të" kanë
thënë gjithnjë biografët. "M'u lut të mos bëj asgjë që do të
përfundonte si biografi", ka shkruar englezi Malkolm Magerixh (Malcolm
Muggeridge) në parathënien e librit Një gjë të bukur për Zotin.
"JETA E KRISHTIT"
Askush
nuk ka cekur ndonjëherë "të vërtetat e tmerrshme" të cilat Nënë Tereza
i ka ruajtur në zemrën e vet për kohë të gjatë, duke vuajtur në
heshtje: vdekja tronditëse e babait, i helmuar nga jugosllavët dhe
fundi i dëshpëruar i nënës të cilën rregjimi komunist shqiptar nuk e
lejoi të përqafonte bijtë para vdekjes. Për këtë për herë të parë foli
i vëllai për revistën tonë. Dhe tani për shumë biografë do të jetë
mbase më e vështirë të kuptojnë ku e gjen forcën e vet kjo "motër e
jashtëzakonshme e vogël e cila është zhytur aq shumë në tiparet e të
përbashkëta të njerëzimit sa që është identifikuar me vuajtjen
njerëzore". "Sipas meje bota sot është e pështjelluar dhe vuan shumë",
ka thënë shumë herë Nënë Tereza duke iu folur misionareve të dashurisë,
urdhër i krijuar prej saj më 1950 "sepse në vatrat e shtëpive dhe në
jetën e familjes ka me të vërtet pak dashuri. Nuk kemi kohë për
fëmijët, nuk kemi kohë për njëri tjetrin, nuk kemi kohë as t'i gëzohemi
njëri tjetrit. Mendoj se në se do të mundnim veç t'i sillnim përsëri në
jetën përditëshme atë jetë që bënin Krishti, Maria dhe Josifi në
Nazaret, në se do t'i bënim shtëpitë të tona tjetër Nazaret, në botë do
të mbretëronin dashuria dhe gëzimi...".
___________
1)
Pjestarë të shërbimit diplomatik amerikan, francez, suedez e sidomos
shqiptar të asaj kohe mund të japin dëshmi historike për negociatat e
rastit; pala shqiptare e shërbimit të jashtëm dhe e mbikqyrjes së
brendëshme mund të japë të dhëna të drejtpërdrejta, p.sh. nga dhe si
erdhi urdhëri për të lejuar letërkëmbimin, për ta ndërprerë e sidomos
për të mos lejuar largimin e dy grave të gjora. (sh.p.)
Nazareti
i Nënë Terezës ish Shkupi, një qytezë e krahinës shqiptare të Kosovës,
e cila i kaloi Jugosllavisë më 1909, pak para se ajo të vinte në jetë.
Në familjen e saj kish dashuri dhe gëzim e jo varfëri Nazareti. Babai,
Nikoll Bojaxhiu, ishte tregtar i kamur lënde ndërtimi; nëna, e cila
quhej Drande (emër lule në Shqipëri), vinte edhe ajo nga një familje në
gjendje të mirë: Agi (italisht Agata), e madhja; Lazër, i vetmi
mashkull dhe Gonxhe (italisht Agnese), e ardhmja Nënë Terezë. Gonxhja
lindi më 27 gusht 1910, vëllai më 1908, motra më 1906.
TË SHTATË JETIMËT
"Një
familje jashtëzakonish e lumtur", kujton Nënë Tereza. "Unë nuk mund ta
harroj nënën time. Zakonisht ishte gjithnjë shumë e zënë me punë, tërë
ditën. Po kur afrohej mbrëmja kish zakon të kryente me ngut punët për
të qenë gati të presë tim atë. Atëhere nuk kuptonim dhe qeshnim e madje
edhe bënim pak hoka. Sot nuk mund të mos sjell nëpërmend butësinë e
dashurisë që ndjente për të ime ëmë: sido që të bëhej ajo ishte
gjithnjë gati për ta pritur buzagas... Ishte një grua e dashuruar,
shumë bujare, me parime të shëndosha katolike...". Shkupi atëhere ishte
shumica muslimane; kishte shumë ortodoksë: shumë të pakët katolikët.
"Ne" tregon Lazër Bojaxhiu "ishim ndër të paktët katolikë të qytetit.
Ishte një kishëz dy hapa nga shtëpia jonë: nëna na çonte në meshë që të
tre, gati përditë në mëngjes në orën kur babai dilte për të shkuar në
punë. Dhe në mbrëmje, sapo errej, mblidheshim të gjithë në sallonin e
madh ku rrinim dhe thoshim ruzaret2) me të. Shpesh kish edhe të afërm
që i prisnim në një shtëpi tjetër, ë cilën e ndante nga e jona një
kopësht i madhme shumë lule dhe pemë. Edhe miqtë tanë, të përpiktë,
vinin çdo mbrëmje për të thënë ruzaret me ne. "Dhe nëna, me gjithë
punët e shtëpisë, gjente kohë edhe për të shkuar e vizituar të sëmurët
në qytet, për t'u çuar veshje të varfërve. Shpesh shkonim edhe ne
fëmijët. "Ju jeni me fat" na thosh gjithnjë nëna: "keni shtëpi të
bukur, bukë e veshje, po nuk duhet të harroni se ka shumë njerëz që
vuajnë për bukë dhe fëmijë që nuk kanë me se të vishen dhe kur sëmuren
nuk kanë as barna për t'u mjekuar".
"Gonxhja",
vazhdon më tej tregimi i vëllait "nuk linte t'i ikte as edhe një nga
këto vizita ditore. Ishte një grua e varfër e ve që rronte me shtatë
bijtë e saj, gati të gjithë të vegjël, në një dhomë të errët e të ndyrë
dhe ishte e sëmurë rëndë. Ne fëmijëve na ndahej zemra më dysh kur i
shihnim të gjithë atje, grumbull mbi një shtrat të vetëm të madh, që
ish një lloj shtroje mbulesash të lerosura e të ronitur. Veç një dhomë
për tetë krijesa me një birucë për guzhinë dhe madje pa banjë, ndërsa
ne kishim sejcili dhomëzën e vet të bukur, madje kishim edhe vaskë
banje me ujë që vinte drejtpërdrejt nga rubineti (gjë e rallë atëhere
për Shkupin). Gonxhja, kur dilte nga shkolla, shkonte gjithnjë tek këta
fëmijë të varfër para se të vinte në shtëpi dhe kthehej mbasdite për të
ngrënë zemër me ta: kuptohet se zemrën e çonte ajo. Kur më pas kjo e
gjorë vdiq, më kujtohet se të shtatë fëmijët rronin në të vërtet në
shtëpinë tonë".
"JETA IME E RE"
Po
edhe për Bojaxhijtë erdhën ditë të trishtme. Fërkimet mes Shqipërisë
dhe Jugosllavisë mbas kalimit të krahinës së Kosovës në Jugosllavi nuk
pushonin. "Im atë, i cili merrej edhe me politikë", tregon vëllai i
Nënë Terezës "i pat mbrojtur pa u tundur të drejtat e kësaj krahine
shqiptare për të mbetur e bashkuar me vendin amë, por më pas iu pat
dashur të dorëzohet përballë trupave të Beogradit dhe shpagimeve e
hakmarrjeve të padronëve të rinj. Sipërmarrja e tij falimentoi, familja
jonë filloi të vuajë dhe më në fund jugosllavët e vranë duke e helmuar.
Një mbrëmje babai u kthye në shtëpi dhe e kapën dhimbje therëse. E
shtruan në spital, po nuk patën s't'i bënin. Vdiq mbas pak orësh."
Ishte viti 1919. Nikoll Bojaxhiu ishte gati 46 vjeç. Të tre fëmijët
ishin 13, 11 e 9 vjeç. Ishte nëna ajo që i shpëtoi nga varfëria duke
filluar një tregti qilimash, qëndizmash dhe të prodhimeve të tjera të
artizanatit të vendit.
"Gjithë
ne fëmijët" kujton Lazër Bojaxhiui, "jepnim një dorë, por pa lënë mbas
mësimet. Shkonim mjaft mirë në shkollë. Të tre ndiqnim shkolla jo
katolike, por Gonxhja kalonte një pjesë të madhe të kohës së lirë në
famulli, të cilën e drejtonin jezuitët".
Si
e kujton vëllai Gonxhen e këtyre viteve? "Kujtoj shumë mirë" thotë Zoti
Bojaxhiu "për Gonxhen nëntë vjeç. Ishte bufe dhe e rrumbull, e
shëndetëshme, e rregullt, e arësyeshme, madje tepër serioze për moshën
e vet. Ishte e vetmja nga të tre që nuk merrte fshehtaz marmelatë. Po
ndonjëherë, siç ish e mirë dhe bujare, më në fund më ndihmonte, sepse i
vetëm nuk ia dilja dot të ngreja kapakun e enës së madhe të vendosur
lart mbi një murin në dhomën e bukës. Unë isha grykës i madh marmelate
dhe ëmbëlsirash. Shpesh ngrihesha edhe natën për të llupur ndonjë gjë
dhe ajo m'i ndjente hapat në korridor e vinte e gjente në guzhinë apo
në dhomën e bukës dhe më kujtonte se mbas mesnate nuk duhej as të pija
dhe as të haja ndonjë gjë sepse të nesërmen në mëngjes duhet të
kungoheshim. Asohere ishte i detyruar agjërimi i plotë, i cili u hoq
veç
para pak kohe. Unë, të them të drejtën nuk u kushtoja rëndësi këtyre
rregullave, por ajo trishtohej. "Krishti", më thoshte shpesh, "duhet
pritur me nderim të madh dhe duhet të përgatitemi ta presim me
dinjitet, edhe duke bërë sakrifica". Unë bëja sikur e dëgjoja, po edhe
natën e mëpasme shkoja përsëri në guzhinë. Por duhet ta them se nuk më
tradhëtoi asnjëherë. Më donte me gjithë shpirt, edhe se disa herë i
sillja telashe. Kujtoj se kur nëna na jepte urdhër ne fëmijëve të
pastronim këpucët dhe unë nuk doja, vetë ajo pastronte edhe të miat".
_____________
2)
Ruzaret - tek katolikët, thënia me zë apo me mend e disa lutjeve: tre
grupe nga pesë 'Të falem o Mri' që thuhen dhjetë herë e që paraprihen
sejcili grup nga një 'Ati Ynë', nga një 'Lëvdue kjoft Ati' dhe nga një
prej 'shenjave'. Numurimi i lutjeve bëhet me 'ruzare', shpesh të
përgatitura nga petalet e trëndafilit.(sh.p.) Si i lindi thirrja për
misionare? E kujton vetë Nënë Tereza në shkrimet e saja: "S'di të them
në se në pjekjen e thirrjes sime ka pasur më shumë ndikim shembulli i
nënës sime dhe dashuria e saj për të varfërit apo prania ime e
parreshtur në famullinë e jezuitëve. Është e sigurt se mendimet e para
më erdhën kur sapo pata mbushur dymbëdhjetë vjeç. Por ama nuk fola me
njeri. Vazhdova të studioj dhe përfundova liceun. Dhe kur isha
tetëmbëdhjetë vjeç ia thashë të gjitha nënës. "Në se ky është vullneti
i Zotit', më tha kjo grua shenjtore "unë nuk do të kundërshtoj". Ishte
një jezuit në Shkup që më foli për herë të parë për Kongregacionin
irlandez të "Abacisë së Loretos" që e kish qendrën në Rathfarnham,
pranë Dublinit. Pra u nisa për Irlandë. Ishte 28 nëntor 1928 dhe prej
tri muajsh kisha mbushur tetëmbëdhjetë vjeç. Veç një vit më pas isha në
Indi".
Rishtare
në Darjeeling, pranë Kalkutës, Goxhe Bojaxhiu përmbush kushtet dhe
dërgohet të japë mësim në "Shkollën e Mesme të Shën Marisë" të
Kalkutës. Tashmë është motër Tereza. "Është jeta ime e re" i shkruan e
lumtur nënës. "Kolegji ynë është i shkëlqyer, në mes të një kopështi
shumë të madh, mes vllajash me lule, pemë e shatërvane me currila uji.
Më pëlqen të jap mësim. Kam këtu përgjegjësinë e një shkolle të tërë
dhe aq shumë vajza, të cilat më duan shumë. Më vjen keq se nuk jam me
ju. Po edhe ti shumë e dashur nënë duhet të jesh e lumtur: Gonxhja jote
e vogël është e lumtur".
Shumë
shpejt do të heqë dorë nga ky oaz paqe. "Duke udhëtuar një ditë me tren
dhe duke dalë pastaj në mbrëmje nëpër rrugët e Kalkutës", do t'i
shkruajë një ditë nënës "u kujtova se thirrja ime e vërtetë ishte t'u
shërbej të varfërve. Një mbrëmje eca gjatë. Eca pa u ndalur fare derisa
nuk mundja më. Atëhere kuptova më mirë se deri në çfarë shkalle
raskapitje duhet të mbrrijnë ata që janë me të vërtetë të varfër,
gjithnjë në kërkim të pak ushqimi, barnash, çdo gjëje... Kujtimi i
qetësisë materiale që gëzoja në Kuvendin e motrave të Loretos m'u shfaq
para sysh si tundim. U ndjeva e pafuqishme ndaj thirrjes së re. Krishti
më donte atje. Dhe nuk pata mëdyshje ta ndjek vullnetin e tij". Do të
kalojnë shumë vite përpara se Nënë Tereza të mund t'i kushtohet
krejtësisht e pavarur thirrjes së re dhe përfundimtare. Leja për të
lënë Urdhërin e Motrave të Zonjës Tonë të Loretos i mbrriti nga Roma
vetëm më 8 gusht 1948. Më 21 dhjetor të po këtij viti hapet shkolla e
parë e saj në rrethinat e Kalkutës; mbas një viti Qendra e parë e
grumbullimit të njerëzve që ndodheshin në prag vdekjes në një papafingo
të dhuruar nga një zonjë europiane e cila jetonte atje; dhe më 7 tetor
1950 themelon Kongregacionin e ri të "Misionareve të Dashurisë", i cili
vetëm mbas 15 vjetësh, më 1965 do të ketë miratimin papnor.
LETRAT E SAJ
Po
sidoqoftë, për të filluar punë Nënë Tereza nuk pret miratimin papnor.
"E kam shtëpinë time të re" i shkruan nënës më 1950 "dhe është shtëpia
e të varfërve: jo e të varfërve, por e atyre më të varfër ndër të
varfërit; e atyre të cilëve njerëzit nuk duan t'u aviten nga frika e
ngjitjes së sëmundjeve dhe erës së zhulit, nga që janëtë mbuluar me
mikrobe dhe insekte; e atyre që nuk shkojnë të luten, mbasi nuk mund të
dalin nga shtëpia të zhveshur; që nuk hanë, mbasi nuk kanë më forcë të
hanë, që rrëzohen rrugëve, edhe pse e diinë se po vdesin, dhe përbri të
cilëve të gjallët ecin pa ju kushtuar vëmendje: e atyre që nuk qajnë
më, se nuk kanë më lotë". Gëzimi kushtimit ndaj të tjerëve është
titulli i një libri shkruar nga një spanjoll, ku janë përmbledhur
fjalimet, meditimet, mësimet e kësaj motre të përulur dhe të vogël, e
cila mahniti dhe mallëngjeu gjithë botën me përkushtimin e saj, me
dashurinë e saj për të varfërit, me vrrull jetësor të jashtëzakonëshëm
("Ma ka falë Zoti forcën", thotë), që fshihen pas pamjes jashtësore të
një karakteri në dukje të brishtë e të pambrojtur. Por pjesë të
meditimeve të saj i gjejmë edhe në letrat që Nënë Tereza u ka shkruar
njerëzve të familjes.
Ja
disa nga më domethënëset: "Pa vuajtje puna jonë do të ishte një
veprimtari shoqërore, një veprimtari shumë e mirë dhe e dobishme, po
nuk do të ishte punë e Krishtit. Ne duhet të shelbojmë jo vetëm
varfërinë materiale, po edhe mjerimin shpirtëror. Dhe duhet ta marrim
parasysh sepse vetëm duke u bashkuar fort me të varfërit mund t'i
shelbojmë, duke futur Zotin në jetën e tyre, duke i bartur e çuar ndaj
Zotit...".
"Dashuria
është arma jonë: dashuri për të gërbulurit, për pleqtë, për ata në prag
të vdekjes, për të paralizuarit: për ata që nuk kanë asgjë dhe që nuk
duhen nga asnjeri...".
"Krishti
nuk do të na pyesë çfar kemi bërë, por me sa dashuri i kemi bërë
veprimet tona...". "Ka barna dhe mjekime për çfarëdolloj sëmundje. Por
nuk ka duar të mira që t'u shërbejnë dhe zemra bujare që të dashurojnë
dhe nuk besoj se do të mund të mjekohet ndonjëherë sëmundja e tmerrshme
e të mos ndjerit të dashur nga dikush..".
"Sot
më duket se të gjithë kemi rënë pre e një furie të tmerrëshme,
stërmundohen për të arritur synime gjithnjë e më të larta dhe për të
grumbulluar pasuri gjithnjë e më të mëdha dhe gjëra të tjera. Fëmijët
kanë pak kohë t'u kushtojnë prindërve dhe prindërit kanë pak kohë t'i
kushtojnë njeri tjetrit me pasojë që në familje zhduket gëzimi për të
jetuar...".
"Në
botë ka shumë urrejtje, shumë luftra. Nuk do t'ia dalim dot t'i
mposhtim urrejtjen dhe luftrat me pushkë dhe as me bomba, dhe as me
ndonjë tjetër armë që shkakton plagë: do t'ia dalim mb'anë vetëm me
vepra dashurie, gëzimi, paqe vëllazërimi". "Herët e para kur më jepnin
çmime mbeta shumë e habitur. Nuk dija t'i pranoja apo jo. Por mbrrita
në përfundim se duhet t'i pranoja çmimet në emër të më të varfërve të
të varfërve si nderim ndaj të varfërve". Në se do të duhet të meditosh
gjatë mbi këto fraza të diktuara nga zemra e një motre të vogël e të
përulur e cila pesëdhjet vjet më parë e la familjen e vet për të
krijuar një tjetër edhe më të madhe, atë të miliona qenieve njerëzore
të cilët bota nuk i pranon, të cilët rrëxohen përdhe, vdesin rrugëve
dhe njerëzit që kalojnë as që ndalen për t'u hedhur sytë.
Dëshmi e krezmimit të Nënë Terezës, nga Pandeli Pasko Kuteli
Në
materialet e çështjes së lumnimit të Nënë Terezës pranë Kongregacionit
për Çështjet e Shenjtërimit gjendet edhe një dëshmi e rëndësishme për
jetën e Nënë Terezës në vitet e para të saj, kur ajo ishte thjesht
Goxhe Bojaxhiu. Është dëshmia e krezmimit. Fotokopja e kësaj dëshmie u
paraqit në Romë në javën e festimeve të lumnimit të Nënë Terezës në një
ekspozitë fotografike në mjediset e famullisë të Shën Antonit. Me që
nuk lejohej fotografimi, po paraqes përmbajtjen me fjalë dhe disa
komente.
Në
krye të dokumentit shkruhet serbokroatisht "Çertefikatë Pagëzimi", por
më pas kuptohet se bëhet fjalë për krezmim, i cili është një sakrament
të cilin katolikët e bëjnë mbas sakramenteve të pagëzimit dhe kungimit.
Krezmimi ripohon (angl. confirmation) përkatësinë ndaj fesë së
krishtere. Pra ky dokument vjen mbas atij të pagëzimit, i cili duhet të
ketë qenë bërë zakonisht menjëherë mbas lindjes, pra qysh më 1910.
Dokumenti në fjalë është lëshuar më 11 korrik 1928 dhe mban emrin e
klerikut që e vërteton: B. Bukovic, i cili mendojmë se është i njejti
p. Bukovic i përmendur si prift mbase slloven që shërbente në Shkup në
këtë periudhë (D. Lush Gjergji, 'Nëna jonë Terezë', Zagreb, 1980). Nga
sa ështëpasqyruar nëpër libra të ndryshëm mbi Nënë Terezën si dhe nga
paraqitja dokumetare e fotografike e jetës të së Lumes në ekspozitën e
famullisë të Shën Antonit në Romë, duket se ky është nga të paktat
dokumenta të njohura. Kisha katolike e Shkupit "Zemra e Krishtit", ku
sipas autorëve të ndryshëm ka qenë pagëzuar Nënë Tereza, u shkatërrua
nga tërmeti i 26 korrikut i vitit 1964, pa folur për bombardimet gjatë
Luftës së Dytë Botërore. Kjo kishë ishte relativisht e re, mbasi një
kishë e vjetër katolike kishte mbetur nga ana tjetër e Vardarit, ndërsa
shumë kisha të tjera katolike të zonës ishin shndruar prej kohe në
kisha ortodokse e në xhami. Shkupit i pat mbetur vetëm qendra e
ipeshkvisë katolike dhe një kuvend. Meqenëse Shkupi nga një qendër e
katolike u pat shndruar në një zonë kufitare të katolikëve, kuptohet se
edhe humbjet në dokumeta kanë qenë vërtet të mëdha e me pasoja të rënda
sidomos për komunitetin shqiptar në përgjithësi dhe atë katolik në
veçanti. Sa më sipër tregon edhe vështirësinë e kërkimeve në fushën
dokumentare dhe ngre rëndësinë e një shqyrtimi të hollësishëm të
dokumentit në fjalë. Në dokumentin e krezmimit thuhet:
Sakrament sv. Potvrde je primila dne 26 novembra 1916 od nabiskupa Lazar Mieda u Skoplju.
Pra
shqip (jo në shqip): Sakramentin e krezmimit e mori më 26 nëntor 1916
nga arqipeshkvi Lazar Mjeda në Shkup. Dhe më tej: Kuma joj je bila Tada
Simon Shirokes. Pra shqip: Kumbarë e saj ishte Tada e Simon Shirokës.
Në fund shënohet se kjo është një dublikatë e origjinalit e cila do të jetë xjerrë nga rregjistri i famullisë.
Komente
Dokumenti
është tepër i shkurtër për komente të gjata, por ne e lejohemi të
shënojmë sa më poshtë. Data e lëshimit të dublikatës së dokumentit
tregon se ai ishte i domosdoshëm për rrugën e jetës së ardhëshme që do
ta shndrronte të renë Gonxhe Bojaxhiu në motër e më pas në Nënë Terezë
të njohur nga gjithë bota. Pa u mbushur pesë muaj nga marrja e këtij
vërtetimi, më 28 nëntor 1928 ajo do të nisej drejt Abacisë së Loretos
në Irlandë. Edhe dokumenti në fjalë duket se është nxjerrë nga arkivat
e misionareve. Dokumenti përforcon dëshminë e vëllait të Nënë Terezës,
Lazar Bojaxhiu në shkrimin e Gaetano Salimbenit (Gente, n.52, 1979, n.
1, 1980) se Gonxhja e vogël shkonte në kishën katolike (pra shqiptare)
përpara se t'i vdiste i ati, Nikoll Bojaxhiu më 1919 e madje kishte
edhe kumbare katolike. Emri i kumbares Tada e Simon Shirokës flet për
për lidhjet e familjes me pakicën katolike, pra shqiptare, në Shkup.
Mbiemrat
shkodranë të kumbares - Shiroka e të arqipeshkvit - Mjeda flasin për
lidhjet e forta mes katolikëve të Shkupit dhe atyre të Shkodrës. Në
librin e tij 'Ipeshkvija Shkup-Prizren nëpër shekuj' ('Drita', Zagreb,
1992, f. 203) Dr. Dom. Gaspër Gjini shkruan se: 'Me arqipeshkvin Mjeda
përfundon vargu i arqipeshkëve të Shkupit. Me Konkordatin midis Selisë
së Shenjtë dhe Mbretërisë së Serbisë, i cili u nënshkrua në Romë më 24
qershor të vitit 1914, dioqeza e Shkupit u desh të bëhet sufragane e
arqipeshkvisë së Beogradit'. Pa fjalë se ky ndryshim administrativ
ndikoi negativisht në mbijetesën e elementit katolik shqiptar në
dioqezën e Shkupit dhe ashtu si vëren i njejti autor, pakësoi numurin e
besimtarëve katolikë dhe të famullive katolike të sapokrijuara në këtë
zonë në dhjetvjeçarët e fundit të sundimit turk. Thellimet e studimit
të ipeshkvisë Shkup-Prizren dhe të marëdhënieve fetare, politike e
shoqërore mes njerëzve në krahinat përreth të saj gjatë shekullit të XX
janë me shumë interes, mbasi në këtë treva ndërthurej jeta e
besimtarëve të dy feve, të tri etnive dhe të shumë më tepër nën-ndasive
fetare. Ato do të ndihmojmë për të kuptuar më mirë mjedisin ku u rrit
dhe ku u brumos Nënë Tereza me dashuri për njerëzit e çfarëdo feje.
Atëhere edhe Çertefikata që po paraqesim dhe dokumenta të tjera do të
mund të interpretohen në një dritë të re. Këto punime presin të kryhen
nga studjues të rinj seriozë dhe të pandikuar nga ideologji partiake e
fetare dhe as nga ngushtësi përkatësish etnike. (Zgjodhi për ribotim:
Baki Ymeri)