Nga Reshat Kripa
Më 10 dhjetor 1948 Asamblea e Përgjithëshme e OKB-së, miratoi Rezolutën Nr. 217 ( III ) mbi “ Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut “, në nenin 1 të së cilës thuhet:
“ Të gjitha qëniet njerëzore lindin të lira e të barabarta nga pikpamja e dinjitetit dhe e të drejtave. Ato aspirojnë për drejtësi, liri dhe mendim të lirë. “
Por në atë kohë ekzistonin dy botë të kundërta, bota e lirë perëndimore dhe bota totalitare lindore, të ndara nga njera tjetra nga e famshmja “ Perde e hekurt “, ndarje që do të vazhdonte për gati një gjysëm shekulli. Fati e hodhi Shqipërinë në këtë të dytën, në botën e errësirës dhe shtypjes së mendimit të lirë.
Sistemi totalitar e mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po aq totalitare të artit për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e realizmit socialist, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe krijoi vepra standarte që në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë. Diktatura përdori të gjitha mjetet për të mbytur çdo shkëndijë të lirisë. Ajo i shpalli luftë inteligjencës së trashëguar nga e kaluara, duke e eliminuar atë pothuajse plotësisht. Nuk janë të pakta rastet kur shkencëtari, filozofi, shkrimtari, gazetari apo artisti dërgohej para togave të ekzekutimit, për t’iu mbyllur gojën përgjithmonë. Të tjerë do të provonin për vite me rradhë qelitë e errëta të burgjeve, denigrimet e kampeve të internimit, nga ku një pjesë e mirë e tyre nuk do të ktheheshin më kurrë.
Fundi i viteve 80-të, do të tregonte se forca e mendimit të lirë, do të fitonte betejën me diktaturën. Perdet e hekurta që ndanin dy botët do fillonin të shembeshin. I fundit nga vendet totalitare do ishte vendi ynë. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990 do të ishte konkretizimi logjik i fitores së ideve demokratike mbi ato totalitare, për të cilat ky popull kishte derdhur aq gjak dhe kishte bërë aq sakrifica për gati pesëdhjetë vjet. Një erë e re filloi të fryjë në Shqipëri, era e lirisë. Njerëzit filluan të mendojnë dhe të shprehen lirisht. U rrit personaliteti i njeriut dhe bashkë me të edhe demokracia së bashku me sigurinë dhe qëllimin e të jetuarit. Qytetarët po shijonin frutet e lirisë. Ata po e përjetonin atë. Por me lirinë u spekullua. Ajo nuk mund të jetë e pakufizuar. Atë duhet ta administrosh mirë, përndryshe mund ta humbësh në çdo çast. Është më lehtë të fitosh lirinë, se sa ta ruash atë.
Më 20 shkurt 1991 rrëzuam monumentin e diktatorit. Atëhere menduam se bashkë më të kishim rrëzuar edhe oktapodhin që na kishte pirë gjakun për gati një gjysëm shekulli. Koha tregoi se kishim rrëzuar vetëm bronxin e atij monumenti, ndërsa shpirtin e zi të tiranit e kishim lënë të lirë të endej fshehtas nëpër vendin tonë për të komplotuar dhe përgatitur katastrofën e madhe të vitit 1997. Një ndihmesë të madhe në këtë drejtim dhanë edhe një pjesë e atyre që ne mendonim se ishin demokratë, por që nuk na dolën të tillë, si dhe një pjesë tjetër që e quanin veten të përndjekur politik nga rregjimi i përmbysur. Ata me siguri diku i kishin mbetur borxh diktaturës dhe tani po ia shlyenin atë. Ata ishin në parlament dhe në qeveri, në drejtësi dhe në ushtri. I gjeje kudo në administratën shtetërore. Po ashtu i gjeje edhe në partitë politike të djathta
Për të arritur fitoren Shqipërisë i duhen burra të fortë dhe të pakorruptueshëm. Asaj i duhen njerëz si Anteu, që merrte forcë nga toka mëmë dhe jo t’i rëndojnë asaj. I duhen njerëz të mençur dhe me zemër të madhe, për të ndriçuar rrugën e lirisë dhe jo për ta zhytur më thellë në errësirë. Shqipëria po thërret bijtë e saj të vërtetë. Është detyra e partive të djathta që realisht duan të zhdukin komunizmin, t’i përgjigjen kësaj thirrje. Eshtë edhe detyra e çdo shqiptari të japë kontributin e tij në këtë drejtim.
Ja si shkruante një shekull më parë filozofi i shquar gjerman Friedrich Nietzsche:
“ Kam fatin që kam gjetur mbas mijra vjetësh aberacioni dhe konfuzioni, rrugën që të çon te një “ JO “ dhe te një “ PO “.
Unë iu mësoj që t’i thoni “ JO “ gjithçkaje që iu bënë të dobët, që iu ezauron.
Unë iu mësoj që t’i thoni “ PO “ gjithçkaje që iu jep forcë, që iu grumbullon forcë, që justifikon ndjenjën e forcës. “
Le t’i përgjigjemi këtyre mendimeve filozofike!