Nga pikëpamja e ndarjes së pushteteve duhet të themi se opinion-bërja dhe shtypi prezanton një pushtet të rëndësishëm të piramidës shtetërore, ku baza themelore e saj është padyshim politika që formaton pushtetete tjera, parimisht të ndara në një organizim të së Drejtës. Politika ndërtohet nga organizimet partiake dhe konfirmohet nga vota e lirë e individëve në zgjedhje, akt kolektiv ky i cili konfirmon pushtetin legjislativ si më i larti në një Republikë Parlamentare si kjo e jona! Në rastin Shqiptar, pjesëmarrja në zgjedhje është tepër e ulët dhe sipas meje në grupin e madh të abstenuesve, bëjnë pjesë edhe opinion-bërësit pjesë e rëndësishme e pushtetit të Shtypit. Këta të fundit edhe për arsye objektive nuk shkojnë në kutitë e votimit për të barazvlerësuar votën e tyre me gjithkënd! E drejtë relative kjo që nuk duhet ta bëjë opinion-bërësin të harrojë se duhet të gjejë rrugët më efikase të komunikimit me këtë grup shoqëror i cili voton rregullisht dhe me të cilin, sipas meje komunikon modestisht ose shumë pak. Duke kujtuar se lexuesit e shtypit të shkruar janë të paktë, duhet pranuar se në këtë plan gjithësecilit nga opinion-bërësit, parimisht i duhet të reflektojë për një komunikim më të mirë dhe të më të thjeshtë me publikun e gjerë... Po, mund thënë gjithashtu se falë televizioneve dhe formateve “talk-show” të ekranit të vogël, ky dimension i munguar komunikimi është më i realizuar si nga ballafaqimi i vetë opinionistëve me njëri-tjetrin, ashtu edhe i këtyre vetë me protagonistët e politikës dhe padyshim publikun e gjërë. Por, mua më rezulton përsëri që perceptimi i shumicës së njerëzve është ndryshe nga ai që duan të transmetojnë opinion-bërësit tek këta të fundit. Shumica, për fat të keq, paragjykon dhe percepton sipas asaj që dëshiron dhe ky stereotip i tyre shfrytëzohet shumë më mirë nga vetë politika se sa opinion-bërja. Personalisht, në një kohë relativisht të gjatë me shkrime dhe një përvojë radiofonike të gjerë, përgjithësisht jam munduar të bëj me dije, atyre që më kanë lexuar apo dëgjuar në radio, realitete të caktuara ku edhe kam shtuar gjithmonë edhe një interpretim personal për ngjarjet. Gjithashtu, më duhet të them se nuk jam ndier i ngopur me këto mundësi dhe se komunikimi me publikun e gjerë më është dukur i pamjaftueshëm. Gjykoja se diçka i mungonte komunikimit tim gazetaresk me të. Ndaj, në fakt, personalisht, së fundmi për një zgjedhje racionale iu ktheva ekranit të vogël dhe valeve te radios në një emision Forum-Sondazh të formatit me telefonata direkte nga publiku në valët e radio “Stinët” dhe ekranin e “NTV”. Kjo ndodhi pas një ndërprerjeje prej rreth 5 vitesh të komunikimit të drejtpërdrejtë me publikun në një nga televizionet private të Tiranës. Ky program radioteleviziv është i konceptuar me tema të rëndësishme sociale dhe politike të cilat pretendon t’i transmetojë tek publiku në mënyrë sa më të thjeshtë dhe divulgative. Ky format, pervec dimensionit radio televiziv të llojit “Vox Pop” ka edhe dimensionin tjetër të një gazetarie gjithëpërfshirëse perëndimore të cilën kam pikësynim maksimal si moderator i tij. Mendimi i qytetarëve në të vjen duke u kanalizuar vetëm në një politikë redaksionale të përpunuar dhe emancipuese. Në anën tjetër, emisioni tenton që mesazhet socio-politike dhe kulturore, të cilat kanë për shoqërinë e gjerë shkrimtarët, artistët, politikanët, komentatorët, t’i përcjellë tek publiku me gjuhë sa më të thjeshtë. Ndërtimi i një dialogu reciprok dhe racional tepër të munguar në shoqëritë në zhvillim është qëllimi parësor i tij. Për më shumë, ky format emisioni, herë pas here, tejkalon zhvillimet duke u bërë edhe partizan i temave me rëndësi specifike për shoqërinë tone, të cilat më pas ndiqen edhe nga formate të tjera të gazetarisë. Njerëzit të cilët janë mësuar të flasin në mënyrën dëshirore (me duhet, duhej, sikur) kanë tashmë mundësi të dëgjojnë dhe t’u kujtohet gjithashtu se jeta e përditshme mund të konceptohet sipas mundësive praktike dhe një filozofie racionale të munguar, ose thënë më thjeshtë vendosjes së arsyes përpara paragjykimeve socio-politike e kulturore tradicionale.
Jeni të lutur të komentoni artikujt e botuar tek Tribuna Shqiptare. Mos harroni të vendosni një emër apo një pseudonim sepse kur shkruhet "guest" duket si makina pa targa. Ju mund të përdorni OpenID tuaj për të komentuar tek TSH. Mos harroni se duke komentuar ju ndihmoni...ADMIN