Nga Namik Selmani
Tani në prag të 17 Shkurtit që është edhe Dita e Lirisë së Vërtetë të Kosovës të lind dëshira që të matesh me sokëllimën e maleve të Shqipërisë kudo ku ata bëjnë hije apo ndriçohen nga rrezet e diellnajës. E, më tej, ashtu si ndodh rëndom në jetën njerëzore të secilit bashkokohës, mendja të shkon te ajo që të mungon, te ajo që ende s’është realizuar. Jo thjesht si një ëndërr e bukur, por si një domosdoshmëri historike e një kombi që ende nuk i ka gjetur hullitë e vërteta të jetës që do të vijë .
Në ditët historike kujtesa vrullon ndryshe. Është me e prekshme. Më e motivuar për të parë pas, por po kaq shumë edhe për të hedhur kokën përpara. 27 Qershori, që përkujton masakrat e zervistëve grekë mbi popullsinë myslimane të Çamërisë në vitet 1944-1945 tashmë eshtë zyrtarizuar edhe nga parlamenti shqiptar. Është një ditë kujtese, dhimbjeje për të rënët e atyre viteve në Filat, Paramithi, Margëllëç etj . Ishte një genocid që ishte përgatitur në kancelaritë greke shumë e shumë kohë më parë. Arsyeja politike e “bashkëpunimit të popullsisë çame me pushtuesin” është një kartë tashmë e vjetëruar edhe nga vetë historianët e gazetarët objektivë në shtetin helen.
Që prej disa vitesh popullsia çame dhe shumë njerëz të tjerë të krahinave e qyteteve të tjera shqiptare, por edhe nga Kosova bëjnë një Marshim simbolik drejt Qafës së Botës në Konispol prej nga erdhën baballarët e gjyshërit çamë në ato vite Gjaku. Nuk e njohim axhendën që mund të ketë bërë Qeveria e Kosovës, tashmë më e pavarur për të organizuar veprimtari në shërbim të njohjes së problemit kombëtar. Pa u bërë një kronikan i hollësishëm i kësaj dite, natyrshëm shkrimi shkon te ana problemore e tij. ÇFARË PO BËN POLITIKA SHQIPTARE PËR PROBLEMIN ÇAM TANI PAS 19 VITEVE DEMOKRACI?
Nuk është një pyetje indivduale që një gazetar mund ta bëjë në një Konferencë shtypi para një ekipi qeveritar , para një Ministri…Është një rast bukur i mirë që në këtë ditë simbolike, por edhe në ditët që pasojnë më tej, t’i kujtojmë politikës shqiptare se është nder, përgjegjësi, detyrim atdhetar dhe shtetëror që duhet të të zgjidhë një nga “ngërçet” më të mëdhenj të problemit kombëtar në këto vite.
Në Parlamentin shqiptar në diskutimet e radhës “60 minuta diskutim i lirë “ disa deputetë me zërin e tyre personal, ngrejnë shpesh zërin për problemin çam. Duhet t’u themi : “Faleminderit!” Kujtojnë detyrimet që duhet të kenë ata për të shkuar bashkë me popullsinë çame në Qafë të Botës ose në veprimtari të tjera për sensibilizimin e problemit çam. Me gjithë respektin shumë të madh për këtë kurajo dhe dashuri njerëzore, patriotike dhe qytetare për Çamërinë do të thonim se ka ende dy probleme.
Së pari, pak ndjehet në fjalën e tyre ai presion që duhet të ketë në mënyrë të vazhdueshme për të gjithë problemet jo pak të koklavitura të Çamërisë. Fjala e tyre me të drejtë ka shumë emocion patriotik që asnjëherë nuk është i tepërt aq më shumë kur flitet për një nga plagët më të mëdha të dy shekujve të fundit të kombit tonë. Por duhet të ketë më shumë zgjidhje konkrete. Në të gjithë këto vite të tranzicionit kur problemi çam ka pasur në një kohë të caktuar edhe ndonjë “Bum” të pëlqyeshëm propogandistik, kjo është bërë nga deputetë të caktuar e jo nga një forcë politike që lidhet drejtpërdrejtë me komunitetin çam si ka ndodhur që në hapat e parë të parlamntarizmit shqiptar të këtyre viteve të demokracisë me Partinë e të Drejtave të Njeriut që është pozicionuar qartë në favor të Minoritetit grek në Shqipëri ku ka dhe bastionin e saj elektoral.
Organizmat e shumta joqeveritare që merren me problemin çam si Shoqatat ”Çamëria” në Tiranë, Partia për Drejtësi dhe Integrim, Partia më e re që mbron interesat e drejtërdrejta të komunitetit çam, ajo për Drejtësi dhe Unitet, Instituti i Kulturës për Çamërinë, Shoqata të tilla simotra në Itali, Francë, SHBA prej kohësh kërkojnë një partner këmbëngulës për zgjidhjen e problemit çam, së pari nga politika shqiptare.
E të mos ndodhë që Çamëria të kthehet vetëm në një nocion kulturor me këngë dhe valle. Jemi dëshmitarë që politika shqiptare kërkon transparencë për zbardhjen e fenomenit “Gërdeci“ deri në gjyqet amerikane. Mirë bëhet. Shumë mirë. A nuk mund të kthehet edhe problemi çam në një “Gërdec” tjetër në politikën shqiptare ku ajo duhet të shohë me përgjegjësi shkaqet, pasojat e, padyshim, edhe me shumë dashuri të gjejë zgjidhjet sa më të shpejta e të favorshme? E përsërisim (dhe kjo dihet edhe nga vetë ata që merren me politikë) se problemi çam nuk duhet të mbetet në kornizat e një shkrimi akademik, të një ekspozite me vizitorë syhabitur para bukurive të kësaj krahine dhe të lotuar para krimeve të bëra, para një tavoline të madhe me gjellët karakteristike të Çamërisë dhe aq më pak në diskutimet e tavolinave të tymosura me tym duhani ku të gjithë bëhen “patriotë” kur flasin me zjarr e pasion për këtë krahinë, për zgjidhjen e problemit të saj. Japin këshilla që s’dihet se kush i dëgjon.
Përpara se t’i kërkojmë zgjidhjen shtetit e qeverisë greke që ende nuk kërkon falje për masakrat e paraardhësve të tyre në vitet 1944-1945,që ende e quan problemin ça “Një alibi” fantazëm” madje as që kërkon të ulet në tavolinë për ta trajtuar si dy fqinjë të mirë, le t’ia kërkojmë këtë gjë politikës sonë. Shumë prej nesh kujtojnë para disa vitesh makinacionet disa minutëshe që s’dihet se si erdhën në parlamentin tonë për të mos u aprovuar një Rezolutë për Çamërinë ku parlamenti duhet të prononcohej zyrtarisht , shtetërisht për këtë problem.
Së dyti, kanë kaluar disa vite dhe ende një Rezolutë e tillë e fuqishme e prekshme, nuk është diskutuar e aprovuar në të. Edhe sa kohë do të shkojë që ta kemi ne dhe mbarë Evropa demokratike që diskuton edhe për një problem shumë më të thjeshtë për nga rëndësia se problemi ynë. Politika e di mirë vlerën e Rezolutave që nga ato të Këshillit të Sigurimit deri të ato që diskuton edhe një shtet i thjeshtë.
Kur do të kemi një prononcim shkencor, historik të argumentuar nga Akademia e Shkencave për zgjidhjen e problemit çam?
Dihet nga të gjithë se problemi çam në të njëjtën kohë është problem i mprehtë historik, diplomatik, juridik dhe padyshim politik. Tani, pas 19 viteve demokraci dhe 65 vjet pas genocidit grek dhe dëbimit me forcë nga trojet stërgjyshore të kësaj popullsie të pafajshme shqiptare, të gjithë njerëzit e thjeshtë, së pari bijtë e nipërit e atyrë që u bënë viktima të këtij genocide, kanë të drejtë të pyesin e të kërkojnë: “Kur do të kemi më shumë transparencë, guxim, largpamësi, ndërgjegje kombëtare, dashuri, seriozitet nga ata që drejtojnë politikën shqiptare në Shqipëri, pse jo edhe në Ballkan?
Të presim!
Namik Selmani