Dhimitër Emanoilit i buzëqeshi fati të
jetojë në Bukuresht, në kohën e Mbretërisë, kur Drita, Dituria, Shpresa,
Bashkimi e shoqëritë tjera, botonin me të madhe veprat e rilindësve tanë,
abetare, kalendarë, broshura, statute, revista, gazeta, apele e memorandume për
t’ua ndezur shqiptarëve atë zjarr të shenjtë të atdhedashurisë që i shtynte ta
konsiderojnë gjuhën shqipe si gjuhë perëndishë.
Nga Baki Ymeri (Bukuresht)
Pasuri e
shkrirëpër kauzën e shenjtë kombëtare
“Të rrahur dhe të shtyrë nga të gjitha anët,
me sy të lodhur nga dhembjet, vuajtjet dhe uria; të ikur natën me druajtje,
duke i braktisur vatrat e veta apo zandanet osmane, nacionalistët e parë shqiptarë
gjetën në Rumani një vend-prehjeje, një popull mik e vëlla, që ua kuptonte
dhembjen. Bukureshti, kryeqyteti i bukur i këtij vendi, është një emër i
shenjtë dhe i shtrenjtë në historinë e lëvizjes kombëtare të Rilindjes
Shqiptare, ngase aty u ndez flaka e parë e Shqiptarismës, e përmbajtur deri më
sot dhe e përhapur në të katër çipet e botës. Dhe po ky Bukuresht, është qyteti
nga i cili plaku i ndjerë, Ismail Qemali (1844/1912), me një tufë të
entuziasmuar atdhetarësh, shkoi për në Vlorë, për të ngritur flamurin e lirisë
dhe për të proklamuar vetqeverimin e Shqipërisë. Ja kështu e fillonte
artikullin-bazë, “Shqipëri’ e Re” e Konstancës (nr.119), në prak të Ditës së
Flamurit, të vitit 1923. Artikulli mban titullin “Ç‘i detyrojmë Rumanisë?”.
Bukureshti është një vend në të cilin edhe pas 90 vitesh, që nga ajo ditë e
shenjtë, gjejmë gjurma të reja lidhur me shtypin dhe shoqëritë shqiptare,
lidhur me hymnin, flamurin, mbledhjen historike të kolonisë, pjesmarrësit e
delegacinit dhe shpalljes së pavarësisë. Historiografia shqiptare konstaton
kohëve të fundit se flamuri ynë që u ngrit në Vlorën e Ismail Qemalit para 90
vitesh, u soll i gatshëm nga Rumania, nga ana e Spiridon Ilos, i cili, sipas
Agim Rushitit, ishte grafist dhe i cili, përgjatë rrugës për në Shqipëri, ka
gjasë ta ketë pregaditur vetë.
Aktualiteti i rikthimit të
shqiptarëve në hershmërinë tonë të shenjtë është prioritet që dëshmon se
shqiptarët dinë t’i flakin influencat osmane që s’kanë gjë të përbashkët me
shpirtin shqiptar, ndërsa çështjet e luftës, të heronjve, himnit, flamurit dhe
pavarësisë, janë tema që përherë do t’i preokupojnë atdhetarët tanë. Kësaj
rradhe po ndalemi te një emër i harruar: Dhimitër Emanoil Mborja, njëri nga
pjesëmarrësit e delegacionit të Ismail Qemalit që vajti në Vlorë. Për këtë dhe
atdhetarë të tjerë të flaktë të shoqërive shqiptare të mërgimit, Fjalori
Enciklopedik Shqiptar i Akademisë socialiste të Shkencave (Tiranë, 1985), asnjë
fjalë s’e tha. Duke bërë fjalë për Format e reja të ideologjive të vjetra, profesori universitar N. N.
Lenguçeanu, qysh para 60 vitesh ka deklaruar në Universitetin Popullor “Niculae
Iorga” (Vëlenii de Munte): “Në këtë çast, njerëzimi gjendet në rrugëkryqin nga
i cili shkëputen katër rrugë të mëdha: parlamentarizmi, fashizmi, nacional/socializmi
dhe komunizmi marksist, ky i fundit, sipas asaj që po shohim, duke evoluar
drejt sllavizmit”. Leksionet sllavokomuniste të Moskës e Beogradit i kishin
trembur sivëllezërit tanë në Tiranë që nuk kishin guxim për të afirmuar
shqiptarët e pasur, tregtarët dhe patriotët që shkrinë shëndetin dhe pasurinë
për kauzën e shenjtë kombëtare.
Dhimitër Emanoilit i buzëqeshi fati të jetojë në Bukuresht, në kohën e
Mbretërisë rumune, kur Drita, Dituria,
Shpresa, Bashkimi e shoqëritë tjera shqiptare, botonin me të madhe veprat e
rilindësve tanë, abetare, kalendarë, revista, gazeta, apele e memorandume, për
t’ua ndezur shqiptarëve atë zjarr të shenjtë të atdhedashurisë që i shtynte ta
konsiderojnë gjuhën shqipe si gjuhë perëndishë. Sipas Sherban Tabakut (bukureshtar
me origjinë korçare, mjek/stomatolog, gazetar dhe autor i fjalorit të parë
shqip/rumanisht-rumanisht/shqip, Dhimitër Emanoili ishte një patriot i madh
shqiptar, pjesmarrës i rëndësishëm në pregaditjen dhe realizimin e aktit
historik të 28 Nëntorit 1912. Dhimitri ishte i vëllai i gjyshes së gruas së
tij, Adrianës. Zoti Tabaku me Adrianën dhe fëmijët e tyre jetojnë në një shtëpi
shqiptare të shek.XIX, e ngritur në kohën e Rilindjes. Edhe atë e shqetson
fakti pse autoritetet e Tiranës, madje edhe shtypi i asaj kohe, i lanë në
harresë këta atdhetarë. Sipas gazetës “Minerva” të Bukureshtit (5 nëntor 1912),
që gjendet në repartin e Koleksioneve Speciale të Bibliotekës së Akademisë
Rumune, konstatojmë se artikullit “Autonomia e Shqipërisë” i paraprijnë tre medalione
(të Dhimitër Emanoilit, Dhimitër Zografit dhe Dhimitër Beratit), që të tre
anëtarë të delegacionit të Ismail Qemalit. Jepet me këtë rast një rradhitje
kronologjike e kontributit që kanë dhënë patriotët shqiptarë “për ruajtjen e
identitetin të këtij populli trim”. Kujtohet vizita e Ismail Qemalit në
Bukuresht, takimi i tij me udhëheqës të kolonisë së këtushme shqiptare si dhe
vendimet që janë marrë më 5 nëntor: Shpallja e Pavarësisë Shqiptare, thirrja e
kolonistëve shqiptarë nga Egjipti, Greqia, Amerika dhe Konstantinopoja, për të
dërguar delegacion në Triestë, formimi i një qeverie të përkohshme në
Shqipëri”. Në kapitullin “Delegacioni nga Bukureshti”, lexojmë:
Anëtarët e delegacionitvishen në kostume kombëtare
“Delegacioni zyrtar i cili do ta
prezentojë në këtë akt të madh kombëtar koloninë shqiptare nga Bukureshti,
është i përbërë nga katër veta: zotërinjtë Dhimitër Emanoil, pronar i lokalit
“Carpati”, Dhimitër Zografi, tregtar në rrugën Doamnei, Sotir Ilo dhe Dhimitër
Berati, profesor. Ky delegacion, i shoqëruar edhe nga të tjerë patriotë të
cilët shkojnë privatisht, do të lënë kryeqytetin me trenin Arad, në këtë
mbrëmje, e Djelë. Pas disa ditëve, në mes të javës, ikën edhe udhëheqisit
shqiptarë Meksi dhe Gurakuqi, ndërsa pas disa ditëve, do të shkojnë dhe zoti
Pandeli Evangjeli, kryetar i Shoqërisë“Bashkimi”. Në Triestë, të gjithë delegatët do të vishen në kostume
kombëtare dhe do të hypin në një anije të Lordit austriak, e rregulluar
posaçërisht për ta, e cila do t’i transportojë në portin e Vlorës, kryeqytet i
përkohshëm i Shqipërisë”. Më 28 Nëntor të vitit 1912, para një mase shqiptarësh
të panumërt, u lexua vendimi për shpalljen e pavarësisë shqiptare dhe u ngrit
flamuri kombëtar, me shqiponjën e Skënderbeut. Me një fjalë, për iftarxhinjtë e
Forumit të të Rinjve Muslimanë që organizojnë ceremoni turko/arabe në trojet
shqiptare dhe Zvicër, mjafton ta dinë se qëllimi elementar i pavarësisë
shqiptare ishte dëbimi i pushtuesit osman, zbritja e flamurit turk dhe ngritja
e flamurit shqiptar. Ndërmjet nënshkrimeve të këtij akti historik, numërohet
edhe ai nënshkrimi i patriotit të madh, Dhimitër Emanoil.
Emrin e këtij atdhetari që e përjetoi rrugën dhe
çastin historik të shpalljes së pavarësisë e përmendin një serë shkencëtarësh
dhe publicistësh shqiptarë: Petraq Pepo, Rexhep Qosja, Ismet Dërmaku, Niko
Kotherja etj. Sipas Dr. Dërmakut, Dhimitër Emanueli u zgjodh në delegacionin e
Bukureshtit, qysh me rastin e mbajtjes së mbledhjes historike, në hotelin
Continental. Pos tij, në delegacion u zgjodhën Pandeli Evangjeli, Dhimitri Ilo,
Dhimitër Zografi dhe Dhimitër Berati, ndërsa vullnetarisht për në Vlorë u
paraqitën: Pandeli Cale, Spiridon Ilo dhe Pandele Emanoili. Sëbashku me
Asdrenin, Pandeli Evangjelin, Thanas Kantilin, Dhimitër Beratin, Nikolla Këndzon,
Vasil Doganin, Dhimitër Ilon, Mihal Lehovën dhe Dhimitër Zografin, Dhimitër
Emanoili e përfaqson koloninë shqiptare të Bukureshtit edhe në Kongresin
Shqiptar të Triestës, që u mbajt në pranverë të vitit 1913, e në të cilin morën
pjesë edhe një numër i konsideruar filoshqiptarësh me prejardhje arumune (dr.
Shunda, At Foti Ballamaçi, Epaminonda Ballamaçi).
Para se të shkojë në
Triestë, më 2 shkurt të vitit 1913,ai
do të jetë prezent edhe në sallën e madhe “Transilvania” në Bukuresht, ku shqiptarët
e këtushëm ngritën zërin kundër masakrave të ushtrive të Aleancës ballkanike që
ushtronin në trojet shqiptare të Maqedonisë, Kosovës, Çamërisë, Malit të Zi e
gjetiu. Disa shënime biografike mbi këtë atdhetar dhe familjen e tij, i ka
prezentuar edhe poeti dhe gazetari Klito Fundo, në kuadrin e artikullit “Cilët
janë vëllezërit Emanoil” (“Alternativa”, Korçë, 23 Mars 1993). Autori bën fjalë
për dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XIX, për tregtarin patriot Viskë
Emanoili, që u largua familjarisht nga Mborja e Korës në Bukuresht. “Në një
mjedis patriotik të këtushëm, Dhimitri ishte zgjedhur kryetar i Kolonisë
Shqiptare të Bukureshtit. Në shtëpinë e tyre mblidheshin e diskutonin patriotët
e shquar për çështjen kombëtare. Aty strehoheshin Ismail Qemali dhe Themistokli
Gërmenji. Shtëpia e tyre ishte si një klub patriotik. Në prag të 28 Nëntorit
1912, Dhimitër Emanoili, nëpërmjet Triestës erdhi në Vlorë, duke shoqëruar dhe
1.000 napolona ari, të mbledhura si ndihmë. Ato ia dorëzoi Luigj Gurakuqit për
arkën shtetërore. Më 28 Nëntor, Dhimitri ishte nga të parët që firmosi
dokumentin historik për Shpalljen e Pavarësisë. Ndërkohë, vëllai i tij më i
vogël, Nuçi, qëndronte në Korçë, së bashku me Themistokli Gërmenjin dhe Ferit
Frashërin, për ruajtjen e rendit”. Nuçi, faktikisht ishte gjyshi i Adriana
Tabakut. Në vend që ta vinin në vend të nderit, stalinistët e Enver Hoxhës e
futën në burg. “Sa i përket Dhimitë Emanoilit, na thot Adriana, ai ishte vëllai
i gjyshit tim. Ishin katër vëllezër. Gjyshi i im, Naum Nuçi Emanoil, ishte më i
vogli. Më kanë thënë se në birarinë e tyre në Strada Matache, më 28 Nëntor, të
gjithë hanin e pinin gratis, ngase ishte dita e Shqipërisë.”
Shtëpia e Emanuelëve u bë klub i patriotëve shqiptarë
Shtëpia e
Emanuelëve sipas këtij autori, e ndodhur në kërthizë të kryeqytetit rumun,
ishte shndërruar në një klub atdhetarësh shqiptarë. Aty ishte edhe birraria, ku
mblidheshin e diskutonin intelektualë të shquar, ndër të cilt edhe Asdreni,
Viktor Eftimiu, Lasgush Poradeci. Mblidheshin ndihma dhe shpërndaheshin gazeta
shqiptare. Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor të çdo viti, birraria e Emanoilëve
shërbente falas, për çdo shpirt shqiptar. Sipas broshurës Qyteti im (Korçë, Nr.
9/2008), nga Niko Kotherja kuptojmë se Dhimitër Emanoil ka lindur në Mborje.
Ishte anëtar i Shoqërisë “Dituria” të Korçës më 1908 dhe kryetar i shoqërisë
patriotike të shqiptarëve të Bukureshtit. Boton e shpërndan programin e
komitetit të fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”. Më 5 nëntor 1912 merr pjesë në
mbledhjen e Bukureshtit. Më 28 nëntor 1912 firmon aktin e pavarësisë me siglën
“Dh. Emanuel” në emër të kolonisë së Bukureshtit. Në shkurt 1915 zgjidhet
këshilltar pranë shoqërisë së Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit, e
cila punonte për të mbajtur një shkollë në gjuhën shqipe. Rreth vitit 1920,
lëshoi darovisht godinën e shtëpisë së tij në Korçë si ambient mësimor për
Liceun Kombëtar. Më 1924 mbështet qeverinë e Nolit. Largohet nga Rumania për
t’u kthyer në atdhe vite më vonë. Vdiq në Bukuresht.
Meritat e larta të Dhimitër Emanoilit, thekson
“Shqiptari” i Bukureshtit (nr.1/1997), nuk kanë qenë të njohura në regjimin
komunist, emri i tij duke u bërë tabu, duke mbajtur etiketën e
“mikroborgjezit”. Pasardhësit e tij, syrgjynosur deri në gjeneratën e tretë,
sipas Sherban Tabakut, “kanë qenë të persekutuar pa motive dhe pa turp, të
detyruar të durojnë një trajtim çnjerëzor të programuar: burg, konfiskim i
krejt të mirave materiale, humbje e të gjitha të drejtave të njeriut”. Pas
shpërthimit të revolucionit antikomunist, cenzura flaket nga pushteti i
shtypit, rehabilitimi shkon duke e bërë të veten, edhepse jetën e hidhur të
viktimave të terrorit komunist nuk mund ta rehabilitojë asnjë president dhe
asnjë dekoratë. Viteve të fundit, pas instaurimit të pjesërishëm të demokracisë
në Shqipëri, regjimi i ri filloi të rishikojë historinë, duke i korrigjuar të
metat shkencore të marksistëve tanë. Paralelisht me një numër të konsideruar
atdhetarësh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe diaspora, përmes nënshkrimit
të Presidentit të Republikës, edhe Pandeli Emanoilit iu nda Urdhëri i Klasit të
I, medalje për kontributin e rëndësishëm sjellë në formimin e shtetit të
pavarur shqiptar. Kjo dekoratë e lartë, e nënshkruar nga Sali Berisha, iu
dorëzua në një kuadër festiv, nipërve të këtij atdhetari të madh: Julia dhe Eli
Emanoil. Me sy të përlotur, e pritën këtë dhuratë të shtrenjtë, mirënjohje
konkrete për një rilindës të madh që dha kontribut konkret për shqiptarët e
Rumanisë dhe Pavarësinë e Shqipërisë.
Hoteli Continental ku u mbajt mbledhja historike per shpalljen e Pavaresise (1912)
Familja Tabaku (2009)
Shqiptare te Bukureshtit me rastin e ardhjes se Luigj Gurakuqit ne Bukureshte per te pregaditur mbledhjen historike te pavaresi
Jeni të lutur të komentoni artikujt e botuar tek Tribuna Shqiptare. Mos harroni të vendosni një emër apo një pseudonim sepse kur shkruhet "guest" duket si makina pa targa. Ju mund të përdorni OpenID tuaj për të komentuar tek TSH. Mos harroni se duke komentuar ju ndihmoni...ADMIN