Pasi ia lexova librin (Anatamia e dashurisë), u takova me Sabile
Keçmezi-Bashën në ëndërr: kjo muzë e bukur kosovare e kishte vënë
tezgën në një breg të universit, nga e shihje duke rrëshqitur mbi do rrasa të zverdhura, duke recituar: Mes meje dhe botës së blertë. E pyeta nëse sheh shpesh ëndërra të këtilla, të purpurta apo të kuqëremta. Mu përgjigj, sibilinikisht: Në katër anët e botës/ Dhe në Sheshin e blertë të Prishtinës/ Inflacioni do t’i hajë fjalët...Pastaj më udhëzoi të zgjedh me përngutshmëri metaforën, se pranvera një herë e ngjyros botën në
mjegull!
Se
është pranverë në shpirtin e poeteshës, këtë e pata kuptuar, por, për
më tej...nuk shihja të ketë asgjë mbi tezgë. Por ç’ke prurë për shitje?
– e pata pyetur, atëherë. Mer disa ëndërra/ për pelegrinë, më tha. U
bëra tejet kurreshtare, sidomos kur intuoja faktin se të jesh pelegrin
përmes një ëndërre të kuqe, nuk është një ngjarje e thjeshtë. As që ma
ktheu përgjigjen ngase në ndërkohe buçiste një zë hyjnor, ashtu siç
vetëm në ëndërr të është dhënë ta dëgjosh, duke më pëshpëritur me
fëshfërimë kundërmimesh dhe duke më fërgëlluar me tringëllimat e saj
transçedentale: Nata shkon duke çaluar trotoareve të historisë... Poetesha intervenoi duke më shpëtuar: Nëse dëshiron ta kuptosh mendimin tim, të rekomandoj disa mesazhe për hënën që do të bëhet nuse!
Aaa, bërtita, e ngyzëlluar por edhe e mahnitur. Merre më në fund Yllin
e Mëngjezit për nuse! Përgjigja e saj nuk ma shqetësoi kurreshtjen: Lehtë i kam shitur/ Edhe ato që nuk shiten...
E
mbaj mend se zhaurimat e mëngjezit ndikuan që të shkrihen papritur
nuancat e asaj ëndërre të ngjyrosur. Ende ndodhesha në atë gjëndje
ndërmjet zgjimit dhe ëndërrës kur u dërgjuan do zhurrma te dera. Te
dera ime të jenë, apo ende po më faniten në ëndërr. Nëse është ëndërr,
vallë çfarë ngjyre mund të kenë? Dhe përsëri dëgjoj: Postjeri tre herë i ra derës/ Për të na treguar se nuk ka rrugë me dy kahje. Dhe ja, më në fund u zgjova papritur me senzacionin se po më thirr dikush. Nga jashtë më shikonte nusja e gurtë. Po atëherë, libri që e mbaja pranë meje rrëshqiti duke u hapur në drejtim
të përgjigjes. Sikur ta ditshim...(Monika Mureshan)
Mpleksje e konkretes me abstrakten
E
gjithë poezia e këtij libri është në shenjë të meditacionit të kësaj
poeteshe, e cila në mënyrë permanente preokupohet me proceset, aktet
jetësore të të sotmes, pastaj me të kaluarën dhe me mitin. Meditimi
poetik si i tillë ka një shtrirje të gjerë, sepse tangjeton me shumë
probleme të jetës, me problemet aktuale, ato të historisë dhe të
identitetit kolektiv, me çështjet e jetës intime dhe preokupimeve
subjektive dhe me një varg çështjesh që lidhen me njeriun si individ
dhe si pjesëtar të një kolektiviteti. Refleksi poetik frekuenton brenda
një hapësire të gjerë çështjesh e problemesh, shfaqet dhe artikulohet
në dy mënyra: si vizion poetik që është produkt i një abstraksioni të
thellë dhe si vizion poetik konkret, i cili ka mjaft analogji dhe
përkime me objektin dhe fenomenin e inspirimit. Nga rezultati i
artikulimit poetik të inspirimeve shohim edhe dy mënyra të komunikimit
të poeteshës me botën dhe jetën. Së pari, kjo poeteshë ka një
predispozitë të theksuar për observimin e proceseve konkrete të jetës
po aq sa edhe aftësi abstraksioni dhe përgjithësimi, kur kredhet në
gjetjen e shkak/ pasojave të proceseve jetësore. Duke e lexuar poezinë
e këtij libri shihet gërshetimi i këtyre dy prirjeve: shkrirjen e
abstraktës me konkreten. (Ramadan Musliu)
Gërshetim i bukurisë dhe ndjeshmërisë
Muza
kosovare hukat dëshirat duke i zgjuar nga letargjia. Babai i saj ishte
shkëmb që i përballonte stuhisë dhe murrlanit. Ajo citon Kavafisin duke
e përkujtuar Kosovën: “Kur ta gjesh, më në fund, Itakën të varfër/ mos
mendo se të ka mashtruar/ sepse je bërë i mençur, ke rrojtur një jetë
të vrullshme”. Ky është kuptimi i Itakës, kur motra qëndis flamurin për
ditën e madhe. Duke shkruar për forcën e fjalëve dhe funksionin e tyre
terapeutik, poetesha rumune Carmen Firan parashtron pyetjen: Si mund ta
gjejmë metaforën për t’i anashkaluar përkufizimet, për t’u çliruar nga
frika, duke u pajtuar shpirtërisht me vetveten? Cili është roli i
metaforës shëruese në jetën e përditshme dhe si mund ta bëjmë pronë
inspirimesh të frytshme? Fjalët e Sabile Keçmezi-Bashës janë fluturime
lirike që kanë magjinë terapeutike përmes hijeshisë dhe ndjeshmërisë,
përmes elegancës me të cilën na fton në një aventurë ekzistenciale të
veçantë dhe të guximshme, atë për të qenë ilaç i vetvetes përmes
fjalëve dhe imagjinatës. Herë/herë të mahnit poezia ironike e
shqetsimeve tona të ditëpërditshme, herë/herë fjalët e saj shkëlqejnë
përmes nurit të mençurisë që dinë ta shërojnë unin tonë në kërkim të
Itakës me fytyrë purpuri në natën e gjatë, në kërkim të bukurisë dhe
historisë, të besës, qëndresës, miqësisë dhe atdhedashurisë. (Baki Ymeri)