Poeti
Ahmet Selmani, i cili jeton dhe krijon në Shkup, duket si i mbetur
në një oazë, ku shkretimi letrar e ka sjellë buzë dilemës: të
krijojë a të mos krijojë në këtë “dhé
ashpëran/ (që)
një herë të pjell/ pastaj të ha”, (faqe 35).
I vetëdijshëm për rrethanat shoqërore e politike që po kalon
kombi ynë, ai sikur më me ngulm i është qasur krijimit letrar,
edhe pse konsideron se “nuk
është stina e tij”,
ai vazhdon, është bërë një zë i rrallë i këtyre anëve.
Pasioni i tij letrar ka bërë bujë edhe në këto kohë ndryshimesh
ku askush nuk çan kokën për librin, qoftë si lexues i rëndomtë,
e lëre më si shtytës a ndihmës në këto procese të dhimbshme qo
po kalon shoqëria jonë jo vetëm kulturore.
Ahmet
Selmani është bërë i njohur së pari në fushën e studimeve dhe
kritikës letrare, e më pas si emër i pranuar në prozën e
shkurtër, në ese letrare dhe, së fundi, edhe në fushën e
poezisë, ku sivjet botoi edhe përmbledhjen e dytë poetike “Abeja
e akullt”.
Nuk e di
sa është e nevojshme të theksohet një fenomen që e hasim te
Ahmet Selmani, dhe ky fenomen ka të bëjë më tepër me rrugën që
ka ndjekur ky autor, sesa me formën që ia ka përcaktuar vetes për
t’iu bashkuar kolonës së letrarëve shqiptarë dhe më gjerë.
Ai së
pari është marrë me kritikë e studime letrare, si redaktor
letrar, ka treguar një afinitet në përkthime. Më pas do të
botojë libra me publicistikë, tregime letrare dhe, krejt së fundi,
edhe poezi, fenomen ky që ndeshet rrallë, pasi shumica e autorëve,
nisin nga poezia dhe përfundojnë në prozatorë, kritik letrar e
studiues.
Si duket
kjo trajektore e emancipimit letrar, sikur i ka shërbyer këtij
autori për të dhënë rezultate të lakmueshme, me përmbledhjen e
dytë poetike bëhet edhe më i pranuar, por tashti edhe në fushën
e poezisë. Përvoja e tij letrare në fushën e kritikës dhe
studimeve letrare do t’ia ketë mundësuar për t’i kapërcyer
shumë pengesa që për poetë të tjerë do të duheshin përvoja
të gjata.
Poezia e
Ahmet Selmanit është një poezi e brishtë, me një koncept
ndërtimi dhe me imazhe të stërholluara të metaforës poetike, se
“mbi
gjoksin (e tij) me plagë/ ndalet një flutur e bardhë”, (faqe
16). Ky
origjinalitet i tij vjen, siç theksuam edhe më lart, nga përvoja
letrare, fenomen që është bërë i dallueshëm, e pse jo edhe i
diskutueshëm qysh në titullin e librit “Abeja e akullt”, për
të pasuar me ciklet, titujt dhe nëntitujt e poezive, pasi i tërë
vëllimi, poezi për poezi, ka nëntitullin si një tekst narrativ me
një mesazh pak a shumë sugjestiv: “Kryemësimi - ose
ninulla e jetës”,
“Duke mësuar veten – ose
zgjimi i hershëm”,
“Stinë e huaj – ose
gjumi i jetëvdekjes”,
“Rënia ime – ose
gëzimi i kotë”,
“Atdheu i qelbur – ose
britma e bukur”
e kështu me radhë. Sidoqoftë, autori ka arritur të krijojë
tipin e vet në kuadrin e poezisë së sotme shqiptare, gjë që
është për t’u lakmuar.
Përgjatë
tërë lëndës trajtohet fati i individit në një shoqëri në
tranzicion, dhe ky ndryshim jo rrallë ka marrë kahe negative për
të cilën gjë poeti shqetësohet: “Pika
sa s’më bie/ kur e shohë atdheun të qelbur”, (f. 35),
megjithatë në të njëjtën poezi lexojmë këmbënguljen e poetit
për të qëndruar:
“unë s’luaj vendit/ gurit i futem në placë”, (f. 35).
Kjo vendosmëri e poetit shpjegon se është i futur me tërë qenien
e tij në vorbullën e këtyre ndryshimeve, dhe duke qenë i
pafuqishëm që të ndikojë, ai proteston, jo rrallë ofshan,
aty-këtu mallkon, sa që duket sikur shqetësimi i tij intelektual
është futur në një krizë të thellë shpirtërore, sidomos kur
sheh se njeriu i ështu sulur edhe zotit.
Por,
poeti është mjaft i vetëdijshëm për rolin dhe misionin e tij
para kombit, të cilit ai me shkrimet e tij i shërben, “rrugën
ta hap/ për njerëzit/ që të ecin/ të lirë”, (faqe 26), me
një fjalë ai e di pse proteston, pse ofshan dhe pse mallkon, andaj
me lehtësi bën një ndryshim substancial të tekstit: “edhe
nëse nuk e gjen/ patjetër duhet ta krijosh”, (faqe 27), kurse
mesazhi që lexohet nga poezia në poezi e nxjerr lexuesin nga
latergjia.
Këto
asonanca krijuese kaq të trishtuara nuk i ndeshim edhe aq shpesh
nëpër librat me poezi që krijohen në hapësirën tonë:
Unë bie
po ti pse gëzohesh
sikur të kem vdekur
(Faqe
30)
Ky lloj
krijimi kaq i trishtuar bëhet me të vetmin qëllim, (së paku në
aspektin letrar), të ketë funksionin e vet në ndryshimet që po
ndodhin.
Unë po bie të fle
ti zgjomë vetëm nëse
ka
ndonjë lajm të mirë
(Faqe
31)
Poeti
këtë nuk e arsyeton gjatë krijimit poetik, këtë e kuptojnë të
gjithë ata që e njohin trajektoren e formimit dhe emancipimit të
tij si krijues i pasionuar dhe përplot guxim për t’u rrekur me
forma krijimi si te vëllimi poetik “Abeja e kullt”, ku do të
gjejmë një përsosmëri të vargut, në harmoni të plotë edhe me
mesazhin e krijimit.
Poeti
shpreh protestën personale përmes poezisë, se një histori “(që
s’u shkrua kurrë!), është përrallë e padëgjuar”, (faqe 9),
duke lënë për të kuptuar se poezia është e shkruar si një lloj
proteste artistike. Duke përshkruar artistikisht jetën qytetare, si
krijues ka shprehur edhe dramën e tij të brendshme, qoftë të
mendimit apo të përjetimit real.
Dramaciteti
kaq i madh për të ndikuar në ndryshimet që po ndodhin në
shoqërinë e re demokratike, është i arsyeshëm, sepse ai, (më
shumë se kushdo tjetër), është i vetëdijshëm se këto zhvillime
janë në shpërputhje me kahet dhe zhvillimet shoqërore e kulturore
në rajon dhe në shkallë botërore, pasiqë, siç thotë ai:
“shkretëtira
e ka gojën e madhe/ por ti kurrsesi mos lejo të të gëlltisë”,
(faqe 28).
Ahmet
Selmani i di mirë ndikimet e kombit tonë në Rilindjen evropiane
(renesanca evropiane), si dhe ato nëpër vende e kontinente, sepse
tashmë janë të tejdukshme, por ai, më mirë se kushdo tjetër,
mund t’i dijë edhe ndikimet e paraardhësve të tij në fushën e
letërsisë kombëtare, ashtu siç mund t’i dijë edhe nëpërkëmbjet
që iu bënë këtyre brezave e atdhetarëve të dëshmuar nga
konjuktura të çmendura komunistësh, prandaj shqetësimi i tij nuk
ka aq të bëjë me të kaluarën, por me të tashmen, dhe si i tillë
shqetësimi bëhet i arsyeshëm dhe mjaft subtil.
Ditët
po m’i ha nata
i vjell mbi mue
e unë ende kujtoj
se po m’lag shiu
heu ku je vdekje
që m’paske
harrue
(Faqe
38)
Drama
dhe dramaciteti që lexohet brenda këtij vëllimi poetik, janë
fatet e një shoqërie të tërë, pavarësisht nga mezhdat që na i
vunë, apo mezhdave e hendeqeve që i groposëm vet kundër
njëri-tjetrit, të yshtur nga pavetëdija a lakmia e tepruar:
“Sërish/ po çapiten varg e varg/ sa të tmerrshëm luftëtarët e
paqes/ njëlloj duken si paqësorët e luftës”, (faqe 61).
Kjo dramë duket edhe si një lloj aventure e cila i ngjan një varke
në detin e hapur përplot me tallaze, se a do të arrijë ajo ta
puthë bregun e ëndërruar, varet më shumë nga shkathtësia e
drejtuesit të saj, gjë që Ahmet Selmani duket se i ka këto
aftësi, pasi vëllimi i tij poetik është i lidhur me heronjtë e
tokës. Mënyra metaforike e tekstit përmes vargjeve lakonike
sublimojnë përpjekjen e poetit.
Unë
flas kundër së keqes
çdo
ditë e pështyjë me vrer
ti ç’dreqin më
ndëshkon mua
ke frikë ta prekësh
ligësinë
që na hëngri
të gjallë
(Faqe
60)
Kjo
sprovë poetike, ky dramacitet krijues dhe ky projektim metaforik, e
bëjnë poetin më të afirmuar dhe librin e tij - më të pranueshëm
e më shërbyes, jo vetëm në fushën e letërsisë, por edhe në
fushën e përditshmërisë sonë kaq të tensionuar nga ndryshimet
marramendëse ku
“turpin e gëlltisin si bukën e bardhë/ të gjithë janë bërë
nofulla e dhëmbë”, (faqe 62).
Ahmet
Selmani më shumë se poet, si studiues i letërsisë dhe si kritik
letrar, ka bërë kërkimet që i duhen për vite të tëra një
poeti, prandaj arritjet e tij qysh në fillimet e poezisë,
rezultatet mund t’i kërkojmë në fushat e cituara ku është
dalluar si një lexues i thellë dhe njohës i përkushtuar i
letërsisë, e veçmas i poezisë, prandaj trajtimi në këtë mënyrë
i fatit të njeriut në raport me shoqërinë, del si një koncept i
studiuar dhe analizuar mirë: “Ia
behin me kokat përpjetë/ s’përulen e s’i luten askujt/
njerëzit ah njerëzit/ e çmendën edhe/ perëndinë”, (po aty f.
62).
Raportet e poetit me rrethin dhe shoqërinë janë të thella dhe më
perceptuese, ku sinjalet shprehëse dhe mënyra e të shkruarit, i
japin atij përmasat madhështore, ku sprovat dhe provokimet për të
mbijetuar e kanë cytur muzën krijuese për t’i regjistruar si
indikacione që mund të jenë shërbyese se “ditën/
e mbaj në pëllëmbë të dorës”, (faqe 64).
E gjithë
drama jetësore e përjetuar duket si refleks dhe reagim i
domosdoshme për gjera të paarritshme, për gjera të parealizuara,
siç shprehet te poezia “Me engjëj a me djaj - ose
vetmi mishngrënëse”,
ku poeti shpreh një skepticizëm “me
cilët të lidhem më parë/ me engjëjt që duken si djaj/ a me
djajtë që duken/ si engjëj”, (faqe 67).
Duke e bërë dramën jetësore më të pranueshme, më të arsyeshme
dhe, vetë poetin, racional dhe mjaft pragmatik.
Në këtë
dramë jetësore nuk shohim vetëm një aventurë krijuese, por në
të shohim një laborator ku thellë e më thellë janë zhytur
mendimet sa humane, po aq edhe filozofike dhe shërbyese për veten
dhe shoqërinë në përgjithësi. Ai dramën e tij të përjetimeve
jetësore e ballafaqon me dramën e ndryshimeve të gjithëmbarshme
të shoqërisë, duke i dalë në ndihmë dhe mbrojtje njeriut të
zakonshëm, por duke sugjeruar që “atdheu
edhe kur na e kthen shpinën/ s’kemi të drejtë ta mallkojmë”,
(faqe 89).
Akti i
ballafaqimit, nuk është një gjendje e tensionuar shpirtërore, ose
një mllef që autori dëshiron ta shprehë, në këtë rast akti i
tillë është një dyluftim, sepse vetë jeta është luftë më
vete, dhe secilës i duhen heronjtë. Tani, me këtë rast mund të
nxjerrim një përkufizim shërbyes: Pasi përditshmëria jonë i ka
nxjerrë heronjtë të paprekshëm dhe luftëtarët - të
privilegjuar, edhe protagonisti ynë është luftëtar, sepse ai do
të bëhet therror i së bukurës në art e letërsi, e pse jo edhe
në përditshmërinë e zakonshme:
“O engjëll butëlosh/ ti ke të drejtë të më qortosh”, (faqe
101).
Ballafaqimi me të sotmen do të thotë prishje e harmonisë për t’i
shërbyer të nesërmes që nuk i dihet.
Nëse
autori e ka paksa të theksuar zhgënjimin, ky del si rezultat i
dështimeve të njëpasnjëshme që po i bën shoqëria jonë, mllefi
i tij duket si një lloj proteste për atë që nuk po e realizojmë
dhe është në kompetencën tonë, ndërsa mallkimi më shumë duket
si një protestë për gjithë ata që po shkelin mbi “heronjtë”
e letërsisë, sepse për autorin “dijetarët” janë heronj mbi
heronjtë, pasi ai thellësisht beson se vetëm dija dhe njerëzit e
mençur e kanë zhvilluar dhe emancipuar botën dhe shoqërinë
njerëzore.
Artikulimi
i këtyre fenomeneve është bërë përmes vargjeve metaforike,
përmes poemave dhe elegjive që autori i ka zgjedhur sipas shijes
dhe momentit të caktuar. Por, mënyra e ndërtimit është rezultat
i suksesit dhe arritjeve që ai i ka nga përvoja e gjertanishme, dhe
krejt natyrshëm mund të befasohet “pse
na ndjek ky mallkim i zi/ ne nuk e deshëm atdheun/ apo ai s’na
honeps/ fare”, (faqe 88).
Ahmet
Selmani është një personalitet që di ta artikulojë mendimin e
tij edhe përmes poezisë, por që kjo është strukturuar dhe
konceptuar për të shtjelluar dramën e tij personale. Sepse drama e
tij jetësore është edhe drama e kombit, prandaj poezitë janë
shkruar me një koncept që të pasqyrojnë më mirë atë dhe
shoqërinë njerëzore në përgjithësi. Ahmet Selmani, shihet se ka
punuar gjatë në këtë strukturim dhe konceptim të materies
poetike, pasiqë nga poezia në poezi, dhe sidomos nga cikli në
cikël zbërthehet më mirë mesazhi i poezisë: “...qyteti
ka dy jetë të vërteta/ njërën ia rrëmbeve ti/ tjetrën ia
ringjallin/ pëllumbat”, (faqe 76).
Ligjërimi
poetik i autorit sa vjen e bëhet më lakonik, herë më i ashpër e
herë violent, varësisht nga situata dhe tema me të cilën rreket,
ku zakonisht shkruhet me një mënyrë poetike, e cila herë pas herë
sikur mbulohet me një vello të poezisë sarkastike:
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
nuk më habit ky ndëshkim
më habit ferri që e shohë
e kam ditur të zjarrtë
po ky qenka i akullt
seç vuaj një dënim
të mbrapsht
për punë të mbarë
(Faqe
83)
Degradimi
i vlerave, shoqërinë e shpie në degjenerim. Këtij akti të
shëmtuar autori i tmerrohet skajshmërisht, prandaj përpjekjet e
tij dhe zëri sa qortues po aq edhe ironizues duhet të kuptohet si
klithmë intelektuale se ndoshta do të ishte “më
mirë në duart e zotit” se në duart e atdheut”, (faqe 88).
Në një moment më duket sikur ai është njeriu që gjendet në
bregun e detit dhe sheh një varkë duke u fundosur, por ai nuk është
në gjendje të ndihmojë. Në këtë rast duart e poetit janë
shtrirë nga mirësia dhe lutjet që çdo gjë të mos fundoset nga
kaosi i ndryshimeve socio-kulturore që po mëton t’i bëjë
shoqëria jonë, dhe pastaj “historinë,
historinë edhe një herë ta ribëjmë”.
Jo vetëm
kaq, me sa u shprehëm deri më tani, poeti ka ndërtuar një mori
refleksionesh dhe imazhesh poetike të sintetizuara me kujdes dhe
kulturë. Por imazhi kaq reflektiv dhe metaforat e këtij vëllimi
sikur bëhen ujëvarë, që nëpër të shkëlqejnë koralet, duke u
reflektuar në imazhin e konceptit dhe librit si tërësi, me një
fjalë t’i rrëqeth edhe ndjenjat e trupit:
Ky dhé
gjaknxehtë
derën e mban të hapur
të pret me bukë kripë
e zemër
po shqiponjat prapë e
hanë
njëra-tjetrën
...
(Faqe
40)
Pikërisht
këtu gjendet gurra prurëse që kreshpëron mjaft shpesh brenda
vëllimit si tërësi, veçmas nuancimet filozofike, inpresionet dhe
imazhet e shumta janë edhe një vlerë që aspiron kah lartësia të
cilën e mëton autori i librit.
Perceptimi
dhe artikulimi i fenomenit, shikuar nga pikëpamja historike e ka
ndërtuar imazhin poetik mjaft inpresionues me një potencë
perceptuese në rritje, si një artikulim artistik me shije dhe
sintetizim estetik, siç duken tre vargjet e para te poezia “Ëndërr
Çamërie ose
mall i përgjakur”
ku ndër të tjera shkruan: “U
nisa drejt teje/ po zjarri ma preu udhën/ klithmat m’i çanë
veshët”, (faqe 45).
Imazhet
që dalin nga këto poezi shprehin qëndrimin inpresionues dhe
artikulojnë një koncept sfidues dhe mjaft këshillues, tendencë e
dukshme që e hasim nëpër pjesë e pjesëza të librit,
përkatësisht nëpër poezi e strofa të shumta të këtij vëllimi
poetik. Sidoqoftë autori ka arritur që nga intimja të shprehë të
përgjithshmen, gjë që parapëlqehet dhe më lehtë nënkuptohet
edhe nga lexuesit e zellshëm, që synim e kanë gjetjen e këtyre
imazheve në poezinë e Ahmet Selmanit:
S’kem kohë
me pritë e vajtue
as plagt’ me i shërue
kjoftë bekua e naltue
kjo Shqypnia
jonë
(Faqe
44)
Nëse
qëllimi i poetit është që nëpërmes imazhit metaforik, nëpërmes
elementeve shoqëruese që e përcjellin poezinë të shprehë
ndjenjën e tij të brendshme në njërën anë dhe, në anën
tjetër, të ndërtojë portretin e tij poetik, mendojmë se në masë
të madhe autori e ka arritur këtë synim, sepse libri edhe si
koncept, edhe si strukturë, por edhe si vlerë është mjaft i
arrirë. Këtë konstatim e gjejmë te vargjet “pak
nga pak ta stolis qenien time/ që jeta të më duket si ëndrrat/ e
ëndrrat të më duken/ si jeta”, (faqe 56). Imazhet
e tjera që kanë një semantikë të fuqishme gjenden te poema
“Abeja e akullt - ose
zgjimi i Faik Konicës”,
pastaj edhe te poezitë: “Fundfjala e okarinës - ose
kënga e emrit”,
“Mëkat dashurie - ose
këngë trinike”,
“Lirimi i Servantesit - ose
cubat fisnikë”
etj. Por, elemente idolatrike i gjejmë në poezinë “Zemra e dheu
-
ose letër Kate Xukaros”
ku shprehet se: “ti
bënë shumë mirë që e ke zemrën te dheu/ por unë s’di si ta
sjell dheun te zemra”, (faqe 41). Poezi
këto të ngarkuara me një impresion të theksuar alegorik, që
vërehet sidomos te amaneti që Konica
ia lë Imzot
Nolit
dhe Lamjes
të
cilët, siç dihet, për të gjallë të tyre nuk e kanë realizuar
këtë amanet. Indikacione të tjera mjaft identike i ndeshim edhe te
poezia që ia kushton poetit kuksian Havzi
Nela,
të cilin diktatura komuniste e pat dënuar me varje në litar: “ti
s’je n’tokë/ flatron në qiell/ kurrsesi s’mundem/ me
t’përqafue”, (faqe 48). Prandaj,
kur dihen rrethanat shoqërore e politike që përcollën kombin
tonë, si tonet elegjiake, si mesazhet e poezisë marrin një
konotacion dhembjeje, malli e dëshpërimi, që poeti i ka mveshur me
një mllef e mallkim poetik për atë që ka ndodhur, me theks të
veçantë në të tashmen e trishtueshme, ngase poeti dhe
intelektuali sot përbuzet si kurrë më parë, dhe nuk dihet “pse
na ndjek ky mallkim i zi/ ne nuk e deshëm atdheun/ apo ai s’na
honeps/ fare”, (cituar më parë, f. 88).
Madje
kjo përbuzje ndodh edhe me ata poetë që i kanë dhënë emër
kombit, dhe me ata që vepra e tyre ka qenë vazhdimisht në shërbim
të tij. Nëse poezia shihet nga ky këndvështrim, ajo sikur flet më
shumë me të tashmen, ngase edhe ai është i vetëdijshëm se e
kaluara është si një perde e mbyllur në shfaqjet teatrale, por e
ka frikën se “nëse
i mbyll sytë/ do të sundojë harresë e gjatë”, (faqe 115).
Natyrisht këto prekje të imazhit impresiv sikur kanë tone
qortuese, por refuzimi i vazhdueshëm dhe mospajtimi sikur e bëjnë
edhe më kryengritës dhe më të vendosur për të shkuar në
heroizma të reja letrare që, dhashtë zoti, e nuk do të na
mungojnë, pasi ai “kënaqet
kur bënë gjëra të mira”, (faqe 73).
Fundja e
fundit kjo është liria e krijimit që, përmes refleksioneve
poetike të kësaj natyre e ka thënë dhe shprehur një qëndrim të
caktuar, për të cilën më shumë se kushdo tjetër, poeti e ka
meritën kryesore për krijimin e veprës dhe për ta përcaktuar
imazhin e saj, që me kaq guxim ia ofron lexuesit të tij, “por
si çdo njeri tjetër i gjallë/ kam edhe ndonjë të pamirë/ bie
fjala jam më i shkurtë/ se sa që duhet të jem”, (po aty, f.
73).
Poeti
Ahmet Selmani ka arritur që përmes figurave dhe portreteve të
ndërtojë imazhin artistik. Dhe kur ky imazh shpreh ndjenjat e
brendshme dhe preokupimet e tij jetësore, ka “shkëlqim
dhe marrëzi”,
siç i shpreh me poezi:
Pas
vetes
po lë shkëlqim
dhe marrëzi
ndanë meje
thithni vetëm shkëlqim
marrëzitë mos m’i
prekni
shkëlqimin e bëra për
të tjerët
për vete marrëzitë
(Faqe
119)
Besoj se
vepra poetike e Ahmet Selmanit ka prekur drejtpërdrejt
përditshmërinë e secilit. Pastaj poezia bëhet pjesë e njeriut,
si një dramë më vete që shpreh preokupimet e një shoqërie dhe
rrethi më të gjerë. Kjo potencë e guximshme, kjo alegori e
guximit qytetar për t’u shprehur publikisht është një sfidë e
re letrare në poezinë e sotme shqiptare.
Nice, Francë, verë 2009.
Shefqet DIBRANI