Nga Klajd KapinovaPjesa e dytë - Lexoni pjesën e parë këtuTomë Mrijaj, “Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një Jetë e
Shkrirë për Fe e Atdhe”, Jetëshkrim, New York, 2008, f.
396
“… Presim si
zogla verës ndoi shkrim T’uejin…”
Mirënjohja
- gjest fisnikërie i klerikëve
Mrijaj,
në veprën e re, na jep dimensionin e madh të mirënjohjes që Dom
Zef Oroshi, ka pasur ndaj mjeshtërit të madh të gjuhës sonë
fjalëmjaltin Dom Ndre Mjedja, duke ofruar kujtime origjinale të
nxënësit për mësuesin e ABC - së.
Kështu
në shtjellimin e temës: “Mirënjohja
ndaj mësuesve të parë”
(f. 67 – 74), ndër të tjera jetëshkruesi Mrijaj, na njeh shumë
mirë me nxënësin e zellshëm të vatrës së ngrohtë atdhedashëse
e përparimtare adolishentin Oroshi të Kolegjës Saveriane, që i
ndrojtur por krenar futet në klasat dritëdhënëse, ku jepnin mësim
krenaria e kulturës që me shembuj ndër shekuj, kanë treguar
qenësinë e vijimësisë autoktone iliro - shqiptare.
Në
Amerikë (NY) ai e përkujton shpesh me biseda, artikuj dhe me një
Simpozium kushtuar posaçërisht jetës dhe veprës, në 40 –
vjetorin e kalimit në amshim. Dom Oroshi, shkruan 5 faqe, kumtesë
me titull sinjifikativ: “Dom
Ndre Mjedja”, të cilën
e boton në faqet e revistës “Jeta Katholike Shqiptare” (Vjeti
XII, #4 (nr. 48), Tetor – Dhetuer, 1977, f. 15 – 21). Midis shumë
dijetarëve të shquar shqiptarë, në tubimin e rëndësishëm
kulturor, sikurse shkruan studiuesi Mrijaj, u dallua me ligjeratën e
tij të spikatur eruditi kundërkomunist konseguent “Profesor
Emeritus” shkodrani Prof. Arshi Pipa.
Përveç
se shqipërues, shkrimtar, studiues, teolog e filozof, ai ishte edhe
një publicist i kujdeshëm e i mprehtë për kohën. Me daljen e
revistës në fjalë të komunitetit katolik në New York, Oroshi i
kushtohet tërësisht buletinit që ai vetë themeloi dhe drejtoi.
Shkrimet e tij mbajnë nënshkrimin Dom Zef Oroshi dhe pseudonimet:
“Theologu”, “Zodiaku”, Redaksia, Drejtoria, D. Z., etj.
Dëshmohet
me prova, se rreth 70 % të shtypit në fjalë e përgatiste dhe
redaktonte vetë, sikurse rikujton sot bashkëpunëtori i tij i
ngushtë dhe njëherit edhe Kryetar i Këshillit të Kishës,
aktivisti e publicisti veteran z. Tonin Mirakaj, “Monsinjori
e merrte me vete makinën e shtypit, korrigjonte dhe redaktonte me
shumë kujdes shkrimet e tij dhe bashkëpunëtorëve të revistës”.
Kjo
vinte nga fakti, se Oroshi librat i kishte pasion dhe ushqim
shpirtëror, sepse Urdhërat Katolike dhe posaçërisht Etërit
Françeskan dhe Jezuit, në qytetin e lashtë të Shkodrës e kishin
për traditë shtypin e lirë, demokratik dhe luajal, si një tryezë
e hapur bashkëbisedimi të lirë mediatik, kulturorë dhe shkencorë
asokohe, për të gjithë mendimtarët progresistë shqiptarë dhe të
huaj të kohës ndër shekuj.
Noli
dhe Oroshi, janë dy figura të spikatura të komunitetit shqiptaro –
amerikanë, të cilët nga studiuesit e sotshëm nuk janë lëvruar.
Janë shkruar deri më sot gjashtë vepra (ku janë shfrytëzuar edhe
Arkivat e Federatës Panshqiptare “Vatra” në Boston dhe New
York, shënimi im K.K.), kushtuar Peshkopit të Kishës së Shën
Gjergjit në Boston Imzot Fan Stilian Nolit, por në asnjë nga ato
nuk gjen letërkëmbimin apo edhe takimet e shpeshta të tyre. Duhet
thënë se dialogu i shpesh mes tyre dhe Kadinalit Caushing në
Boston, kishin një qëllim të përbashkët: bashkimin brenda
Shtëpisë së Zotit, të kishave shqiptare të ritit katolik
perëndimorë me ato lindore ortodokse në një të vetme, mbasi
grigjia ishte e një etnie, gjuhe tradite dhe kombi.
Bashkëkohësi
ynë, na përshkruan Oroshin dhe në këtë rast portretizon shumë
bukur edhe mikun e tij të dashur Imzot Fan Stilian Nolin dhe
komunitetin ortodoks në Boston. Pikërisht përjetimet e veta
mbresëlënëse për Nolin dhe frymën dashamirëse ekumenike të
tij, kleriku katolik mirditor, i përshkruan në punimin që ia
dedikon tërësisht atij në shenjë nderimi dhe respekti, që ai ka
bërë jo vetëm si Ipeshkëv i besimtarëve të vet, por edhe si një
atdhetar i madh, intelektual erudit etj.
Kështu
në librin: “Flamurtar i
Kombit” (1882 - 1982),
një botim special i Federatës Panshqiptare Vatra në Boston, Mass.,
(editor Eduard Liço), ndër të tjera, lexuesi mund të njoh Nolin
edhe përmes kujtimeve mbresëlënëse të Dr. Oroshit, me titull:
“Si e njoha Fan Nolin”.
Tema
shumë interesante dhe me një informacion të larmishëm Mrijaj, ka
ofruar përmes një cikël shkrimesh tërheqëse narrative, që në
sinfoni plotësojnë natyrshëm njeri – tjetrin, duke na dhënë të
kristalizuar profilin e plotë të Dom Zefit, qysh nga koha kur ai
vjen për herë të parë në New York në vitet ’60.
Më
10 tetor 1975 Oroshi, bëri një udhëtim në kështjellën e vjetër
të Mesjetës në Toledo të Spanjës, me ftesë të familjes
mbretërore të Leka Zogu II, i bri i Ahmet Zogut. Në këtë ambient
festiv dhe aristokrat, ku shquhej flamuri shqiptar kleriku katolik
Mons. Oroshi vuri kurorën e shenjtë të martesës, një ngjarje kjo
që në libër është përshkruar me shumë kujdes nga autori.
Brenda
veprës voluminoze dhe narrative: “Një
jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”,
mëson më shumë për ekumenikun e papërsëritshëm asokohe;
vizionarin largpamës dhe me kurajo të fortë civile dhe fetare;
burrin e matur dhe të përvujtur, bariun e përshpirtshëm dhe
atdhetarin e flaktë për lirinë e popullit të vet në vendlindje
nga tirania ateisto – komuniste; intelektualin e palodhur si
shqipërues të librit: “Katër Unjgjijt dhe Punët e Apostujve”
(Shkrimi i Shenjtë, i cili u vlerësua me një në audiencë private
nga vetë Papa Pali VI (1963 – 1978)).
Në
këtë rast, ne zbulojmë Monsinjorin e thjeshtë, por të
përkushtuar vreshtës së Zotit deri në përvujtëri; mikun dhe
dashamirin e të Lumes Nënë Tereza (1910 – 2007), të cilën ua
tregoi nga afër shqiptaro – amerikanëve, në një kohë që
qeveria komuniste nuk e lejonte atë të bënte një vizitë tek
varri i nënës së vet.
Dom
Zefi tha një meshë në oborrin e Kishës katolike Bronx New York më
25 Korrik të vitit 1976. Për herë të parë, autori paraqet disa
foto historike, ku E Lumja Nanë Tereze, është e fiksuar në
celuloid e gëzuar mes bashkëatdhetarëve të vet, që kishin ardhur
për t’a takuar nga disa shtete të Amerikës...
Udhëtimet
e veta të njëpasnjëshme Tomë Mrijaj si vatran i parë dardan dhe
njëherazi kryetari i “Vatrës” për degën e Queens NY, i
përshkruan me një gjuhë dhe stil të thjeshtë. Ato janë
gjithashtu edhe takime të ngrohta miqësore të Mons. Zefit me
aktivistët veteranë vatranë në Boston.
Mikpritja
dhe bujaria e filantropistit të përhershëm të organizatës më të
vjetër shqiptaro – amerikane “Vatra” (1912) dhe gazetës
“Dielli” (1909) Anthony Athanas, i ka mbetur në kujtesë
studiuesit Mrijaj, nga rrëfimet e klerikut katolik, sikurse edhe
bisedat e shpeshta të zhvilluara atje në prani edhe të Peshkopit
Metropolit Emzot Nolit.
Me
endje mund të kundrohen ngjarjet njëpashme të titulluara: “Lotët
e dhimbjes”, “Zoti e kërkonte në amshim”, “Malli për
Oroshin dhe Shqipërinë”, “Tek varri i nacionalistit të flaktë
Abas Kupi”, “Përballë memorialit të shërbestarit të kombit
Mit’hat Frashërit”, “Si u bëmë kumbarë?”, “Ikja e
ardhja e një engjëlli”, “Krenar, përpara shtëpisë së
amshimit”, “Një darkë e paharruar”, që
njëherazi janë edhe përjetime personale të vetë autorit.
Dom
Zefi, ka merita të padiskutueshme si meshtarë dhe atdhetarë, por
gjëja më e fisme, që e lartësoi shumë figurën e tij, është se
asnjëherë nuk bëri kompromis me dy rrymat, që ishin kërcënuese
për emigrantët shqiptarë: enveristët dhe përkrahësit e UDB –
së.
Vijimsia
- zinxhir i pakëputur barinjve shpirtërorë
Një
kapitull më vete, jetëshkruesi, i ka kushtuar klerikëve të ditëve
tona, që po vijojnë atë traditën e hershme të kuvendeve katolike
në vendlindje, ku prelatët e shquar shpirtëror dhe meshtarët e
thjeshtë, si misionarë apo ushtar shpirtëror të Krishtit, ecin në
atë udhë mbi 2000 vjet të krishtërimit ndër shqiptarë. Këtë
traditë e vazhdoi pa ndërprerje në ShBA (New York dhe Detroit)
meshtari Mons. Oroshi, Dom Rrok Mirdita (sot Arqipeshkëv Metropolit
në Arqipeshkëvin Tiranë - Durrës), At Prof. Dr. Andrea Nargaj
O.F.M., Dom Prek Ndrevashaj, Dom Lazër Sheldija dhe po udhëtojnë
me sukses klerikët e sotëm plot devocion të komunitetit shqiptaro
– amerikanë, Të Përndershmit: Dom Pjetër Popaj, Dom Anton
Kçira, Dom Ndue Gjergji dhe deri tek më i riu kleriku i përvuajtur
Dom Nikolin Përgjini.
Nga
ana e tjetër Mrijaj, nuk ka lënë në harresë as vrasjen mizore 21
vjet më përpara në New York të meshtarit misionar Dom Lazër
Sheldija, nderimin dhe respektin, që sërisht gëzon këtu dhe
vendlindjen e tij në katundin Sheldi të Shkodrës.
Lidhja
kuptimplote dhe historike, që autori i ka bërë temës: “Dy
personalitete të shquara Imzot Vinçenc Prennushi dhe Imzot Rrok
Mirdita”, janë
pikërisht domethënia e argumentit tim që citova pak më lart. Dy
portrete, që dallojnë mes tyre vetëm nga emrat, sepse Jeta, Rruga
dhe e Vërteta e Fjalës së Zotit, ka qenë gjithnjë e njëjtë për
të dy prelatët shqiptarë. I pari i martirizuar, ndërsa i dyti që
ecën mrekullisht nën shembullin e pararendësit të tij. Ipeshkët
e lartë: Prendushi e Mirdita, analizohen me fakte historike përmes
detajeve interesante historike.
Gjatë
mendimeve sintezë që argumenton jetëshkruesi, shohim se lindja e
një fëmijë në Ulqin, ishte një gëzim i madh për familjen me
origjinë mirditore Mirdita. Ky vogëlush me emrin e pagëzimit Rrok
do të ketë shpejt thirrje të brendshme nga Zoti. Ai më vonë do
të vijojë shkollën dhe do të marrë udhën e bukur meshtarisë.
Bariu i ri do të shërbejë në Arqipeshkëvinë e hershme të
Tivarit si meshtar i thjeshtë dhe më vonë, me kërkesë të Mons.
Dr. Zef Oroshit, ai do të thirret në New York dhe do të bëhet
zv/administrator i Kishës shqiptaro – amerikane “Zoja e
Këshillit të Mirë” në Bronx NY. Më 25 Prill 1993 Dom Rrok
Mirdita (1939) shugurohet Ipeshkëv me një meshë solemne në
Katedralën e “Shën Shtjefinit” (1858) nga polaku Papa Gjon Pali
II. (Kjo Ringjallje e hierarkisë kishtare, u bë përmes prelatëve
të rinj: Shkëlqësisë së Tij Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv
Metropolitan në Arqipeshkëvinë Tiranë – Durrës dhe Imzot Frano
Ilia (1918 – 1997), Arqipeshkëv Metropolitan i Shkodrës, Ipeshkëv
Ndihmës në Arqipeshkëvinë e Shkodrës Imzot Zef Simoni (1928 –
2009) dhe Ipeshkëvi i Pultit dhe Malësisë së Madhe Imzot Robert
Ashta (1918 – 1998). Që të tre klerikët ishin martirë të
gjallë, të mbijetuarit e burgjeve shfarosëse komuniste në
Shqipëri).
Pra
Rroku i vogël vinte në jetë, një kohë që prelati aktual Imzot
Prennushi (1885 - 1948), syrgjynosej në burgjet e tmerrshme
komuniste në Shqipëri. Ai plot dhimbje po kalonte mbi shpinë
golgotën e madhe të përsekutimit mizor ateist. Dhe në këtë rast
kemi rilindjen mbi rrënjët e gjakut të kuq të derdhur ndër
shekuj për Fe e Atdhe nga prelatët dhe klerikët katolikë
shqiptarë…
Kreu:
“Shtypi për Mons.
Oroshin dhe revistën “Jeta Katholike Shqiptare”,
përmes hulumtimeve shumëvjeçare të studiuesit këmbëngulës
Mrijaj, jepen të saktë dhe në gjuhën që janë shkruar nga vetë
publicistët e njohur bashkëatdhetarë të kohës. Kështu i shquari
Prof. Karl Gurakuqi nga Italia, do të bëjë një analizë dhe
sintezë të përmbajtjes dhe rolit të pazëvendsueshëm që ka
luajtur shtypi shqiptar në mërgim. Më konkretisht Prof. Gurakuqi
shkruan: “Jeta Katholike
Shqiptare – një revistë e re në mërgim”.
Më pas spikat gazetari i Radio Londrës BBC Tajar Zavalani, duke
njohur botën shqiptare me shkrimin: “Nji
inisiativë e lavderushme”,
dhe vijon me jehonën e revistës në fjalë: “Sa
kam shpirt, kam shpresë”,
nënshkruar nga gazetari me përvojë publicisti Lec Shllaku etj.
Ndryshe
nga çfarë përshkruajnë sot mediat bashkëkohore, për jetën
shqiptare në Amerikë dhe veçanërisht në New York, Dr. Rexhep
Krasniqi, me ndjenjë të lartë atdhetari e aktivisti të palodhur,
analizon dukuritë e zhvillimit të ngjarjeve brenda komunitetit tonë
42 vjet më përpara, duke qenë një shembull i freskët aktual për
ditët tona.
Ëmbëlsira
thotë populli, është lënë për në fund. Kjo është e vërtetë.
Mrijaj, tregon se Monsinjori, merret shumë gjatë kësaj periudhe me
aktivitet të begatë letrarë dhe publicistik, gjw që bie në sy të
mirë tek kritikët e mprehtë të artit dhe kulturës shqiptare,
sikurse ishin profesorët: Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Karl Gurakuqi
etj. Kësisoj novela narrative me subjekt të mirëfilltë shqiptar e
titulluar: “Çohaja” (lexo tek revista “Shejzat” (le
pleiadi), nr. 3 - 4, vjeti III, 1959, f. 131 – 136 Pjesa I dhe II
nr. 5 – 6, f. 2002 – 2005), tregon për pendën e spikatur të
Oroshit. Përmes gjetjes së qëlluar shkrimtari Oroshi, ka mundur të
na dhurojë personazhin e Frrokut, që rrëfen përrallat, me një
shije të hollë humori, theças e nënkuptimesh, që u shmangen
shpërrallimeve e për rrjedhim logjik, dalin në pah shembuj morali
e një lloj zgjidhje enigmash filozofike, të mbështetur thellësisht
në gurrën e pasur të folklorit autokton të lashtë arbëror,
shprehë bukur e ëmbël, përmes fjalorit të përzgjedhur dhe të
kulluar të gjuhës amtare.
Nga
faqja 241 deri në 278, lexuesi i kujdeshëm mëson edhe anët e
tjera të Mons. Oroshit, si një njeri me kulturë dhe vizion të
kjartë, për të ardhmen e komunitetit tonë. Kjo duket në mesazhet
që ai përcjell, mesazhet e bashimit si një thirrje e brendshme
shpirtërore, me shkrime, memorandume, letërkëmbime me të gjithë
komunitetin shqiptarë, pa dallim feje dhe krahine, gjë e cila e ka
bërë klerikun të nderohet dhe respektohet nga të gjithë dje dhe
sot në këtë tubim përkujtimor.
Literatura
dhe dokumentet e vjelur nga hartuesi i veprës, është shumë e
pasur, duke zënë 8 faqe gjithësej. Kjo tregon dashurinë dhe
respektin e thellë, për t’i ruajtur si relike çdo gjë që
lidhet me jetën dhe veprën e personazhit të vet. Nga ana e tjetër,
monografia e parë e plotë, tregon bindshëm seriozitetin dhe
përkushtimin e vijueshëm me të cilën autori i palodhur ka punuar
sistematikisht tash 20 vjet, për të ndërtuar këtë libër plot
fakte, që sot kemi kënaqësinë të gjithë t’a kemi në dorë.
Në
këtë rast publicisti mërgimtar, ka dhënë me veprën e re
historinë e lavdishme të komunitetit katolik rreth institucionit të
lashtë të Kishës Katolike, që si një Nënë e Mirë, ka ruajtur
bijtë e shqipes nga vorbulla e asimilimit të shpejtë në Shtetet e
Bekuara të Amerikës. Kjo histori, është sprova e mbijetesës dhe
vijimsisë së trashigimisë së gjuhës, kulturës dhe vlerave më
të mira atdhetare të një pjese të bijve të trojeve etnike
shqiptare, që ndodhën këtu në mërgimin e largët në Amerikë.
Ky libër është një gurë i çmuar edhe në vetë ndërtesën e
historisë së këtij shteti gjigand, që falë lirisë dhe
demokracisë shembullore për të gjithë botën, na bëri të
ndjehemi krenarë, se jemi shqiptarë dhe amerikanë, që ruajmë
emrin e mirë të komunitetit tonë ndër vite...
Tomë
Mrijaj me këtë mision, ndezi një qiri të pashuar në komunitetin
tonë, duke na e dhënë Mons. Dr. Zef Oroshin të pavdekshëm me
jetën dhe veprën e tij në shërbim të fesë dhe atdheut.
Shënim:
Kjo
kumtesë e shkurtuar është mbajtur ditën e Diele më 03/15/09, në
Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në Hartsdale New York, në
përkujtim të 20 – vjetorit të kalimit në amshimin e pasosun të
Themeluesit të Kishës dhe Lidhjes së Parë Katholike Shqiptare në
Amerikë Mons. Dr. Zef Oroshi.
klajdkapinova@yahoo.com