Jetulla
Haliti është i lindur në fshatin Haxhaj të komunës së Gjilanit, më 20
nëntor 1945. Ka përfunduar studimet për art figurativ në Fakultetin
e arteve figurative në Prishtinë, pastaj studimet Pasuniversitare në
Beograd. Nga viti 1985 mban edhe statusin piktori i pavarur. Deri më tani ka
realizuar më se 77 ekspozita personale, ka marrë pjesë në 200 ekspozita kolektive
në Evropë dhe në kontinente tjera, ka trajtuar më se 100 cikle në dhjetë
teknikat ndryshme; të pikturës, skulpturës, grafikës dhe të vizatimit. Ka
të botuar më se 500 artikuj në mediat kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka të
regjistruar në Luksemburg “INSTITUTIN E ARTEVE PROFUNDIST –ETI”
Është
themeluesi stilit profundist, stili i ri që përfaqëson post modernen, përmes
një metode krejt tjetër në artet figurative botërore. Është autor i projektit
të madh Pedagogjik- Didaktik “Emancipimi i të rinjve nëpërmjet
edukatës së arteve figurative”. Në vitin 1997 dhe 1998
shpërblehet me “Medaljen e Artë” në Sallonin e
27 dhe 28- të Ndërkombëtar të Akademisë Evropiane të Arteve në Belgjikë. Kurse
në vitin 1999 shpërblehet me tri “Medalje të Argjendta”, në Francë,
në Zvicër dhe në Belgjikë. Ka edhe disa medalje tjera të arta dhe të argjendta,
i cili është shpërblyer nga viti 2000 deri në vitin 2008. Gjatë
këtij viti po ashtu u nderua me çmimin “Grand Prix Medalja Vermej”
në Belgjikë me bustin e Skënderbeut në bronz në Sallonin e 38 të A.
E .A në Belgjikë
Për ciklin e
tij famoz “Pëllumbat e paqes” është propozuar nga institucionet e
mediave dhe të kritikëve të ndryshëm evropian të artit si kandidat për “ÇMIMIN
NOBEL PËRPAQE”, është i pari prej kandidatëve nga artet figurative
që propozohet për këtë çmim. Merret me kritikë dhe vlerësime figurative
në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Është profesor në universitetin e
Prishtinës, ku ligjëron lëndën Metodika e Artit Figurativ
Profesor
Haliti përgjigjet me kënaqësi pyetjeve tona për revistën “Perspektiva”
Z. Haliti. Sa i kushtohet rëndësi artit figurativ në Kosovë?
Me
siguri, ju e dini se në Kosovë, artistët ankohen gjithmonë se nuk kemi
kushte për punë, se nuk ka galeri, nuk ka vend ku mund të ekspozohen punimet e
tyre. Kosova është një vend ku artist kanë dëshirë ta prezantojnë artin e vet,
ta prezantojnë mesazhin e tyre, i cili mesazh duhet të komunikoj drejtpërdrejtë
me qytetarin e lirë. Kjo mungon sepse e tërë Kosova, ka vetëm një galeri, e cila
nuk i plotëson kushtet as minimale, kjo është ankesë, por në të ardhmen
mendoj se do të bëhet diçka më mirë. Tani kanë filluar të bëhen disa
galeri të reja private.
Z. Haliti. Çka trajtoni ju më së shumti në punimet tuaja artistike?
Ne kemi marrë
një iniciativë qysh herët, me ciklin “Pëllumbat e Paqes”, ku unë nga
Kosova, edhe kam dal në Evropë po me të njëjtin motiv, me të njëjtin apel, se
pëllumbi është simbol i paqes, i shpirtit të lirë, i fluturimit pakufi dhe
papengesa. Në një nga prezantimet e mija në Zvicër, artisti dhe kritiku i artit
zviceran z, Sharll Kollubara, tha kështu: “Dëshiroj që një ditë, të
zhduken kufijtë dhe njerëzit të jetojnë të lirë, sikurse edhe pëllumbat e
paqes të artistit Haliti”. Shumë çka ndryshoi në vitet e që i kemi lënë
mbrapa, mendoj në aspektin pozitivë. Mirëpo ishte edhe mesazhi im që përmes
ciklit “Pëllumbat e paqes”, t’i tregojmë Evropës, se ne shqiptarët e
meritojmë lirinë. Dha zoti që viti 99 të thyhet kufiri shqiptaro- shqiptar në
Koshare, ku guri i kufirit u thye nga Agim Ramadani, së bashku me shokët e tij
të idealit, dhe sot ai guri, gjendet te përmendorja e Agim Ramadanit në Gjilan.
Z. Haliti. Mendimi i juaj për Agim Ramadanin, si piktor?
Agimi jo vetëm
që ishte luftëtar, por edhe poet e piktor. Dhe të gjitha këto, ai diti ti
sinkronizoj shumë mirë, ai për pikturë u shpërblye edhe me çmimin “Grand
Prix” në vitin 1998 në Belgjikë. Me një fjalë ka qenë luftëtar, poet dhe
piktor i shkëlqyeshëm. Ai vra, por puna e tij dhe shokëve të tij, sot ne po e
gëzojmë lirinë e shumëpritur. Por dua të shtoj me që Agimin e kisha edhe djalë
të motrës, mund të them se ai ka trashëguar nga unë edhe punën e tij artistike.
Ai ka organizuar ekspozita personale gjatë viteve të shkollimit të mesëm dhe
atij universitar në Zagreb në Akademinë Ushtarake.
Z. Haliti. Jeni anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve, mund të na
thoni rolin dhe rëndësinë e këtij institucioni?
Për dhjetë
vite të punës sime aktive në Zvicër dhe në shtete tjera Evropian, Akademia
Evropiane e Arteve, e ka parë punën time dhe si rezultat i saj jam kurorëzuar
me pranim anëtarë aktiv i kësaj Akademie. Mirëpo unë nuk isha me kaq i kënaqur,
sepse brenda kësaj Akademie funksionin nëntë seksione, prandaj unë
insistoja që edhe ne të kemi “Seksionin e Artistëve Shqiptar”, gjë që edhe u
kurorëzua me sukses, ajo u aprovua në vitin 2002. Tani Akademia Evropiane, ka
dhjetë seksione. Vitin e kaluar Seksioni ynë u nderua me çmimin e parë në
cilësi të veprave artistike, ku ne brenda për brenda Akademisë bëjmë gara ndërmjet
veti. Këtë vit kemi prezantuar, 33 artist, prej tyre 30 artist nga artet pamore
dhe tre poet si; Ali Podrimja, Visar Zhiti dhe Dritëro Agolli, unë jam nderuar
me çmimin “Grand Prix, Medalja Vermej” me bustin e Skënderbeut në bronz. Pas
regjistrimit të Seksionit tonë, ne jemi prezantuar në shtatë ekspozita në vende
të Evropës, ku organizatorit, ju ka dashur të bëjë një rrugëtim prej 65000km.
Z. Haliti. A kushte në Gjilan, për artistët figurativ?
Artisti kur i
ka kushtet luks, ai më nuk merret me art, por përmes artit mundohet të krijoj
sado pak kushte dhe për këtë duhet të sfidoj. Pengesat janë të ndryshme, ne më
parë kemi qenë në kërkim të një lokali për veprimtarin tonë, tani na kanë
dhënë një lokal te Teatri i Gjilani, gjë që nuk i plotëson kushtet as
minimale. Për veprimtarinë tonë mendoj se në Gjilan, nuk mund të flitet për
kushte normale, por e tërë veprimtaria jonë organizohet qoftë përmes atelieve
tona, ose edhe diku jashtë vendit.
Z. Haliti. Cila është mbështetja institucionale, për veprimtarinë
artistike?
Ne jemi
fillestar në çdo aspekt, sidomos pas pavarësisë. Dashtë, zoti që gjërat
stabilizohen. Mendoj se Ministria e kulturës duke filluar nga
Ministri,Valton Beqiri dhe stafi i tij do ta mbështesin materialisht
kulturën. Unë, ja kam prezantuar ministrit një projekt kolosal, i
cili ka të bëjë me organizimin e Sallonit të parë të Akademisë Evropiane
të Arteve këtu në Kosovë, i organizuar nga Komiteti Kombëtar Shqiptar, i
cili do ti kushtohet një vjetorit të pavarësisë së Kosovës, do të ftohen artist
nga Evropa dhe vendi ynë, ku përmes gjuhës artistike. do t’i jemi
falënderues vendeve që e kanë njohur shtetin tonë. Projekti është miratuar nga
ana e ministrit, priten vetëm edhe disa detaje, në takimet e ardhshme dhe si
tillë do të finalizohet.
Z. Haliti. Sa është e zhvilluar kritika e arteve figurative në
Kosovë?
Ne kemi
biseduar për një gjë të tillë edhe në Akademinë Evropiane të Arteve, ne kritikë
kemi, por institucion zyrtar të kritikës nuk kemi. Dhe vlerësimi një punimi
artistikë bëhet në mënyrën kush kë e njeh, veç kësaj mungojnë edhe mjete
financiare për të angazhuar kritikë në vlerësimin e veprave artistike dhe arti
nuk mund të zhvillohet pa buxhet.
Z. Haliti. Cili është mesazhi i librit, që ju ka dedikuar juve?
Libri është
tip monografie, ku autori Dr. Veip Proda, e ka përmbledhur veprimtarinë time
artistike, pjesëmarrjen time në ekspozita të ndryshme, pastaj e trajton edhe
stilin tim “Profundist” i cili është stil post- modern, filozofik, i cili ka
një jehonë në arenën ndërkombëtare. Por fatkeqësisht thuhet: Deri sa artisti të
jetë gjallë stili i tij nuk vjen shumë në shprehje. Nga ky stil në Evropë
kanë ardhur dhe kanë mësuar diku 30 deri 40 artist. Brenda këtij
stili fshihen shumë mistere të botës ende të pazbuluara.
Z. Haliti. Me që jeni pedagog i lëndës Metodikë e artit
figurativ, sa i kushtohet rëndësi kësaj lënde në shkolla tona?
Gjeneratat e
reja kanë një vullnet për punë dhe besoj se ky vullnet i tyre edhe do të ketë
edhe efektin e vet. Unë në Fakultetin e Edukimit, mbaj lëndën e Metodikës së
artit figurativ dhe gjatë ligjëratave me studentët e mi, mundohem jo
vetëm të ligjëroj në aspektin teorik lidhur me teknikat e ndryshme artistike,
por edhe të zhvilloj aftësitë e tyre në aspektin praktik, sepse po të mos
zhvilloj në këtë mënyrë atëherë plani mësimore do të realizohet vetëm 50%.
Z. Haliti. Si qëndron puna te shitja e pikturave këtu në Kosovë?
Shitja e
pikturave nganjëherë nuk i mbulon as shpenzimet që investohen për atë pikturë,
kjo nuk vlen për të gjithë sepse disa i kanë kushtet më të mira. Fatkeqësisht
te ne po dominon në tregun tonë “Kiçi”, ku nga vendet aziatike, Kinë e
gjetiu vijnë piktura të fotokopjuara, seriografi etj dhe shiten për 5- 6 euro.
Ndërsa pikturat origjinale të artistëve shqiptar, nuk blihen, as nuk shiten
thjesht nuk ka interesim për to, kjo edhe i dekurajon artistët tanë.
Z. Haliti. Mendimi juaj për artistin Ismet Jonuzi?
Unë e kam
koleg Ismetin, por para se gjithash Ismeti, është skulptor i mirë, kam mendim
pozitivë për të.
Z. Haliti. Mesazhi juaj drejtuar artistëve të rinj?
Ata duhet të
kenë vullnet për punë, duhet të merren në mënyrë aktive me art, sepse arti
duhet shpirtërisht, por edhe kërkon punë. Kemi shumë njerëz që merren me art,
por nuk janë artist të mirëfilltë.
Z. Haliti. Faleminderit për këtë intervistë.
Kënaqësia ishte e imja, uroj që redaksia juaj të ketë suksese në
punë të mëtejshme.
Jeni të lutur të komentoni artikujt e botuar tek Tribuna Shqiptare. Mos harroni të vendosni një emër apo një pseudonim sepse kur shkruhet "guest" duket si makina pa targa. Ju mund të përdorni OpenID tuaj për të komentuar tek TSH. Mos harroni se duke komentuar ju ndihmoni...ADMIN