Veprat
e mëdha i kanë rrezistuar gjithmonë kohës, për hir të vlerave të tyre
të mëdha. E kemi rastin të marrim në duar një vepër të tillë, e cila e
ngre në një stad dë ri letërsinë shqiptare për fëmijë të shekullit XXI.
Botimi
i librit “Presidenti i Planetit të Kuq” të shkrimtarit Bedri Dedja vjen
për lexuesin e vogël shqiptar me një format të veçantë dhe mjaft
cilësor. Romani fantastiko-shkencor është ndarë në 40 kapituj dhe
shoqërohet me ilustrime interesante, që ngacmojnë imagjinatën e
fëmijëve gjatë leximit. Ndërsa subjekti mjaft interesant ka një
vijueshmëri lineare të ngjarjeve.
Historia fillon me frazën e hasur shumë shpesh në përrallat e vjetra: “Na ishte një here…”
Kjo
fjali, së bashku me personazhet që vijnë nga veprat e mëparshme të
autorit (“Fatbardh Pikaloshi” dhe “Një Udhëtim i Rrezikshëm”), të lënë
përshtypjen se kjo histotri buron nga thellësitë e shekujve, së bashku
me misteret e tyre. Gjuha e shkrimtarit është e thjeshtë, e qartë dhe
duket sikur kumbon jehonën e tyre. Kjo histori është një
histori sa e vjetër, aq edhe e re. Ngjarjet duket sikur vijnë nga
lashtësia, mbushur me mistere dhe vendosen në kozmos në bashkëkohësi.
Lufta mes së mirës e së keqes është një luftë e gjatë që kapërcen
shekujt e që përsëritet e ripërtërihet vazhdimisht. Kjo temë madhore,
në qëndër të veprës vjen e pozicionuar në një shekull të ri e në një
dimension të ri. Brezat evolojnë e bashkë me ta, edhe mjetet e
argëtimit.
Për
t’iu përshtatur këtij zhvillimi shumëdimensional, Bedri Dedja ka sjellë
një libër sa bashkëkohës, aq edhe vizionar për të ardhmen. Ai duket se
e njeh në thellësi botën e fëmijëve dhe kërkesat e tyre, mbasi në këtë
roman ai ka ndërthurur dijen, fantazinë, shkencën, ëndrrat dhe
edukimin.
Për ta paraqitur më konkretisht ndërtimin e kësaj vepre madhore, unë e kam ndarë atë në tre boshte kryesore :
Së pari,
boshti kryesor ku mbështetet ky libër është fantazia, që arrin majat më
të larta, duke i pozicionuar të gjitha ngjarjet dhe temat më të mprehta
aktuale, në kozmos. Fantazia është shumë e rëndësishme dhe e
shëndetshme për botën e fëmijëve ; prandaj shkrimtari Bedri Dedja,
nëpërmjet saj e ka pasuruar veprën e tij të fundit me shumë imagjinatë
dhe ide kreative. Mund të themi se personazhet e vegjël lundrojnë në
një det plot ngjyra e fantazi ashtu si Saturni që shpalos përpara
shkencëtarëve të vegjël ylberin e ngjyrave të tij.
Së dyti,
boshti tjetër është dija. Ky libër shërben edhe si një libër shkollor,
sepse u transmeton fëmijëve dije shkencore e shumë të vërteta për
galaktikën tonë. Ata mund të mësojnë shumë mirë duke u argëtuar
nëpërmjet këtij libri. Leximi i ngjarjeve ngjall shumë emocione, i
argëton fëmijët por kërkon edhe një punë mendore për të zbuluar
misteret e shumta. Ky aktivitet i trefishtë gjatë leximit ndihmon nga
ana tjetër edhe në aftësimin dhe zhvillimin mendor të tyre. Në fushën e
pedagogjisë bashkëkohore synohet drejt hartimit të këtyre librave, që
ndërthurin dijen me argëtimin ; prandaj do të thoja me bindje të plotë
se ky libër i psikologut dhe shkrimtarit të madh për fëmijë Bedri Dedja
është ideal për të mësuar dhe argëtuar njëkohësisht lexuesit e vegjël.
Së treti,
boshti tjetër është edukimi. Nëpërmjet këtij libri, Bedri Dedja do të
mbjellë farën e së mirës në ndërgjgjegjen e çdo lexuesi. Ai kërkon tu
tregojë atyre rrugën e drejtë që duhet të ndjekë sejcili, humanizmin,
trimërinë, zgjuarsinë dhe pasionin për shkencën dhe të vërtetën.
Shkrimtari transmeton në mënyrë të natyrshme frymën pozitive për të
kontribuar sejcili nga ne për të mirën e vëndit, botës sonë dhe mbarë
njerëzimit. Mesazhi më domethënës që transmeton vepra është :
« Sistemi diellor duhet të shkojë vetëm përpara… gjithnjë nga e mira dhe e mbara ».
Duke
shfletuar faqet e librit, kuptojmë qartë se autori i tij, Akademiku
Bedri Dedja ishte një dashamirës i madh i shkencës, zhvillimit dhe
përparimit të njerëzimit. Pra kuptohet qartë se këtë zhvillim të saj,
Ai e do në dobi të njerëzve e vetëm në shërbim të tyre.
Këto
tre boshte kryesore ku mbështetet ndërthurja e subjektit të romanit
fantastiko-shkencor « Presidenti i Planetit të Kuq », i japin kësaj
vepre vlera të padiskutueshme artistike, pedagogjike e humane.
Maksim Gorki ka thënë se «…Libri është një nga çuditë njerëzore, i cili më jep mundësinë të kuvendoj me njerëzit. » E
Bedri Dedja, nëpërmjet këtij libri kuvendon me lexuesit e vegjël ashtu
si me fëmijët e tij. Por ai siguron edhe një komunikim alegorik me
lexuesit e rritur, sepse të gjitha mesazhet që transmeton kjo vepër
madhore, vlejnë për lexuesit e të gjitha moshave, mbasi janë mesazhe
shumë të forta, që të bëjnë të mendosh e të reflektosh thellë.
Vepra
mbyllet me ëndrrën. Ato janë shpresat që shtyjnë sejcilin nga ne të
luftojë e të ndryshojë botën. Këto ëndrra nuk ka rëndësi nëse i ka një
i rritur apo një fëmijë; mjafton që ato t’i shërbejnë qëllimit më
suprem: zhvillimit dhe së mires, mbasi e nesërmja do t’i bëjë realitet.
Shkrimtari
Bedri Dedja, nëpërmjet kësaj vepre transmeton nuancat më të bukura të
sistemit të unazave që rrethojnë artin me botën e fëmijëve, duke e
transformuar artin e tij në një ylber shumëngjyrësh që tërheq vëmëndjen
e fëmijëve. Dhe bota e fëmijëve vjen në këtë libër si një ylber me
mistere e bukuri kozmike që mund t’i zhbirojë sejcili duke e lexuar e
rilexuar me ëndje romanin “Presidenti i Planetit të Kuq”.
Shijojeni pra, këtë mrekulli që e gjeni vetëm një here!