WebSite  
 


albemigrant@gmail.com

        

Lexoni udhezuesin Tribuna Shqiptare Format PDF dhe format HTML


Follow tribunshqiptare on Twitter

Home Page > Arti/Kultura/Krijimtaria

Nxënësi i fundit i Kolegjës Saveriane

26 August 2009
Ballina e librit të Tomë Mrijaj, “Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një Jetë e Shkrirë për Fe e Atdhe”
Autor :

Reklamoni tek Tribuna Shqiptare
Reklamoni tek një nga publikimet
më serioze shqiptare në internet
http://tribunashqiptare.com 

AlbemigranT.com
Faqja e emigrantëve shqiptar
www.albemigrant.com

Nga Klajd Kapinova

Tomë Mrijaj, “Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një Jetë e Shkrirë për Fe e Atdhe”, Jetëshkrim, New York, 2008, f. 396




“… Presim si zogla verës ndoi shkrim T’uejin…”




Janë këto fjalë nderimi dhe respekti, me të cilat i mbyllte shpesh letërkëmbimet e veta, shkrimtari modern në gjininë e prozës, Ministri i Arsimit Profesor Ernest Koliqi (1903 - 1975) me klerikun erudit mirditor Monsinjor Dr. Zef Oroshin (1912 - 1989).

Të gjithë miqtë e ngushtë të Mons. Oroshit e dinë faktin, se kleriku ynë e kishte mik të ngushtë Profesor Koliqin dhe bashkëpunonte me ide e punime shkrimore me revistën autoritative kulturore – shkencore “Shejzat”, që asokohe botohej rregullisht në Itali.

Me kalimin në amshim të personalitetit të madh shkodran Prof. Koliqit, atdhetari e meshtari i përvujtur, përkthyesi, shkrimtari, studiuesi, teologu dhe filozofi i mprehtë Mons. Oroshi, në faqet e revistës prestigjioze “Shejzat”, në numërin special të vitit 1975, përkushtuar tërësisht Prof. Ernest Koliqit, shkruan 12 faqe me fakte dhe pathos të veçantë punimin: “Fiket Ernest Koliqi, një pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare”, duke e analizuar personalitetin e shquar të kombit në shumë rrafshe.

Ky studim esencial shkruar afërsisht 35 vjet më parë, zgjoi interesim në shtypin e kohës në diasporë. Ky është ribotuar në shumë gazeta dhe revista mbas vitit 1991 në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Zvicër, Suedi, Paris, Romë, Amerikë etj.,

Duke u kthyer pak mbrapa në kohë, duhet thënë, se në Shqipëri brezi i intelektualëve të shquar largpamës, ajka e zgjedhur e profesorëve dhe enciklopedistëve, që ishin dhe mbetën fryma dhe shpresa e vetme e lirisë dhe demokracisë së mirëfilltë Perëndimore në Atdheut tonë, si klerikë katolikë dhe laikë, nga propaganda dritëshkurtër ateisto - komuniste bërbaltej e anatemohej pamëshirë…

Për të kuptuar më mirë rrethin e ngushtë të miqve dhe shokëve me të cilët kleriku shpirtbujar Mons. Dr. Oroshi, jetoi dhe punoi deri sa kaloi në lumnin e pasosun, mjafton të lexohet më kujdes libri i ri jetëshkrimor, që për 20 – vjetorin e amshimit na dhuroi një ndër miqtë e tij të ngushtë studiuesi i palodhur Tomë Mrijaj.

Jetëshkrimi i Monsinjorit, i pasur me burime origjinale historike. Ai është i shkrirë në mënyrë organike dhe në harmoni të plotë me bashkëpunëtorët e tij (një pjesë e mirë të së cilës ende jetojnë dhe dëshmojnë sot), dhe që me kujdesin e një hulumtuesi të vëmendshëm dhe pasionant Mrijaj, na e ka dhënë të gjallë klerikun dhe bashkëatdhetarin tonë.

Në faqet e monografisë, shohim se personazhi kryesor Oroshi, është ulur këmbkryq në logun e burrave dhe bashkëbisedon ngrohtësisht me të gjithë, në mënyrë të thjeshtë. Këtu fare mirë kupton atdhedashurinë e zjarrtë të meshtarit dhe bashkëatdhetarëve të tij në Amerikë; mesazhin e mallit të zhuritur të bashkëkombasve tanë për mëmëdheun, ku kanë lindur dhe mësuar gjuhën e bukur amtare, traditat dhe zakonet e lashta, që nuk i harruan kurrë…, integrimin në jetën amerikane si domosdoshmëri e kohës…, shqetësimet dhe hallet e komunitetit të vogël shqiptar dhe në veçanti atij katolik në shtetin e New Yorkut, ku Shtetet e Bekuara të Amerikës u bënë Atdheu i tyre i Dytë…

Edhe sot, ky mirditor i pamposhtur deri në vdekje është këtu, sepse bashkëatdhetari skrupoloz Mrijaj, na e ka sjellë atë të freskët, përmes fakteve dhe dokumenteve historike, kujtimeve dhe dorëshkrimeve të tij origjinale.

Dom Zefi, sikurse e thërrisnin të gjithë në Atdhe dhe diasporë, është sot sërisht në këtë auditor miqësh klerikë të nderuar katolikë e dashamirë të tij dje dhe sot, besimtarë dhe bashkëatdhetarë, duke buzëqeshur me gjithë zemër mes nesh, me çibukun e burrit të urtë e të matur, sikurse malet e burrave të përmendur ndër shekuj të Mirditës, fjalë pak e punëshumë, fisnik në shpirt e i dhembshur me të gjithë, bari i palodhur i grigjës dhe një pjese të popullit të vet, të endur udhëve të botës për liri dhe jetë më të mirë.

Oroshi deri sa kaloi në amshimin e jetës së pasosun, ishte krenar se çoi amanet vazhdimin e traditës së mësuesve të tij të mëdhënj, që i mësuan shkrim - këndim, si: Mjedja, Fishta, Harapi, Shllaku, Zadeja, Kurti, Sirdani, Palaj, Prennushi, etj.

Meshtari i ri, u arratis nga vendlindja me dhimbje në shpirt, i marrë nëpër gojë për të keq dekada e dekada me radhë nga fletushkat e makinës propagandistike të diktaturës, duke u përbaltur pa të drejtë, me arsyen absurde: pse kishte pikpamje të ndryshme politike, ekonomike, atdhetare, kulturore, për fjalën e lirë të demokracisë, që po gjakosej në Shqipëri; i mohuar nga të gjithë në Atdhe (përveç familjes së tij, që përshkoi kalvaret e internimeve dhe shfarosjeve të ngadalshme, si në Gradisht të Lushnjës, Tepelenë etj.); i djegur ose shkrirë nga malli për t’u rikthyer fizikisht pranë grigjës së tij në Orosh të Mirditës…

Marrëdhënie shumë të mira, sikurse shkruan studiuesi Mrijaj, Mons. Oroshi, ka pasur me intelektual të tillë, si: veteranin e arsimit shqiptar dhe studiuesin e shquar albanolog, Profesorin e Universitetit të Palermos të Gjuhës Shqipe dhe një shtyllë e fortë mbështëse e Qendrës Ndërkombëtare për Studimet Shqiptare Prof. Karl Gurakuqin (1895 – 1971); poliedrikun dhe burrin e madh të shtetit Imzot Fan Stilian Nolin, me të cilin dialogoi gjatë si një ekumenik i papërsëritshëm (në prani të Kardinalit të Bostonit Caushing), për ëndrrën e moçme të bashkimit të kishave shqiptare ortodokse me ato katolike; Eminencën e Tij Kardinalin e New York – ut Terrence J. Cooke D.D. (Terrence Cardinal Cook (1921 – 1983) Archibishop of New York); kardinalët italinë: Antoniutti dhe Giovanni Villot; poetin e romancierin e shquar modern, profesorin e Universitetit të Mynihut Martin Camaj (1925 - 1994); Prof. Arshi Pipa, intelektual i shquar; përkthyesin në gjuhën angleze të poemës “Lahuta e Malcis” të poetit kombëtar Atë Gjergj Fishta, gazetarin e famshëm të Radios BBC në Londër (Seksionin e Gjuhës Shqipe), studiuesin dhe autorin e librit shkencor: “Historia e Shqipnis” Tajar Zavalanin (1903 – 1966 alias Tomas – Henry Zavalani); bashkëpunëtorin qysh nga numëri i parë në revistën: “Jeta Katholike Shqiptare” (1966) në New York, Prof. Dr. Rexhep Krasniqin (1906 – 2000); Lec Shllakun (1915) bashkëpunëtor i revistës: “Jeta Katolike” dhe editor i revistave së diasporës, si: “Koha e Jonë” (Paris), “Kombi Shqiptar”, “Shkumbini”, “Shejzat” e Koliqit, “Diellin” e Bostonit dhe “Progresso” revistë italo – amerikane në NY; gazetaren e famshme të “The New York Timës”, Radios “Voice of Amerika” dhe në Zyrën e Shërbimeve Strategjike të ShBA – së, intervistuesen e shumë personaliteteve dhe presidentëve të Lindjes së Mesme, Nexhmije Zaimi (1937 - 2003); enciklopedistin nga Malësia e Madhe Prof. Mhill Marku (1919 – 1966); intelektualin e shquar Pader Paulin Margjokaj O.F.M., që shërbente në Graz të Austrisë; Prof. Zef Vorf Nekaj (1919 – 2003), poliglot, instruktor dhe hartues i teksteve të gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve të Huaja në Ministrinë e Mbrojtjes Amerikane në Montery, California; Prof. Gjon Sinishta (1930 - 1996), botuesi për 15 vjet (1980 – 1994) i revistës “Buletini Katolik Shqiptar” (Albanin Catholic Bulletin); poetin dhe editorin e “Diellit” (1909) Xhevat Kallajxhiun, i cili botoi shumë artikuj për komunitetin dhe Kishën Katolik Shqiptare në Amerikë; albanologun e shquar italian Atë Prof. Giuseppe (Zef) Valentini (1900 - 1979); Atë Danjel Gjeçaj O.F.M. (1913 – 2002), i arratisur nga ferri komunist, më vonë i emëruar si kapelan i katolikëve shqiptarë në mërgim, bashkëpunëtor i Radio Vatikanit (Seksioni i Gjuhës Shqipe) për një kohë të gjatë, studiuez skrupuloz dhe njohës shumë i mirë i bashkëkohësve të vet, por më sëshumti i profesorit të tij të dashur Atë Gjergj Fishtës, veprat e të cilit u përkujdes t’i botonte në mërgim; Dom Nikoll Kimza (1878 – 1960), me të cilin udhëtoi nga ish – Jugosllavia në Italy, bashkëpunëtor i ngushtë me revistat: “Hylli i Dritës” (1913), “L.E.K.A.” (1929), “Kumbona e së Diellës” (1938), “Lajmëtari i Zemrës T’Jezu Krishtit” (1914), etj.; General Abaz Kupi (1892 – 1976), prijës i denjë i lirisë shqiptare një bir dhe hero i vërtetë i Krujës së Gjergj Kastriotit, të cilit i kreu amanetin, duke i thënë meshë për shpirtin e tij për një vit me radhë; bisnesmenin e suksshëm në Boston veprimtarin, filantropolistin, patriotin dhe bujarin fisnik Anthony Athanas (1911 – 2005); Dr. Hamdi H. Uruçin M.D.; klerikët e nderuar: Shkëlqësinë e Tij Imzot Rrok Mirdita (sot Arqipeshkëv Metropolitan në Arqipeshkëvinë Metropolitane Tiranë – Durrës); famullitarin e sotshëm të Kishës “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj; misionarin e Krishtit, që shërbeu 10 vjet në Brazil dhe New York, Dom Lazër Sheldijën (1928 - 1988); kryetarin e Këshillit të Kishës, aktivistin e palodhur Tonin Mirakaj, Ismet Ukë Sadiku Berisha; Kapidanin e Mirditës Ndue Gjonmarku, jurist i lauruar në Itali dhe Kryetar i Bllokut Indipendent; mikun e tij të ngushtë Reverend Baba Rexhepin (1901 – 1995) Kryegjysh Botëror i Teqes Bektashiane në Detroit, duke ruajtur traditën e tolerancës shumëshekullore dhe respektin për njeri – tjetrin, këmbenin vizita dhe telefonata reciproke për Krishtlindje, Pashkë, Bajram, Ramazan dhe festën bektashiane të Ashurës; Dr. Çesk Ashta e Kolë Çuni, që ishin edhe redaktorët e parë kur mori jetë e bekim revista: “Jeta Katholike Shqiptare” (Catholic Albanian Life), duke u bërë shpejt vatër e ngrohtë e atdhedashurisë, fesë dhe përparimit të komunitetit të vogël shqiptar në Amerikë; teologu, filozofi dhe profesori i shquar në universitetet amerikane: “Siena College” Albany (N.Y.), në “St. Joseph’s College” në North Ëindhom të shtetit Main, françeskani Prof. Dr. Andrea Nargaj (1919 - 1999); pinjollin e familjes së famshme nacionaliste, elbasanlliun Prof. Luan Ahmet Gashin (1923 – 2005); Dr. Agim Leka; famullitari i Kishës së “Zojës Pajtore” në Detroit Dom Prek Ndrevashaj, Dr. Lec Zojzi M.D. etj. etj.



Esenca dhe mesazhet e jetëshkrimit



Tek shfleton me kujdes librin e studiuesit shqiptaro – amerikan Tomë Mrijaj: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një Jetë e Shkrirë për Fe e Atdhe” (New York, 2009), të bie në sy struktura e ndërtimit të veprës. Në hyrje autori, ka nënshkruar, se: “Monografia i kushtohet themeluesit dhe udhëheqësit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atdhetarit dhe klerikut Mons. Dr. Zef Oroshit (1912 – 1989) në 20 – vjetorin e kalimit në amshim”.

Vepra e re hapet me një parathënie sinjifikative, hartuar me kulturë nga studiuesi i mjedjalogjisë shkodrani erudit Dr. Mentor Quku. Nuk është rastësi, që autori Mrijaj, ka si lexues dhe kritik të parë të monografisë pikërisht studiuesin e apasionuar pas figurës poliedrike të klerikut katolik, rilindasit produktiv, shkrimtarit, atdhetarit të flaktë shumë të mirënjohurin Dom Ndre Mjedja (1866 - 1937).

Studiuesit bashkëkohorë: Quku dhe Mrijaj, kanë të përbashktën, se plotësojnë dhe begatojnë shumë mirë figurat Mjedja – Oroshi, që njëherit ishin bashkëkohës. I pari ishte profesor i letërsisë në Kolegjën Saveriane (1859, Kolegji Papnor Shqiptar) në Shkodër, duke i dhënë mësim nxënësit shembullor të zgjuar Zef Oroshi (që më vonë do të bëhet Monsinjor); ndërsa i dyti Oroshi, ishte një nxënës shumë i dashur i dishepullit të tij – Profesor Dom Ndre Mjedjes.

Për më tepër, në faqet jetëshkrimore mësojmë, se Rilindasi mendjendritur Mjedja, ka mbajtur afër, zbuluar e stimuluar talentin e mirditorit të mprehtë dhe të vendosur Zef Oroshi, për t’i shërbyer udhëve të dedikimit: Zotit, Atdheut dhe Përparimit.

Mons. Oroshi, do të shkruaj me mirënjohje e falënderim për mësuesin e tij: “Mjedja vdiq, por shkolla e ti mbeti e pavdekshme.”

Studiuesi Dr. Mentor Quku (1939), autor i kolanës së 11 librave monografik, përkushtuar Mjedjes, vlerëson: “Meshtari Emzot Zef Oroshi, në kushte të vështira, vuri gurthemelet e fesë katolike shqiptare në Amerikë. Në vitin 1985 del në pension. Ashtu si mësuesi dhe dishepulli i tij (është fjala për Dom Ndre Mjedjen, shënimi im K.K.), Emzot Zef Oroshi, ishte shembull i përpjekjeve për ekumenizëm, për dialog mes besimtarëve të besimeve të ndryshme. Autoriteti i Mjedjës, në këtë drejtim ishte absolut…” (Dr. Quku, f. 13).

Jetëshkrimi në fjalë ka gjithësej 395 faqe, të mbështetura tërësisht në dokumente arkivore, jetësore dhe foto, shumica e të cilave ekspozohen për herë të parë. Midis shumë të tjerave, dëshmi historike origjinale është fotoja ku një grup studentësh të rinj të klerit katolikë shqiptarë, që gjendeshin në Kolegjin “De Propaganda Fide” (Romë), në vitin 1940 takohen me “Poetin Kombëtar” At Gjergj Fishta.

Në rreshtin e dytë, majtas i pari në këmbë është edhe studenti seminarist Zef Oroshi. Me andje lexuesi i kujdesshëm, mund të kundrojë episode, histori e ngjarje të përjetuara të protogonistit kryesor Mons. Dr. Oroshit, të shkrirë brenda vetë jetës së komunitetit shqiptarë në Amerikë.

Kështu hulumtuesi shqiptaro - amerikan, na ka dhënë Dom Zefin një njeri me shpirt e zemër të madhe atdhetari, përmes historive të vendlindjes së tij në Orosh të Mirditës, më vonë në Kosovë, Itali dhe deri sa ai mbërrin në Tokën e Bekuar të Amerikës, që bëhet Atdheu i Tij i Dytë.

Hienat e pangopshme komuniste, përmes urdhërit me shkrim të lëshuar nga Enver Hoxha dhe marrë përsipër për zbatim direkt nga kryexhelati sadist Mehmet Shehu, kërkojnë me çdo kusht arrestimin e priftit të katundit. Këto detaje dhe shuma e ofruar për kapjen gjallë të klerikut Dom Oroshit, janë zbardhur me një gjuhë të thjeshtë dhe ashtu sikurse kanë ndodhur. Për të realizuar këtë skenar, ishte leshuar si qen i tërbuar togeri kriminel Hodo Hatibi nga Kurveleshi, i vetëquajtur me nofkën kobndjellëse toger Baba. Ulkonja parti lëshoi këlyshin e vet, të cilin e hangri me një kafshatë të gjallë më vonë tek e vari në litar, për të mbuluar mizoritë që ai dhe Mehmet Shehu bënë në Shkodër dhe Mirditën e pamposhtur…

Mirdita origjinale e kohërave të hershme të historisë dhe gjatë shekujve ka nëshkruar lavdinë e saj. Me një shpejtësi të madhe zhvillohen ngjarjet në Shqipëri, mbas vendosjes së diktaturës komuniste në vend. Fjala diktaturë, nuk është gjetje retorike ose shpikje përçudnuese ndaj këtij sistemi, por vetë komunistët thonë, se në Shqipëri u vendos diktatura e proletariatit, e njëjtë kjo me ish vendet e Bllokut Komunist në Europën Lindore, ku si padrone ishte Rusia (ish - Bashkimit Sovjetik) me kriminelët kundër njerëzimit Lenini dhe Stalini.

Mediat e huaja, megjithse nuk lejoheshin të atashoheshin në Atdhe, përmes të porsa të arratisurve politikë nga Shqipëria, vazhdimisht shkruanin për persekutimin, që kishte filluar me hapa të përshpejtuar në Shqipëri, ku epiqendra e termetit komunist u bë Shkodra kundërkomuniste, që kërkonte të ruante vlerat e perlave të djepit të kulturës. Brenda burgut të madh të Shqipërisë, në Shkodër deri në vitin 1947 u hapën 12 burgje. Tre vjet më vonë (1950), panairit të krimeve ndaj banorë të saj do t’i shtohen edhe 14 burgje të tjera, për të mbajtur në qeli të ftohta bijtë më të mirë të Shkodërlocës, duke iu nënshtruar hetuesisë, torturave çnjerëzore, pushkatimit me rradhë e pa rradhë dhe me vdekje misterioze të organizuar në fshehtësi nga Sigurimi i Shtetit, që po linde me gjak e po mbahej me gjak mbi kufomat e pafajshme. Shkurt: ishte vënë përballë togës së pushkatimit truri ose ajka e kulturës më të ndritur shqiptare ndër shekuj…

Duhet thënë se asokohe krimi dhe terrori sistematik ishte rritur shumë ndaj dy motrave kundërkomuniste: Shkodrës dhe Mirditës, në Shqipërinë e Veriut, të cilat e pësuan më rëndë nga diktatura se shumë qytete të Shqipërisë së Jugut të marrë sëbashku. Këtë gjë e mësojmë edhe përmes korrespondencës së pasur, që ndodhet në librin që kemi sot në dorë.

Autori Mrijaj, përmes një analize të detajuar për ndodhi të veçanta historike ecë në një linjë sinkronike argumentuese edhe me shumë autorë të tjerë nga Shqipëria.

Kështu studiuesit Dr. Pjetër Pepa, ish Ambasador i Shqipërisë në Selinë e Shenjtë në Vatikan, në librat e tij: “Dosja e Diktaturës” (1995), “Tragjedia dhe Lavdia e Klerit Katolik në Shqipëri” (2007) dhe Uran Butka, në librin e tij: “Lufta Civile në Shqipëri 1943 – 1945” (Tiranë, 2006), përmes dokumenteve historike të dlira në Qendrën e Arkivave të Shtetit në Tiranë, shkruajnë për rezistencën e vendosur kundërkomuniste në Mirditë. Jo të pakët janë dëshmitë historike nga të arratisurit nga Shqipëria dhe burgjet e saj. Të tilla janë kujtimet e Kapidanit të Mirditës Ndue Gjomarkaj, Kolec Pikolini, Ndue Melyshit, Tonin Mirakaj, etj., një pjesë e së cilës janë të botuar edhe në shtypin e kohës, libra me kujtime dhe dëshmuar disa herë gojarisht dje dhe sot…

Përputhshmëria e ngjarjeve të përshkruar nga studiuesi Mrijaj, me shumë dokumente arkivore në Tiranë, dhe ato të ofruar për Mirditën dhe klerin katolik nga hulumtuesit nga Shqipëria Dr. Pepa dhe z. Butka, tregon seriozitetin dhe përgjegjshmërinë me të cilin jetëshkruesi ka punuar gjatë shumë vitëve, për të nxjerrë në dritë monografinë, duke e pasuruar përmes ngjarjeve rrëfyer ndër vite nga kleriku dhe atdhetari i shquar Dr. Oroshi.

Gjatë kohës që meshtari ishte si azilant politik në Mitrovicë (Kosovë) më 3.2.1953, i dërgon një letër prej katër faqesh Kapidanit të Mirditës Ndue Gjomarkut, që ishte në Romë. Ndër të tjera, ai e informon imtësisht për gjendjen e rëndë, në të cilën gjendej Mirdita dhe Shqipëria, një vit para arratisjes në ish – Jugosllavi, duke i bërë një analizë konkrete tragjedisë brenda burgut të madh plot skllevër, ku ishte plandosur fatkeqsisht populli i mjerë shqiptar, nën kthetrat e manjakut kundërshqiptar e kundërkatolikut të tërbuar ardhacakut të huaj Enver Hoxha.

Ja një pasazh nga letërkëmbimi Oroshi - Gjomarku, që hulumtuesi Mrijaj, ka ofruar për lexusin për herë të parë:

Për sa m’pytni përmbi vendin tonë, Mirditë, po Ju përgjegjem, për ç’ka t’më bjeri ndërmend shkurtimisht.

Sigurisht qi vuejtjet materjale e fizike, i ka përjetue gjatë në Shqipnia këto vjetët e fundit janë qenë ma të randa, se t’atyne qi gjinden qe me kohë në mërgim; megjithatë, unë për vedi tesh nuk i baj të paqenme për sa më ban jeta dhe jo për ndonji kryenaltsi të pavend, vetëm sepse kam pas rastin me pa s’afërmi zhvillimin e tregtis së tmerrshme në vllaznit tanë; me derdh lot e djersë gjakut me ta; me njoftë karakteret e ndryshme, të mirin e të keqin; idealistin e vërtetë dhe oportunistin e degjenerum; me njoftë visaret e çmueshme të karaktereve të çelikta të malcorit tonë dhe të katundarit, të cillit tallazet e vuejtjeve, në thjeshtësin e tij të pa shum teori, i kanë formue ma së mirit ndërgjegjen e drejtë kombtare e ka sakrifikue gjithçka për të mirën e Atdheut; gjithashtu megalomanin, qi i zhytun deri në fyt në nji opurtunizëm servil e të poshtëm, ka trathtue gjakun e vllazënvet të vet; me fjalë të shkurta, mikun e vërtetë e mikun e kujtum.

Me keqardhje, na duhet të thomi, qi kurrdonji herë nuk i asht shti popullit shqiptar sistematikisht nji përçamje aq e madhe, me parimin “devide et impera” (përça e sundo, shënimi im K.K.) sa ndër kohnat e sodit nga klika sunduese e Shqipnis; përçamje në familje, përçamje në fshatarsi, përçamje ndër qytetarë, shkaktue nga agjentat e “Sigurimit”, tue privilegjue të kqijt ose agjentat e tue shtypë popullin me anën e tyne.

Vetë klika e Tiranës asht mundue edhe deri diku ia kanë dalë me shti përçamje të përjetshme në mes të Toskëve e Gegëve. Toskët, pothuejse tesh 8 vjet e kndej, kanë fatin e popullit shqiptar dhe Shqipnis në dorë.

Sot Mehmet Shehu, ka zgjedhë e futë në Sigurim nierzit e anës së Jugut, të kompromentuem derinë fyt me gjakun e popullit shqiptarë, nierz të lindun dhe të formuem në farkën e kanibalve të regjun me gjak e qi Mehmeti i njeh mirë, se edhe në ndrrimin e nji situate, ata nuk presin shpëtim. Prandaj janë oficera të naltë Sigurimi, nierzit ma kriminela e gjaksor të regjun, injoranta, të cillët, jo vetëm nuk dijnë ç’don të thotë ndërgjegje kombtare, por nuk kanë në vedi as ma të voglen nienjë humanitare.

Ksish me pozita ma me randsi, janë: mallakastralijt, skraparas, lab, korçar e vlonjat, e jo me pakicë, por deri në 5 ose 6 oficera nji shpijet; të gjith barij, hamaj, teneqexhi, nallban etj…” (Mrijaj, f. 59)

Vazhdon







                     Regjistrohu tek TSH!
                      K O M E N T E :

Jeni të lutur të komentoni artikujt e botuar tek Tribuna Shqiptare. Mos harroni të vendosni një emër apo një pseudonim sepse kur shkruhet "guest" duket si makina pa targa. Ju mund të përdorni OpenID tuaj për të komentuar tek TSH. Mos harroni se duke komentuar ju ndihmoni...ADMIN



Comment on Izraeli i... [...] nga Tribuna Shqiptare Komente [...]
Comment on Successfully... [...] nga Tribuna Shqiptare Komente [...]
Comment on Enigmë kthimi...
Comment on Enigmë kthimi...
Comment on Enigmë kthimi...



 Other Articles
 Photo Gallery

Reportazh

Shqipëria

Reportazh

Shqipëria



KONKLUZIONI I JAVËS KUNDËR GJAKMARRJES 08.09.09 - KONKLUZIONI I JAVËS KUNDËR GJAKMARRJES

Lufta kundër kundër kanunit, djallëzimi dhe deklarimi i tij antishqiptar.

DASHURIA   E HUMBUR 08.09.09 - DASHURIA E HUMBUR

Novelë nga Arsim Halili

SENSIBILIZMI DHE ARTI NË FAQET E NJË ROMANI 08.09.09 - SENSIBILIZMI DHE ARTI NË FAQET E NJË ROMANI

Krtikë letrare rreth librit të Reshat Seitaj "7 minutat e fundit" nga Spiro Xhavara

KANUNI I KATILIT 07.09.09 - KANUNI I KATILIT

Valentina Likaj: Java e ardhshme kundër gjakmarrjes të quhet KANUNI I KATILIT

Thirrje per pajtimin e gjaqeve 07.09.09 - Thirrje per pajtimin e gjaqeve

Opinion nga Prevea Nikola, në kuadrin e javës kundër gjakmarrjes, organizuar nga Tribuna Shqiptare

06.09.09 - KANË THËNË...

Komente të nënshkruesve të peticionit kundër gjakmarrjes Kanuni i Neglizhencës.


Sep 2009
SunMonTueWedThuFriSat
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30      
 
Le të zgjedhim jetën dhe jo vdekjen! Le të zgjedhim jetën...

Opinion nga Ajet Nuro në kuadrin e Javës kundër gjakmarrjes, organizuar nga Tribuna Shqiptare

NORMAT KANUNORE DHE LIGJET E SHTETIT NORMAT KANUNORE DHE...

Opinion nga Gjon Neçaj, në kuadrin e Javës kundër gjakmarrjes organizuar nga Tribuna Shqiptare

 
Gjakmarrja dhe Kanuni i neglizhencës Gjakmarrja dhe Kanuni i...

Dëshmi dhe opinion rreth asaj që sot njihet si "Kanuni...

Fale gjakun sot o kurr - per nder te javes kunder gjakmarrjes Fale gjakun sot o kurr...

Poezi nga Makfire Maqedonci - Canolli në kuadrin e Javës...

GJAKMARRJA ËSHTË TREGUESI I EMANCIPIMIT KOHOR TË SHOQËRISË GJAKMARRJA ËSHTË...

Opinion i Jakup Gjoçës, në kuadrin e javës kundër...

ARBËR LATIFI KUNDËR GJAKMARRJES ARBËR LATIFI KUNDËR...

Ku është Iliri?- pyet arsimtarja. Ai ka frikë se e vret...

TribunaShqiptare.com në Facebook




 TeSH(arkiv) | Tribuna Shqiptare(arkiv) | Lajme / News | Forum | Kosova tek AlbemigranT | Wallpapers | FotoAlbumi | kartolina | Fjalor me emra shqiptar | Albumi i fëmijëve
 Tribuna Shqiptare  Copyright © 2008-2009 | Materialet e publikuara nga TSh janë pronë e autorëve   | Terms of Use for our Site, | Kontaktoni TSh  |
 
Powered by: PHPCow.com