Kopertina gri me kafe të errët, dhe hijet e
zeza që ravijëzojnë një rreth, ku së largu duket një dhomë e zezë burgu me një
dritare të vetme, më rrënqeth të tërën, e mollëzat e gishtave më mpihen, kur
filloj të shfletoj faqet e librit me “Tregime nga burgu”.
Që
në fillim provova një ndjesi të çuditshme, një dridhje të brendshme, të frikshme...
Eshtë brendia e ngjarjeve me ngjyrat e
errta përreth, që ka një përqasje gati-gati të njëjtë me Ferrin e Dantes…
Duke hapur librin me kujdes, ndalem në
tregimin e parë kushtuar nënës së tij të shtrenjtë me titull: “Të falem nanë”!
E kujt më tepër në këte botë i është
dhimbsur më shumë se çdo gjë, arratisja e të birit të saj nga Atdheu, ndarja përgjithmonë,
përveçse nënës së tij?
Kësaj
nëne shenjtore që kishte kaluar një fëmijëri të vështirë, ngase kishte ngelur
jetime, iu desh që të përballej me burgimin e djalit, me ndarjen e tij përgjithmonë,
por edhe me persekutimin dhe internimin e saj, pikërisht nga arratisja e djalit.
Vazhdoj të jem gati-gati në një gjendje
midis konshiencës dhe subkonshiencës, dhe duke lexuar më tej tregimet e burgut,
më duket sikur përpara më dalin pjesë të shkëputura nga libri: “Lufta dhe
Paqja” të Tolstoit, ku shkruhet:
“Të
gjithëve ju desha. Nuk ia theva zemrën askujt.
C’më batë mue të mjerës!”
Tolstoi – Lisa
Djali
e adhuron nënën, e ka mbi çdo gjë, autori e ka kujtimin më të ëmbël, që do ta
shoqërojë gjatë gjithë jetës së tij, ndaj shpeshherë në sytë e tij del portreti
i saj.
Ai e kujton atë duke punuar gjatë darkës
vonë me shtiza, çorape, fanella, e duke marr fijet e ndryshme nga rrobat e
shkyeme, për të veshur fëmijët e saj, ndërsa ata bënin detyrat, kurse nëna e
tyre ju hidhte vjedhtas shikimin herë tek njeri, herë tek tjetri fëmijë.
E kur fëmijët rreth saj e kapnin këtë
shikim, atyre ju dukej sikur ju thoshte:
“Ju jeni gjithçka për mue!”
Autorit i dhëmb, i dhëmb shumë vuajtja e nënës
së tij, ndaj dhe shkruan:
“E
shkreta nanë! Sikur ta kishte ditë se
fati i saj do të kishte qënë ai që është sot, ndoshta do ta kishte shkime njëherë
e përgjithmonë buzëqeshjen që i ndriste fytyrën, që i stoliste buzët e që unë i
ruej si kujtimin ma t’amël të jetës sime”!
Këto skena të kujtojnë Marien përballë
Krishtit, vuajtjet për birin e saj të kryqëzuar…
Edhe këtu shohim nënë e bir përballë
vuajtjeve torturuese të lotëve të nxehtë të nënës dhe të birit, i cili po
arratiset nga dhimbjet e gozhdëve të burgut…!
Në këtë ndarje tragjike vazhdoj të lexoj më
tej:
“ U
ngrita menjihere. E mora në krahët e
mi. Pa e zbulue fytyrën e pa e ndalue
vajin e dënesën, ajo mbështeti kokën mbi sup e u lëshue krejtësisht, si foshnje
e pafuqi mbi kraharorin tim. E mbajta
afër meje e, me nji afsh që kurrë nuk e jetova përsëri e shtrëngova në gji
krijesën ma t’dashtun për mue…që pak ma vonë do ta braktissha përjetë..”. f.40
Por
nuk mjaftoi dhimbja për nënën, një tjetër dhimbje i shtohet brenda gjoksit të
tij ne mërgim duke e qarë për së gjalli vëllanë e tij.
Është ngjethëse kur lexon rrëfimin: “Elegji
për vllanë” f.143
Autori dëgjoi në mërgim se i kishte vdekur
vëllai i pafajshëm në një kamp internimi
komunist.
Ky kumt i zi ja ka këputur shpirtin autorit
ndaj dhe shkruan një nga elegjitë më prekëse të librit.
Ai dhe pse jetonte tashmë në ishullin e
begatë, buka i zinte fytin, i ndrydhte zemrën, kur kujtonte fytyrën e vëllaut që
vuante, fytyrë e pafajshme ëngjëllore.
Prof. Repishti kërkon të kishte frymën e
poetit që t’i mblidhte me kujdes fjalët e fshamjet që nxori për vëllaun, dhe
pastaj të shkonte tek argjendari mjeshtër dhe t’i lutej atij me i gdhendë si
petale floriri të lidhun në vargje të gërshetuara për ta varur në gjoksin e tij
si medaljon…
Më
vonë autori mori vesh se e gjithë kjo kishte qenë një shpifje, një metodë e zezë
psikologjike që përdorte regjimi kundër emigracionit politik.
Ai e qau për së gjalli vëllaun e tij të dashur.
Kjo torture psikologjike çnjerëzore nuk ka
se si të mos ta bëjë autorin të mendojë se edhe Shenjtnia padyshim duhet të ketë
kalue nëpër të njëjtat shtigje të vështira…e heroizmi i njimendtë!
I
shfletojë me radhë faqet e librit mbushur me tregime të vërteta, të marra nga
qielli i zymtë, ku pemët ulin degët e tyre nga pesha e dhimbjes si në gjysmë
shtize për vdekjet që i kanë ndodhur popullit shqiptar, për varret e harruara…
Profesor Repishtin nuk e trondit vetëm
vdekja e vëllaut te tij, por atij i dhëmb gjithcka njerëzore, i shpon në kockë
dhe vdekja e ish mësuesit të tij të nderuar, prof. Prenkë Kaçinarit, që regjimi e çoi në
vetëvrasje.
Profesori
i filozofisë kishte vazhduar studimet në Montepellier të Francës, ku aty u njoh
me diktatorin Hoxha.
Atë e burgosën sepse ishte në Partinë e
Ballit Kombëtar dhe nga terrori psikologjik që ushtruan karshi tij, ai mori
vendimin e vetëvrasjes në varrezat e Tiranës.
Letra që i kishte lënë familjes përpara
aktit të vdekjes, të çon shpirtërisht si lexuese në një gjendje sa konkrete aq
dhe surrealiste.
Vdekja është dhënë në paralelizëm figurativ
me natyrën dhe përshkruhet mjeshtërisht nga pena e autorit.
Natyrën me një bukuri të pashoqe nga bardhësia
e borës që zbriste me përtesë në qytetin e rënduar nga mundimet, mund ta
shijonin vetëm fëmijët, të cilët hukateshin në avull të ngrohtë, e shkriheshin
duke qeshur me borën e bardhë.
Ndërsa ai profesori i filozofisë, po ikte
nga kjo botë, se nuk mund ta përballonte atë torturë psikologjike në trurin dhe
trupin e tij.
Përpara kësaj gjendjeje më del përpara
skica e Migjenit, “Bukuri qe vret”, ndërsa Migjenin e trondit vdekja nga
mjerimi, prof.Repishtin e trondit vdekja e njeriut nga njeriu!
Krisma drejt vehtes, për t’i dhënë fund jetës
i detyruar nga rrethanat, është një nga dramat më tronditëse, sa shpesh të
duket sikur ja kanë kaluar dhe dramaturgëve më të mëdhenj botërore, ndoshta,
ndoshta do të vijë një ditë, që drama e popullit tim të nxjerrë një Shekspir
dramaturg, që të trondisë botën, për barbarizmat që u kryen brenda vendit, aty
ku i dha fund jetës, profesori i filozofisë.
Ja drama që lexoj në këtë libër:
Profesori u ndal…dhe natyra heshti dhe në
vetminë e një fushe plot kryqe, një krismë e mbytur tingëlloi e vetme.
Autori e vajton dhe nderon ish mësuesin e
tij, ai e vajton ashtu sic u ka hije burrave, ndërsa bora vazhdonte të mbulonte
trupin e profesorit në varreza…
Ky tregim, të con në antikitet në një thënie
të Antigonës se: “Nuk lindi për t’u ngopur në tryezën e
urrejtjes, por lindi të ushqehet nga dashuria e të gjithëve…”
Rrëfimi mbyllet me letrën origjinale të
viktimës shkruajtur më 3 Shtator 1956, në orën pesë mbasdreke, duke ju drejtuar
kunatit të tij Mark Lezhjen, dhe që është marrë nga z.Fritz Radovani.
Ja c’shkruante profesori i filozofisë në
letrën e tij:
“I
dashtun Mark (Të dashtunit e mi),
…Edhe
pse pak çaste më mbetën, kur unë përfundimisht po shkëputem nga kjo jetë…
Vendosa
me krye këtë akt dobësije, do ta queni, por për mue ky asht akt kurajoz.
Vuejta
tepër, e tashma s’po mund të duroj. Po i
nap fund të gjitha vuejtjeve të mia…
Në
vendin ku do të vras vehten, dëshiroj të varrosem”…
Profesorit
të filozofisë nuk iu çua amaneti në fund, një rit i lashtë, një rit që u përdhos
nga vandalët.
Atij nuk i mungonte
"amor sui" - (dashuria e vetvetes), por e detyroi regjimi gjer në asgjësimin
e vehtes.
Autori
nuk e dëshironte kurrë këtë mallkim për mësuesin e tij, as dhe unë si lexuese,
por gjatë leximit të letrës, mora puls dhimbjesh, duke më dhënë çelësin magjik
në dorë, për të ndjerë se dhe varret flasin, veçanërisht në Mëmëdheun tonë të
shumëvuajtur…!
Endrrat dhe rrëfimi i kujtimeve ngjethëse nëpërmjet
lëndës konkrete në këtë libër, zbulon eingmat dhe misteret e pafundme të
sistemit.
Ai u çjerr maskën “Miteve” që sot dëgjohen
si krrokama korbash në honet e thella, ku mundohen akoma të djegin foletë e
argjendta të bilbilave.
Pasi e përfundoj librin “Pika Loti” të
shkruar mjeshtërisht nga një autor që ka qenë i burgosur, internuar, dëbuar nga
vendi i tij, vërej se faqet e librit u lagën dhe nga pikëzat e lotëve të mi,
ndjej se ka çkycur portat e rënda të heshtjes, dhe si një fërshëllimë suferinë
ulëritëse të erës, trondit vdekjen dhe hap kapakun hermetik të saj duke thyer
copat e akullit të heshtjes, jo duke u përmbytur si titaniku, por duke e nxjerrë
titanikun në sipërfaqe nga përmbytja e madhe...
Në këtë libër prozë poetike, ndjejmë së
brendshmi kalvarin e vuajtjes, ku autori operon suksesshëm dhe sheh nga afër se
si mbarë një popull po ngjitej në rrugën e Golgotës duke e kryqëzuar pa faj.