Dëshiroj
që marrëdhëniet shqiptare-maqedonase në këtë sesion shkencor, e në
kontekst të tyre edhe ndikimin e pashmangshëm serb, t’i shikoj në dy
linja: në kontekstin historik të trashëgimisë së këtyre marrëdhënieve
dhe sipas gjendjes së sotme në kontekst të reflektimit të saj si një
praktikë e re e politikës moderne maqedonase. Në linjën e parë dua të
sjellë sintezën historike të kësaj trashëgimie, ndërsa në linjën e dytë
reflektimin në institucionet akademike dhe pasqyrimit të saj në
rrethana të reja.
Kriza
e këtyre marrëdhënieve fillon me Krizën Lindore të gjysmën e dytë të
shekullit XIX, në Motin e Madh të mbrapsht të gadishulli tonë të vogël,
kur Serbia, e ndihmuar nga Rusia, gjoja në emër të hakmarrjes kundër
Perandorisë Osmane, ndëshkon shqiptarët e Sanxhakut të Nishit, ndërsa
hapësira lindore e tokës maqedonase, kryesisht rreth Vardarit, bëhet
hapësira e përndjekjes së shqiptarëve drejt portit të Selanikut dhe
qendrës së Perandorisë.
Cili
është roli i Maqedonisë këtu? Analizat mungojnë plotësisht, sigurisht
për arsye se maqedonasit gjendeshin ndërmjet identitetit të tyre,
ndikimit bullgar dhe kërcënimeve serbe. Krize e këtyre marrëdhënieve
dhe muri i gjakut lartësohet me pushtimin e tërësishëm të Kosovës nga
Serbia në fillimin e dekadës së dytë të shekullit XX. Ndëshkimi dhe
gjenocidi serb mbi shqiptarët, në emër të kinse luftës kundër
mbeturinave turkofile në Kosovë dhe Maqedoni, është i tmerrshëm jo
vetëm në Kosovë por edhe në Maqedoni. Hapësira maqedonase identifikohet
kryesisht me zonën ushtarake serbe[1].
Në
marrëdhëniet shqiptare-maqedonase, roli maqedonas i pjesëmarrjes së
strukturave ushtarake identifikohet ashpër kur forcat ushtarake
maqedonase nën tutelën serbe ndëshkojnë shqiptarët në emër të
mbeturinave fashiste. Në dimrin e vitit 1944-1945 ata bëjnë krime të
njëpasnjëshme në qytetet dhe në fshatrat etnike shqiptare të Maqedonisë
e të Kosovës dhe këtë e bëjnë në emër të ndëshkimit të grupeve
antikomuniste, që në të vërtetë ishin grupe proevropiane shqiptare dhe
luftën e bënin në emër të parullës “Inglizi te thana”[2].
Është koha kur në politikën jugosllave nxitet nacionalizmi slloven dhe maqedonas,[3] frenohet nacionalizimi kroat dhe serb,[4] ndalohet nacionalizimi shqiptar,[5]
shikohet me indiferencë nacionalizimi malazez dhe punohet në shkallë
ndërkombëtare për formimin me kujdes të jugosllavizmit boshnjak.
Le
të theksojmë se pjesëmarrja e ushtrisë maqedonase është evidente edhe
në brigadat partizane, të cilat marrin pjesë në krimin në Tivar,[6] po në emër të likuidimit të mbeturinave antipopullore të
Luftës së Dytë Botërore.
Kujtojmë
këtu kthimin e Shkupit në një pikë reference për të mos thënë në një
laborator serb për të përpunuar idetë dhe për të realizuar veprimet
maqedonase: likuidimin e grupeve dhe individëve të NDSH-së,
shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi 1952-1956, mbledhjen e armëve,[7]
burgosjen e mësuesve (1963), mbylljen e shkollave shqipe, ndalimin e
librave, praninë e njërit prej burgjeve më të ashpra në rajon: Burgun e
Idrizovës, ndërrimin dhe ndalimin e toponimisë dhe antroponimisë,[8] përbuzjen e shqiptarëve, ndalimin e përdorimit publik të gjuhës shqipe, vrasjen e
ushtarëve[9] etj.
Pasi
e shikojnë me indiferentizëm gjenocidin serb mbi shqiptarët, i cili si
edhe në fund të shekullit XIX bëhej në emër të ndëshkimit të
shqiptarëve për identifikimin e tyre si proevropian dhe proamerikan,
strukturat politike dhe ushtarake e pse jo edhe akademike maqedonase
bëjnë një gabim të cilin mbase nuk do ta bënin mësuesit e tyre:
strukturat shtetërore dhe intelektuale serbe. Në emër te
proevropianizimit dhe amerikanizmit, në fillim të shekullit XXI,
provuan të shtypin kryengritjen shqiptare me mekanizma ushtarake te
ish-republikave ruse.
Pra,
sikur mund të shihet prej të dhënave mjaft të përgjithësuara, pas
Luftës së Dytë Botërore, pjesëmarrja maqedonase në krimin serb mbi
shqiptarët, që zakonisht identifikohet si ndëshkim, pothuajse
institucionalizohet, pavarësisht se është plotësisht nën tutelën
ideologjike, komanduese dhe mbrojtëse serbe, gjë që kuptohet më së miri
me mungesën e plotë të pjesëmarrjes masive popullore maqedonase kundër
shqiptarëve, një veçori kjo e pranishme dendur në opinionin serbe dhe
qëndrimin homogjen të tyre në të gjitha lëvizjes antishqiptare. Mungesa
e këtij homogjeniteti antishqiptar të popullit maqedonas mendoj se e
bën të mundur rindërtimin e urave mes tyre, por me vjen keq që këtë
rindërtim, të cilin në shikim të parë duket sikur po përpiqen ta
ndihmojnë strukturat politike shtetërore, vazhdojnë ta pengojnë qarqet
çuditërisht akademike.
Si
e bëjnë këtë akademikët maqedonas? Kohë më parë, Akademia e Shkencave e
Maqedonisë filloi një fushatë të gjerë kundër gjuhës dhe kulturës
shqiptare. Fjala është për kundërshtimin e saj rreth barazisë së gjuhës
shqipe në strukturat qeveritare të shtetit të ri: ish- Republikës
Jugosllave të Maqedonisë. Ndonëse ky angazhim duket i mbështetur vetëm
nga disa pjesëtarë të saj dhe përkrahet gjithashtu nga disa parti
politike, organizata joqeveritare dhe madje fetare, për shkak të
heshtjes së pjesëtarëve të tjerë të saj, mund të thuhet se në gjithë
këtë fushatë Akademia ka qenë dhe ka mbetur vetë boshti dhe rrezatuesi
i kundërshtimit të pranisë së vlerave kulturore shqiptare në
institucionet më të larta shtetërore të Maqedonisë, duke filluar me
gjuhën shqipe dhe rrjedhojat e saj.
Nuk
është hera e parë dhe nuk është hera e vetme e sjelljes së këtillë të
disa akademikëve maqedonas ndaj gjuhës shqipe dhe gjithë
trashëgimisë së saj, të cilët zakonisht thirren në emër të kësaj
akademie. Pasqyra e ‘kontributeve’ të saj në këtë drejtim historikisht
është e gjerë dhe vëllimisht e madhe, aq sa është vetë historia e saj
dhe e atyre që e kanë themeluar.
Radhitja
e këtyre ‘kontributeve’ do të na merrte shumë hapësirë dhe do të na
nxirrte nga qëllimi i tekstit tonë, por disa nga këto duhet shënuar:
· Koncepti politik në vend të konceptit shkencor për prejardhjen e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe;
· Koncepti
ekstrashkencor për historinë e shqiptarëve në trojet e tyre etnike
shqiptare sot nën Maqedoni, tezë e bartur drejtpërdrejt nga Akademia e
Shkencave dhe e Arteve e Serbisë;
· Përpjekja
dhe përkrahja dhënë institucioneve shtetërore për eliminimin e gjurmëve
kulturo - historike shqiptare në Maqedoninë Perëndimore;
· Satanizimi i antroponimeve etnike me bazë në leksikun shqiptar;
· Përjashtimi i vlerave kulturore shqiptare të pranuara në universin kulturor kudo në botë;
· Veprimi i saj si një laborator i dikurshëm i Akademisë Mbretërore Serbe me qendër në Shkup etj.
Nuk
e dimë a është e rëndësishme të thuhet se në këtë Akademi, si kudo në
ish-Jugosllavi dhe madje në ish-shtetet komuniste, kanë hyrë më shumë
politikanë sesa shkencëtarë. Akademia e Maqedonisë është një shembull par excellens,
prej së cilës ka dalë madje edhe ministri i Punëve të Brendshme të
Maqedonisë. Në përbërjen e saj nuk ka pasur asnjë anëtar të deklaruar
‘shqiptar‘, apo të ndonjë etnie tjetër, pavarësisht se disa nga ata, në
pleqërinë e thellë kanë guxuar që nga ndërdija dhe kujtesa e
fëmijërisë, të theksojnë prejardhjen ‘tjetër’ të tyre.
Në
këtë tekst duam të shtrojmë disa premisa të komunikimit të
institucioneve tona shkencore me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të
Maqedonisë. Ky komunikim natyrisht do të duhej mbështetur mbi një
komunikim jo vetëm institucional, shkencor e pragmatik, por edhe mbi
disa premisa të natyrës largëvajtëse historike dhe etnike.
Së
paku, dekadën e fundit kemi besuar se Akademia maqedonase, në parim do
të heqë dorë nga konceptet e saj antishqiptare, por kjo nuk ndodhi,
përkundrazi. Ajo, për një kohë të gjatë mbeti zëdhënësja dhe bartësja e
prirjeve më destruktive të individëve, grupeve, partive dhe lëvizjeve
politike të frymës antishqiptare në Maqedoni dhe madje jo vetëm atje.
Duke i njohur këto sjellje të saj në ish-Jugosllavi dhe pas shpërbërjes
së saj, institucionet kulturore, arsimore dhe shkencore në Kosovë janë
kujdesur shumë për mënyrën se si do të komunikojnë me institucionet
omonime në Maqedoni, ndërsa po këto institucione në Tiranë, në
komunikimin e tyre me Shkupin, çështjen shqiptare përgjithësisht, jo
njëherë e kanë shikuar mes gishtave. Madje, nëse në komunikimin mes dy
akademive Tiranë - Prishtinë, kur e kur janë shprehur fërkime ‘për
prirje paternalizmi’, ‘imponimi’ e madje ‘arrogance’, komunikimin i
Tiranës me Shkupin duket shumë më stabil. Në këtë rrjedhë Akademia e
Shkencave e Tiranës vazhdon të udhëheqë ‘marrëdhënie të mira dhe
stabile’, sikur këto të ishin marrëdhënie diplomatike të ndërtuara mbi
premisat e diplomacisë ndërkombëtare e jo marrëdhënie të ndërtuara mbi
koncepte intelektuale të një vetëdijeje historike për të kaluarën dhe
të ardhmen e dy popujve fqinjë.
Për
këtë arsye, mendojmë se krijimi i një strategjie mbi parimet me të
cilat do të duhej të komunikohej me Akademinë maqedonase, e madje jo
vetëm me të, janë të një rëndësie bazë, jo vetëm për nivelin e
barabartë të këtij komunikimi, por edhe të një rëndësie nacionale për
komunikimin kulturor, arsimor, shkencor dhe ndëretnik në rajon.
Le t’i theksojmë disa nga këto:
· Akademia
e Maqedonisë është institucion nacional, me një trashëgimi tipike të
vendeve të ish-sistemit komunist dhe me rezultate modeste shkencore, të
cilat nuk paraqesin ndonjë rëndësi të veçantë për kërkimet shkencore
shqiptare të kohës sonë.
· Akademia
e Maqedonisë në shumë aspekte ka përkrahur më parë dhe vazhdon të
përkrahë edhe më tej ide, të cilat kanë shkaktuar luftëra dhe gjenocid
në Ballkanin e shqetësuar.
· Akademia e Maqedonisë ende nuk është liruar nga shtimungu i ngushtë nacional, me premisa ultraortodokse.
Ndonëse
ajo është përfshirë në gjeografinë e Ballkanit Perëndimor dhe bën
përpjekje të përfshihet në Bashkësinë e Shteteve të Evropës
Perëndimore, akademikët e saj vazhdojnë të kundërshtojnë gjuhën shqipe
dhe alfabetin e saj latin, e kjo do të thotë vazhdojnë të kundërshtojnë
komunikimin perëndimor, me të cilin i lidh kultura shqiptare dhe ajo
greke.
Maqedonaasit
kundërshtojnë bashkështetësinë me popullin shqiptar, por në esencë
ata ende nuk paraqesin një njësi homogjene nacionale. Ndonëse, në dukje
të parë kanë krijuar etnikumin e tyre nacional-vendor apo pro-bullgar,
në disa institucione të larta shkencore sikur është Akademia e
Shkencave, politikisht, intelektualisht dhe ideologjikisht, vazhdojnë
të drejtohen nga personalitete dhe grupe të proviniencës
serbo-komuniste. Nuk ka dyshim se ky klan i stërforcuar gjatë, për më
shumë se një gjysmë shekulli, paraqet rrezikun më të madh për popullin
maqedonas dhe Maqedoninë. Për më shumë se një dekadë pas rënies së
sistemit komunist, ky ishte klani më i rrezikshëm, në kurthet e të
cilit kanë rënë shumë intelektualë shqiptarë të Kosovës dhe të
Maqedonisë. Prandaj, përpjekja e disa individëve dhe klaneve të Kosovës
për të ‘ndërmjetësuar’ afrimin e institucioneve kulturore, arsimore dhe
shkencore të Shkupit dhe të Tiranës, duke prezantuar kryesisht krijues,
intelektualë dhe vlera shpirtërore të krijuesve që kanë dhënë
shembullin e bashkim-vëllazërimit në ish-Jugosllavi, ka mbetur pa asnjë
rezultat. Është
dashur më shumë se një dekadë për të kuptuar pabesinë e tyre. Është
dashur të ndodhë një luftë për të nxjerrë nga tryeza e
bashkëbisedimeve konvertuesit e përditshëm të shkollës serbe në
Maqedoni. Sado ‘shoven’ (pro-bullgar apo ultramaqedonas) të ishin
bashkëbiseduesit tanë nga radhët e intelektualëve dhe politikanëve
maqedonas, që nuk ishin prekur nga virusi serb, komunikimi ynë do të
ishte më i drejtë, më i sinqertë dhe më i sigurt.
Komunikimin
ynë kulturor, arsimor dhe shkencor, pra komunikimi ynë nacional nuk ka
pse të bëhet me mbetje të byrove e laboratorëve komuniste të Beogradit.
Por edhe nacionalistët më të përbetuar maqedonas e dinë se në këto
rrethana, si edhe më parë gjatë historisë, vetëm shqiptarët dhe kultura
e tyre kanë paraqitur dhe vazhdojnë të mbeten një portë e hapur për
rrugëtimin e tyre drejt perëndimit. Shqiptarët nuk vuajnë nga kompleksi
i rrezikimit të kulturës së tyre nga ajo maqedonase. Së pari, sepse atë
kompleks nuk e kanë trashëguar nga periudha e romantizmit nacional dhe
së dyti, sepse kulturën e tyre e konsiderojnë si një nga shtresat më të
rëndësishme të kulturës ballkanike, të cilën nuk kanë mundur ta
tëhollojnë edhe popujt me kultura shumë më të mëdha, prandaj nuk do të
mund ta bëjnë këtë as popujt minorë dhe të pahomogjenizuar ende në
përmasat e sotme nacionale, sikur është populli maqedonas.
Më
në fund, të kthyer me fytyrë kah Europa, shqiptarët nuk kanë pse të
imitojnë asgjë nga akademitë e popujve fqinjë: maqedonase, serbe a
malazeze. Ata kanë nevojë të dëshmojnë kulturën e tyre të lashtë
perëndimore (simotër të helenëve e romakëve të vjetër) dhe të
komunikojnë me të gjithë pa përulje, natyrisht edhe akademike.[10]
Në
këtë kontekst dhe madje brenda këtyre kushteve duhet parë dhe vlerësuar
edhe marrëdhëniet tona me fqinjët, e kjo domethënë edhe me serbët e
maqedonasit.
Kumtesë
e lexuar në Konferencën shkencore “Kumanova për flamur”, më 28 tetor
2007. Autori është Profesor në Fakultetin e Edukimit të Universitetit
të Prishtinës.
[1] Shihni: Serbia ka bërë gjenocid sistematik mbi shqiptarët
(Rreth librit “Gjenocidi dhe aktet gjenocidale të pushtetit serb ndaj
shqiptarëve nga Kriza Lindore e këndej (me vështrim të veçantë mbi
burimet serbe të fakteve), ASHA e Kosovës, Prishtinë, 1995, Bota sot,
1995.
[2] Shih, Plaçkitën dhe vranë, (Gjurmëve të fejtonit “Tmerret e luftës në Karadak”(1), “Bujku”, nr. 176, 8 nëntor 1991, Prishtinë, f. 13; I morën të gjithë meshkujt mbi 15 vjet (2) “Bujku”, nr. 177, 9
nëntor 1991, Prishtinë, f. 13; Kur i nxorën nga burgu ishin të zbathur (3), “Bujku”, nr. 178, 10 nëntor 1991, Prishtinë, f. 13; Jeta në kufi (Rreth krimeve serbe në kufi, më 1944-1945), në «Shkëndija», gusht 1992.
[3]
Vepra e Kardelit për zgjidhjen e çështjes slloven bëhet model i
popullarizuar i mendimit teorik, kritik dhe praktik në politikën
jugosllave me qëllim të afrimit të popullit slloven me popujt e
sllavëve të jugut dhe refuzimit të koncepteve demokratike, ekonomike
dhe kulturore që ofronte për ta Europa. Po kështu, në kohën kur
ndalohej dhe dënohej me hekur nacionalizimi shqiptar, njëri prej
politikanëve maqedon Llazar Kolishevski në vitet ’80 shkruante veprën
për çështjen maqedone, në të cilen veç tjerash shprehte kënaqësinë që
populli maqedon tashmë në mënyrë unike identifikohej me vlerat etnike
kombëtare e jo me ato bullgare.
[4]
Ndonëse nën ombrellën e ngjyrimeve ideologjike në vitit 1948-1952 është
zhvilluar një fushatë e rrufeshme kundër nacional-stalinistëve serbë,
me të cilët qe themeluar burgu i Goli Otokut, ndërsa në vitin 1971 një
fushatë e tillë qe ndërmarrë kundër “Pranverës kroate”.
[5] Lufta kundër nacionalizimit shqiptar ka qenë e përhershme.
[6] Shih, Disa probleme relevante rreth organizimit dhe krimit në Tivar, “Bota e re”, organ i studentëve të Universitetit të Kosovës, qershor 1990; Nga Makreshi në Ajdovçinë (Rrëfime nga të mobilizuarit e
Tivarit), I-III, “Shkëndija”, shkurt-mars 1992, f. 13.
[7] Shihni, Aksioni i mbledhjes së armëve në Llap 1955-1956, e
lexuar në sesionin shkencor “Trashëgimia etnokulturore dhe historike e
Llapit”, në Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1992, dhe e
botuar po në këtë vëllim ne vitin 2004.
[8] Shihni, Onomastika shqiptare dhe etnocidi ballkanik i fqinjëve të tyre, “Bashkimi sindikal”, Prishtinë, 4 nëntor 1997, f. 14 dhe sidomos veprën tonë Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan (Sprovë), “Era”, Prishtinë, 2004; Konteksti shqiptaro-serb i toponimisë së Kosovës, në “Gjuha shqipe”, nr. 1/2005, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtine, 2005, f. 79-85;
[9] Shihni, Gjaku i lirisë (1981-1995), I-IV, Prishtinë, 1996-2000; Ubijeni vojnici (albanci) u jugoslavenskoju vojsci, në
librin: Nihad Halilbegovic, Mama, moram im glavu dati… (Stradanje vojnika-regruta u bivshoj JNA i njihovo spasavanje, «Halkomex», Sarajevo, 2002, f. 335-351; Përmasa gjeografike e një kujtese historike, (E, Kabashi, Batalioni Atlantiku i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, “Zëri ditor”, 18 shtator 2004, f. 27 dhe “Epoka e re”, Prishtinë, 18, 9. 2004, f. 18.
[10] Shihni, Komunikimi i përulur ndërakademik, “Ars”, Tiranë, 2004, nr. 8 (30), f. 2.
Prof. asc. dr. Begzad Baliu
Universiteti i Prishtinës
Fakulteti i Edukimit