Një tabelë për Urën e Goricës në Berat

Nga Qerim Vrioni

 

  Gjatë një vizite në Londër, 4-5 vite më parë, kureshtja më çoi edhe në urën e njohur të saj mbi lumin Tamiz, me emrin “Tower Bridge”, një nga simbolet e qytetit. Ajo është urë e varur dhe me hapje në mes për kalimin e anijeve të mëdha. Në mos më i pari si objekt arkitektonik, historik e, natyrisht edhe turistik, ajo mbetet ndër më tërheqësit e kryeqytetit britanik. Në  murin e njërës nga katër kullat e urës ishte shkruar në beton gjithçka dihej për të, historia, arkitektura, ndërtimi, funksionimi etj. Çdo turist a vizitor, duke  lexuar tekstin, merrte (edhe merr) njohuri të plota mbi të dhe kësisoj kalimi mbi të edhe vështrimi i saj i jepte kënaqësi më të madhe.

  Edhe qyteti i shumëndritur i Beratit (sipas piktor Onufrit) ka një urë më të vogël se ajo londineze, por edhe më të vjetër, e cila lidh  qytetin me lagjen Goricë (që i ka dhënë edhe emrin) të ndara midis tyre nga lumi Osum. Për vjetërsinë, arkitekturën, pamjen, mënyrën e ndërtimit dhe dobinë e saj, nga shumë studiues ajo mbahet si e pa të dytë në vendin tonë. Mosha e Urës së Goricës, mbi dy shekullore, imazhi, procesi dhe vendi i ndërtimit të saj e kanë kthyer atë në një nga simbolet më të para të qytetit të një mbi një dritareve. Ajo ofron imazhe piktorike mbresëlënëse nga shumë pozicione shikimi, nga Kalaja dhe Gorica, nga lumi në të dy anët e saj, nga Turizmi dhe bulevardi buzë lumit, por edhe nga dy urat e reja të ndërtuara kohëve të fundit. Atë e vizitojnë me njëherë turistët, vendas e të huaj, sapo mbërrijnë në qytet, në grup apo të veçuar, dhe vështirë që ata të mos e fotografojnë nga të gjitha anët, përveç ndonjë artisti që edhe e skicon në letër a e hedh si akuarel.  Madje skicat e para të Urës janë të moçme, ato datojnë mesin e shekullit XIX, dhe  janë të piktorit anglez Eduard Lear, ndërsa fotografitë e saj më të hershme (por edhe të qytetit) nga të huaj të tjerë, shënohen në fillimshekullin XX. “Ura e Goricës”, trajtohet dhe mbrohet nga Shteti Shqiptar si “Monument Kulture” i shkallës së Parë me Ligjin Nr.609, datë 24.5.1948 të Kuvendit Popullor.

   Gjithsesi, vizitorët, përveç grupeve të organizuara (me shpjegues, ciceron), nuk kanë se si mund të marrin informacion të plotë e tërheqës mbi Urën e Goricës. Për këtë, mendoj se ka ardhur koha (ndoshta e vonuar) për të vendosur një pllakë (betoni apo metalike) vertikale në gjuhët shqip dhe anglisht   mbi të cilën të shkruhet gjithçka dihet mbi të, koha e mënyra e ndërtimit, materialet konstruktivë, rindërtimi, parametrat fizikë, si gjatësia, gjerësia, lartësia etj.  Si vend më i përshtatshëm i vendosjes së pllakës apo tabelës, është ana e djathtë e hyrjes nga qyteti drejtë Goricës. Për këtë, nga ana e Bashkisë, del nevoja e ngritjes së një komisioni të posaçëm (ad hoc, si i thonë sot) me historianë, arkitektë, inxhinierë, piktorë dhe skulptorë, njerëz të kulturës dhe artit, që të hartojnë tekstin e informacionit mbi urën, por edhe formën e mbajtëses së pllakës dhe vendin ku do vendoset ajo (ose tabela).   

   Për pllaka a tabela të tilla, natyrisht kanë nevojë edhe objekte të tjera (jo të pakët), simbolikë të Beratit, si Lagja Mangalem, Kalaja, Gorica, Lapidari i Dëshmorëve, Varri i Baba Aliut, kisha dhe xhami me histori (dhe me emra interesantë) etj, madje edhe dy urat e reja, gjithmonë, duke menduar se ato mungojnë. Kjo gjë mund të zgjerohet edhe në ndërtime të vjetra jashtë qytetit psh, në ura, si ajo e Velabishtit dhe e Vokopolës etj. Këto tabela, do t’i bëjnë më të kulturuara dhe të këndshme vizitat e turistëve në qytet e rrethina, por do sjellin rritjen e publicitetit për të, duke ofruar kësisoj edhe mundësi praktike të shtimit të numrit të tyre në të ardhmen. Po ashtu, informacionet e tilla të përhershme tregojnë edhe kulturën e lashtë të qytetit që, përgjithësisht, e mban afër historinë e tij.

 

                                                                                    Qerim  Vrioni,   maj 2017

Comments

comments

-----